Në islam ekzistojnë dy burime mbi të cilët mbështetet mësimi islam, e ato janë Kur’ani – Libri i Allahut dhe Hadithi – thëniet dhe sjelljet e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Ne në këtë rast do të bëjmë fjalë vetëm për Kur’anin, si burimi kryesor i mësimit islam. Kur’ani ruhej tek Allahu në Librin e quajtur “Levhi Mahfudh”, në të cilin libër është e shkruar e tërë ajo që do të ndodh në jetën e kësaj bote. Pastaj Allahu i Madhërishëm e zbriti atë në qiellin e tokës në “Bejtu-l-izzeh”. Kurse prej këtu, përreth 23 viteve, në intervale të ndryshme kohore, Xhibrili ia zbriti Muhammedit, s.a.v.s., atë në tokë.
Ajetet e para që iu shpallën Muhammedit, a.s., ishin ajetet e sures El-‘Alek, dhe kjo ka ndodhur gjatë Ramazanit, të vitit 610., sipas Isait, a.s.
Fjala Kur’an nxirret nga folja kare’, jekreu’, e që do të thotë lexim dhe recitim.
Muhammedit, s.a.v.s, shpallja i ka zbritur në intervale të ndryshme kohore. Ka pasur raste kur i është shpallur për çdo ditë, ndërsa ndonjëherë edhe disa herë në ditë, mirëpo ka pasur raste edhe kur shpallja i është ndërprerë për aq sa njerëzit kanë filluar të mendojnë se kjo ka përfunduar me kaq.
Menjëherë, posa i zbriste Shpallja, Muhammedi, s.a.v.s., i njoftonte shkruesit e tij, të cilët me një precizitet të madh e shkruanin atë. Shkrimi i shpalljes ka ndodhur nën mbikëqyrjen e vetë të Dërguarit, s.a.v.s. Shkrimi i saj bëhej mbi lëvoren e drurit, lëkurës, gurit, eshtrat e kafshëve, etj.
Ashtu siç zbriste shpallja në mënyre permanente, ashtu rritej edhe numri i besimtarëve, ndërsa me këtë edhe një numër kopjesh të teksteve të shpallura të Kur’anit. Çdo besimtar, për hir të dashurisë së madhe ndaj Kur’anit, personalisht bënte përshkrimin e citateve të caktuara kur’anore.
Një pjesë e madhe e ajeteve kur’anore kanë shkaqet e tyre të zbritjes, siç ishin ngjarjet aktuale, të cilat ndodhën në sytë e të Dërguarit, s.a.v.s., dhe të shokëve të tij, me ç’rast Allahu i Madhërishëm shpallte ajete të caktuara që do të bënin shpjegimin e ngjarjes apo interpretimin e saj. Kur’ani shpeshherë shpallej për të përgënjeshtruar atë që kishte ndodhur në të kaluarën dhe për rrjedhojë ofronte zgjidhje të drejtë të problemit përkatës.
Shpallja ndonjëherë zbriste si një sure e plotë, ndonjëherë vetëm një ajet, e ndonjëherë një gjysmë ajeti.
Vetë karakteri i Shpalljes e bënte të Dërguarin, s.a.v.s., që vazhdimisht ta përsëriste dhe ta zinte përmendsh atë. Sipas një hadithi të vërtetë, mësojmë se Muhammedi, s.a.v.s., e përsëriste Kur’anin në prezencë të Xhibrilit për secilin Ramazan. Kurse gjatë ramazanit të fundit atë e përsëriti dy herë, që ishte një shenjë për të se po përjeton ramazanin e fundit dhe se i është afruar vdekja.
Kur’ani u shkrua në tërësi për gjatë kohës së Muhammedit, s.a.v.s., mirëpo nuk qe i tubuar në një përmbledhje. Pas vdekjes së tij, muslimanët në një luftë humbën 70 hafëza (ruajtës të Kur’anit) dhe kjo qe si shkas që Kur’an të shkruhet në një përmbledhje të vetme (Mus’haf). Ky hap u realizua gjatës kohës së kalifatit të Ebu Bekrit, r.a., i cili e urdhëroi shkruesin e mirënjohur Zejd bin Thabitin, r.a., që të formojë një komision, nën patronatin e të cilit do të përmblidhet komplet Kur’ani në një Mus’haf. Komisionin në fjalë e përbënë hafëzat më të njohur të Kur’anit në atë kohë.
Ekzemplari i parë i Mus’hafit rruhej tek Ebu Bekri, kurse pas vdekjes së tij tek Omeri, dhe pas tij u ruajt tek vajza e tij Hafsa. Të theksojmë edhe këtë se në Gadishullin arabik jetonin në atë kohë shumë fise, të cilët flisnin dialekte të ndryshme. Allahu i Madhërishëm shpalli Kur’anin në shtatë dialekte ashtu që fiset arabe ta kishin më lehtë për ta kuptuar atë. Me përhapjen e islamit nëpër vise të tjera edhe as’habët, të cilët e dëgjuan Muhammedin, s.a.v.s, në mënyre direkte sesi lexohet Kur’ani, u shpërngulën nëpër rajonet e sapoçliruara dhe atje filluan që njerëzve t’ua mësojnë leximin e Kur’anit. Çdo njëri prej tyre i mësonte njerëzit në atë formë siç ai e kishte dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. Këta sahabe vinin prej fiseve të ndryshme arabe. Ndodhte që, kur mblidheshin dhe kur secili prej tyre fillonte të tregojë se si e kishte dëgjuar të Dërguarin, s.a.v.s, duke e lexuar Kur’anin, të kundërshtoheshin njëri me tjetrin. Një gjë e tillë ndodhi në Armeni nga cili vend erdhi përfaqësuesi i Othmanit, r.a., dhe e njoftoi atë për ngjarjet që kishin ndodhur atje dhe për paraqitjen e kopjeve të ndryshme të Kur’anit. Othmani, r.a., në këtë rast kërkoi nga Zejd bin Thabiti, r.a.s, që të formojë komision dhe t’i kopjojnë edhe shtatë ekzemplarë të tjerë të Kur’anit. Nga Hafseja, vajza e Omerit, r.a., kërkoi ekzemplarin e parë të Mus’hafit dhe në bazë të tij komisioni i përgatiti edhe shtatë të tjerë. Pastaj Othmani, r.a., këto Mus’hafe i dërgoi në provinca të ndryshme në mënyrë që mësuesit e fesë t’ua mësojnë njerëzve Ku’anin në formë unike, dhe t’i evitojnë mosmarrëveshjet e mundshme. Dialektet që deri atëherë praktikoheshin gjatë mësimit të Kur’anit u abroguan, ndërsa u pranua vetëm dialekti me të cilin u shërbye Muhammedi s.a.v.s., dhe që nga kjo kohë daton edhe emërtimi “Hatt Uthman”, apo i ashtuquajturi “Shkrimi Osman i Kur’anit”; me anë të të cilit shkrim sot e kësaj dite, në mbarë botën, bëhet shtypja e Kur’anit.
Kur’ani përmban 114 sure dhe ka rreth 6236 ajete. Të gjitha suret janë të ndara në 30 xhuze (kaptina) kurse secili xhuz ka nga 20 fletë. Kur’ani është Libër i Allahut, në të cilin Zoti i botëve, Ai që na ka krijuar dhe që e di natyrën tonë, na paraqet sistemin e jetës dhe të ligjit në bazë të të cilit do të qeverisim. Sepse, cili do të ishte ai që do të dinte më mirë, përpos Allahut, Krijuesit të gjithësisë, se ç’i nevojitet njerëzimit?!
Muhammedi, s.a.v.s., nuk është shkrues i ligjit që gjendet në Kur’anin Fisnik, porse ai konsiderohet vetëm si ndërmjetësues i Shpalljes, i cili njerëzve ua kumtonte njerëzve porosinë e Allahut. Ai asgjë nuk ka shtuar nga vetvetja, as që ka vepruar sipas ëndjes së tij. Allahu i Madhërishëm për të ka thënë: “Thuaj: “Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij.” (Fussilet, 6.) Po ashtu Allahu i Madhërishëm thotë: “Ti nuk je tjetër vetëm i dërguar që tërheq vërejtjen.” (Fatir, 23.); “Po nëse ata prapësohen (prej besimit), atëherë obligimi yt është komunikimi i qartë.” (En-Nahl, 82.)
Kur’ni Fisnik është dërguar për tërë njerëzimin, duke mos bërë dallime në racë, ngjyrë, vend e kohë. Ai i prin njeriut në të gjitha sferat e jetës së tij, atë shpirtërore, materiale, personale, shoqërore, etj. Në të është udhëzimi për qeverisje të mirë si për udhëheqësin e shtetit, ashtu edhe për shtetasin e thjeshtë, për të pasurit dhe të varfrit, për luftën dhe paqen, për kulturën shpirtërore si dhe për tregtinë dhe mirëqenien materiale. Në të gjithashtu gjenden ligjet mbi jetën martesore, sjelljet e grave ndaj burrave dhe të burrave ndaj grave, shkurorëzimin, edukimin e tyre dhe të vepruarit sipas tyre. Një pjesë e ajeteve flasin mbi trashëgiminë, cili kë e trashëgon dhe kujt sa i takon, etj. Fakti që detajisht përmendet sasia e secilës vepër, flet mbi rëndësinë e së drejtës trashëguese, që për fat të keq kjo tek ne, dhe gjetiu, shpërfillet tej mase.
Le ta marrim si shembull vetëm mjaltin i cili në Kur’an përmendet si ilaç, ndërsa mjekësia bashkëkohore vetëm sot ka arritur të tregojë për rëndësinë e mjaltit si shërues. Ose mishi i derrit, të cilin Kur’ani e ka ndaluar që para 1400 vitesh, vetëm në këtë shekull kanë arritur të shfaqin sesa është i dëmshëm për organizmin e njeriut. Pastaj alkooli, paramendoni sesa sëmundje ai mund të shkaktojë!
Në të vërtetë, kur njeriu shikon në përmbajtjen e Kur’anit, duhet që të mendojë thellë dhe të tentojë të mësojë arsyen se pse Allahu i Madhërishëm i ka përmendur të gjitha këto. Nuk la pa përmendur asnjë segment te jetës njerëzore!
Në Kur’anin Fisnik gjendet e vërteta mbi Allahun e Madhërishëm, përshkrimi i Tij dhe mënyra sesi ta madhërojmë Atë. Nuk kemi nevojë që të mendojmë sesi t’ia kthejmë Zotit tonë për të gjitha ato mirësi. Ai na e ka shpjeguar të gjithë këtë dhe na ka udhëzuar në mënyrën sesi duhet realizuar.
Në Kur’an hasen edhe shumë rregulla të tjera për jetesë, siç është p.sh., ligji penal. Ai është i harmonizuar në përpikëri. Dhe sikur njerëzimi ta pranonte këtë ligj dhe në bazë të tij t’i gjykonin njerëzit për kundërvajtje të caktuara, atëherë numri i shkeljeve dhe rasteve kriminale me automatizëm do të zvogëlohej. Sot, në Arabinë Saudite dhe në disa vende të tjera të Azisë dhe Afrikës vazhdon që në gjykata të aplikohet, deri në një farë mase, ligji penal kur’anor.
E më e rëndësishmja që gjendet në Kur’an, është ajo për të cilën Kur’ani thotë: “Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues.” (Fussilet, 44) , dhe në ajetin tjetër: “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” (El-Isra, 82)
Ky, pra, është ligji më i mirë që njeriu ndonjëherë ka mundur ta posedojë dhe të ketë dëgjuar për të. “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (El-Bekare, 2)
Në Kur’anin Fisnik, gjithashtu, përmenden edhe ngjarjet historike mbi popujt e më hershëm dhe mënyrat e jetesës, gabimet, sukseset dhe rëniet e tyre. Qëllimi i rrëfimeve është që ne të mësojmë sesi të jetojmë, respektivisht të mësojmë prej shembullit të tyre. Si përfundim të kësaj paraqitjeje mbi përmbajtjen e Kur’anit do të citojmë këtë ajet kur’anor: “Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbanju këtij, ruajuni ashtu që të mëshiroheni.” (El-En’am, 155)
Në radhë të parë duhet pyetur se për çfarë arsye Allahu i Madhërishëm e dërgoi Kur’anin. A duhet vetëm se të lexohet si të gjithë librat e tjerë që njerëzit i shkruan dhe të na jetë një libër më tepër në bibliotekë, apo se shpallja e Kur’anit ka një qëllim krejtësisht tjetër?
Kur’ani nuk u shpall për tjetër qëllim. Ai është shpallur si udhërrëfyes dhe të veprohet sipas tij. Ky, pra, është roli i vetëm i tij, dhe në këtë mënyrë duhet të jetë raporti i besimtarit kundrejt tij.
Duhet pranuar, sinqerisht, se paksa e kemi lënë pas dore Kur’anin, kurse ai, për këtë, në Ditën e Gjykimit do të na mallkojë. Ai mes nesh konsiderohet si i vetmuar dhe ne ndaj tij sillemi si ndaj ndonjë gjeje të thjeshtë. Për këtë, Muhammedi, s.a.v.s., që herët ka thënë që do të vijë kjo gjendje e raportit tonë ndaj Kur’anin Fisnik, në një hadith, duke iu drejtuar Ibn Mes’udit, r.a.: “Ti jeton në një kohë në të cilën ka shumë prej njerëzve që i kuptojnë dispozitat e Kur’anit, ndërsa të paktë janë ata që e lexojnë atë. Shumë njerëz jetojnë sipas Kur’anit dhe i ruajnë dispozitat e tij, ndërsa të paktë janë atë që kujdesen për shkronjat e tij. Të paktë janë fukarenjtë, ndërsa të shumtë janë atë që japin lëmoshë. Njerëzit në namaz rrinë gjatë, ndërsa flasin pak. Më shumë punojnë sesa flasin…”
Kështu ishte në kohën e Muhammedit, s.a.v.s. Tani le të shohim sesi në vijim të hadithet pasqyrohet gjendja reale e ditëve të sodit: “E do të vij një kohë, kur do të ketë më pak nga ata që e kuptojnë Kur’anin, e më shumë nga ata që e lexojnë atë. Atëherë dispozitat e Kur’anit do të shuhen (së zbatuari), e më shumë do të kujdesen për shkronjat e tij. Të shumtë do të jenë fukarenjtë, e të paktë ata që japin. Koha do të harxhohet më shumë në fjalime, kurse pak në lutje. Pak do të punohet, kurse më shumë do t’i kënaqin epshet e tyre.” (Imam Maliku)
Le të ndalemi një çikëz tek ky hadith dhe të shohim se në cilën kohë ne jetojmë! Kjo kohë ka ardhur, pa kurrfarë dyshimi. Megjithatë, ekziston shtegu. Akoma nuk është vonë t’i kthehemi Kur’anit. Ai ne na thërret.
Kur’ani tek është i keqpërdorur dhe shumë pak shfrytëzohet në pikëpamje të qëllimit të tij të vërtetë. Muhammedi, s.a.v.s., ka njoftuar se do të vij një kohë kur njerëzit do të jetojnë prej Kur’anit, e jo për Kur’anin. Ai, s.a.v.s., thotë: “Pas meje u lë dy gjëra, në qoftë se do t’ju përmbaheni nuk do të devijoni, ato janë: Libri i Allahut dhe Sunneti im.” (Muslimi)
Sot, ummeti islam gjendet në një qorrsokak, si asnjëherë më parë, kurse është shumë lehtë për ti identifikuar shkaqet, sidomos kur vështrojmë hadithin të cilin e shënuam pak më lartë.
Sikur sot, bota islame dhe udhëheqësit e saj, të vepronin në bazë të Kur’anit, pa kurrfarë mëdyshje se bota do të ishte nën sundimin e tyre.
“Kur’ani është tërheqës i vërejtjes me plotë urtësi. Ai është udhëzimi më i drejtë, i cili nuk shpie drejt epsheve. Mrekullitë e tij nuk kanë fund. Kush flet në bazë të tij, ka thënë të vërtetën; kush punonë në bazë të tij, ka për të qenë i shpërblyer; kush gjykon në bazë të tij, ka gjykuar drejtë, e kush fton në të, ai është udhëzuar në rrugën e drejtë.” (Tirmidhiu).
Burimi:
http://www.bosanskialim.com/rubrike/tekstovi/000064R002.html
Përkthyes:
Mehas Alija