Hutbe të zgjedhura të Muhammedit (a.s.)

I Dërguari në pjesën e parë të hutbes e pati bërë shprehi t’i lexojë nga disa ajete kur’anore, të cilat pastaj i përdorte në ligjëratën e tij. Pas kësaj ulej, pastaj ngrihej dhe fillonte me leximin e pjesës së dytë të hutbes. Në pjesën e dytë të hutbes kryesisht lexonte duanë.
Hutbet e bajrameve Muhammedi a.s. nuk i fillonte me falenderim ndaj All-llahut, por me tekbire. Në hutben e parë i lexonte shtatë, kurse në të dytën pesë tekbire.
Shumë hutbe të Muhammedit a.s., pas falenderimit të All-llahut, fillonin me pyetje retorike, apo përgjithësisht me ndonjë formë pyetëse. Me këtë ka dëshiruar t’ua tërheq vëmendjen të pranishmëve, t’i zgjojë ata të cilët janë të përgjumshëm, t’i nxisë në mendime:
"A e dini se cila është kjo ditë?”
"Këtë më së miri e di All-llahu dhe i Dërguari i Tij”,-kanë thënë të pranishmit. "Kjo është”, ka thënë i Dërguari, "Ditë e shenjtë dhe e ndershme...”
Hutbet e të Dërguarit janë të pasura me ajete kur'anore. Hutben e parë në namazin e xhumasë i Dërguari e mbajti jo larg Medines me rastin e shpërnguljes nga Mekkeja në këtë qytet. Në atë hutbe gjenden ajetet kur'anore nga kaptina Ali Imran, Kaf dhe et-Talak. Në fjalimin në Haxhin e lamtumirës i Dërguari ndër të tjera ka cituar edhe ajete kur'anore nga kaptina et-Tevbe, të cilët flasin për të transformuarit e muajve të shenjtë. Disa hutbe të të Dërguarit kanë qenë vetë Kur'ani. Nga Ummi Hisham transmetohet se kaptinën kur'anore Kaf e ka mësuar drejtperdrejt nga i Dërguari i All-llahut, për arsye se atë, e ka lexuar shpesh në minber si hutbe.
Kjo praktikë është vazhduar edhe pas të Dërguarit. E tillë p.sh. ka qenë hutbeja e Mus'ab ibn Zubejrit e cila në tërësi është:
”Ta Sin Mim. Këto janë ajete të Librit të qartë. Ne do t'i shfletojmë disa lajme të vërteta për Musain dhe Faraonin; këtë e bëjmë për popullin që beson. Faraoni ishte ngritur shumë lart në tokë dhe banorët e saj i përçau në grupe, njërin nga ata e shtypte, ua therte fëmijët (mashkuj) kurse femrat i linte të jetojnë. Ai njëmend ishte shkatërrues", duke treguar me dorë kah Shami (Siria); vazhdoi: "Mirëpo, Ne dëshirojmë që ata, të cilët janë të shtypur në tokë, t'i mbulojmë me mëshirë dhe t’i bëjmë prijësa dhe trashëgimtarë", duke treguar me dorë kah Hixhazi; e pastaj vazhdoi: ..Edhe t'u japim pushtet në tokë, kurse Faraonit e Hamanit me ushtritë e tyre t’ua tregojmë atë prej së cilës janë ruajtur (frikësuar) aq shumë." (el-Kasas, 1-6), duke treguar me dorë kah Iraku.
Hutbet e të Dërguarit të All-llahut, përveç karaktertstikave tashmë të theksuara, kanë qenë edhe mjaft të shkurtëra, duke e përjashtuar hutben të cilën i Dërguari e ka mbajtur në haxhin e lamtumirës. Transmetohet se Ammar ibn Jasiri me një rast ka mbajtur një fjalim mjaft të shkurtër. Në kërkesën e të pranishmëve që të flasë edhe më tej, ka thënë:
"I Dërguari neve shprehimisht na ka urdhëruar që namazin sa më gjatë ta falim, kurse hutben sa më shkurt ta mbajmë." Mirëpo është shënuar se i Dërguari nganjëherë ka mbajtur edhe fjalime të gjata, të cilat sigurisht për shkak të gjatësisë, në tërësi nuk janë ruajtur. Nga Ebu Se'id el-Hudriu transmetohet se i Dërguari i All-llahut një ditë pas ikindisë filloi të ligjërojë dhe foli deri sa në horizont ka pasur diell e pastaj tha:
"Nga kjo botë ka mbetur aq sa ka mbetur nga kjo dita juaj." (Bakil-hani, I’xhaz-ul Kur’ani, 110)
Hutbet e të Dërguarit kanë qenë të privuara nga sexh'i (proza e rimuar). I Dërguari e ka urryer këtë lloj të të shprehurit, sepse ai tregon në shtirje, kurse All-llahu të Dërguarin e ka çliruar nga shtirja, artificialiteti (Kur’an, Sa’d, 86).
Mirëpo në hutbet e tij hasim në shumë mjete ndihmëse stilistike, sikur p.sh. metaforën, sinedokën, metoniminë, asonancën, sidomos antitezën, me të cilën e ka theksuar kontrastin ndërmjet kësaj bote dhe ahiretit (botës tjetër), rinisë dhe pleqërisë, jetës dhe vdekjes, të kaluarës dhe ardhmërisë. Në një hutbe as'habeve të tubuar u thotë:
"0 ju njerëz, ju keni udhëtregues, sandejmi ndiqni ato. Ju keni synimin tuaj, prandaj shkoni kah ai synim. Besimtari jeton ndërmjet dy frikave: të kaluarës, për të cilën nuk di çka ka bërë All-llahu me të dhe të ardhmes, për të cilën nuk di çka i ka urdhëruar All-llahu në të. Prandaj çdo kush nga ju le të marrë nga vetja për vete. Nga bota juaj për ahiretin tuaj. Nga rinia për pleqëri. Nga jeta për vdekje.
Pasha AIl-llahun në dorën e të cilit është jeta e Muhammedit, pas vdekjes nuk ka pendim, pas kësaj bote nuk ka vendpushim përveç xhennetit ose xhehennemit. Ua them këtë dhe e lus All- Ilahun të na falë."
Nga kjo hutbe gjithashtu mund të shohim se ai oratori i ka ndarë mendimet e Tij dhe i ka kufizuar domethëniet ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes, ndërmjet asaj çka vjen dhe asaj çka po shkon.

Elokuenca e të dërguarit të All-llahut

Elokuenca e të Dërguarit të All-llahut është aftësia parësore e çdo oratori; përbri kësaj vjen edhe mënyra e të theksuarit të mirë dhe zgjedhja e lëndës për bisedë është e mundur që fjala të jetë e saktë dhe e rrjedhshme, por që mënyra e të prezentuarit të saj mos të jetë në nivelin përkatës. Ose edhe rrjedhshmëria dhe mënyra e të folurit, nuk garanton kualitetin e të ekspozuarit, i cili do të duhej t'i tërheqë dëgjuesit dhe t'i përfitojë zemrat e tyre.
Elokuenca e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit alejhisselam ka qenë komplete: në fjalë, në mënyrë dhe në lëndën e të folurit. Muhammedi a.s. e ka njohur gjuhën arabe në semanticitetin e saj të plotë dhe përdorshmërinë retorike, sepse i takonte fisit Kurejsh. Dhe sepse është rritur në mjedisin e pastër beduin në fisin Benu I Sa'd.
”I Dërguari i All-llahut nuk ka folur siç flisni ju. Të folurit e tij ka qenë deri në atë përmasë i rrjedhshëm dhe i qartë, saqë dëgjuesit me lehtësi kanë mundur ta mësojnë përmendësh," -thotë Aisheja. (Abbas Mahmud el-Akkad, Abkarijjetu Muhammed, Kajro, fq. 21)
Elokuenca e tij i ka pasur të gjitha aspektet e përkryeshmërisë. Hutbet një nga të cilat e kemi sjellur këtu, tregojnë pa kurrfarë dyshimi se i Dërguarit i All-llahut ka poseduar elokuencë të gjithanshme, si në aspekt të përmbajtjes, ashtu edhe në aspekt të shqiptimit dhe kompozicionit sintaksiko-semantike të fjalisë.
Fillimi i hutbes së të Dërguarit të All-llahut Zuhriu përcjell se i Dërguari i All-llahut, pothuaj çdo hutbe e ka filluar në këtë mënyrë:
"I falemi All-llahut. Atij i jemi mirënjohës, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Tek Ai kërkojmë strehim nga veset dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon All-llahu në rrugë të drejtë askush në humbje nuk mund ta çojë, ndërsa atë që Ai e lë në humbje, askush në rrugë të drejtë s'e udhëzon dot. Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi a.s. është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij, të cilin Ai me të vërtetë e ka dërguar që ta sjellë sihariqin dhe të tërheqë verejtjen para se të vijë çasti i Gjykimit. Ai që i nënshtrohet All-llahut dhe të Dërguarit të Tij është në rrugë të drejtë, ndërsa ai që nuk i nënshtrohet Atij dhe të Dërguarit të Tij është në humbje të mëdha. I lutemi All-llahut, Krijuesit tonë, që të na radhisë ndër ata që Atij dhe të Dërguarit të Tij i nënshtrohen, që e ndjekin kënaqësinë e tij dhe që i ruhen zemërimit të Tij. Ne jemi të Atij dhe Atij i përkasim." (Kurtubi, Tefsir.18.116.)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme