Antiislamizmi aktual, fashizëm i ri evropian

Asnjë personalitet publik, asnjë intelektual, asnjë politikan, asnjë shkencëtar i njohur te ne (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni ...), jashtë rrethit të besimtarëve praktikë, nuk ka folur e shkruar për shfaqjen apo kundër shfaqjes së antiislamizmit, respektivisht kundër islamofobisë, që e karakterizon kohën e fundit Kosovën, Ballkanin dhe gjerësisht Evropën dhe Perëndimin. Deri para disa kohësh kjo ishte tabu-temë, por tashmë jo. Në ish-Jugosllavi, më saktë në Bosnjën e përgjakur e të përflakur, këtë e bëri një jomysliman, Zheljko Komshiq, anëtar i Presidencës boshnjake, dhe atë në ditën e fitores kundër fashizmit, duke thënë se “fashizmi dhe nacizmi aktual krahas antisemitizmit fituan karakteristikë shtesë në antiislamizëm”. Këtë te ne nuk e bëri as politika, as kultura, as shkenca, as njerëzit e zakonshëm. Si është e mundur që këtë gjë ta vërejë një jomysliman, Zheljko Komshiq, por jo edhe të tjerë, qoftë në Bosnjë, qoftë te ne. Duke i shikuar e lexuar televizionet, gazetat, internetin dhe mediumet e tjera, fitohet përshtypja se dikush nuk e flet të vërtetën, madje madje, fitohet përshtypja për një komplot heshtjeje. Po, komplot heshtjeje, sepse mosevitimi i të keqes kur e ke mundësinë është pjesëmarrje në të keqe. Të jesh antiislamist do të thotë të jesh fashist dhe në këtë vlerësim pajtohem me Zheljko Komshiqin. Sa janë të sinqertë sa e sa intelektualë, shqiptarë e joshqiptarë, muslimanë shqiptarë e muslimanë joshqiptarë (?!), kur heshtet kjo dukuri, duke mos i dhënë rëndësi publike, madje, më e keqja, duke hedhë vaj në zjarr në çdo çast të mundshëm.

Nëse do të pyeste dikush se ç’është antiislamizmi, në mënyrë të përgjithësuar do t’i përgjigjeshim se antiislamizmi është trend i kohës pas të cilit qëndrojnë organizata dhe struktura të fuqishme politike, ekonomike e kulturore. Si të tilla, duke i pasur interesat e ngatërruara dhe lakminë deri në pafund, shumë sosh bëhen pjesë e këtij trendi dhe me këtë edhe pjesëmarrës në të keqen që quhet fashizëm bashkëkohor. Ky antiislamizëm nuk është dukuri vetëm e Kosovës dhe Shqipërisë apo edhe e Ballkanit të përflakur në fund të shekullit XX, por është dukuri e tërë Evropës dhe më gjerë. Kjo sidomos manifestohet në fitoret e të djathtës në disa vende evropiane dhe në aksionet e tyre që drejtpërdrejt atakojnë të drejtat elementare muslimane: të lëvizjes, shkollimit, shprehurit të lirë etj. Në Evropë kultivohet antiislamzëm ideologjik, i bazuar në politikë që do të thotë në politikë shtetërore. Prandaj, edhe e keqja është më e madhe, sepse angazhimet, dhuna, diskriminimi është i organizuar dhe shumëfish me pasoja. Këtë e pranojnë edhe institucionet evropiane. Raporti i  fundit vjetor i Zyrës së Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), të dt. 16 qershor 2011, thotë se “racizmi nuk është më i kufizuar vetëm në disa segmente të shoqërisë; edhe politikanët e moderuar po përdorin gjithnjë e më shpesh argumente ksenofobike e anti-myslimane dhe se shpallin referendume kundër atyre që nuk janë shtetas të atij vendi dhe kundër pakicave fetare. "Vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme për të luftuar këtë prirje. Duhet bërë më shumë" lexohet në raport ku kërkohen goditje legjislative për të mund të kryer akte më të vendosura kundër krimeve raciste.” (http://www.shqiptariiitalise.com/component/content/article/35-te-jetosh-ne-itali/1401-keshilli-i-europes-rritet-racizmi-shtohen-politikanet-ksenofobe.html). Po ky raport përfundon se “Qeveritë duhet të jenë të vetëdijshme për këtë rrezik,” prandaj edhe “duhet të punojnë për të forcuar ligjet dhe institucionet kundër diskriminimeve dhe të thonë hapur se ksenofobia nuk mund të tolerohet kurrë në shoqërinë moderne". (Ibid.).

Lidhur me këtë temë kemi edhe deklaratën e kryetares së partisë Konservatore të Norvegjisë (Hayre), Erna Solberg, e cila thotë se “muslimanët e ditëve të sotme po persekutohen thuajse njëlloj si hebrenjtë përgjatë viteve të ’30 të shekullit të kaluar” (North Post – Norvegji, sipas: Solberg krahason islamofobinë me antisemitizmin, Gazeta Start, Shqipëri, 14. 8. 2011).

Politikani i majtë në Shqipëri, që here-herë në skenën politike shqiptare di të dal jashtë binarëve, kërkesën turke që librat shkollorë shqiptarë të pastrohen nga urrejtja, fyerja, ofendimi nuk e sheh tragjike, madje, edhe pse ortodoksë, ka mendim të ekuilibruar. Ja si thotë ai në një intervistë për gazetën Shqip:

“... nuk besoj se deklarimi si tillë duhet parë si “fyes” apo “deshqiptarizues” apo edhe më keq, që të vijë si ftesë për të na larguar nga identiteti ynë europian drejt një “otomanizmi modern”...Jo! Turqit nuk para pëlqejnë të jenë naivë në mënyrën e të bërit diplomaci, dhe aq më pak që kjo pastaj të shërbente që shqiptarëve t’u lëviznin nervat e të ndiheshin të sfiduar nga miqësia turke. Së pari, Ahmet Davutoglu nuk përfaqëson sot “të sëmurin e Bosforit”, që ne dhe kalamajtë tanë kanë lexuar nga librat e historisë. Interesat turke, edhe për favorin e tyre dëshirojnë një faktor të rilindur gjeopolitik shqiptar, i cili do t’i shërbente stabilitetit rajonal, por edhe një protagonizmi turk në rajon. Trashëgimia që lanë Tito dhe Enver Hoxha në planin gjeopolitik fillonte nga rindarja e Europës në Versajë. Kuptojeni “kodin” turk ashtu siç është, se nuk ka ardhur të shpallë shqiptarët si “turqit e rinj” të Europës, por të bëjë një ftesë miqësore për të kuptuar e pohuar një realitet të ri në rajon. Ky realitet është i tillë ku faktori shqiptar nuk është dhe nuk mund të luajë më si “nënprodukt” i Beogradit, dhe as të “neutralizohet” nga subkoshienca e izolimit të mëparshëm.” (Sipas: Express më 31 gusht 2011).

Ai vazhdon e thotë: “Që Turqia të shihet si faktor ndarës i shqiptarëve?!...Kjo është e tepruar për nga influenca reale që ka Turqia mbi botën shqiptare. Fëmijët e mi studiojnë në një shkollë turke dhe si ortodoksë që janë them se u ka bërë shumë mirë dhe jo keq. (Qesh) Unë kam miq në Turqi, që nga Pandeli shkurt më thërrasin “Ali”...Bo bo, ç’duhet t’u them këtyre miqve të “pabesë” tani(?!) Turqisë dhe turqve, që për arsye të njohura dhe të panjohura ne “arnautëve” na duan...dhe ky nuk është as mëkat e as gjynah.” (Sipas: Express më 31 gusht 2011).

Edhe pse izraelitët i kemi në krah të antiislamizmit evro-perëndimor, megjithatë pacifisti izraelit Uri Avnery në intervistë për Deutsche Welle thotë: “Këto parti të reja naciste, pa marrë parasysh si quhen dhe maskohen, janë rrezik për Evropën.” Ata kanë zëvendësuar antisemitizmin me islamofobi. Nëse lejohen të punojnë pa pengesa, do të krijohet klima e ngjashme me atë në Gjermani ndërmjet dy luftërave botërore. “Kjo është lëvizje i cili mu në fillim duhet të shuhet”, paralajmëron Avnery. (Mrzitelji islama i prijatelji Izraela, në: http://islambosna.ba/kolumne/26563-mrzitelji-islama-i-prijatelji-izraela).

Duke i marrë parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në këtë dhe të gjitha implikimet që pasojnë, politikanët tanë, intelektualët tanë, të gjithë, pa ngjyrime politike apo ideologjike, duhet qenë vigjilentë dhe të kujdesshëm, sepse gabimet do të prodhonin pasoja fatale për të ardhmen e një feje (islame) dhe të disa popujve (muslimanëve). Jemi dëshmitarë të luftës së fundit në Ballkan dhe pasojave të tmerrshme në njerëz, pasuri materiale dhe rrënimin e çdo humaniteti.

Edhe pse kjo dukuri nga organizatat për të drejtat e njeriut është cilësuar si islamofobi (si mosdurim racist, fetar, si urrejtje patologjike ndaj fesë islame etj.), kjo nuk e vret ndërgjegjen e “intelektualëve” apo “politikanëve” shqiptarë. Mos ma quani e tepruar cilësimin tim, sepse këta njerëz me ndërgjegje shumëfytyrëshe bazat e saj të veprimit i ka pikërisht aty ku i kishte dhe ende i ka edhe shpirti gjenocidal serb e sllav, sepse edhe ata e hartuan platformën shkatërruese mbi muslimanët boshnjakë dhe shqiptarë mbi këto premisa. Këto premisa janë: lufta kundër fundamentalistëve muslimanë, krijimi i shtetit islam në zemër të Evropës, mbrojtja e Evropës së krishterë nga aziatikët etj. Këto premisa krijuan alibi që Evropa të shfaq pasivitet të tepruar, madje edhe pajtim me veprimet serbe(sllave) në Ballkan. Ky pasivitet, respektivisht ky mosreagim i Evropës, njëherit përkthehet si pjesëmarrje në vrasje masive. Kjo flet se forca të caktuara edhe brenda tokave shqiptare janë në korrelacion me serbët, me një dallim nga të parët sepse këta për konsum të brendshëm përdorin serbishten e këta shqipen por për konsum të jashtëm ata, shqiptarët dhe serbët, të gjithë përdorin anglishten. Kjo na jep të kuptojmë se antiislamistët janë një grupim, pa marrë parasysh vendbanimin apo gjuhën.

Antiislamizmi i shqiptarëve muslimanë i shkon për shtati paragjykimeve antiislame ballkanike e botërore. Ata me veprimet e tyre e legjitimojnë propagandën dhe veprimet serbe ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve. Mllefi i shqiptarëve kundër Al-Kaidës dhe çdo gjëje islame, kundër osmanlinjve dhe çdo miqësie me ta, e ndihmon antiislamizmin, respektivisht e ndihmon forcën antishqiptare, d.m.th. serbe, ruse etj. Sharjet shqiptare kundër shqiptarëve, satanizimi i shqiptarëve, hipokrizia shqiptare në shtirjen tonë si jomyslimanë dhe antiislam, Evropës i shkon për shtati dhe madje ajo këtë dëshiron ta dëgjojë në vazhdimësi. Pse?

Sepse, si do t’i bazonte Evropa veprimet e saj nëse nuk do të thirrej në këso paragjykimesh? Si do të refuzohej pjesa muslimane nga Evropa nëse nuk do të kishte këso vlerësimesh? Kjo është mënyra më e mirë për ta ndal pjesën muslimane, për ta penguar atë, për ta dobësuar atë, për ta gjunjëzuar atë. Evropa i do muslimanët si fuqi punëtore për punë të rënda e të pista, por nuk i do për partnerë në punë, për partnerë në sport, kulturë etj. Me këtë Evropa e bënë edhe një shërbim për vetveten. Ajo e pengon të drejtën e qytetarëve të saj për ta mësuar Islamin e mirëfilltë, jo atë rigjid, të ngurtë, ekstrem që nuk ka aspak islam në të, por atë të mirëfilltë, atë që rrezaton, që kultivon, që prodhon njeri dhe njerëzi.

Evropianët dhe dora e zgjatur e tyre në mesin tonë nga vetë ne tentuan ta pengojnë të vërtetën duke “prodhuar” gënjeshtra në adresë të Islamit dhe muslimanëve, por ata harruan se shtrirja e Islamit nëpër të gjitha pjesët e botës edhe aktualisht po e konfirmon paralajmërimin e thënies së Pejgamberit a.s. se “kjo fe do të arrijë atje ku do të arrijë dita dhe nata dhe se nuk do të mbesë asnjë shtëpi, qoftë ajo nga tulla apo lëkura, e që në të mos të hyjë Islami”. Ky fakt po i bënë konfuz evro-perëndimorët dhe po i tmerron antiislamistët tanë dhe kjo vërehet nga trazimi i tyre psikik dhe veprimet e tyre të paekuilibruara. Drita e Krijuesit nuk mund të ndalet. Sado përpjekjet kundër kësaj drite të janë të forta, shkëlqimi i saj fuqizohet edhe më shumë.

Thënia e Komshiqit është e saktë dhe mund të shërbejë si diagnozë e saktë, por a ka evro-perëndimi dhe shqiptarët terapi për këtë sëmundje të tmerrshme të quajtur antiislamizëm respektivisht fashizëm bashkëkohor mbetet të shohim në vitet që pasojnë. Në të kundërtën, vazhdimi i antiislamizmit do të sjellë greminë shpirtërore dhe profane.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme