Konceptet estetike në Islam


Edhe pse ka ekzistuar për një kohë të gjatë bindja se në filozofinë islame të përfaqësuar nga kolosët e mendimit filozofik mysliman, estetika nuk njihej si koncept dhe si qasje filozofike, sot, mund të themi me plot gojë se estetika, ndoshta si kategori e mirëfilltë  shkencore e cila hulumton dhe shpjegon botën ndijore nuk  ka qenë e profilizuar, por qasja estetike dhe shpjegimet filozofike bazuar mbi kriteret estetike kanë qenë prezente dhe të përpunuara shumë mirë. Kjo, sepse arti dhe veprat e artit nuk janë produkt i estetikes, ato janë krijimtari e njeriut dhe si pasojë e ekzistencës së artit lind më pas përpjekja estetike për t’i dhënë një kuptim veprave të artit. Meqë artet islame janë të pasura në kohë dhe hapësirë, atëherë edhe nevoja për një shqyrtim estetik të tyre ishte e pashmangshme. Kështu që mund të themi që estetika si kategori e shqyrtimit të botës ndijore ka qenë prezente në filozofinë dhe artet islame.

Por, estetika islame ka një veçori të sajën e cila dallon nga estetika që ne hasim në përgjithësi në mendimin filozofik evropian. Kjo veçori e saj nuk mund të kuptohet nëse ne e shqyrtojmë estetikën e artit mysliman në optikën perëndimore  të perceptimit, e cila është derivate e trashëgimisë së saj historike. Një ndërhyrje në botën e estetikës myslimane është detyrimisht e shoqëruar me njohje të parimeve dhe koncepteve bazë të Islamit dhe civilizimit të tij si  dhe trashëgimisë historike, sociologjike e kulturore të atyre vendeve, për të ndërtuar më pas  një diskurs fenomenologjik lidhur me çka përbën estetikë në atë kontekst. Kur ne përballim dy botë, në kuptimin e gjerë të fjalës, i referohemi një artikulimi të tillë si Arti Islam dhe Arti Perëndimor. Edhe pse të dyja kanë një konotacion gjeografik shumë të gjërë me përbërës të larmishëm popujsh e kulturash, ndryshimi i artikulimit krahasues qëndron në faktin se identifikimin e të parit e bëjmë mbi bazë fetare ndërsa të të dytit mbi bazë gjeografike. Kjo na çon të mendojmë se Arti Islam është i lidhur pazgjidhshmërisht me estetikën e myslimanit si identitet i cili qëndron mbi hapësirat gjeografike, influencat kulturore e kombëtare të vendeve të ndryshme brenda botës islame. Pra, për të kuptuar estetikën e arteve të pafund islame, duhet t’i referohemi elementit përbashkues që është subjekti i myslimanit në të perceptuarit të botës që e rrethon.

Bazamenti religjioz islam mbi konceptin e së bukurës

Në fakt, ekziston një rrymë e vogël orientalistësh të cilët mbi baza të pastra paragjykimi  e vendosin konceptin e së bukurës në Islam në një pozitë inferiore nga e cila,  për rrjedhojë krijimtaria  dhe arti zënë një vend të papërfillshëm në hapësirën islame1. Ata argumentojnë se problemi qëndron që tek burimi i artit islam që është religjioni. Për ta koncepti i së bukurës është inekzistent në artikulimin teologjik, prandaj për pasojë edhe ajo çka vjen si produkt i saj është e mangët dhe e pa plotësuar. Kjo ka çuar drejt një keqkuptimi mbi qëndrimin e parimeve të fesë islame mbi artin dhe të bukurën. Duke përjashtuar konceptin estetik në teologji, ata përpiqen të argumentojnë se për rrjedhojë mungesa e një arti të sofistikuar sjell si rezultat mungesën e kriticizmit dhe parimeve të të gjykuarit estetik.

Në fakt e vërteta është krejt tjetër. Bazamenti teologjik islam mbi të bukurën është i gjërë dhe inkurajues. Nëse do t’i referoheshim fjalëve të  librit të shenjtë të myslimanëve Kur’anin, Zoti si krijues i së bukurës  është edhe inkurajuesi i parë i saj , i Cili me fjalët e tij shprehet : “Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?"2. Pastaj më vonë : “O ju që besuat! Mos i ndaloni  të mirat që për ju i lejoi All-llahu dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë”3.  Konsiderimi i të bukurës si e mirë si dhe të bukurës si e moralshme është prezent gjatë gjithë mesazhit hyjnor. Në një transmetim të Buhariut na përcillen fjalët e Profetit Muhamed nën autoritetin si i Dërguar i Zotit, ku për të bukurën ai thotë:” "Allahu  është i bukur dhe e do te bukurën"4.  E thënë nga një mesazher hyjnor dhe ligjvënës për mëkëmbësit e Zotit në tokë siç janë njerëzit,  kuptohet se e bukura jo vetëm që njësohet me Krijuesin, por trajtohet edhe si virtyt. Kjo thënie konsiderohet edhe si shtysa për themelimin e estetikës islame. Thënie të tjera profetike si “Zoti ka mbishkruar  të bukurën dhe perfekten mbi të gjitha sendet” 5 si dhe këshillimi profetik që kur të bëhet një punë të perfeksionohet ajo, nxisin përpjekjen drejt së bukurës përmes perfeksionit, sepse e bukura në konceptet estetike të mendimtarëve myslimanë plotësohet sipas shkallës së perfeksionit të saj. Një tjetër trajtim për estetikën e paraqitjes na vjen në Kur’an ku thuhet:''O bijte e Ademit ,vishuni bukur për çdo namaz''6. Pra e bukura në paraqitje jo vetëm që vjen si detyrë hyjnore në marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin duke sanksionuar kështu një rregull estetik në paraqitje dhe sjelljen sociale, por edhe duke i dhënë një dimension më të gjerë në marrëdhëniet të njeriut me Zotin e tij gjatë lutjeve(namazeve). Ky urdhër hyjnor e detyron njeriun t’i nënshtrohet një parapërgatitjeje estetike para se të përballet me Krijuesin e vet. Pra të jetë estetik gjatë kryerjes së një vepre të moralshme. Për këtë arsye ndërveprimi midis besimit dhe të bukurës është i një karakteri organik dhe të natyrshëm.

Koncepte të së bukurës dhe estetikës i gjejmë po në Kur’an kur bëhet fjalë për historinë e Profetit Sulejman (Solomonit: vers. biblik) me Mbretëreshën Belkize (Mbretëresha e Shebës: vers.biblik). Kur Sulejmani e ftoi atë (Belkizën) në pallatin e tij dhe i tha: “Asaj iu tha: "Hyn në pallat", e kur e pa atë mendoi se është një ujë i madh dhe i përvoli këmbët. Ai (Sulejmani) tha: "Ky është një pallat i lëmuar prej qelqi!" Ajo tha: "Zoti im, unë i kam bërë krim vetes e tash i dorëzohem (pranoj besimin) së bashku me Sulejmanin, All-llahut, Zotit të gjithësisë"7. Pra Belkizja teksa hynte në pallatin prej qelqi apo kristali të Sulejmanit u turbullua dhe e ngatërroi shkëlqimin e dyshemesë së qelqtë me ujë dhe për këtë përveshi veshjen e poshtme të saj nga frika se mos lagej. Përmes një iluzioni metaforik,  Zoti në mesazhin e tij tregon me këtë ngjarje mbi mundësitë e pakufishme që Ai ia kishte dhuruar Profetit të tij, Sulejmanit, për të ndërtuar  të bukurën dhe po ashtu tregon se qasja e njeriut për tek mesazhi hyjnor mund të vijë edhe nëpërmjet së bukurës. Në fakt ajo që e mahniti Belkizen ishte jo vetëm Sulejmani si përçues i mesazhit të Zotit si unitet në vetvehte, por edhe posedimi i tij që kishte në të krijuarit e së bukurës. Prandaj dorëzimi i Belkizes ishte dorëzim tek i Bukuri i Përkryeri si Krijues përmes së bukurës si krijim, që Ai ia kishte bërë të mundur Sulejmanit.  Ndërsa Dr. Valérie Gonzalez8  kur flet  për këtë ngjarje shkon edhe më tej duke argumentuar për ekzistencën e disa nocioneve të një ndërgjegjeje estetike përmes iluzioneve optike të cilat Belikze i provoi. Për Gonzalez eksperienca kuranore e Belkizes ngriti sfidën artistike të mimesis-it  dhe koncepteve të tija si model influence në artet dhe arkitekturën islame.

Po ashtu përshkrimet në Kur’an mbi bukuritë e Parajsës (Xhennetit)  çmohen si shkalla më e përsosur e së bukurës  si dhe kufiri përfundimtar i vlerësimit të së bukurës. Nëse që nga  Platoni, Aristoteli e deri tek Kanti, definicioni is së bukurës ishte i papërcaktuar pikërisht prej pa aftësisë për ta kornizuar të bukurën në mendimin e tyre filozofik,  në shpjegimet hyjnore përmes shembujsh konkretë, e bukura fillon me këtë botë dhe duke lidhur dy gjendjet e njeriut, ajo merr trajtë përfundimtare vetëm në Parajsë e cila përkufizohet me shprehjen profetike e cila thotë:"Atje (Parajsë) ka gjëra  që syri nuk i ka parë e veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja nuk i ka imagjinuar”. I gjithë artikulimi religjioz, në rastin konkret të Islamit, esencën e vet e ka në përpjekjen e pafund që do të bëjë njeriu për t’u bashkuar me të bukurën sipërore përfundimisht dhe për më tepër për t’u bërë pjesë e së bukurës, duke filluar nga  e bukura si moral në vepra e fjalë dhe duke përfunduar tek e bukura e përjetshtme si definicion. Ndaj edhe kriteri i vlerësimit të individualitetit të çdo myslimani në raport me shoqërinë ku  ai jeton, është kriteri për të arritur të bukurën konkrete në çdo nivel të thurjes sociale, sepse model i tij i së bukurës është një llogari e hapur e cila ka definicionin të parapërcaktuar, ajo është përtej njerëzores tashmë sepse atributet e saj janë metafizike. Imagjinata nuk mund ta kuptojë tërësinë e të bukurës  si krijim sepse është robëreshë e kufizimeve të saja, prandaj edhe papërcaktueshmëria e së bukurës në këtë jetë ngelet një ekuacion që zgjidhjen e merr vetëm tek i Bukuri.

Kjo qasje religjioze është kuintesenca e çdo arti  përgjatë gjithë civilizimit islam, është bazamenti i asaj ngrehine e cila u shtri në shumë kontinente. Është e vërtetë se arti islam nuk përfshin portretin dhe skulpturën e frymorëve si zhanre të zhvilluara dhe është po ashtu e vërtetë që shumë akuza nga kritikë të artit janë ngritur mbi këtë kufizim duke  e cilësuar atë si një mangësi. Por në logjikën religjioze këtë kufizim e gjejmë edhe në Kristianizëm ku thuhet përmes fjalëve të Testamentit të Vjetër: "Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë” 9.  Pra, kemi të bëjmë me logjikën e abstenimit të minimizimit të atributeve hyjnore brenda kafazit njerëzor. Arti dhe kritika e artit në përgjithësi mbështetet mbi modelet e Greqisë së lashtë ku njeriu ishte në qendër të krijimtarisë artistike, ishte fillimi dhe fund i hapësirës krijuese, kriteri matës i së bukurës në arte. Edhe kur duhej që të shprehej bukuria e brendëshme e njeriut ajo përsëri përjashtësohej në imazherinë e skulpturës trupore njerëzore si destinacion përfundimtar. Vetë koncepti mbi të hyjnishmen në Greqinë e lashtë ishte i ndrydhur brenda modelit të njeriut, prandaj gjejmë pafund skulptura të zotave të antikitetit të cilët kanë formën dhe pamjen e njeriut.

Një shembull të tillë nuk haset në krijimtarinë artistike myslimane, pasi siç e thamë arti është i hapur përkundrejt kufizimit. Në ndryshim nga Antikiteti, njeriu në artet islame është parë si instrument i krijimit hyjnor dhe portretizimi apo skulptura konsiderohen si kufizime të një realiteti shumdimensional, për këtë konsiderohet sakrilegj por edhe tërësisht irracional fakti që për të materializuar ndijoren ndaj Krijues duhet huazuar krijesa duke i vënë kufi të pakufishmes. Në fakt kjo më shumë se sa e nxjerr njeriun nga aftësia perceptuese, e bën aftësinë e tij të perceptimit të kalojë kufinjtë e imagjinatës duke fituar një dimension tjetër.
 
Kështu një formë e re arti  mori jetë e bazuar në besimin e pakompromis mbi  njëshmërinë e Zotit (Al-Tawhid) dhe mospërngjasimin e tij me asnjë nga shembujt e gjallë në ekzistencë. Çdo formë e traditës artistike e cila hasej në qytetërimet të cilat futeshin nën ombrellën e Islamit, përfshiheshin brenda kësaj forme të re përsa kohë ato nuk binin ndesh me këtë parim të pakundërshtueshëm, duke ndërtuar kështu  një identitet të ri. Një identiteti të ri i cili kishte nevojë të shprehej përmes një dimensioni të ri artistik i cili nuk cenonte aftësinë shprehëse po ashtu as edhe nuk cenonte rolin e Krijuesit.

__________________________________
[1] Al-Alfi Abu Saleh : ”The Muslim Art, its origins, philosophy and schools”. Dar Al-ma'arif, Kairo,1969.
[2] Kur’an : Surja 7 vargu,  nr.32
[3] Kur’an: Surja 5, vargu nr. 87
[4] “Sahih el Buhari”: Transmeton Buhariu në Sahihun e tij.
[5] Muslim b. Hajjaj al-Nishapuri: “Mukhtasar Sahih Muslim”, Botim i Muhammad Nasir al-Din al-
Albani,  edicioni i 6 tw Beirut 1987, hadithi nr. 1249.
[6] Kur’an : Surja 7 ,vargu nr. 31
[7] Kur’an: Surja 15 vargu nr. 15-44
[8] Dr .Gonzalez Valérie:” Beauty and Islam: Aesthetics in Islamic Art and Architecture” 2001 fq. 160
[9] Bibla: Eksodi, 20 : 4

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme