
TIRANE-Në botën shqiptare ka një mori librash me mendime, me interpretime, me qëllime, me dëshira, me kritika, me frymëzime artistike, por ka shumë pak libra me të dhëna të sakta, pra me informacion bazë objektiv". Kështu u shpreh dje albanologu e përkthyesi Robert Elsie në promovimin e dy librave të tij në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Sipas Elsiesë, mungesa e një informacioni të saktë është një mungesë kolosale, e cila pengon ecurinë e botës shqiptare. Gjatë promovimit të dy librave të tij në gjuhën shqipe, Fjalori historik i Shqipërisë (Botimet UEGEN) dhe Fjalori historik i Kosovës (Skanderbeg Books), ai u duk se "kritikoi" një sërë botimesh shqiptare kur tha se "për figurat historike, në librat shqip shkruhet shpesh se filani ishte atdhetar i flaktë, i cili luftoi me shpatë në dorë, për të mbrojtur çështjen kombëtare, por pavarësisht nga atdhetarizmi i tij i flaktë, kush ishte kjo figurë konkretisht? Kjo nuk dihet dhe shpeshherë as nuk i intereson lexuesit". Në këndvështrimin e albanologut e përkthyesit, që prej vitesh punon dhe studion kulturën shqiptare, nuk mjafton që për dikë të thuash që ishte patriot. "Synimi im në këto libra për Shqipërinë dhe për Kosovën, anglisht dhe tani edhe shqip, është për t'i ofruar lexuesit të huaj të dhëna të sakta dhe informacion, ndër të tjera, për të korrigjuar shumë gabime dhe keqinterpretime që përsëriten në shtypin e huaj për shqiptarët. Nëse lexuesi shqiptar mëson diçka më shumë për vendin e tij, atëherë akoma më mirë",- u shpreh Elsie.
Librat
Promovimi i librave të tij u bë nën kujdesin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe ceremonia u organizua në Akademi. Të pranishëm në këtë aktivitet, përveç albanologut, përkthyesit dhe studiuesit të njohur kanadez Robert Elsie, ishin edhe diplomatë, studiues, shkrimtarë, gazetarë dhe personalitete të tjera. Në fjalën e tij përshëndetëse, Haxhinasto vlerësoi se librat e z. Elsie janë dy vlera që do të vendosen në piedestalin e rëndësishëm të veprave për historinë dhe për kulturën shqiptare. "Profesori pa asnjë ekzagjerim mund të konsiderohet si një enciklopedi e kulturës shqiptare. Me kontributin e tij poliedrik dhe shumë profilik, ka lëvruar të gjitha aspektet e kulturës tonë, ka lëvruar përkthimin, kërkimin shkencor, ka studiuar mitet, ligjet shqiptare, ka sjellë vepra të jashtëzakonshme të kulturës botërore në fondin e asaj shqiptare, dhe këtë e ka bërë me një dashuri të veçantë, me një përkushtim për t`u marrë shembull", -tha ministri. Ai shtoi se vepra e profesor Elsie është një gur themeli në afirmimin e kulturën shqipe, si një nga kontribuuesit e rëndësishëm të civilizimit botëror. Një fjalë më të zgjeruar rreth këtyre dy botimeve me vlerë të albanologut Robert Elsie, mbajti dhe deputeti Mark Marku. Elsie theksoi se librat e tij janë enciklopedi me fakte dhe dokumente të vërteta, që duhet të dinë të huajt për shqiptarët. Nga ana e tij, studiuesi i njohur kanadez, Robert Elsie ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për organizimin e promovimit të këtyre dy librave. "Falenderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe z. ministër për fjalët e mira. Gjithashtu falënderoj profesorin Mark Marku për fjalët tepër të ngrohta që 'nuk i meritoj', edhe një falënderim të veçantë mikut tim Visar Zhiti, i cili më ka nxitur të vij dhe të promovohem, nëse mund të themi kështu. U jam mirënjohës gjithashtu botuesve të mi dhe kam nderin të kem 2 botuesit këtu, z. Xhevahir Lleshi për vëllimin e Shqipërisë, "Fjalor historik i Shqipërisë" dhe Flutura Açkën për vëllimin e Kosovës "Fjalori Historik i Kosovës",- u shpreh Elsie. Ai vlerësoi edhe përkthyesit, duke përmendur Eva Banin, që ka përkthyer vëllimin e Shqipërisë dhe Majlinda Nishkun, që ka përkthyer vëllimin e Kosovës. Sipas tij, botuesi amerikan u tregua gjithashtu shumë dashamirës për fjalorin e Kosovës, botimi i parë i të cilit anglisht doli në vitin 2004, përpara njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, ku mungoi vetëm një flamur për kopertinën.
Rëndësia
"Quhen fjalorë historikë, por në fakt janë më shumë enciklopedi të përgjithshme të shteteve të botës. Për vëllimet Shqipëri dhe Kosovë jam përpjekur të përfshij zërat, për të cilat një studiues i huaj, një student i huaj mund të kërkojë informacion për figura dhe dukuri për të cilat ai mund të ketë lexuar apo dëgjuar, dhe për të cilët ai dëshiron të dijë pak më shumë", - tha Elsie. Studiuesi kanadez theksoi, se këto vëllime do të shfrytëzohen si doracakë të standardeve të bibliotekave publike dhe universitare në botën anglishtfolëse dhe do të shërbejnë kështu për të përhapur të dhëna të sakta për Shqipërinë dhe për Kosovën,- vende të cilat janë ende relativisht të panjohura dhe të pakuptuara.
|