Në aeroport një djalë i ri u ofron që të ndajnë bashkë çmimin e taksisë, por në fakt ai është duke vepruar sipas një skeme të përsëritur disa herë për të marë vesh vend-banimin e këtyre vajzave të reja që më pas do rrëmbehen nga mafia shqiptare për t'u shitur si prostituta. Babai i një prej vajzave, një ish-agjent i CIAs, vihet në gjurmim të grupit të tropojanëve, një grup horrash që përshkruhen në fjalët e një polici francez si të egër e të rrezikshëm, i vret ata dhe arrin më së fundi të gjejë dhe të shpëtojë të bijën në jahtin e një sheiku arab, teksa ajo është ende e virgjër. Ky është me pak fjalë skenari i filmit Taken (2008), një action-thriller ku emigrantët shqiptarë janë të ligjtë në luftën e përhershme hollivudiane midis të mirës dhe të keqes.
Ky nuk është i vetmi film që furnizon paragjykimet që ndërlidhin shqiptarët me mafian, paragjykime që i vuajnë në kurriz kaq e kaq shqiptarë, njerëz si gjithë të tjerët pa ndonjë vokacion të veçantë për të qenë mafiozë. Këto paragjykime furnizojnë përfytyrimet kolektive për një popull, përfytyrime që reduktojnë një popull apo një etni në një bandë kriminelësh ndaj të cilëve duhet patur frikë, e për rjedhojë justifikojnë politika agresive – të përfytyruara si të domosdoshme – kundra shqiptarëve (p.sh. Fshesa). Mënyra se si kinematografia ka ndikuar në përforcimin e stereotipeve raciste e etno-fobe ka vite që studiohet ashtu siç është studiuar, për shembull stereotipi i italianit mafioz, apo arabit terrorist si në studimin e Jack G. Shaheen, Reel Bad Arabs: How Hollywood Vilifies a People (Olive Branch Press, 2001). Por përfshirja e shqiptarëve në grupet e stereotipizuara nga kinematografia bëhet edhe më shqetësuese kur vendoset në kontekstin e rritjes së albanofobisë.
Në një artikull të para pak ditëve, Seb Bytyçi shkruante se: "Tashmë flitet për një albanofobi, apo frika nga shqiptarët. Të gjithë ata që kanë jetuar jashtë vendit, apo të paktën që kanë udhëtuar, mund të dëshmojnë për këtë, besoj. Albanofobia është shumë e ngjashme me antisemitizmin, pikërisht për shkak se drejtohet kundër një populli që është ndryshe nga të tjerët… Edhe pse kultura është, natyrisht, e ngjashme me popujt fqinjë të rajonit, dallimet gjuhësore bëjnë që të krijohet një aversion dhe frikë nga "e pakuptueshmja" që paraqesin shqiptarët."
Autori vë në dukje me të drejtë se kontrbuesit e albanofobisë në Perëndim sot gjinden si tek e majta dhe e djathta ekstreme. Nëse vërejmë, gjithashtu, argumentin më të artikuluar të së majtës kundra ndërhyrjes amerikane kundra Serbisë, librin A Generation Draws the Line: Kosovo, East Timor and the Standards of the West, të Noam Chomsky vëmë re se me gjithë kritikën anti-imperialiste që deligjitimizonte ndërhyrjen amerikane, e majta nuk ofronte dot asnjë alternativë shpëtimi për ata mijëra shqipëtarë që përballeshin me programet sërbe të pastrimit etnik, gjë që tek e fundit bënte që kritika e tyre anti-imperialiste t'i shërbente nacionalizmit serb.
Rasti më ekstrem i albanofobisë tek e djathta është ndeshur në rastin e Anders Breivik, terroristit norvegjez që zemërimin ndaj Islamit, emigrantëve, marksistëve dhe multikulturalizmit e zbrazi me breshëri plumbash mbi aderusit e rinj të partisë socialiste të Norvegjisë. Manifesti i tij i ka dedikuar goxha hapsirë propozimeve se si duhet zgjidhur "problemi i shqiptarëve." Por problemi shqiptar i Breivik na sjell në vëmendje ndërlidhjen e albanofobisë me islamofobinë.
Bytyçi shkruan në artikullin e tij në lidhje me albanofobinë se: "Terroristi djathtist, Breivik ishte frymëzuar – sipas vetëdeklarimit të tij – nga apologjeti Nr. 1 i gjenocidit ndaj boshnjakëve e shqiptarëve, Srdja Trifkoviq. Për ata që nuk e njohin, Trifkoviq ishte "zëdhënës jozyrtar" i Republikës Serbe, përfaqësues i këtij entiteti në Londër, këshilltar i Presidentes së saj dhe kriminele e dënuar e luftës, Biljana Plavshiq dhe Vojisllav Koshtunicës. Pra, përçmimi i shqiptarëve po përhapet te e djathta ekstreme në Europë." Pak më poshtë autori shton: "Kësaj duhet t'i shtohet edhe një dozë e islamofobisë, e cila ndihmohet shumë nga propaganda që i paraqet shqiptarët si ekstremistë. (Dorën në zemër, këtu nuk ndihmon as propaganda "pro-shqiptare" e atyre që i paraqesin shqiptarët si shumë të dhënë pas fesë duke shtrembëruar realitetin, si p.sh., një dokumentar nga EBRU TV turk. Si dhe religjionizimi i rastit të Kosovës nga disa akterë ndërkombëtarë të tij, për të fituar poena politikë)."
Unë bashkohem me kritikën e Bytyçit ndaj përpjekjeve për të paraqitur shqiptarët më myslimanë se sa janë, por kjo nuk mund të diskutohet pa u vendosur në kontekstin e përpjekjeve për t'i paraqitur shqiptarët më pak myslimanë se sa janë, përpjekje të cilat, me qëllimet më të mira patriotike, kanë krijuar politika margjinalizuese dhe diskriminuese. Ish-presidenti Moisiu në fjalimin e mbajtur në Angli në 2005 mohoi tërësisht prezencën e myslimanëve shqiptarë. Ndërkohë, Breivik u celbrua si hero qoftë në faqe shqiptare në internet si Zemra Shqiptare apo në shtypin e Tiranës si në gazetën Sot.
Por këtu vlen të ngrihet edhe një pyetje tjetër. Në vazhdën e fushatës për zgjedhjet presidenciale në ShBA në 2008, zuri vend tek shumë votues amerikanë me simpati politike të djathta bindja se Senatori i atëhershëm, Barack Obama ishte mysliman. Pyetja ju drejtua oponentit të tij, John McCain, nëse ai mendonte që Obama është mysliman. Jo u përgjegj McCain, ai është njeri i mirë. Shumë komentatorë, ndër të cilët edhe opininisti i gazetës The New York Times, Nicholas Kristof, apo qoftë edhe ish sekretari i shtetit, Colin Powell, teksa lavdëruan qëndrimin e McCain që u distancua nga kjo shpifje kundra Obamës, vunë në dukje se McCain duhet të kishte shtuar: Po dhe po të ishte mysliman, po pastaj?
Në të njëjtën linjë, duke lexuar artikullin e Bytyçit, ngremë pyetjen: Po sikur shqiptarët të ishin "më shumë" myslimanë, a do justifikonte kjo albanofobinë? Pyetja nuk shtrihet vetëm në rrafshin moral, por dhe në atë mirëfilli pragmatist. Përgjithësisht, shqiptarët evituan të shohin këtë lidhje të islamofobisë dhe albanofobisë kur Partia Popullore Zviceriane organizoi referendumin për ndalimn e minareve, por kur kjo parti nisi një fushatë ku paraqiste gra shqiptare e boshnjake të mbuluara me shami që laheshin në ujrat e një liqeni si alternativa e frikshme ndaj një realiteti të paqshëm të pesë femrave nudo që gjithashtu përgatiten të lahen në ujrat e një liqeni zvicerian, lidhja e islamofobisë dhe albanofobisë ishte shumë e qartë për këdo që nuk donte të mbyllte sytë. Në rastin më të fundit të fushatës anti-shqiptare të kësaj partie, pas krimit të një shqiptari ndaj një zviceriani në Shtator të vitit 2011, së paku kjo lidhje e stereotipit etnik me atë fetar ishte më se e qartë për Kishën Katolike të Zvicrës, e cila protestoi qëndrimet e Partisë Popullore: "Nuk mund të vendosësh të tërë popullin apo një komb dhe një kulturë vetëm për një apo dy raste. Kjo temë të cilën përpiqet të zgjeroj SVP, jo që nuk ndihmon shtetin apo kulturën zvicerane, por në të kundërtën, kjo temë vetëm sa sjell urrejtje dhe përçarje mes kulturave dhe multi-besimeve në Zvicër."
Albanofobia si çdo formë fobie nuk është përherë konsistente dhe tropojani më i lig i filmit Taken, mbart emrin pagabueshëm të krishterë "Marko." Por kushdo që është i shqetësuar për albanofobinë nuk mund të injorojë apo përligj islamofobinë që shpesh potencon albanofobinë.