SHËRBIMET SEKRETE DHE PRODHIMI I FRIKËS

Vendi ishte çliruar nga intervenimi ushtarak i NATO-s, ishte instaluar një administratë civile ndërkombëtare dhe po fillonte në liri procesi i ndërtimit të shtetit, me vullnetin e të gjithëve, si rezultat i fitores së dëshiruar nga mbarë populli. Por, nuk qe e thënë që fantazmat e shërbimeve sekrete të zhdukeshin nga përfytyrimet, nga kujtesa po edhe nga realiteti i jetës sonë të përditshme. Menjëherë pas çlirimit të vendit, filloi marrja në pyetje e njerëzve që edhe mund të kishin qenë bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe mund të kishin faje në ndërgjegjen e tyre, por nuk kishte askush autorizim dhe bazë ligjore për t’i marrë në pyetje a për t’i ndëshkuar. Pushtuesi kishte kapitulluar me Marrëveshjen e Kumanovës dhe kishte ikur me bisht nën shalë, pa shpresë se do të mund të mbante aktive shërbimet e veta sekrete para hundëve të NATO-s. Realisht, rreziku nga bëmat e bashkëpunëtorëve të pushtuesit ishte minimal, prandaj trajtimi hakmarrës ndaj tyre nuk duhej të ishte në krye të agjendës. Por, përveç të dyshuarve për bashkëpunim me pushtuesin, janë marrë në pyetje edhe njerëz të ndershëm e patriotë, por që kishin rastisur të ishin qoftë kundërshtarë politikë, qoftë rivalë potencialë në karrierë ose në bizneset e reja që po ngriheshin. Dhe disa prej tyre edhe janë ekzekutuar.

 

Pastrimi i terrenit nga kundërshtarët

 

Edhe dymbëdhjetë vjet pas atij fillimi problematik “të ndërtimit të intitucioneve demokratike”, askush nuk ka një statistikë se sa njerëz janë marrë në aso bisedash, sa prej tyre janë keqtrajtuar dhe sa viktima janë shkaktuar në atë qërim hesapesh me mbeturinat e regjimit të pushtuesit dhe me kundërshtarët e rinj politikë e ekonomikë. Përveç ndonjë rasti të rrallë, viktimat e keqtrajtimeve e kanë mbyllur gojën dhe pothuajse asgjë nuk ka dalë në publik.  

Nga ana tjetër, hamendësohet se jo pak nga ata të keqtrajtuar, që kishin qenë bashkëpunëtorët të shërbimeve sekrete të pushtuesit, ose vetëm të administratës së tij, kanë pranuar të punojnë për shërbimet e reja partiake dhe ashtu janë bërë gjeneratorë i pezmeve dhe i hakmarrjeve të reja. Një det i tërë stërkalash të shpifjeve dhe intrigave janë dosjetuar në këtë veprimtari me produktivitet të lartë. Shumë kush e ka  gjetur rastin të hakmerret duke e hedhur gurin e duke e fshehur dorën. Dhe ashtu është krijuar përshtypja se pothuajse të gjithë shqiptarët kanë qenë spiunë dhe tradhtarë. Madje edhe ata që i kanë mbajtur me bukë e ua kanë ntrashur fondet me para, edhe ata që ua kanë ndriçuar mendjet me idetë  tyre politike e kombëtare, janë shpallur spiunë e tradhtarë. Sigurisht kjo ka qenë një mënyrë për ta pastruar terrenin nga kundërshtarët realë e  imagjinarë e për të hyrë pa pengesa në biznese e në politikë me kredencialet e forta të të fortit.   

Fakti i hidhur është se UNMIK-u as në fillim e as gjatë tërë mandatit të vet, nuk arriti të instalojë kurrfarë institucionesh kredibile të drejtësisë në vend, të cilat do të nxirrnin para drejtësisë kryesit e krimeve dhe të gjithë ndihmësit e tyre gjatë spastrimit etnik dhe gjenocidit serb të viteve 1998/1999. Kësisoj, u kompromentua administrata e UNMIK-ut dhe ndjenja e hakmarrjes filloi të bënte trysni në mendjet e shumë njerëzve gjaknxehtë e me prirje kriminale. Në këtë vakum  tragjik morën krahë shërbimet sekrete të partive politike e të individëve të fortë, krahas lulëzimit të shërbimeve sekrete të shumë shteteve që kishin personel civilë dhe ushtarak në Kosovë. Janë krijuar legjenda lidhur me numrin e madh të shërbimeve sekrete në Kosovë, por numri i tyre nuk u mor vesh tamam asnjëherë. Natyrisht, s’pati si merret, sepse asnjëri prej tyre nuk u legjitimua si institucion me anë ligjesh a dokumentesh valide. Rivalitetet e tyre, por edhe bashkëpunimi a këmbimi i informacioneve, si dhe goditjet e fshehta të ndonjërit për t’ia lënë fajin tjetrit shërbim, mbetet që të ndriçohet vetëm me ndonjë film të zhanrit triller. Me asgjë tjetër mbase nuk do të ndriçohet asnjëherë, nëse drejtësia në këtë shtet nuk fuqizohet dhe nëse nuk aftësohet që të vërë nderin e saj në vend.

 

Lulëzimi i krimit krahas lulëzimit të shërbimeve sekrete

 

Ndërsa, në terrenin ku këto shërbime sekrete bënin ligjin, morën hov të tmerrshëm veprimtari të shumta kriminale, sikundër janë krimi i organizuar, haraçi, vrasja dhe kidnapimi i njerëzve, trafikimi i krijesave njerëzore, kontrabanda e drogës dhe e armëve, korrupsioni shkatërrues dhe forma të tjera morbide të patologjisë sociale, morale, ekonomike e politike. Sot për sot askush nuk është në gjendje të dijë se a kanë pasur dhe sa kanë pasur tagër në këto aktivitete kriminale edhe shërbimet sekrete të partive politike, po edhe të shteteve të huaja, ose së paku eksponentë të tyre. Por, ajo që dihet nga vetë rezultati, është se ato shërbime me asgjë nuk e kanë penguar lulëzimin e krimit të organizuar, kidnapimin e njerëzve, trafikimin e krijesave njerëzore, kontrabandën me drogë e me armë, korrupsionin shkatërrues dhe format e tjera të patologjisë sociale, morale, ekonomike e politike, të cilat edhe sot, katër vjet pas çlirimit të vendit, janë duke ia zënë frymën shtetit tonë të ri. Gjasat janë se nuk ka qenë prioritet i tyre kjo fushë. Pasurimi i rrufeshëm i shumë eksponentëve të atyre shërbimeve dhe fuqizimi i tyre në politikë, zbulojnë prioritetet që i kanë pasur dhe që në një masë të madhe i kanë përmbushur.         

Por, pavarësisht se janë pasuruar më mënyrë të rrufeshme, pavarësisht se shumë prej tyre janë pjesë e bizneseve të dyshimta, pavarësisht se shumë prej tyre mund të kenë bërë faje të rënda gjatë ushtrimit të detyrave në veprimtari jolegale, praktikisht askush nuk guxon as t’ua përmend emrat. Konkluzioni logjik prej kësaj del se ato shërbime ose pjesëza të tyre, në një formë ose në një tjetër janë ende aktive, të fuqishme dhe me kapacitete shantazhuese ose edhe goditëse. Ndryshe nuk kuptohet pse frika prej tyre ende është e fuqishme në radhët e elitave po edhe të qytetarëve të zakonshëm. Njerëzve kjo frikë vetëm sa po u rritet nga akuzat dhe kundërakuzat e ditëve të fundit, që kanë arritur edhe në foltoren e Kuvendit. Përfshirja e jetës personale në shantazhim me prejardhje të shërbimeve sekrete, qoftë dhe të politikanëve, madje dhe të atyre që mund të konsiderohen radikalë, është e padrejtë, e padenjë dhe jolegjitime. Janë institucione të tjera ato që merren me këtë veprimtari. Në rastin konkret është komisioni kompetent parlamentar, Agjencia Kosovare e Intelegjencës dhe gjykatat kompetente, që duhet të trajtojnë brenda kornizës strikte ligjore edhe veprimtarinë e kaluar e të tashme të politikanëve.

 

 

Pastrimi i dyfishtë nga krimi

 

Dhe këtu dalim pashmangshëm te një zgjidhje e vetme e drejtë e këtij problemi:pasi të hapen me përparësi dosjet e individëve që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete serbe e jugosllave dhe pas sigurimit të një trajtimi ligjor të statusit të tyre si të kompromentuar (të dënohen ata që kanë kryer krime dhe t’u pamundësohet që të marrin pjesë në asnjërën nga tri degët e pushteteve të gjithë të tjerëve), duhet të hapet edhe çështja ligjore e shërbimeve sekrete të partive politike e individëve të fortë të pasluftës dhe hetimi parlamentar i bëmave të tyre. Pa u bërë ky pastrim i dyfishtë, pra fillimisht i eksponentëve të shërbimeve sekrete serbe e jugosllave, po menjëherë pas kësaj edhe hetimi i plotë parlamentar i veprimtarive të shërbimeve sekrete të partive politike në Kosovën  e pasluftës, duke denoncuar në gjykata edhe kryesit e krimeve, është pothuajse e pamundur që shoqëria jonë të çlirohet nga frika që e kanë injektuar të gjitha shërbimet, sigurisht me motive e qëllime të ndryshme, por secila për hesap të vet. Fatkeqësisht jo vetëm nga frika, po edhe nga kërcënimi real, sepse ato edhe kur janë krijuar edhe kur e kanë shpallur vetëshpërbërjen, kanë qenë jashtë kontrollit adekuat ligjor dhe askush nuk e di a janë shpërbërë vërtet apo janë përshtatur në rrethanat e reja.    

 8 shkurt 2012

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme