2011 - Gjenerata e re politike

Padyshim se viti 2011 do të jetë më shumë se historik për shumë gjëra. Ai do të njihet si viti i rënieve të mëdha nga pushteti që nga diktatorët e liderët politikë e gjer te bosët e industrive të mëdha që kanë lënë gjurmë gjatë shumë viteve.

 

Ato  që më së shumti i mbuluan  mediat botërore ishin demonstratat e rinisë muslimane anekënd Afrikës Veriore, shtetet e gjirit e deri në botën arabe. Këto lëvizje na mbetën në kujtesë me shprehjen “Pranvera Arabe” sepse vërtet ato pëlcitën në pjesën e parë të 2011-tës,  atëherë kur më së paku pritej të ndodhte diçka e tillë. Jo se nuk ishin pjekur kushtet, por se ne kishim informacione në mungesë për atë që po ndodhte në ato shtete. Ndoshta do të ishte më mirë të themi kishim informata jo të mjaftueshme të nivelit të ngritjes intelektuale dhe revolucionare të rinisë së atyre shteteve që në një të afërme jo të largët  do t`i thoshin  mjaft diktateve shtetërore të udhëhequra nga familjet Gadafi, Mubarak, Ben Ali, etj. Ato çuan dhe po çojnë në rënien e diktatorëve shumëvjeçarë dhe familjarëve të tyre. Populli nuk kërkonte asgjë të veçantë vetëm se liri, të drejta, dinjitet.  Prandaj, me të drejtë shtrojmë pyetjen: Ishin këto revolta origjinale apo kishin elemente të revolucioneve të mëhershme si ai iranian i vitit 1979? A kishin diç të përbashkët me ndryshimet në Evropën Lindore të viteve 1989-1991, apo me luftërat e fundit në Ballkan ku pas ndryshimeve demokratike diktatura morri një formë të re – diktaturë moderne ekonomike me ekonomi të tregut të  lirë? Ka shumë të ngjarë që revolucioni arab  të jetë një kombinim i të gjitha këtyre por edhe me diç të re – arabe origjinale. Na mbetet të shihet.

 

Akterët e revoltave

 

Është shumë e quditshme se në këto fillimrevolta nuk u përfshinë fuqitë e mëdha. Ato rrinin anash dhe se ngjarjet ndodhën spontanisht të udhëhequra nga rinia muslimane dhe me bekimin e Krijuesit të Madhëruar. Natyrisht tek më vonë kur erdhën në shprehje interesat ekonomike, inkorporimi i strategëve botërorë jo që ishte i paevitueshëm por edhe i patjetërsueshëm.

 

Lajmet pas revoltave të  para  ishin me plot skepticizëm. Dua të them se bota demokratike kishte frikë t`i përkrahte ato. Athua çpo ndodhte? Kush fshihet pas tyre? Kush mund të vij në pushtet nëse vjen deri te ndryshimet rrënjësore? Këto dhe shumë të tjera ishin pyetjet me të cilat merrej secili. Edhe shtetet me shumicë muslimane ishin shumë të matura bile edhe të vonuara në qëndrimet e tyre pro dhe kundër revoltave. Por, një gjë dihet se pas rrëzimit të diktaturës pason sistemi i ri me më shumë liri, të drejta dhe dinjitet. Bile kështu duhej të ishte, por a do të ndodhë kjo në Afrikën Veriore, në Lindjen e Afërt dhe shtetet arabe ende nuk e dijmë. Një njeri i menqur tha: “Nëse ndodh një termet i fuqishëm, pas shtëpive të vjetra do të pasojnë të rejat.”

 

Nëse i marrim parasysh shtetet e Evropës Lindore dhe ndryshimet që ndodhën në to para disa dekadash nuk mund të mbesim të kënaqur me shpejtësinë e reformave, ato nuk ndërruan shumë, e lejuan pluralizmin por kontrolli shtetëror mbeti i njëjtë.  Opozita ndiqet, burgoset, mbytet. Zgjedhjet janë formale dhe fituesi dihet qysh më parë. Tani edhe pas shumë  vitesh “ndryshime”, në fakt nuk ka lëvizur gjë. Po ta marrim shembull Rusinë, ajo këto ditë po ballafaqohet me demonstratat më të mëdha në historinë e saj të re. Shumica e rusëve janë të lodhur nga korrupsioni, keqqeverisja dhe varfëria që ka pllakosur shtetin e tyre, derisa elita e Kremlinit po fiton nga eksportet e naftës dhe gazit. Situatë e njëjtë mbizotëron edhe në  Bjellorusi, Kazakistan, Turkmenistan, Taxhikistan apo Uzbekistan. Kemi të bëjmë me pushtete të vendosura për dëshirë të të tjerëve ku edhe pas shumë vite të  shembjes së  komunizmit ende po sundohet  me dorë të hekurt.

 

Sheshi Tahrir – simbol rezistence

 

Simboli i revoltuesve anekënd botës arabe Sheshi Tahrir do të na mbetet në kujtesë për shumë gjëra e sidomos për mënyrën e rezistencës së revoltuesve, solidaritetit ndërmjet tyre, shërbimeve medicinale, ndihmave në ushqim nga njëra anë dhe nga ana tjetër dhunën e ushtruar nga ushtria dhe policia me të gjitha format e mundshme që nuk i kishim parë ndonjëherë. Sheshe  të tilla demonstrimi u formuan shumë shpejt kudo që nga Maroko e deri në Bahrejn. Pjesëmarrja në to, shkuarjet dhe ardhjet  nuk ishte lojë. Pushtetet që numëronin ditët qëllonin me armë zjarri pa menduar fare. Jemi dëshmitarë të gjallë nga ato që pamë dhe lexuam gjatë muajve të kaluar. Numri i viktimave rritej dita ditës. Secili pjesëmarrës e dinte mirë se në çdo moment mund të qëllohej por i mbante shpresa e lirisë dhe jetës më të mirë. Të rinjtë nuk frikoheshin fare, ata bënin punën e tyre. Ishte gjenerata e elektronikës -  “faceboo-ut”,  ku në mënyrë të përkryer u organizuan dhe e ndihmuan revoltën. Nuk ishte e thjeshtë që në Tunizi, Egjipt e gjetiu djem e vajza të organizojnë diç ku kihet parasysh që prezenca e tyre në një ambient të përbashkët është e pamundur apo shumë e reduktuar. Prandaj, përdorimi i internetit ua lehtësoi këtë bashkëpunim që qoi në rrëzimin e diktatorëve. Facebook-u ishte dritarja e vetme e tunizianëve, egjiptianëve, dhe të tjerëve me botën. Ata ishin të vendosur në qëndrimet e tyre dhe nuk mendonin për servilizëm ndaj politikave botërore. Ata nuk pyesnin se është apo nuk është momenti i duhur për ndryshime, i përgjigjet kjo politikës së jashtme, paraqet jostabilitet për rajonin dhe se a ndihen fqinjët e rrezikuar apo jo. Ata treguan se munden edhe më shumë. Këtë po e dëshmojnë, ata munden.

 

Për herë të parë arabët muslimanë u ngritën kundër  diktatorëve të tyre e jo kundër të huajve që tradicionalisht ishin armiku dhe shkaku i të gjitha të këqiave fetare e kombëtare. Revoltuesit  kërkonin rrëzimin e diktatorëve, zgjedhje të lira, liri, barazi, dhe dinjitet. Për herë të parë bota e mësoi një realitet të ri se pushteti nuk ndërrohet vetëm me luftëra, vetëvrasje, bombardime por me menquri, unitet dhe vendosmëri. Këtu bota mësoi për rininë guximtare të Tunizisë, atë revolucionare të Sheshit Tahrir të Kajros, luftëtarët e pandalur të Libisë si edhe të gjithë ata të rinjë nga Maroku e deri në Jemen. Bota mësoi se dhuna duhet  luftuar dhe se diktatori i llojit “Mbret i Mbretërve” Muamer el-Gadafi duhet larguar nga skena dhe se vetëm Krijuesi i Lartmadhëruar është i Përhershëm dhe i Gjithëfuqishëm.

 

Këtij regjioni që po flasim nuk i takojnë vetëm shtetet arabe, por edhe Izraeli dhe Irani. Natyrisht këto dy shtete janë pjesë e pandarë e këtij regjioni edhe pse nuk llogariten si shtete arabe. Por, natyrisht roli dhe rëndësia e tyre  është shumë e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon sikurse të ishte edhe disponimi  i tyre në këtë drejtim. Vitin e kaluar Irani u ballafaqua me demonstrata të mëdha, kurse këtë vit ato nuk munguan as në Izrael.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eksportet demokratike

 

Bota arabe ka shumë çka të mësojë nga perëndimi. Kur themi shumë nuk do të thotë të merret çdo gjë perëndimore dhe se e vjetra – arabja nuk vlen. Në Evropë ka shumë gjëra tradicionale që në kohën tonë ato respektohen dhe festohen por që është ndërruar qasja e veprimit ndaj tyre. Evropianët janë edhe religjioz por jo edhe aq sa bindshëm ta luhasin bindjen e një afrikanoveriori qoftë ai arab, berber apo ndonjë grupacioni tjetër musliman të përfshirë në këto ndryshime radikale. Është shumë e qartë dhe jemi të bindur se islami është e vetmja fe e pastër dhe e pagabim që nuk ka nevojë për huazime nga të tjerët – perëndimorët. Jam shumë i bindur se as në mënyrën e veshjes dhe të ushqimit nuk duhet symbyllazi t`i  imitojnë  të tjerët. Arabi dhe arabeja duken shumë bukur me veshjet e tyre dhe shumë më të respektuar me traditën e tyre. Por, bota arabe duhet të mësojë se rrëzimi i një diktatori nuk është edhe vet liria, barazia dhe dinjiteti.

 

Përvoja evropiane do të ishte më se e nevojshme në momentet e ndryshimeve sistemore të shteteve në tranzicion apo  konkretisht të shteteve  posdiktatoriale si Tunizia, Egjipti dhe ajo e dalë nga lufta Libia.

 

Prandaj, periudha e transformimeve demokratike mund të jetë aq e gjatë sa edhe e shteteve të Bllokut Lindor dhe asnjëherë të mos arrihen pikësynimet për çfarë ranë shehidët. Në këto momente kur jam duke shkruar në Egjipt edhe më tej vdesin demonstruesit në përleshje me policinë dhe ushtrinë të cilët ende nuk janë të gatshëm që pushtetin e tyre ushtarak t`ua dorëzojnë strukturave civile. Ata po e shfrytëzojnë këtë vakum ndoshta edhe për hakmarrje politike por mbesim me shpresë se këto janë  përpjekjet e tyre të fundit në këtë drejtim. Dihet botërisht se zgjedhjet e fundit në Egjipt u fituan nga Partia  për Liri dhe Drejtësi – Vëllezërit Musliman dhe atë me mbi 40 përqind. Ndërsa kryetari i kësaj partie, Mohamed Bahija, para mediave e krahasoi partinë e tij me bashkësinë e parë muslimane të kohës së Muhammedit a.s. dhe se do të jetë shmebull për “Egjiptin e Ri”.

 

Në Siri gjendja është më shumë se alarmante. Protestat e para atje filluan në mars. Në maj dezertuan oficerët e parë, kur ata rrefuzuan të qëllonin mbi civilët. Kah mesi i qershorit ata formuann”Lëvizjen e oficerëve të lirë”. Në korrik, kur numri i oficerëve u rrit ata formuan “Armatën e lirë siriane”. Dita ditës numri i luftëtarëve që i takonte Armatës së lirë siriane rritej dhe njëkohësisht dhuna e pushtetit shtohej. Ata hakmerreshin ndaj  familjarëve të oficerëve dezerterë dhe hakmarrja e tyre ishte vrasja, masakrimi, përndryshe numri i vullnetarëve përkrah “Armatës së lirë” do të ishte enorm më i madh. Ata e dijnë se nuk janë të armatosur mirë dhe se pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare do të hynin në  një vetëvrasje masovike, por rrugëdalje tjetër nuk ka.

 

Pra, kryengritja e vitit 2011 është vetëm fillimi i ndyshimeve politike dhe shoqërore në botën arabe, ndryshime këto të përkrahura nga njerëzit e qëllimit të mirë, bota demokratike dhe mbarë ummeti islam.

 

Zvicër, 31. 12. 2011

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme