2012 - Jo fundi i dynjasë por i diktatorëve

Përfundimisht u vërejt se shkaku i protestave nuk ishte ekonomik siç pretendohej por kryesisht  politik. Nga kjo nënkuptojmë se djegia e tunizianit Muhamed ishte shkas i revoltave por jo edhe shkaku kryesor. Gjatë dekadave, shkaqe politike pati shumë por përfundonin ashtu si edhe fillonin. Ata ishin një "Grumbull kompleks" i problemeve të krijuara gjatë gjeneratave apo një mori prej tyre që kërkonin zgjidhje.

  

Një vit pas!

Sikurse çdo kund në botë ashtu edhe në botën arabe dhe lindjen e afërt problemet fillimisht ishin të një natyre lokale. Me kalimin e kohës ato morrën një dimension regjional e më pastaj ndërkombëtar. Kjo ndodhi me Tunizinë, shtet i vogël  dhe i pandikim në botën arabe ku shërbeu si fitil ndryshues edhe për shtetet tjera. Pak ditë pasi që presidenti tunizian me 14 janar u largu në ekzil në Arabinë Saudite në sheshin Tahrir të Kajros u tubuan me dhjetra mijëra protestues kundër regjimit të Hosni Mubarakut. Volker Perthes “Revolucioni arab dhe pasojat e saj”.

 

Kjo ndodhi edhe me shtetet tjera të rajonit të meridianit të mesëm, dhe është duke vazhduar edhe tani kur  jemi duke shkruar. Edhe përkundër ngjashmërive në kërkesat e tyre  lëvizja protestuese nuk ishte e njëjtë pasiqë edhe shtetet nuk janë të njëjta. Disa më të pasura e disa më të varfëra. Disa më të ngritura intelektualisht e disa në nivel më të ulët të shkollimit. Një numër i shteteve ishin në diktaturë të vërtetë dhe një zgjim i menjëhershëm  përmban në vete disa karakteristika të veçanta ndaj atyre më liberaleve. Marrë në përgjithësi ky zgjim pranveror ndryshe mund të quhet edhe zgjim revolucionar dhe historik, zgjim  i ndarjes së botës në periudhën para dhe pas revolucioneve, të periudhës së vetëbesimit, mburrjes dhe identitetit. Këto ditë jemi dëshmitar të festimit të njëvjetorit të fillimit të ndryshimeve në shtetet për të cilat edhe po flasim dhe vërtet është kënaqësi kur shohim lëvizjet e para progresive, fytyrat e gëzuara, njerëzit e lumtur edhepse ende ka shumë për t`u bërë.

 

Në këtë drejtim, kur bëhet fjalë për kohën e ndodhjes së revoltave dhe momentin e tyre profesori i shkencave politike në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdylkhaliq Abdullah, thotë: Është befasi si këto ndryshime nuk filluan më heret. Korrupsioni, jobarazia, tirania ishin ato që e karakterizonin pushtetin në Egjipt dhe shtetet tjera të këtij nënqielli.

 

Shkaqet e revoltave

 

Shkaqet e ndryshimeve mund të jenë të shumta por dy janë për t`u  theksuar. Anën politike dhe ekonomike. Për secilën nga këto dy çështje ka mjaft çka të thuhet por një gjë është e saktë, nga regjimet totalitare nuk ka asnjë të mirë dhe e dyta se varfëria në përgjithësi, apo konkretisht rritja e çmimeve si barrë e rëndë për familjet shumanëtarëshe të egjiptasve, libiasve, sirianëve, tunizianëve dhe shteteve tjera të përfshira në këto konflikte ishin nga shkaqet më të theksuara të revoltave dhe trazirave në rajon.

 

Shtrohet çështja se a ishin shtetet perëndimore të interesuara për këtë  tranzicion në këtë kohë dhe në këtë hapësirë. Dijetari gjerman Volker Perthes në këtë drejtim thotë: "Është një e vërtetë e hidhur se politika perëndimore nuk ishte vërtet për një demokraci në botën arabe." Gjithashtu, perëndimi nuk mund të thotë se nuk ka të bëjë me ne se a ndryshojnë arabët për të mirë apo jo, derisa shtetet evropiane dhe Shba-të gjithnjë kanë folur, flasin dhe i ftojnë shtetet në demokraci, konkretisht në  të drejtat e njeriut, zgjedhje të lira dhe ekonominë e tregut të lirë.

 

Ai gjithashtu thekson se ka nga ata që pohojnë se sulmi amerikan mbi Irakun  ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes për rrëzimin e diktatorëve edhe në shtetet tjera. Por, ka edhe nga ata që pohojnë  se sulmi amerikan mbi Irakun ua ka zgjatur jetën atyre. Këto që po themi sdo mend se janë vetëm hipoteza dhe le të shërbejnë për lexuesin vetëm si relaksion për të vazhduar edhe më tutje me leximin e këtij punimi.

 

Shkaqe për revolta ka pasur shumë herë gjatë dekadave. Por ato kanë përfunduar ashtu si edhe kanë filluar. Jo rrallë pasojat kanë qenë katastrofale dhe mu këto shtete dhe këta diktatorë kanë pasur pozita eminente në qarqet botërore. Janë pritur dhe përcjellë me inovacione dhe respekt nga burrështetasit botëror. Merrnin pjesë në proqeset paqësore në rajon dhe në botë  si dhe bartnin mesazhe “paqeje”, në fakt realiteti ishte tjetërfare. Atëherë dhe tani ndihmohen nga një pjesë e botës diktatoriale. Rusia dhe Kina janë nga ato krijesa që më së shumti kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në këtë drejtim. Këto ditë votuan kundër rezolutës së Këshillit të Sigurimit për ndaljen e masakrave që po ndodhin në Siri. Desidentja  Ruse L. Alexsejeva, 84, e cila disa dekada të jetës së saj ia kushtoi luftës kundër tiranisë dhe për më shumë të drejta në atdheun e saj, në intervistën e saj për gazetën gjermane Der Spiegel thotë: Ju e patët Hitlerin e ne  Stalinin. Ju u tërhoqët nga ai kurse ne jo. Ne me ngulm po synojmë kah ai.

 

Ky është pushteti shumëvjeçar i  Putinit-Medvedevit dhe sigurisht që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të kandidohet dhe marrëzisht do të triumfojë sërish. Këtë ia mundëson kushtetuta e re bile me mundësi rikandidimi edhe për një mandat.  Shumë më brutale është edhe politika kineze me muslimanët në zonën e Xinjiangut. Kushtimisht po i themi zonë sepse ai territor është marramendës apo më saktë rreth dhjetë përqind e territorit kinez, ndryshe njihet si  rruga e mëndafshtë. Numri i të burgosurve Ujgur musliman është shumë i madh, trajtimi i tyre nëpër qelitë  kineze është i tmerrshëm dhe bota demokratike mëson për to vetëm kur vërtet situata përkeqësohet, kur numri i të mbyturve dhe të burgosurve arrin shifra alarmante. Politika kineze e ka prangosur çdo gjë jo kineze, ata gjithashtu e kanë burgosur edhe fjalën e lirë, mediat, religjionin dhe vetë lirinë. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm se t`i përkrahim moralisht,  të lutemi All-llahut të madhërishëm të  lëshojë nga mëshira e Tij e pakufijshme dhe të ndryshojë diç nga ky realitet i tmerrshëm.

 

Pra, ndryshimet e mëdha historike rrjedhin nga një mori shkaqesh dhe faktorësh, por ndryshimet e vërteta do të ndodhnin atëherë kur Rusia dhe Kina do të përballen me realitetin demokratik që për momentin duket se është shumë larg.

 

Revoltë e bukës apo revolucion i mediave?

 

Disa autorë e kanë shprehur shqetësimin e tyre qysh më parë se  shtrenjtimi i drithërave mund të sjellë deri te pakënaqësia e masave dhe jostabiliteti politik. Menjëherë çmimet e drithërave dhe i shumë artikujve tjerë u dyfishuan në tregun botëror. Kjo i rëndoi tregjet lokale në Lindjen e Afërt dhe në Afrikën Veriore, ku një sasi e madhe e produkteve importohen dhe se në shtetet arabe janë  tema të  ndjeshme. Familja egjiptiane 40 përqind të të hyrave i jep për sigurimin e ushqimit. Në shumë raste shtetet e subvencionojnë drithin dhe artikujt kryesorë por ka edhe raste kur shteti qëllimisht përdor parollën, "Mendo  vetëm për bukën e gojës”. "Aish, hurrija, karama insaniyya" - " Bukë, Liri, Dinjitet njerëzor". Këto ishin parollat e thirrësve nëpër rrugët e shteteve arabe. Pra, buka mund të jetë një nga shkaqet e revoltave, por jo edhe krejt ajo. Fillimisht shtetet e menduan këtë dhe filluan t`u premtojnë masave të varfëra se do t`i ndihmojnë në subvencionimin e artikujve ushqimor por kjo nuk mjaftoi që protestat të ndalen. Ato vazhduan dhe po vazhdojnë edhe më tej deri në realizimin e plotë të kërkesave dhe nevojave të tyre.

 

Në anën tjetër, natyrisht që  nuk mund të themi se është revolucion i mediave elektronike Facebook-ut apo të ngjashme me të, por ato  e kanë ndihmuar atë. Siç thonë revoltuesit në Egjipt ai u ka dhënë krah atyre. Natyrisht që prej formimit të televizionit el-Xhezira nga Katari situata në media  ndryshoi shumë. Ajo i vuri në konkurencë të madhe shtetet e rajonit dhe të mbarë botës e sidomos në shtetet ku flitet gjuha arabe dhe lirisht mund të themi se heshtja mediale dhe cenzura shtetërore u thye përgjithësisht. Shtetet përkatëse u detyruan të ndryshojnë shumë çka nga skema programore dhe të shtrojnë debate politike  që  deri atëherë ishin tema tabu por edhe  shoqërore nga fusha të ndryshme aq shumë të nevojshme dhe të munguara deri atëherë. Pra, ky është moment historik i shtruarjes së debatit, diskutimit, rrahjes së çështjeve dhe padyshim nxjerrjes së konkluzioneve dhe mesazheve nga to. Prandaj, mediat moderne, interneti në përgjithësi dhe rrjetet elektronike  në veçanti në zonën arabe u bënë mediumet e  gjeneratës që padyshim edhe kontribues të mëdhnjë në komunikimin ndërmjet popujve dhe unifikimin e ideve dhe kërkesave në momentet vendimtare për ndryshime rrënjësore ideore dhe praktike sipas modelit Eshhedu en la ilahe il llall llah ve eshhedu enne muhammeden abduhu ve resuluhu.

 

Në këtë drejtim mendimin e tij e ndan edhe profesori nga Univerziteti i Torontos Muhamed Fadel, i cili kur flet për shkaqet apo gjetjen e faktorëve të ngritjes historike të afrikanoveriorëve thotë se modernizimi i Islamit në njëfarë mënyre përfaqëson emëruesin e përbashkët të mendimit politik në botën arabe,  sepse për fat të keq, pas Luftës së parë dhe të dytë botërore pasi fituan pavarësinë nominale, ato nuk ishin në gjendje të institucionalizonin politikat anti-autoritare, kurse fuqinë e revolucioneve në Egjipt, Tunizi, Libi dhe së fundi në Siri e vende të tjera të rajonit ia dedikon zhvillimit të mendimit politik islam më shumë sesa idealeve të stilit perëndimor demokratik. Marrë nga web. Hëna e re.

 

Rini politike

 

"All-llahu nuk e ndërron  një popull deri sa ata vetveten nuk e ndërrojnë". (err-Ra`d, 11).

Si shtresë e re politike që janë është e pakontestueshme kur kemi parasysh strukturën socio-demografike të populltatës së shteteve revoltuese. Në linjë të parë kjo është gjeneratë prej 20-35 vjeqe. Raportet demografike në shtetet arabe nuk janë të njëjta por edhe dallimet strukturore nuk janë edhe aq të mëdha. Mesatarisht 50-60 %  të popullatës është nën 35 vjeqe me variabilitet të përafërt p.sh. Jemeni 80 % e popullatës është nën 35 vjeq, në Siri 73 %, Arabinë Saudite 70 %, Egjipt 69 % kurse në Tunizi 59 % dhe është shumë natyrore që bartës i  revoltave ishin mu masat e reja. Volker Perthes, “Revolucioni arab dhe pasojat e saj”.

 

 Ata ishin më të shkolluar se gjeneratat e mëparshme, më të hapur ndaj botës, gjeneratë që nuk u besonte baballarëve të tyre se armiku i tyre dhe shkaku i prapambetjes janë të huajt nga jashtë, por ai është mu brenda mes tyre dhe se duhet luftuar.

 

Për ta ndryshuar veteveten duhet ndërruar thelbësisht dhe ajo nuk bëhte brenda natës. Në rrethanat aktuale është jashtëzakonisht e vështirë të ndryshohet diç pa u larguar pushtetet diktatoriale të cilët nuk e mendojnë të largohen vetvetiu. Ata donë dhunë, terror, mbytje, prandaj edhe duhet përgjigjur me të njëjtën masë deri në lirinë e plotë. Fillimisht kërkesat e tyre gati në të gjitha shtetet ishin të njëjta si në Tunizi, Egjipt, Maroko, Bahrejn, Jemen dhe së fundi në Siri. Me eskalimin e situatës nga protestat paqësore në luftë civile siç po ndodh qe disa muaj në Siri nuk mund të flitet më për kërkesa demokratike  dhe për më shumë të drejta, tani ka vetëm një qëndrim rrëzimin e plotë të diktatorit Bashar el-Assad. Pavarësisht rrritjes së presionit të botës demokratike dhe Ligës Arabe kundër regjimit të Assadit ai edhe më tutje po e përdor ushtrinë dhe të gjitha njësitet shtetërore kundër popullatës duarthatë në tërë vendin e sidomos në qendër të Sirisë në qytetin Homs, ku bombardimet ka disa ditë që nuk po ndalen dhe numri i të vrarëve është mbi 500. Ndërsa që prej marsit të 2011 kur edhe filluan revoltat numri i të vrarëve ka kaluar mbi gjashtë mijë.

 

Fillimisht, dallimet ndër shtetet ishin të vogla. Ata nuk bërtisnin dhe nuk po thërrasin "Vetëm islami është zgjidhja" apo "Poshtë imperializmi dhe cionizmi". Islamologu  francez Oliver Roy në këtë drejtim thotë ky është dallimi i revoltave të mëhershme dhe të tanishmeve  në të gjitha shtetet arabe, jo ideologjizimi dhe jo nacionalizëm arab në revoltat gjithpopullore. Të gjithë të rinjtë janë religjioz dhe praktikant të fesë së tyre, por në këtë rast ata nuk e ideologjizuan fenë. Ata dolën me flamuj shtetëror në revolta me përjashtim të libiasve që përdorën vetëm tri ngjyrat e flamurit si simbol proteste. Ata dolën se nuk u  besonin më fjalëve boshe të udhëheqësve të tyre se e përkrahin palestinën ndërsa në anën tjetër ia vënë bllokadën  Rripit të Gazës dhe e përkrahin bllokadën izraelite. Ata nuk i besuan as ish presidentit Hosni Mubarak në fjalimin e fundit  të tij para mediave me 10 shkurt 2011, kur ai fliste për fitoren e tij të tetorit 1973, kjo tregon se sa e gjërë është distanca ndërmjet tij dhe gjeneratës së re  e lindur më 1990 e këndej. Prandaj,  ai duhej eliminuar nga skena.

 

Pra, kur edhe pas disa benificioneve dhe parave kesh në emër të ndihmave që ua premtuan qeveritë e shteteve përkatëse, disa prej tyre edhe i konkretizuan, vala e revoltave nuk u ndal por u shkallëzua edhe më tepër. Përfundimisht u vërejt se shkaku i protestave nuk ishte ekonomik siç pretendohej por kryesisht  politik. Nga kjo nënkuptojmë se djegia e tunizianit Muhamed ishte shkas i revoltave por jo edhe shkaku kryesor. Gjatë dekadave, shkaqe politike pati shumë por përfundonin ashtu si edhe fillonin. Ata ishin një "Grumbull kompleks" i problemeve të krijuara gjatë gjeneratave apo një mori prej tyre që kërkonin zgjidhje.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme