
Sa herë që proçeset integruese të Shqipërisë futen në qorrsokake proçeduriale, pluskon në përceptimin tonë, në formë debatesh ligjore e mediatike, çështje që kanë të bëjnë me prostitucionin, homoseksualizmin apo edhe me qëndrime në lidhje me prirje jo të zakonshme seksuale të grupimeve minoritare apo inekzistente të popullatës.
Pikërisht në mesin e debatit, nëse përsëri marrja e statusit kandidat të Shqipërisë për në BE do të vihet në pikëpyetje si pasojë e bllokut opozitar, në komisionin e ligjeve diskutohet mbi format e legalizimit të prostitucionit. Si çdo gjë tjetër ligjore që përtypet në komisionet tona ligjndërtuese, i fundit që merret në konsideratë është konteksti socio-moral i terrenit shqiptar. Përveç pyetjes se përse duhet me kaq kokëfortësi të vihemi para një dileme të tillë, shtohet edhe makthi i madh (ne mesin e problemeve tona pa fund) mbi fatin e prostitucionit. Implikimiet me të medha kjo tentativë i merr në momentin kur ky debat del nga shtrati i vet historik, si çështje thellësisht moralo-etike, dhe artikulohet si një problem vetëm social për t’iu nënshtruar një zgjidhjeje administrative.
Tretja e kriterit moral të problemit dhe reduktimi në konsiderimin e prostitucionit si punë apo zhvillueseve të saj si “punëtore seksi”, sjell një qilizëm së prapthi botëkuptimor mbi atë se çfarë përbën moral në një shoqëri, mbi botëkuptimin e të drejtës natyrore e cila vjen së bashku me njeriun në këtë ekzistencë. Prostitucioni nuk ka meritë profesionale nese konsiderohet pune, pasi gëzon të njëjtat mjete qe kane te gjitha femrat, problemi qëndron tek iniciativa ligjore per t’i futur ato ne treg. Konsiderimi i prostutucionit tashmë brënda një statusi punësimi sjell domosdoshmërisht nevojën që kjo “punë” të gëzojë të gjitha të drejtat e që ka çdo punë tjetër, që do të thotë se statusi i saj i aprovuar social do të çojë në një bashkëjetesë brënda skemës së sigurimev sociale dhe përfitimeve të tjera që të jep çdo punë e ndershme, por ajo që është më problematike është që këtë do ta përfitojë i gjithë zinxhiri i prostitucionit i bashkëngjitur me aktin e prostituimit, pra e gjithë armata e “kujdestarëve të seksit”.
Dy janë argumentet mbi të cilat mbështetet e gjithë avokatura për legalizimin e prostitucionit në shoqëri. E para është e drejta e individit për ta trajtuar, përdorur apo edhe shitur asetet e veta trupore dhe e dyta bazohet mbi argumentin se prostitucioni i palegalizuar ka sjellë një përqindje të lartë të përhapjes së virusit të HIV AIDS në popullate, si pasojë e frekuentimit masiv të këtij aktivitetit në Perëndim. Përsa i përket argumentimit të parë mbi të drejtën e personit për të ushtruar prostitucion, i pare jashtë vështrimit moralo- religjioz, qëndrimi është i njëanshmëm për arsye se nga ana tjetër është po e drejta e individit për të mos e ushtruar apo pasur si shërbim atë. Në këtë kuptim ka një simetri në të drejta. Ajo që e dallon të parën nga e dyta është se me anë të prostitucionit individi që e ofron këtë si shërbim del nga sfera e privates në një kontekst të hapur shoqëror dhe e mbivendos këtë të drejtë të tij mbi të drejtën e shtresave të tjera sociale që nuk e duan atë. Një aktiviteti i tillë si prostitucioni, radhë ndodh të jetë brënda suazës së vetëpunësimit, në përgjithësi një rrjet i mirëorganizuar fuksionon i cili del mbi sipërfaqe duke u afishuar me fytyrat e disa vajzave. Edhe në këtë rast e drejta e individëve për të mos qenë të shfrytëzuara, dhunuara e detyruara për një aktivitetit të tillë duhet të prevalojë.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për të shpëtuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshmë përmes legalizimit të prostitucionit, këtu kemi të bëjmë me një problem tjetër të madh, pasi legalizimi brënda një suaze kontrolli mjekësor nuk e zgjidh problemin. Kontrollet mjekësore edhe sikur të jenë më të rregulltat të mundshme, nuk mund të ndjekin ritmin e prostituimit sepse një prostitutë qarkullon disa klientë brënda një dite, kështu frekuenca është më e shpeshtë sesa kontrolli mjekësor i cili do të ishte i pamundur të ishte ditor dhe për çdo klient. Çka do të thotë se probablitetiti i infektimeve apo transmetimeve të sëmundjeve do të ishte shumë më i madh sesa ai i parandalimit me anë të kontrolleve mjekësore. Këtu nuk po llogariten kontrollet e korruptuara mjekësore që në këmbim të ca parave të japin çertifikata pafund “pastërtie”
Por, le t’i kthehemi thelbit të problemit i cili besoj se qëndron tek qasja mbi të moralshmen. Ekzistenca e në shoqëri e defekteve sociale ka qenë përherë prezente, përballja që shoqëria ka pasur me to ka ndryshuar në varësi të kompromiseve që ajo (shoqëria) ka bërë me dobësitë e saj. Kështu qëndrimi ndaj prostitucionit në të gjitha shoqëritë ka qenë i qartë, i vendosur dhe kategorikisht refuzues kur bëhej fjalë për hapësirën ligjore ndaj saj. Ndyshimet e dekadave të fundit me legalizimin e tij, në thelb ka krijuar dilemën se a thua vërtet çëshja e legalizimit shtrihet drejt prostitucionit apo ky veprim më së shumti është alibia e dorëzimit të shoqërisë karshi vesit.
Njeriu është një qënie e cila ka potenciale të habitshme kur bëhet fjalë për ndikimin e tij në shoqëri. Ai karakterizohet nga aftësia gjeneruese e manifestuar në sjelljet dhe mendimet e tij. Por ai ka edhe anën tjetër të medaljes, ka me të njëjtin intensitet aftësinë degjeneruese të asaj që ai vetë apo edhe qëniet e tjera gjenerojnë apo kanë gjeneruar. Edhe prostitucioni është degjenerimi i një akti të pastër seksual i gjeneruar nga një marrëdhënie normale midis dy individësh të cilët kane vendosur të ndajnë së bashku shortin e jetës. Karakteri degjenerues i prostitucioni qëndron karshi faktit të së drejtës së natyrshme të njeriut e cila ka gjeneruar privatësinë e marrëdhënieve mashkull femer në kontekstin e një partneriteti ligjor,moral dhe mundësisht të pandryshueshëm.
Çështja bëhet me komplekse sepse aksionet legalizuese, jo vetëm të prostitucionit por e kam fjalën edhe për deformimet e tjera seksuale, janë në thelb dorëzim përballë aftësive degjeneruese të njeriut përmasat e të cilave kanë tejaluar aftësinë e tij të lindura natyrore gjeneruese. Sigurisht që kjo qasje as që nuk i kalon nëpër mend ligjvënësve tanë, të cilët janë tepër të zënë për të mbuluar karakterin degjenerues të veprimeve të tyre. Ajo që është më ironike është se çdo tentativë për të ruajtur e mirëmbajtur thelbin gjenerues pozitiv të qënies njerëzore, konsiderohet si konservatorizëm i tepruar dhe defektologji.