.. Një kategori e njerëzve të rrethit të lartë shoqëror (sipas Platonit kategori e prijësve shoqërorë), një kategori e ithtarëve të idealizimeve janë filozofët, të cilët duke e kërkuar të vërtetën i japin vulën epokës në të cilën jetojnë, që mendimin e lidhin me jetën dhe ekzistencën. I famshmi Descartes është shprehur kështu: Cogito, ergo sum! (Mendoj, pra ekzistoj!) Ky urtar i shquar në mënyrë implicite ka pohuar se ai që nuk mendon, që nuk përpiqet t'i njohë gjërat, që nuk mundohet të hyjë në botën e ideve s'ekziston fare, është i vdekur për së gjalli, madje qoftë fizikisht edhe njeriu më i fortë e më i shëndoshë në botë.
Për fat të keq, mund të themi se në mjedisin shqiptar është bërë normale gjendja pa filozof e pa filozofi të mirëfilltë. Është rëndë për t'u thënë por është realitet se nuk njohim asnjë filozof shqiptar që në mënyrë sistematike merret me urtësinë, që bën filozofi, që merret me çështjet sublime të harkut filozofik. Ta themi të drejtën, në këtë kategori (pra atë të filozofëve) s'mund t'i fusim as njerëzit tanë të letrave, autorët e prozës dhe poezisë - për të cilët kemi respekt të veçantë dhe me ëndje i lexojmë - që në aureolën e tyre krijuese shfaqin një imagjinatë të bujshme, por jo filozofi në plotkuptimin e fjalës.
Më kaplon një ndenjë e pezmit për fatin tonë gjithshqiptar kur mendoj rreth faktit se jemi ngushtuar tepër dhe jemi bërë shoqëri e hulumtuesve të gjuhës, kulturës dhe historisë sonë kombëtare. Dikush do të pohojë se "ai që s'e njeh vetveten s'mund të ecë përpara, ai që s'e respekton vetevetn s'është askushi". Po, e pranoj, por vërtitja vetëm në oborrin e kombëtarës, kufizimi vetëm në gjeografinë tonë është nonsens dhe absurd, është një cirruculum vitiotus (qark i mbyllur). Duhet qenë më i hapur ndaj botës. S'është thënë kot "vetëm uji që lëviz është i pijshëm". Para do ditësh duke lexuar një revistë kroate prestigjioze (Globus) rastisa në një kolumnë të saj për botimet e reja dhe në të më ra në sy titulli "Kontributi kroat ndaj egjiptologjisë". Bëhej fjalë për veprën Egjipti i vjetër të Igor Uraniq-it, drejtor i departamentit për egjiptologji në Muzeumin Arkeologjik të Zagrebit. Ç'ka interesante në këtë të dhënë - do të pyes dikush? Është me rëndësi puna e shpërndarë në fusha të ndryshme të jetës, kahëzimi i veprimtarisë intelektuale në shumësi lëmenjsh diturorë, është me rëndësi fakti se drita e njerëzve të urtë ka bërë që një shoqëri të dijë të ballafaqohet me diversitetin e vlerave.
Ndonjëherë e arsyetoj veten duke thënë se "filozofët lindin", ata vijnë nga bota e numenit, nuk janë të botës së fenomeneve, por mbifenomenë, nuk kultivohen. Po prap më ngacmon diç dhe them, atëherë vallë mos jemi të predeterminuar të mos kemi filozof? S'është e vërtetë - them - filozofët janë gatuarje e talentit të dhënë nga Perëndia dhe stërhollim mendimesh e ndjenjash në hapësirë dhe kohë, janë aliazh i dhuntisë dhe i përpjekjes.
Gjithherë e kam pëlqyer idenë e Th. Carlyle-it se historinë e bëjnë njerëzit e mëdhenj, heronjtë e kohës, ata që e tejkalojnë vijën e anemisë jetësore, që gjenerojnë vlera të cilat i regjistrojnë shekujt. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe filozofët, që krijojnë e thyejnë legjenda e mite, që e mësojnë popullin të mos bishtërojë e as të kapërdijnë gjëra të gatshme, që dinë të gjykojnë edhe për gjërat më delikate sine ira et studio (pa urrejtje e anim), që dinë t'i zgjidhin problemet e kohës sipas një logjike briliante, që dinë t'i japin mend popullatës edhe në çastet më kritike, që kanë guximin t'i thuan ndal vëllavrasjeve mizore për hiçgjë, që me këshillëurtësi i bëhen barrierë pazarit të trupave femërorë që rrënojnë familje të tëra, që kataklizmën nuk e vërejnë vetëm nga prizmi i sipërfaqësores, që haptazi shprehin largpamësinë se shoqëria e korruptuar s'ka ardhmëri, që me ëndje e pinë kupën e hidhur të ekskomunikimit për hir të të qenët in veritas...
Njeriu i madh-filozof di të krijojë një korelacion të shëndoshë mes politikës, ekonomisë, religjionit, psikologjisë, sociologjisë, historisë, antropologjisë, nuk është i skajshëm në bindjet e veta, që s'i mbyll sytë para të vërtetës, i përgatit "asistentët e ardhmërisë së kombit" të përvëluar nga ëndrrat pasojë e premtimeve të Elbasanit të filleve të demokracisë për "ngrënie me lugë floriri", që di me mjeshtëri t'i hapë shtigje popullit që përballet me probleme të identitetit të vet kulturor, të ardhmërisë politike, të konversionit masiv në grekëri, të çështjes së universit të diturisë, të arsyes funksionale... Ç'tragjedi është për një etnos në të cilin s'njihet hermeneutika e Hermesi, s'diskutohet për postulatet e filozofisë kantiane, për Prologomena-n, për Averroes-in, për Heidegger-in, fenomenologjinë huserliane, për shkollën e Frankfurtit... për e për...
Sa i kënaqur do të isha sikur dikush të më demantonte dhe të më tregonte se prapseprap kemi filozof(ë)!
Ndoshta ky shkrim bën pjesë në kategorinë atyre që janë të padobishme, por i fortrespektuari Ismet Ozel më ka pushtuar me vargjet në vijim dhe më ka mësuar për eliksirin e dobisë në padobishmëri:
Sa një dru që s'jep fruta
të padobishme le t'jenë këto shkrime të mia.
Askush duke synuar frutat e tij
le t'mos ketë shkas të gjuajë gurë degëve.
Këto shkrime le të jenë të padobishme
sa një dru shumëdegësh, shumë i shtrembër.
Atëherë marangozët
s'do ta shohin të vlerë ta presin e gdhendin.
Sa një dru trungbosh, vrimëgjerë, i parrëshirë
le të jenë të padobishme këto shkrime të mia.
"Nuk vlen për djegie ky dru,"-le të thonë,
le të mos e djegin.
Prap të padobishme le të jenë!
Si një dru, le të jenë këto shkrime të mia:
Që rrënjët i ka në tokë,
degët kah qielli.
Mbase askush s'e mbjell në bahçe,
e as s'e vënë në bulevardin e qytetit.
Por, nëse në një vend të largët e të thatë
një udhëtar i trulluar
gëzohet e freskohet
ngase gjeti një dru
ku do ta mbështesë shpinën e do të çlodhet,
më mjafton kjo!