BORXHI DHE PASOJAT NGA MOSKTHIMI I TIJ

Por, në kohën e sotme, në vendin tonë, po shohim çdo ditë e më shpesh, njerëz të cilët janë thelluar në borxhe, e pastaj vjen puna deri në vrasje. Po flasim për në vendin tonë, por jo që ky fenomen nuk haset në vendet tjera, por ne jemi të obliguar të flasim dhe të analizojmë problemet e shoqërisë sonë, pasi njeriu duhet të shikoj rrethin e vet, e pastaj të merret me të tjerët, ashtu siç thotë një fjalë e urtë “Të shikojmë gjarpërinjtë në oborrin tonë, e jo krimbat në oborrin e fqinjit”.

            Të ndihmohet është veti njerëzore, sidomos duhet të jetë veti e një besimtari mysliman, por, nuk duhet të vjen deri në situatë kur personi i cili jep borxh, kërkon të hollat e tij, kurse borxh marrësi nuk e kthen borxhin. Këtë fenomen e hasim çdo ditë e më tepër edhe nëpër lagjet e vogla, ku shohim se persona marrin borxh nëpër shitore, e me vite nuk e kthejnë borxhin, persona ndërtojnë shtëpi me materiale të cilat nuk i paguajnë, nuk e paguan mjeshtrin, nuk paguan shërbime, e mos flasim më për rastet më të mëdha. Por ne nuk do të zgjerohemi duke përmendur rastet se për çka merret borxh, por do të sjellim disa ajete Kuranore dhe hadithe nga i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem për të pa rëndësinë e të ndihmuarit në raste të nevojës, por edhe rreziku i mos kthimit të borxhit nga borxhmarrësi.

 

Prolongimi i borxhit

 

            Allahu xhel-le shanuhu  në Kur`an, në lidhje me borxhin, cek në sure Bekare, ku thotë: “Nëse (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri të vijë në një çlirim. E t`ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo, nëse e dini, është shumë më mirë për ju” (Bekare, 280). Ibën Kethiri në koment të këtij ajeti, thotë: “Allahu urdhëron për maturi dhe durim ndaj atij që nuk ka mundësi ta kthej borxhin... e jo sikurse vepronin paganët që i thoshin borxhliut, kur vinte afati i kthimit të borxhit: O do ta kthesh borxhin, o do të vë kamatë. Pastaj stimulon që t`i falet borxhi, e për këtë veprim, premton mirësi dhe shpërblim të madh dhe thotë: “E t`ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo, nëse e dini, është shumë më mirë për ju” d.m.th. më mirë për ju është që t`ia falni krejt borxhin borxhliut të këtillë të ngushtuar”.1 Kurse Hafiz Ibrahim Dalliu, në tefsirin e tij, në lidhje me këtë ajet, thotë: “Thuhet se ky ajet ka zbritur, kur në dorën e myslimanëve ra qyteti Taif, në të cilin banonte fisi beni Thekif. Disa pjesëtarë të atij fisi, më parë i kishin dhënë para me kamatë fisit beni Mugire. Thekifët hoqën dorë prej kamatës, por, kërkonin kryegjënë, mirëpo ata të beni Mugires u ankuan se ishin të varfër dhe kërkuan afat deri në kohën e korrjes së prodhimeve.

Ajeti tregon se t`i japish afat huamarrësit dhe të mos e shtrëngosh atë, është një punë me rëndësi...”2

 

Burejde r.a. transmeton se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ai që ia prolongon kthimin e borxhit personit që nuk është në gjendje ta kthejë borxhin, për çdo ditë që e ka prolonguar, do t`i shkruhet sadaka në sasi të borxhit” pastaj e kam dëgjuar duke thënë: “Kush ia prolongon kthimin e borxhit personit që nuk është në gjendje ta kthejë borxhin, për çdo ditë që e ka prolonguar, do t`i shkruhet sadaka sa dyfishi i lëmoshës”, i thashë: Të dëgjova duke thënë njëherë ashtu, e një herë ndryshe! I Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: Po, atij do t`i shkruhet lëmoshë në sasi të borxhit për çdo ditë të prolongimit, para se të vijë afati i përcaktuar për kthimin e borxhit, e nëse vjen koha e kthimit, e ai ia prolongon, atij për çdo ditë të prolongimit, do t`i shkruhet sadaka sa dyfishi i borxhit”.3

 

Po ashtu në lidhje me prolongimin e borxhit, transmetohet se një njeri i kishte marrë borxh Ebu Katades. Ebu Katade r.a. shkonte t`ia lyp borxhin, ndërsa ai fshihej. Një ditë, shkoi te ai dhe doli një fëmijë, e ky e pyeti për personin. Fëmija i tregoj se ai është në shtëpi...Ebu Katade i tha: Pse fshihesh prej meje? Ai tha: Nuk kam mundësi të ta kthej borxhin. Me të vërtetë nuk ke mundësi me ma kthyer borxhin? Po, i tha njeriu. Ai tha: E kam dëgjuar të Dërguarin sal-lallahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Ai që ia lehtëson borxhliut, apo ia fal borxhin, në Ditën e Gjykimit do të jetë nën hijen e Arshit”.4

 

Nga Hudhejfe r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu do ta sjell njërin nga robërit e Vet në Ditën e Gjykimit, e do t`i thotë: çka ke bërë për Mua në dynja? Robi do të thotë: Nuk kam bërë për Ty o Zot as sa një grimë, me të cilën do të synoja Ty, por Ti më fale mua pasuri të shumta. Unë ua shitja njerëzve, por prej natyrës sime ishte falja. Kështu, unë atij që kishte mundësi materiale, ua lehtësoja pagesën, ndërsa atyre që nuk kishin mundësi materiale, ua prolongoja pagesën. Në këtë Allahu do të thotë: Unë jam më i denjë për lehtësim, hyr në xhenet”.5

 

 

 

 

Ndalohet zvarritja e kthimit të borxhit nga ana e të pasurve

 

            Nëse i varfëri e vonon kthimin e borxhit, është e logjikshme, pasi nga pa mundësia, nuk mund ta kthen në kohë, por nëse kthimi i borxhit vonohet nga ana e të pasurve, atëherë ajo është padrejtësi dhe dhunë ndaj pasurisë së huazuar.

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vonesa në kthimin e borxhit nga i pasuri është padrejtësi, e nëse ndonjëri prej jush transferohet te ndonjë i pasur, le ta ndjek”,6 pra, nëse borxhmarrësi e dërgon borxhdhënësin tek një i pasur nga të afërmit e borxhmarrësit, që ai t`ia shlyejë borxhin, le ta pranoj këtë transferim.

 

Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem

e luste Allahun që ta ruaj nga borxhi

 

Në shumë raste, në hadithet e të Dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem e luste Zotin, që ta ruaj nga borxhi, bile në disa raste e krahasonte borxhin, si rrugë e cila të dërgon në kufër.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem në hadith thotë: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga kufri dhe borxhi”, një njeri i tha: O i Dërguari i Allahut, a e krahason kufrin me borxhin? Ai tha: Po!.7

Kur falte namaz, shpeshherë thoshte: “O Zoti ynë, kërkoj mbrojtjen Tënde nga mëkati dhe borxhi” Kur e pyetën pse kërkon shpesh mbrojtjen e Zotit nga borxhi, ai tha: “Ai që ka borxh, gënjen dhe i thyen premtimet”8

Po ashtu, ai bënte lutje dhe thonte: “O Zot, mbështetem në mbrojtjen Tënde nga pesha e borxhit dhe nga zemërimi i njerëzve”9

 

Mohimi i borxhit

 

Një nga padrejtësitë që mund të ndodh në mes dy palëve, është edhe mohimi i borxhit nga ana e borxhmarrësit, kur ai thotë se unë ty nuk të kam borxh, apo në ndonjë mënyrë tjetër.

Në kohën e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem ndodhi një rast i këtillë, kur një grua nga fisi Mahzumije kishte mohuar borxhin, deshën që asaj t`i falet, e dërguan te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem Usame b. Zejdin, i cili ishte i dashur te ai, e kur ia përmendi këtë, i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “A po ndërmjetëson në të Drejtën e Zotit, ata që ishin para jush u shkatërruan, pasi kur vidhte i pasuri ia falnin, kurse kur vidhte i varfëri e gjykonin, betohem, se nëse edhe Fatimja, bija e Muhamedit të vepronte kështu, do t`ia prisja dorën”.10 Pra, mohimi i borxhit, konsiderohet e barabartë me vjedhjen, prandaj Allahu xhel-le shanuhu në sure Bekare, ajeti 282, thotë: “O ju që keni besuar, kur të merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë...”. Sikur ne të vepronim në bazë të këtij ajeti, nuk do të vijë deri në shkallën e mohimit të borxhit, pasi ke një dëshmi të shkruar.

 

Shteti duhet të marrë përsipër pastrimin e borxhit të varfrit pas vdekjes

 

Ne jetojmë në një shtet laik, prej të cilit nuk pritet mëshira ndaj myslimanëve, e as më pak kur një person i cili ka borxh, të merr përsipër shteti t`ia shlyej borxhin, një personit të vdekur i cili nuk ka lënë pasuri që të kthen borxhin. Por, sipas së drejtës së Sheriatit, nëse një person në shtetin Islam, vdes dhe ai nuk ka lënë pasuri që të shlyej borxhin, kthehet borxhi i tij nga buxheti shtetëror (Bejtul Mal).

Kur Allahu xhel-le shanuhu  i shpalosi para të Dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem mirësitë e kësaj  bote, ai tha: “Unë kam më përparësi nga ç`ka secili mysliman ndaj vetes së tij. Kush ka ndonjë borxh, kthimi i saj është detyrë e imja, e kush ka lënë pasuri, ajo është e trashëgimtarëve”.11

 

I Dërguari i Allahut nuk ia falte namazin e xhenazes atij i cili kishte borxh

 

Gjatë jetës së Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem ndodhi një rast vdekje, e ai nuk e fali namazin e xhenazes së një personi i cili kishte borxh.  Transmetohet nga Ebu Seleme: i shkova për një të vdekur dhe ai tha: “A ka borxh? Njerëzit thanë: Po, dy dinarë. Ai tha: Faleni ju namazin e xhenazes së shokut tuaj!” Ndërkohë, Ebu Katade el Ensari r.a. i tha: “I shlyej unë ato o i Dërguari i Allahut”. E pastaj i Dërguari i Allahut ia fali xhenazen”.12

 

Shehidit i falen të gjitha mëkatet përpos borxhit

 

Shkalla më e lartë e sakrificës në Islam është Xhihadi, kurse personi i cili lufton për hir të Zotit dhe vdes për këtë qëllim, quhet Shehid. Allahu xhel-le shanuhu  ka marrë përsipër faljen e mëkateve të shehidit, atij i falen të gjitha mëkatet, por një mëkat atij nuk i falet, në qoftë se e posedon, ajo është borxhi.

Pra, borxhi nuk i falet askujt, e as shehidit, këtë e kuptojmë nga hadithet e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem,  në një të cilin e transmeton Abdullah b. Amr b. Asi r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: “Shehidit i falet gjithçka përpos borxhit”13

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se erdhi një njeri te i Dërguari i Allahut, i cili ishte duke ligjëruar në minber, dhe tha: o i Dërguari i Allahut, nëse unë luftoj në rrugë të Allahut me durim, duke llogaritur në shpërblim duke luftuar e duke mos ikur, a do të më fal Allahu mëkatet? Tha: Po! Pastaj heshti një moment, dhe tha: “Ku është pyetësi i mëparshëm? Ja ku jam, u përgjigj!. Çka the më parë? Ai e përsëriti pyetjen, e i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem i tha: “Po, përpos borxhit, tash më lajmëroj Xhibrili alejhi selam”.14

Po ashtu transmeton Ebu Umame r.a. se e ka dëgjuar të Dërguarin sal-lallahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Shehidi i cili vritet duke luftuar në deti, është sikur dy shehidë të cilët luftojnë në tokë, ndërsa ai që është mbytur në det është sikur ai që është mbuluar me gjak në tokë. Ndërmjet dy valëve të detit (të lundrohet) është sikurse kur i robëron Allahut duke udhëtuar nëpër tokë. Allahu ia ka lejuar jelekut të vdekjes që t`ua marr shpirtin të gjithëve, përveç atij që ka rënë shehid në det, ati Allahu ia merr shpirtin. Shehidit i cili vritet në tokë i falen të gjitha mëkatet, përpos borxhit, kurse shehidit i cili vritet në deti, i falen të gjitha mëkatet, po ashtu edhe borxhi”.15

Imam Kurtubiu, në lidhje me këto hadithe thotë: Borxhi të cilin njeriu e ka marrë për shkak se i është dashur apo se ka pasur nevojë, ndërsa nuk ka lënë asgjë me çka borxhi do të lahej, Allahu për këtë shkak nuk do ta largoj nga Xhenneti, nëse do, pa marrë parasysh a është ai shehid apo dikush tjetër, sepse sundimtari e ka për obligim që të lajë borxhet e tij. Sa i përket atij që hyn në borxh për t`i harxhuar për gjëra të kota apo për t`u kënaqur dhe vdes duke mos e larë borxhin ose duke mos e porositur larjen e borxhit, apo ka qenë në gjendje që ta kthej por nuk e ka paguar, do t`i ndalohet Xhenneti derisa të lahet borxhi me vepra të mira apo të këqija.*

 

Allahu xhel-le shanuhu  i ndihmon personit që ka marrë borxh

 

Në bazë të këtyre udhëzimeve, myslimani hyn në borxh vetëm kur ka nevojë të madhe, dhe kur hyn në borxh, gjithmonë mundohet t`a kthej. Thotë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem“Kush merr borxh prej njerëzve dhe dëshiron t`ua kthejë, Zoti do t`i ndihmojë t`a kthejë, e kush merr borxh dhe nuk ka për qëllim t`a kthejë, Zoti do ta shkatërroj”.16

Njeriu duhet të merr borxh vetëm në nevojë, e jo të merr në mënyrë që t`i dëmton njerëzit dhe të mos e kthej atë përsëri prapë pronarit.

 

Kush ruhet prej borxhit, do të hyj në xhenet

 

Nga mësimet që ne kemi marrë nga mësuesi i njerëzisë, i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem, është se njeriu duhet që ta ruaj veten, që mos marrë borxh pa nevojë, pasi ajo ndikon në uljen e nderit dhe karakterit, është poshtërim para njerëzve dhe shqetësim në mbrëmje. Po ashtu, nga mësimet e tija, është se personi i cili ruhet nga borxhi, do të jetë prej të shpëtuarve në këtë botë dhe në botën tjetër. Thotë i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Kush e largon shpirtin dhe trupin e vet nga këto tre gjëra, do të hyj në xhenet: Prej mendjemadhësisë, prej korrupsionit (vjedhje nga plaçka e luftës `gulul`) dhe nga borxhi”.17

 

Shpirti i besimtarit është i lidhur për borxhin

 

Personi i cili ka marrë borxh prej dikujt, jo që do të ketë shqetësim vetëm në këtë botë, por nëse ai vdes duke mos e pastruar borxhin, ai do të ketë shqetësim edhe në varr, pasi siç do ta shohim nga hadithi, shpirti i njeriut është i lidhur me borxhin e tij. Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shpirti i besimtarit është i varur me borxhin e tij, derisa t`i shlyhet”.18

 

Borxhdhënia ka më tepër shpërblim se lëmosha

 

Të japish lëmoshë është një cilësi e kërkuar prej besimtarit mysliman, por të japësh borxh, ka më tepër vlerë, pasi ata që kërkojnë lëmoshë pa nevojë janë të shumtë, bile disa e kanë shndërruar këtë në profesion, kurse të rrallë janë ata të cilët kërkojnë borxh. Thotë në një hadith Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Natën në të cilën u ngrita për në Miraxh, pashë të shkruar në derën e Xhenetit: Sadakaja shpërblehet dhjetëfish, ndërsa borxhi tetëmbëdhjetë herë më shumë. Pyeta: O Xhibril, pse borxhi qenka më me vlerë se lëmosha? Tha: “Ai që lyp, mund të ketë, ndërsa ai që lyp borxh, merr hua vetëm kur ka nevojë”.19

 

Dënimi në ditën e Gjykimit

 

Nëse personi nuk e ka kthyer borxhin në këtë botë, nuk ka lënë testament që pasardhësit t`ia lajnë atë borxh, atëherë ky person në Ditën e Gjykimit para Allahut xhel-le shanuhu  do të shpaguajë borxhin duke iu marrë veprat e mira të tija, si dhe borxhdhënësi kur do t`i harxhohen veprat e mira, do t`i jepen nga mëkatet e tyre.

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A e dini se cili është falimentimi më i madh (muflis)? U përgjigjën: Në mesin tonë i falimentuar është ai që nuk ka as para as mall! Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “I falimentuar në umetin tim është ai i cili në Ditën e Gjykimit vjen me namaz, agjërim dhe zekat, ndërsa njërin e ka sharë, tjetrin e ka përgojuar, prej tjetrit ka vjedhur, dikujt ia ka derdhur gjakun, njërit i ka mëshuar, kështu që këtij do t`i jepen prej veprave të tij të mira, por edhe atij prej veprave të mira. Nëse i mungojnë veprat e mira para se t`i lajë borxhet, atëherë do t`i merren mëkatet e të dëmtuarve dhe do t`i ngarkohen atij dhe kështu do të hidhet në zjarr”.20

Po ashtu prej Ibni Umerit r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush vdes, ndërsa i ka dikujt borxh ndonjë dinar apo dirhem, ai borxh do të paguhet prej veprave të tij të mira (në Ditën e Gjykimit) sepse siç e dimë, atje nuk ka as dinarë as dirhem”.21



1 Tefsir Ibn Kethir, vëll.1, f.656;

2 Ajka e Kuptimeve të Kurani Kerijjmit, Ibrahim Dalliu, fq.279, Tiranë 2005;

3 Musned Ahmed, vëll.V, f.360, nr.23031; Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab 54, nr.2418; por në zinxhirin e këtij hadithi gjendet Nefij ibnul Harith el A`ma el Kufij i cili është i dobët;

4 Musned Ahmed, vell.V, f.308; Sahih Muslim, kitab Musakat, bab Fadli Indharil mu`sir (6), nr.1563, vetëm se te Muslimi gjendet me tekstin “Kush ia lehtëson ose ia fal borxhin, Allahu do t`ia lehtësoj atij në ditën e Gjykimit”. Kurse te Tirmidhiu gjendet me atë tekst, Sunen Tirmidhi, kitab buju` an Resulilah, bab 67, nr.1310; Tirmidhiu thotë se ky hadith është Hasenu Sahih. Sunen Darimij, kitab buju`, bab 50, nr.2589; Bejhakiu në “Shu`bul iman” nr.11259; Një Hadith i ngjashëm transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush ia lehtëson borxhliut, Allahu do t`ia lehtësoj në këtë botë dhe në Ahiret”, Ibn Maxhe nr.2417, Muslim 2699, Tirmidhi 2954, Ebu Davud 4946, Ahmedi 8323 dhe 7431;

5 Sahih Buhari, kitab Ehadithul Enbija, bab ma dhukire an beni israil (50), nr.3451; si dhe n; kitab Buju`, bab men endhere musiren (17), nr.2077; Sahih Muslim, kitab musakat, bab 6, nr.1560; Sunen Darimij, kitab buju, bab 14, nr.2546;

6 Sahih Buhari, kitab istikrad, bab 12, nr.2400; Sahih Muslim, kitab Musakat, bab 7, nr.1564; Sunen Ebu Davud, kitab buju`, bab fil Matli (10), nr.3345; Sunen Tirmidhi, kitab buju`, bab 68, nr.1312; Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab 48, nr.2403-2404; Sunen Nesai, kitab buju`, bab 100, nr.4692; Muvetta Malik, kitab buju`, bab xhamii dejni vel hiveli, nr.1353; Musned Hanbel, nr.7544, 8947 dhe 9980; Sunen Darimij, kitab buju, bab 48, nr.2586; Ibn Hibbani 11/487, nr.5090; Sunen Bejhakij, 6/51, nr.11063; Imam Neveviu në Rijadus-Salihin nr.1618; Një hadith në këtë kontekst, gjendet edhe në disa libra, ku thuhet: “Shtyrja e pasanikut në kthimin e borxhit e bën të lejuar nderin dhe dënimin e tij” Hasen, Buhariu si mualek 5/62, Ebu Davudi 3628, Nesaiu 7/316, Ibn Maxhe 3627, Ibn Hibani 1164, Albani thotë se është hasen në Irva 1437;

7 Sunen Nesai, kitab el istiadhetu, bab istiadhe mine dejn (23), nr.5475-5476;

8 Sahih Buhari, kitab istikrad, bab 10, nr.2397; Sahih Muslim, kitabul mesaxhid ve mevadia`salat, bab 25, nr.589;

9 Sunen Ebu Davud, kitab salat, bab fil istiadhe (32), nr.1541;

10 Sahih Buhari, kitab Hudud, bab 11-12, nr.6787-6788; Sahih Muslim, kitab hudud, bab 2, nr.1688-1689; Bulug Meram, Askalani, fq.513;

11 Sahih Buhari, kitab kefaleti, bab. 5, nr.2298, po ashtu gjendet edhe në kitab Istikrad, bab 11, nr.2398- 2399, si dhe me numër 4781, 5371, 6731, 6745 dhe 6763; Sahih Muslim, kitabul xhumuati, bab 13, nr.867 si dhe në kitab feraid, bab 4 nr.1619; Sunen Tirmidhi, kitab xhenaize an resulilah, bab 70, nr.1072 dhe thotë se është Hasen Sahih; Sunen Ibn Maxheh, kitab sunneh, bab 7, nr.45, si dhe në kitab sadakat, bab 53, nr.2415-2416; Sunen Nesai, kitab salat idejni, bab 22, nr.1579 dhe kitab xhenaiz, bab 67, nr.1964; Sunen Darimij, kitab buju`, bab 54, nr.2594; Musned Ahmed nr.14438 dhe 14635;

12 Sahih Buhari, kitab kefaleti, bab 3, nr.2295; Sahih Muslim, kitab feraid, bab 4 nr.1619; Sunen Tirmidhi, kitab xhenaize an resulilah, bab 70, nr.1071 dhe thotë se është Hasen Sahih; Sunen Ibn Maxheh, kitab Sadakat, bab 49, nr.2407; Sunen Nesai, kitab xhenaiz, bab salat ala men alejhi dejn (67), nr.1962-1965; Sunen Darimij, kitab buju`, bab 53, nr.2593; Musned Ahmed, nr.22606;

13 Sahih Muslim, kitab imaret, bab 32, nr.1886;

14 Sahih Muslim, kitab imaret, bab 32, nr.1885; Sunen Nesai, kitab xhihad, bab men katele fi sebililahi ve alejhi dejn (32), nr.3157-3160; Sunen Tirmidhi, kitab xhihad an resulilah, bab 58, nr.1718; dhe thotë Hasen Sahih; Ahmedi në Musned, nr.22648; Muvetta Malik, kitab xhihad, bab shuhedai fi sebililah, nr.1039; Sunen Darimij, kitabul xhihad, bab 21, nr.2412;

15 Sunen Ibn Maxheh, kitab xhihad, bab 10, nr.2778; por ky hadith sipas disa dijetarëve ka dobësi, sipas disa tjerëve është apokrif, kurse më i vërtetë është ai te Muslimi me numër 1886; këtu nuk ceket deti, pasi cekja e dallimit në tokë dhe në det, gjendet vetëm te Ibn Maxhe me zinxhir të dobët.

* Imam Kurtubiu, Gjendja e të vdekurve dhe ndodhitë e Ahiretit, vëll.1, fq.331-333;

16 Sahih Buhariu, kitab Istikrad (43), bab 2, nr.2387; Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab 51, nr.2411; Musned Ahmed nr.8741; Në një hadith i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: “Njerëzit më të mirë janë ata që më së miri e kthejnë borxhin” Sahih Muslim, nr.1600;

17 Sahih, Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab Teshdid fi dejn (52), nr.2412; Sunen Tirmidhi, kitab sijer an resulilah, bab 21, nr.1578; Musned Ahmed nr. 22432; Sunen Darimij, kitab buju`, bab 52, nr.2592;

18 Sahih, Sunen Tirmidhi, kitab xhenaiz, bab 77, nr.1080-1081, Tirmidhiu thotë se ky hadith është Hasen; Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab 52, nr.2413; Sunen Darimij, kitabul buju`, bab 52, nr.2591; Musned Ahmed nr.10160; Ebu Ja`la (10/418). Bulugul Meram min edileti ahkam, Ibn Haxher Askalani nr.563; Sahih e kanë vlerësuar Hakimi dhe me të është pajtuar Dhehebiu, Ibn Hibbani dhe Ebu Nuajmi; Një hadith i ngjashëm haset tek Dejlemiju nga Ebu Seid el Hudriju, ku thuhet se “Borxhliu në varr i ka duart e lidhura dhe vetëm larja e borxhit (nga trashëgimtarët ose miqtë) mund ta lirojë”;

19 Daif Xhidden është hadith shumë i dobët, Daif el Xhami`, nr.3083;

20 Sahih Muslim, kitab bir ve silet vel adab, bab Tahrimi dhulm (15), nr.2581;

21 Sahih, Sunen Ibn Maxheh, kitab sadakat, bab 52, nr.2414; në Zevaid thuhet: në zinxhir gjendet Muhamed ibn Thalebe ibn Sevain, për të Ebu Hatim thotë: është i lënë dhe nuk shënojmë prej tij;

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme