
Islami është fe e natyrshme që e pranon natyra e njeriut, andaj nuk mund të paramendohet që Zoti ta kundërshton natyrën e njeriut. Pasi të qeshurit është një situatë kur njeriu ndjehet i kënaqur dhe i lumtur, andaj askush nuk ka të drejtë të ndërhyj dhe të ndalon këtë veti te njeriu. Të qeshurit është nga karakteristikat e njeriut, sepse kafshët nuk qeshen. Allahu xh.sh. thotë në ajet Kuranor: “Dhe se Ai jep qeshjen dhe Ai jep të qarit” (Nexhm, 43), pra, Allahu xh.sh. është ai që e krijoi të qeshurit në ndjenjat e njeriut. Por sikur në të gjitha rastet të cilat në esencë janë të lejuara derisa nuk vjen argumenti për ta ndaluar, edhe të qeshurit është parimisht i lejuar, por nuk do të thotë se është e njëjta gjendje çdo herë, pasi nëse shohim ajete dhe hadithe në të cilat Zoti nuk e lavdëron kur njeriu qesh pa masë dhe pa kontroll, ofendon duke bërë mahi, kjo është situatë kur dispozita mbi shakanë ndryshon dhe automatikisht shndërrohet në ves të ndaluar.
Si dhe në tjetër ajet jep një lloj kërcënimi ku thotë: “Le të qeshin pak (në dynja) e le të qajnë shumë (në botën tjetër)...”(Teube, 82); pra, disa me këtë ajet duan të bëjnë të ndaluar të qeshurit dhe se njeriu duhet të jetë vazhdimisht serioz, por këtu Zoti thotë le të qeshin pak, e jo aspak, por ky ajet nuk ka të bëj me të qeshurit për disponim, por për dyfytyrëshat të cilët nuk dolën në luftën e Tebukut dhe për këtë u gëzuan, ku Zoti i kërcënoi hipokritët me këtë ajet duke u thënë që le të qeshin në këtë botë, por do të qajnë shumë në ahiret.1
Ndaluesit e shakasë bazohen edhe në disa hadithe në të cilët i Dërguari a.s. thotë: “Njeriu nuk beson plotësisht derisa nuk e len gënjeshtrën edhe në shaka” (Transmeton Ahmedi); “Mjerë ai që flet dhe gënjen që të qeshin tjerët, mjerë ai, mjerë ai!” (Tirmidhiu, Ahmedi dhe Ebu Davudi, hadithi është hasen) si dhe hadithi: “E mallkon Allahu gënjeshtarin, edhe nëse është në shaka”; por këto hadithe kanë shkak se pse e ndalojnë, ku në këto hadithe vërehet se bëhet fjalë për kërcënimin ndaj gënjeshtrës e jo ndaj të qeshurit. Kurse hadith tjetër përdorin edhe këtë: “Mos qesh shumë, se të qeshurit e shumtë e vdes zemrën”. Ky hadith e ndalon teprimin në të qeshur e jo të qeshurit në përgjithësi.
Shembull i muslimanëve në këtë është Muhamedi salallahu alejhi ve selem, i cili edhe përskaj preokupimeve të tij të shumta dhe të ndryshme, bënte shaka por duke e thënë të vërtetën, kalonte me shokët e tij një jetë normale, i shoqëronte në gëzime, në shaka dhe në loja, ku ai ishte njeriu më i disponuar. Pra, ai ishte me to në çdo situatë.
Raste të tilla kemi shumë në jetën e të Dërguarit salallahu alejhi ve selem, si rasti kur garonte me Aishen r.h., shikonin ushtrimet e Abisinasve në xhami, mbajtja e nipërve të tij Hasanin dhe Huseinin në shpinë, luajti në mundje me Rukanin të cilin e mundi tre herë, apo kur i erdhi një herë një plakë dhe e i tha Pejgamberit a.s. “Lute Zotin që të më çoj në xhenet! I Dërguari a.s. i tha: “Në xhenet nuk hyjnë pleqtë” pasi ajo u mërzit, Pejgamberi a.s. i tha: Kur do të hyjni në xhenet nuk do të jeni plaka por të reja dhe ia lexoj ajetet 35-37 të sures Vakia” (Tirmidhiu në Shemail, Ibn Mundhiri dhe Bejhakiu).
Në një rast tjetër erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe kërkoi prej tij që t`i ndihmoj që të hipë mbi deve! I Dërguari salallahu alejhi ve selem i tha: “Do të ndihmoj të hipësh vetëm në të lindurin e devesë! Ai i tha: O i Dërguari i Allahut, e çka të bëj unë me të lindurin e devesë? Ai mendoi se bëhet fjalë për devenë e vogël, kur Pejgamberi a.s. i tha: “Deveja lind vetëm deve” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu i cili thotë se është Hasenu-Sahih).
Një herë erdhi Ummi Ejmen që ta thirr Pejgamberin salallahu alejhi ve selem dhe i tha: Burri im të thërret në shtëpi! Pejgamberi salallahu alejhi ve selem i tha: Cili, ai që ka një të bardhë në sy? Ajo i tha: Jo, nuk ka ai të bardhë në sy! Pejgamberi salallahu alejhi ve selem i tha: Po a nuk kanë të gjithë njerëzit një të bardhë në sy!”
Një herë Pejgamberi a.s. ishte në shtëpinë e vet duke ngrënë ushqim, kur Aisha i tha Seudes, se patjetër do të provosh prej gjellës sime dhe morri me gisht dhe ia lyeji fytyrën. Më pas Pejgamberi a.s. i tha Seudes që të veproj ngjashëm me të, ku më pas filloj të qesh.
Transmetohet se Dahak b. Sufjan el-Kulabij ishte njeri i mërrolur dhe i keq. Kur erdhi të besatohet, i tha Pejgamberit a.s.: Unë kam dy gra më të bukura se kjo e kuqërremta (kishte për qëllim Aishen e cila ishte afër të Dërguarit a.s.), a të shkurorëzohem me njërën që ta jap ty? Aisha i tha: Ajo është më e bukur apo ti je më i bukur? Ai tha: Jo, unë jam më i bukur! Më pas Pejgamberi a.s. filloj të qesh me pyetjen e Aishes r.a.h.
NUAJMAN B. UMER EL-ENSARIJ, Sahabiu që bënte shumë shaka
Në kohën e të Dërguarit a.s. ishte një person me emrin Nuajman b. Umer el-Ensarij, i cili kishte marrë pjesë në Bedër, Uhud, Hendek dhe marrëveshjen e fundit të Akabes. Ky sa herë që hynte në qytet, blinte diçka dhe vinte te Pejgamberi a.s. e i thoshte:“Këtë ta dhuroj ty”, e kur vinte pronari i sendit përkatës dhe e kërkonte Nuajmanin që t`ia paguaj, ai e sillte te Pejgamberi a.s. dhe i thoshte: Paguaja këtij sendin”. Pejgamberi a.s. i thonte: Por a nuk ma dhurove?” ai i tha: Pasha Allahun, unë nuk kisha para t`ia paguaj, por desha që t`i ta hash, më pas e paguante”.
Në një rast tjetër Nuajman duke qëndruar me shokët e vet, erdhi një beduin te Pejgamberi a.s. dhe këtij i thanë: pse nuk e therë këtë deve e të hamë mish? Dhe ky ia theri devenë beduinit! Më pas kur Pejgamberi a.s. e gjeti këtë të fshehur nën disa dega të hurmës, i tha: Pse ia there devenë njeriut? Tha: Njerëzit që të çuan te unë më kanë thënë ta ther` dhe largonte pluhurin nga futura dhe qeshej. Më pas ia pagoi devenë.
Njëherë tjetër ai u tall me Mehreme b. Neufel i cili kishte 115 vjet. Ai gati do të kryente nevojën në xhami kurse sahabët i thanë që mos e bëj sepse gjendet në xhami. Nuajman e kapi për krahu dhe e çoji në skajin tjetër të xhamisë që ta kryejë nevojën. Kur e panë sahabët i thanë se pse e kreu nevojën në xhami, ai tha: Po kush më solli në këtë vend? I thanë: Nuajmani!” Pas disa ditëve i shkoi afër këtij plaku Nuajmani dhe i tha: A donë që t`i hakmerresh Nuajmanit? Ai i tha: Po. E morri për krahu dhe e çoi te Uthmani i cili ishte duke u falur, dhe i tha: mëshoi këtij që falet se ky është Nuajmani, dhe i mëshoi. Të gjithë i bërtitën dhe i thanë: “Mos se e godite Kryetarin e besimtarëve!”.
Një herë Suvejb b. Harmele u tha disa tregtarëve: unë e kam një rob, do t`ua jap lirë, por është llafazan, kur të thotë se është i lirë mos i besoni! Ata i hodhën një litar në qafë Nuajmanit dhe ky filloj t`u thotë: Unë nuk jam rob, jam i lirë! Ata i thanë: kemi dëgjuar për ty! Dhe e blenë për 10 deve. Kur u kthye Ebu Bekri vrapoj pas njerëzve dhe ua ktheu devetë dhe e mori Nuajmanin. Kur i treguan Pejgamberit salallahu alejhi ve selem për këtë rast qeshën Pejgamberi dhe sahabët. (këto tregime i përmblodhi Ibn Haxheri në biografinë e Nuajmanit, në librin Isabe).2
RASTE TJERA TË SHAKASË SË PEJGAMBERIT S.A.V.S. ME SAHABËT
Në një rast i Dërguari a.s. i tha Xhabir Abdilahut: A ma shet devenë për 1 derhem”, edhe pse vlente 300; Ai i tha: Jo, më mirë mere falas! Pastaj i tha: Po mirë, po ti jap dy derhem”; në mbrëmje ia dha i Dërguari salallahu alejhi ve selem edhe devenë edhe dërhemët pasi ai ishte i varfër.
Një herë Pejgamberi a.s. i tha Suhejb er-Rumit i cili e kishte njërin sy të pezmatuar dhe ndërkohë hante hurma: O Suhejb, si mundesh të hash hurma me syrin e pezmatuar? Ai e kuptoj shakanë dhe tha: Mos u merakos, se e ha me atë që e kam të shëndoshë.
Njëherë tjetër Pejgamberi a.s. po hante hurma me Ali b. Ebu Talib. Aliu pasi e hante hurmën e merrte bërthamën dhe e vendoste para Pejgamberit a.s. Kështu para Pejgamberit a.s. u bë një grumbull i madh i bërthamave, kurse Aliu nuk kishte asnjë para vetes. Aliu e pyeti Pejgamberin a.s. Si i paske ngrënë gjithë këto hurma o i Dërguari i Allahut? Kurse Pejgamberi a.s. iu përgjigj: Po ti o Ali, si i paske ngrënë hurmat me gjithë bërthamë?!”.3
Po ashtu, një herë i Dërguari a.s. e pa Zahir b. Haram el Eshxheiun në treg, e kapi prej mbrapa, kurse ai duke mos e pa se është i Dërguari a.s. tha: Më lësho, kush është?! Kur u kthye e pa se ishte i Dërguari i Allahut. Pejgamberi a.s. thirri me shaka: Kush donë që ta blej këtë rob? Ai tha: Unë jam i pavlerë. I Dërguari a.s. tha: Por te Zoti nuk do të jesh i pavlerë. (Ahmedi).4
Si dhe në një hadith Sahih nga Enes b. Maliku tregohet se Pejgamberi a.s. në mahi i ka thënë atij kur e ka thirr “O ti me dy veshë”. (Tirmidhiu dhe Ebu Davudi).5
Pra, etika e mirë duhet të paraqitet edhe në të bërit shaka, por në të duhet të tregohet maturi. Pasi njeriu në jetën e tij gjithnjë ka nevojë për relaksim, relaksimi mund të bëhet vetëm nëse nuk tejkalohet në të bërit e diçka që të jep kënaqësi dhe zemërim. Shakaja është një vepër e cila jep kënaqësi e jo zemërim. Mesi në të paraqet humor të sinqertë, tejkalimi në të paraqet monotoni, kurse mungesa e saj paraqet druajtjen.6
Në fund të përmendim edhe një fjalë të urtë të imam Aliut r.a. i cili thotë: “Nxjerri bisedës shaka, aq sa i nxjerr gjellës krip”.
1 Tefsir i Ibn Kethirit, vëll.3, fq. 601, Fondacioni I Rinisë Islame, Zurich, 2008;
2 Fetva Bashkëkohore, Dr. Jusuf Kardawi, vëll.2, fq. 360-365; Furkan, Shkup, 2007;
3 Gjurmëve të të Dashurit tone – Amër Halid, fq. 233, Furkan, Shkup-2006; Kjo është feja jonë- Omer AbdulKafi, fq. 114, 117,119; Dibër, 2008; Morali Islam, pjesa e parë, fq.92-95, Tiranë, 2006; Edebul Mufred, Imam Buhariu, fq.109-110, këtu ka raste që nuk janë cek në temë;
4 Tregime mbi parimet e lojës dhe talljes` pjesa II – Shaban Mustafa Kazamil, fq. 5, Shkup 2009; Virtytet e Të Dërguarit salallahu alejhi ve selem, Imam Tirmidhiu, fq. 71, Nun, Shkup, 2002;
5 Virtytet e Të Dërguarit salallahu alejhi ve selem, Imam Tirmidhiu, fq. 69;
6 Kahëzimi në rrugën e lumturisë- Farabiu, fq. 37, Tetovë, 1999;