MUSTEDAFUNËT

Superfuqitë e kohës sonë i janë dorëzuar Fuqisë mbinatyrore, edhe pse shumëkush nuk e quan Fuqi mbinatyrore por Fuqi të natyrës. Sado të fuqishëm të jenë klanet e qenies njerëzore, ato as që tentojnë të krahasohen me Fuqinë mbinatyrore, por ja që ndodh që klanet shtypëse të harrojnë historinë e së kaluarës. Lakmia për pasuri dhe territor i bën që të mos kthehen mbrapa, ndërsa ngjarjet historike të vërteta shpeshherë i ngatërrojnë me mitet.

 

Për ta ndryshuar gjendjen e krijuar në Egjiptin e Lashtë, Krijuesi kishte dërguar Musain dhe vëllanë e tij për t’i luftuar veprimet çnjerëzore dhe mizoritë që mbretëronin atje. Kurani na tregon mënyrën se si Faraoni e mbante të robëruar popullin hebraik, ndërsa për kryeministër ai kishte caktuar Hamanin, një çifut, i cili dukej se ishte më i besueshmi i tij. Mizoritë e Faraonit si duket justifikoheshin në një farë mënyre, mirëpo kulmi i trajtimit çnjerëzor u arrit kur ky njeri filloi t’ua mbyste meshkujt dhe t’ua linte gjallë femrat. Me këtë dekret Faraoni sikur e sfidoi Krijuesin e botëve.

 

Besoj se shumica e njerëzimit e di përfundimin e eksodit hebraik. Ishte mit a ngjarje e vërtetë mbetet të vërtetohet në të ardhmen e afërt, por, ajo që ndodhi në atë kohë, sipas muslimanëve ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Allahut të Lartëmadhëruar për ta ruajtur ekuilibrin midis njerëzve, në njërën anë dhe për t’i treguar klaneve të ‘fuqishme’ se Fuqia Absolute nuk sfidohet. 

 

Ekuilibri në Tokë

 

Fjala mustedafunë është përdorur në Kur’an me rastin e eksodit të madh hebraik. Familja e Jakubit kishte migruar në Egjipt me dëshirën e Faraonit, i cili deshi ta shpërblejë këtë familje për hir të djalit të tyre, Jusufit. Me kalimin e shekujve, kjo familje u rrit derisa u bë një fis i madh, por, për fatin e tyre të keq, në rrethanat e krijuara në shekullin kur kishte lindur Musai, ky fis ose popull kishte pasur statusin e popullit të robëruar, të shkretë ose të ngratë, ndryshe mustedafunë.

 

Të paaftë për të ndryshuar gjendjen e tyre dhe të paaftë për ta ndryshuar mentalitetin e rajonit, Zoti do të ndërhynte me Vullnetin e Tij. Edhe pse Zoti na tregon se nuk e ndryshon gjendjen e një populli nihilist, përderisa ai vetë nuk e ndryshon mentalitetin dhe veprimet e tij, Ai, për shkak të ekuilibrit të forcave në botë dhe për shkak të drejtësisë së Tij, ndërhyn herë pas here. Njeriu ndërhyrjen e Tij herë e vëren e herë jo, mirëpo, ndryshimet e mëdha në botë janë treguesi dhe argumenti më i mirë i ndërhyrjes së Tij.

 

 

Kur vjen ndërhyrja?

 

Kurani tregon se shenjat e Zotit do t’i tregohen secilit njeri ose popull dhe kjo do të vazhdojë kështu derisa çdokush ta kuptojë se Universi ka Krijues dhe se Ai është Mbikëqyrësi i çdo gjëje. Përderisa njeriu, gjegjësisht popujt ecin në drejtim të frymës konstruktive të universit dhe ndjekin Shenjat e Tij, për aq sa dinë dhe munden, atëherë, në këtë rast, nuk kemi ndërhyrjen qiellore.

 

Gjithashtu ndërhyrja e Tij nuk vjen te populli i cili ka mundësi të ndryshojë. Për të mos shkuar larg e të shërbehemi me shembujt e kohërave të mëhershme, shembulli më i mirë dhe që i përshtatet plotësisht këtij ajeti kuranor është ndryshimi i madh që ndodhi në pranverën arabe të vitit 2011 në Afrikën Veriore (Egjipt e Tunizi). Një popull që ka dijen, mundësinë për të ndryshuar dhe nuk e bën atë, ai është i dënuar që mos ta ketë ndërhyrjen e Zotit.

 

Të bazuar në Kuran, themi se ndihma e Tij vjen vetëm në rastet specifike, ndërsa ato janë të theksuara nga vetë Allahu i Lartmadhëruar. Janë rastet kur njeriu mundohet me çdo kusht të ndërhyjë në ligjet e programit të Krijuesit dhe shfaq çoroditjen e tij, duke e sfiduar Atë. Rasti tjetër janë mustedafunët , popujt e liq që nuk janë në gjendje të kundërshtojnë edhe atëherë kur ju nëpërkëmbet dinjiteti njerëzor dhe ju shkatërrohet morali. Kur një njeriu, ose një populli, ose një shoqërie, nuk i mbetet asgjë njerëzore, përveç pamjes së tyre të jashtme, atëherë kemi ndërhyrjen hyjnore. I Lartësuari në Kuran thotë:

 

Vërtet, Faraoni madhështohej në Tokë, ndërsa banorët i kishte ndarë në grupe. Një grup prej tyre e përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Vërtet, ai ishte një çoroditës”. (Kuran: 28/4)

 

Pra, kur Faraoni shpalli dekretin e tij që hebrenjve t’iu vriteshin meshkujt, ndërsa femrat t’iu liheshin të gjalla. Me këtë, ai sikur e kishte sfiduar Krijuesin me shfarosjen e këtij populli. Atëherë erdhi ndërhyrja e Zotit, sepse Vullneti i Tij ishte që ky popull të mos shfarosej. Prandaj i Lartmadhëruari thotë:

 

Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur (mustedafunëve) në tokë, t’i bënim prijës dhe t’i bënim trashëgimtarë”. (Kuran: 28/5)

 

Çfarë mësojmë nga këto dy ajete? Ajeti i parë na mëson se Faraoni simbolizon secilin kryetar, perandor ose shef shteti, i cili zbaton ligje që prishin natyrshmërinë njerëzore. Brenda fjalës ‘faraonë’ hyjnë edhe hamanët-kryeministrat, pra, stafi me të cilin ai (faraoni) e drejton shtetin nga brenda ose ndërhyn në ndryshimin e politikave të tij në mbarë botën.

 

Ajeti i dytë u drejtohet mustedafunëve. Secili që e lexon me vëmendje këtë ajet do të vërejë se Allahu i Lartëmadhëruar nuk ka thënë se ndihma do t’u shkojë mu’minëve ose muslimanëve, por Vullneti i Tij ishte që mirësitë e Tij t’i gëzojë secili popull mustedaf- i shtypur. Pra, pak rëndësi ka nëse ai popull është besimtar ose mosbesimtar, muslimanë ose jomusliman, mirësitë te ta shkojnë si rezultat i Vullnetit të Tij, e të qenit të Tij Zot, për shkak të sfidës që ia ka bërë klani ose klanet shtypëse, të cilët me dashje ose pa të çekuilibrojnë njerëzimin deri në shkatërrim. Ndërhyrja Hyjnore ka karakter qortimi ose këshille që njerëzimi t’i perceptojë Shenjat e universit, derisa njerëzit t’i shohin dhe t’i kuptojnë shenjat e Zotit dhe të binden se universi ka Krijues dhe se Ai është Mbikëqyrësi i çdo gjëje.

 

Kur zullumi teprohet, Allahu i Lartmadhëruar bën që të shtypurit, me pak mund dhe me shumë lehtësi, të fitojnë kundrejt klasës sunduese. “Në këtë rast shkatërrimi nuk vjen si rezultat i fuqisë së imanit te shoqëritë, por si rezultat i teprimit të veprimeve të këqija, korrupsionit dhe zullumit.” (Sejjid Kutb:5/2676) Bile përveç kësaj, Ai ua bëri me dije klaneve se populli i shtypur do të bëhet prijës dhe trashëgues, siç u bë në të kaluarën populli hebraik, i cili u çlirua nga robëria e Faraonit dhe populli beduin arab, i cili ngadhënjeu përballë dy superfuqive botërore të shekullit të VII-të. Ndërsa në kohën tonë kemi ngadhënjimin e popujve mustedafunë të Evropës Lindore dhe të Ballkanit nga komunistët.

 

Përfaqësimi kombëtar

 

Jo fort larg, bota përfaqësohej nga perandorë ose mbretër fetarë, ku identiteti kombëtar nuk figuronte askund. Mirëpo, Zoti e kishte ndarë njerëzimin, përveç ndarjeve të tjera të shumta, edhe në popuj dhe fise. U desh një kohë e gjatë që popujt të vetëdijesohen dhe, në fund, të përfaqësohen në emër të shefit të vet etnik nëpër organizatat ndërkombëtare, ndonëse bota ende nuk e ka pastruar vetveten nga përfaqësuesit e tyre shtetërorë multinacionalë (mbretër dhe presidentë federalë).

 

Kurani ia ka bërë me dije njeriut/ëzimit, gjegjësisht popujve, se ata vetë janë promotorët e ndryshimeve të ngjarjeve. Nuk ndryshohet gjendja e një populli përderisa ai nuk e ndryshon mentalitetin brenda vetvetes. Për ta diagnostikuar një sëmundje të thjeshtë, njeriut i duhet kohë, ndërsa kur bëhet fjalë për një popull s’do mend se duhet një kohë edhe më e gjatë. Jo të gjithë popujt kanë dijen dhe kulturën që ta gjejnë shpejt diagnozën e sëmundjes, prandaj një populli gjetja e diagnozës nuk duhet t’i marrë më shumë kohë se sa ndërrimi i një gjenerate.

 

Një popull që nuk e ka aftësinë për ta gjetur diagnozën e sëmundjes së vet do të detyrohet të kërkojë ndihmë. Në kohët para industrializimit ndihma ofrohej me dashje ose pa dashje nga fqinji i tij, i cili e merrte kontrollin e përgjithshëm. Tani, kur njerëzimi ka përparuar dukshëm, ndihma mund të vijë edhe nga larg, bile shumë larg. Nëse ndihma e kërkuar nga larg është e sinqertë, atëherë themi se ai popull mund ta rimarrë veten dalëngadalë, mirëpo nëse ndodh që ndihma të jetë me interes të caktuar atëherë dobësia e tij bëhet shkaktar i përplasjeve në rajon.

 

Populli i cili nuk arrin të drejtohet nga vetvetja dhe nuk ka fatin të ketë ndihmën e sinqertë, mund të ndodhë të asimilohet. Mirëpo nëse Allahu i Lartmadhëruar nuk ka thënë që ky popull të asimilohet, atëherë Ai e ndihmon atë nga vullneti i TIJ.    

 

 

A mund të kemi sot ndërhyrje nga Qielli?

 

Bazuar në Kuran, për aq sa ne e kuptojmë, themi se nuk mund të kemi ndërhyrje nga Qielli përderisa individi, populli ose popujt mundohen t’i mbrojnë të drejtat e tyre me forcat e veta, ose mundohen të gjejnë rrugë alternative e të ndihmohen nga të tjerët. Thamë se Allahu i Lartmadhëruar ndërhyn vetëm tek ata individë ose popuj që i kanë humbur të gjitha opsionet për të jetuar si qenie njerëzore.

 

Nëse barra e një individi përkon vetëm me vetveten, atëherë themi se të gjithë individët e shtypur kanë përjetuar ndërhyrjen e Qiellit, pa marrë parasysh nëse e kanë kuptuar ose jo. Por, nëse individi i shtypur ka përgjegjësi më të mëdha se sa vetvetja e tij, është përgjegjës i një rrethi ose një populli, atëherë ndërhyrja e Qiellit do të ndodhë atëherë kur këtij individi i kanë shteruar të gjitha opsionet e ndihmës tokësore, pra marrëdhënieve ndërkombëtare.      

 

Ne, si gjeneratë që udhëhiqeshim nga komunizmi, përjetuam ndryshime rrënjësore dhe kjo erdhi si rezultat i ndërhyrjes hyjnore. Udhëheqësit e kësaj ideologjie e kishin sfiduar Krijuesin dhe njëkohësisht i kishin ç’moralizuar popujt e tyre, derisa nuk mbeti asgjë njerëzore, ndërsa popujt nuk arrinin të krijonin elita që t’i kundërpërgjigjeshin forcës ushtarake të komunistëve, prandaj erdhi ndërhyrja Qiellore dhe kështu ai sistem u shkërmoq vetvetiu nga brenda.

 

Kurani është shumë preciz në fjalitë e tij kur na tregon për shkakun e dënimit të popullit të Lutit. Kur Luti a.s. nuk arriti të gjente asnjë përkrahje politike nga popujt e tjerë dhe kur nuk gjeti formën dhe mënyrën e ndërprerjes së veprimeve të tyre çoroditëse, ai u dorëzua dhe mori rrugën e migrimit. Ndërhyrja nuk erdhi derisa Luti tha: “Sikur të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm.” (Kuran:11/ 80)

 

Allahu i Lartmadhëruar ka bërë që në çdo kohë të lindin fuqi që i parandalojnë të këqijat e mëdha në botë, sikurse na tregohet në Kuran se si Zoti e ngriti dhe i dha fuqi Dhulkarnejnit (Aleksandrit të Madh). Prandaj, çdo gjeneratë e mustedafunëve duhet të mbështetet te Aleksandrat e kohës: “Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete për të arritur çdo gjë.” (Kuran: 18/ 84) Pra, Aleksandri i Madh i ka shkuar në ndihmë secilit popull që ka pasur probleme me pushtetarët e vet. Ai popull i cili nuk ka pasur fatin të takohet me Aleksandrin ose me fuqinë botërore të sotme (Aleksandrat), sigurisht që i është dhënë mirësia e Allahut të Lartmadhëruar, pa marrë parasysh nëse ata e kanë regjistruar ose jo këtë si mirësi prej Tij. 

 

Sot fuqia ushtarake numër një në botë është NATO-ja, me në krye SHBA-të. Kjo aleancë botërore ka ndihmuar popuj dhe ka sfiduar popuj të tjerë në botë. Kosovarët ishin një popull mustedafunë (të shtypur) nga serbë. Kur këta pushtues menduan se duhet ta nxirrnin këtë popull nga trualli i tyre, erdhi ndihma e premtuar nga kjo aleancë. Sikur të mos ndodhte kjo ndihmë, jemi të bindur se do të kishte ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Qielli dhe serbët do të dorëzoheshin. Kjo do të vinte sepse vullneti i Krijuesit paska qenë që ky popull të vazhdojë ende së jetuari në këtë hapësirë tokësore.  

 

Por kjo aleancë, viteve të fundit, sikur është duke e sfiduar Krijuesin e botëve drejtpërdrejt me anë të disa ligjeve, të cilat nuk do të duhej t’i përligjnin, sepse ato nuk përkojnë me natyrshmërinë e qenies njerëzore. Në njërën anë, presidenti aktual i SHBA-ve B. Obama nënshkroi ligjin për lejimin e abortit, ndërsa feja e ndalon nënën të abortojë, përveçse në rastin kur asaj i rrezikohet jeta. Nëse individët marrin vendim që të abortojnë, kjo i bën ata përgjegjës për këtë veprim, por kur kjo përligjet, atëherë kemi të bëjmë me një sfidë. Në këtë rast ai që po sfidohet është Ligji Hyjnor.

 

Në anën tjetër, evropianët, gjegjësisht shtetet në Bashkimin Evropian (BE), kanë lejuar martesën midis dy individëve, pa theksuar fjalën gjini të kundërta. Nuk mjaftohen vetëm me kaq, por këta po iu bëjnë presion edhe popujve që duan anëtarësimin në të që ta njohin këtë lloj martese. Secili popull i cili kërkon të anëtarësohet në BE do të duhet t’i pranojë ligjërisht martesat me gjini të njëjta.

 

Se ku do të na shpien këto sfida të reja do të mbetet të sqarohet në të ardhmen e afërt. Populli shqiptar është deklaruar se beson te Krijuesi, se nuk e pranon abortin dhe se e urren martesën ndërmjet dy personave me gjini të njëjta, ndërsa pushtetarët e tyre kanë deklaruar se i përkasin perëndimit dhe se vendi i tyre nuk njeh rrugë tjetër përveç perëndimit. Duket se ky popull do të sfidohet sërish në një të ardhme të afërt, prandaj lusim Allahun e Lartmadhëruar që t’i ndihmojë të gjithë ata që mbajnë anën konstruktive dhe që nuk bien ndesh me ligjet e universit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme