Reflektim mbi veprën e fundit të Faik Konicës-“Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”

Duke dashur të jetë sadopak një qasje ndryshe e këtij shkrimi të Faik Konicës kam dashur të sjellë disa të dhëna që gjenden në këtë libër të tijë mbi të vërtetat historike,menyra se si është shkruar ajo, nga janë marrë të dhënat historike, dhe disa mendime te tijë mbi Perandorinë Osmane.

Faik Konica ndonjëherë sikur padashje nxjerr disa të vërteta që kanë ndodhur në shkrimin e historise, dhe qasje të ndryshme për Perandorin Osmane.

Epoka e gënjeshtave të nxituara

“Pasardhësit zakonisht ia vënë nga një etiketë të vogël çdo shekulli të kaluar, bashkëkohësit, ndërkaq, pasiqë ndodhen ne vorbullën e ngjarjeve,nuk e kanë aftësinë e duhur për të dhënë karakteristikën themelore të kohës se vet. Ka mundësi që njerëzimi në të ardhmen t’ia vërë epokës sonë etiketën e gënjeshtarëve te nxituar.”(1)

Kështu fliste Konica në vitet ’30 gjersa gjendej në SHBA si ambasador i mbretit Zog. Kishte të drejtë Konica sepse ai e dinte atë që po e bënte edhe nuk e la pa e dokumentuar në shkrimet e tij në fund të jetës së tij, ndoshta ishte koha kur kishte filluar ta brente ndërgjegjja intelektin e tij.

Ai duhej me doemos të na tregonte se ç’emërtim duhej të kishte epoka e kaluar, u dallua nga bashkëkohësit e tij edhe pse ndodhej në vorbullën e ngjarjeve për ta emërtuar me saktësi epokën e kaluar për shkak se ndoshta ishte siç e quante G.Apolineri “enciklopedia që ecën”.

Apo ndoshta ishte një “bej tipik shqiptar” siç thoshte Gjergj Fishta dhe duke qenë i tillë duhej me doemos të nxirrte nga uni i tij tërë ato gënjeshtra duke i përshkruar në këtë “simfoni të pakryer” siç e quante Fan S.Noli.

Me këtë paragraf deshi të na tregonte se tërë ajo histori është një mit, një urrejtje, një gënjeshtër e nxituar mirëpo që për disa ende vazhdon të jetë e vërtetë.Epokën e kaluar ndoshta sot shumë historian të mirëfilltë tashmë më të drejtë kanë filluar ta quajnë “epokë e gënjeshtrave të nxituara” dhe me mundin e tyre po tentojnë ti dalin në krah së vërtetës duke u distancuar nga keto gënjeshtra që ende janë histori zyrtare e vendeve tona.

Mungesa e idealit

“Njëra ndër karakteristikat fatkeqe të shqiptarëve, madje një karakteristikë e dukshme është mungesa e idealit mes tyre. Në një vend ku njerëzit vdesin aq lehtë për kurrgjësend, nuk ka raste të vdekjes për një ideal a kauzë a çështje.”(2)

Të vërtetën ka thënë , shqiptarët nuk kanë ideale, të tjerët i krijojnë idealet për ta, ndërsa tërë jeta e tyre është sakrifikuar për ideale të armiqve të vetë shqipëtarëve për  të fituar simpatinë e atyre që i krijuan ato ideale.

Këto mungesa ideale shihen edhe tek Faik Konica kur kalonte sa në anën e Esad Pashës sa të Ismail Qemalit, sa ishte me Nolin kundërshtoi Zogun, pastaj kaloi në krahun e Zogut,pasi u emërua si ambasador në Washington,u edukua si Bej pastaj për të kaluar në anën e Perandorisë Austro-hungareze, duket se shqiptarët mbajnë anën e të fortit për të shtyrë të dobëtit në humnerë edhe nëse sikur të dobëtit  të kishin të drejtë.

Këto mungesa të idealeve shihen edhe sot te pasardhësit e Faik Konicës,ata me çdo kushtë dëshirojnë kreun dhe famën pa marrë parasysh se kujt i shërbejne dhe ç’fare vlere sjellë kultuar e importuar otupike e huaj që nuk përkon aspak me kulturën dhe mendimin e këtyre trevave,duket se munges e idealeve është “trashëgimi” për ata që nuk dinë se për çka shërbejnë idealet.

Të dhënat

“Të shkruash kryesisht për të kaluarën e Shqipërisë, qoftë  edhe një libërth, është një punë shumë e vështirë, pos nëse je i kënaqur me parafrazimet e përsëritura të pohimeve meskine e banale të enciklopedive te sotme dhe të doracakëve që shpallen si “histori”! Halli është se ne kemi, për të gjitha ngjarjet e së kaluarës, vetëm një anë të të ashtuquajturave “të dhëna”; pikërisht: të dhënat e armiqve të Shqipërisë; kurse versioni shqiptar mungon tërësisht.”(3)

Këto që thotë Faik Konica janë më se të vërtëta, që nga ajo kohë këto “të dhëna” nuk kanë ndryshuar,dhe se këto të dhëna të armiqve serbë e grek të Shqipëtarëve ende mësohen nëpër bankat e shkollave tona.

Ashtu si thote Konica historia jonë e shkuar në këto libra gjykon një sërë rastesh dhe merr parasysh vetëm dëshminë e paditësve pa ua lënë fjalën fare të pandehurve. Dhe nuk e di si mund të jetë gjithë ajo histori e vërtetë kur që disa dekada kemi vetëm një burim të të dhënave dhe nga ky burim i të dhënave kemi krijuar urrejtje të madhe dhe armiq imagjinarë.

Kulm i drejtësis është të mirren argumentet e të dy palëve,duke hulumtar në arkivat e ndryshëm të shteteve si të atyre përendimore po ashtu edhe atyre lindore,ku këta të fundit janë më meritor për rishikim për shkakun se me ta kemi pasur një histori dhe fat të përbashkët mëse 500 vjeçare.

Ndërsa gjithë prapambeturia kulturore e jonë është pasojë e atyre “të dhënave” të gabuara e gënjeshtare nga armiqtë e Shqipërisë e të përkrahur nga vetë ne Shqiptarët për hatër të përparimit perëndimor.

Hipnoza e përsëritjes

Se si arriti të bëhej kjo histori që ne sot e mesojmë si të vërtëtë pa qenë aspak e tillë e shpjegon shumë mirë profesori i Oksfordit H.V.Fouler ku thotë se një gjë e tillë bëhet me anë të “hipnozës së përsëritjes”.

Kur një gjë vazhdimisht trumbetohet dhe përsëritet dhe si e tillë pas kalimit të një kohe, pasi t’i ketë hipnotizuar mendjet e njerëzve merret dhe shënohet si e vërtetë.

Tash na del thujse  gjithë historia jonë është shkruar me anë të kësaj “hipnoze të përsëritjes”.

Ato argumente që fliten dhe shkruhen nga historianët tanë dhe në librat e historive tona janë shkruar në bazë të kësaj metode.

Njerëzit që janë kujdesur për ne sikurse edhe ne për ta, i kemi quajtur armiq të urryer të Shqipërisë dhe shqiptarëve, mitet i kemi bërë heronj kombëtarë edhe pse ata “heronj kombëtarë” përfaqësonin një pjesë shumë minore shqiptare dhe ata heronj ishin siç e thot vetë janë: “mercenatët dhe ushtarët shqiptarë me pagë, të cilët me emra të ndryshëm (kapeletë, stradiotë, estradiotë, korvalë, morienë, gjeneterë) luftuan në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane,…”(4), gjersa ju, këta mercenarë me pagë i bëtë heronjë kombëtarë të shqiptarëve, ata meritojnë të jenë heronjë kombëtarë te cilitdo prej këtyre shteteve, përpos atij shqiptar.

Sot në këtë shekull të ri armiqtë e librave të historisë që na lanë mbrapa e kanë dëshmuar të kundërtën e asaj çka ju kemi veshur dhe si të tillë na del se ata kurrë nuk kanë qenë armiqtë tanë, por mbrojtësit e vendit dhe të identitetit tonë shqiptar.

Bajroni shkruan:

“Këtu shqiptari ecën kryelartë,

Greku dëgjohet duke psherëtitur.”

Ky ishte një i huaj që e pa gjendjen e shqiptarëve të asaj kohe dhe e shkroi ashtu siç ishte në të vërtetë, kurse ne sot e mësojmë dhe dëgjojmë të kundërtën e kësaj lirie që ka gëzuar kombi ynë.

Çdo kush ishte i lirë të jetonte ashtu si dëshironte ai vetë, një gjë të tillë e dëshmojnë edhe shkrimet e tua për njerëzit e Malësisë:

“Këta njerëz, shumica e të cilëve janë katolikë romanë, gjatë pushtetit të Turqisë u sunduan sipas kanunit te Lekë Dukagjinit, i cili kanun ishte i periudhës paraturke, datonte nga mesjeta dhe nuk u ndalua as nuk u pengua nga pushtuesi.”(5)

Apo edhe fjalia tjetër:

“Banorët e Malësisë, të cilët quhen edhe Gegë, nuk paguanin tagra dhe nuk ishin të detyruar te rekrutoheshin gjatë sundimit turk…”(6)

Kjo është liria sipas definicionit të tij: ” Të besojë ç’i di zembëra; të thotë ç’i do zembëra; të shkrojë ç’i do zembëra; të bëjë ç’i do zembëra, veç ato qi janë kundrë lirisë tjetrit njeriu”(7), atëhere e shohim se lirinë më të madhe e paskan pasur banorët e Malësisë. Janë banorët e Malësisë ata që duhet të dëshmojnë me të drejtë për këtë demokraci që ka sunduar në ato kohëra ku as përëndimi nuk e dinte se ç’është demokracia e jo të vjellin zjarr pse atyre iu lejua gjithçka, të jetosh sipas ligjit që vetë e dëshiron. Të jesh i lirë të vetëvendosësh është një gjë që edhe ne sot ua kemi lakminë, mirëpo kaluan dekada të tëra e ne ende nuk kemi ligj, sipas së cilit populli vetë vendos se si dëshiron të jetojë.

Kanë filluar nismat e para për ndyshimin e kësaj historie e cila u shkrua në bazë të “hipnozës përsëritëse”, duke e kthyer atë në të vërtetat e pamohueshme.

Shpresoj se një gjë e tillë të vazhdojë për të mirën e kombit dhe për të mirën e së vërtetës, se ndoshta edhe neve do të na qortojnë bijtë tanë për mos tregimin e së vërtetës sado e hidhur që të jetë ajo për disa. Dhe mos të harrojmë se një ditë gjithçka do të dalë në shesh.

“Atë ditë do të ekspozoheni, duke mos mbetur i fshehtë asnjë sekret i juaji”  (Kur’an 69:18)

Mbështetja e Perandorisë Osmane nga Faik Konica

Konica e mbështeste Perandorinë Osmane dhe sovranitetin e sulltanit në tokat tona dhe nuk ishte për ndarje të menjëhershme nga Perandoria Osmane. Këtë e dëshmon edhe ky shkrim i tij:

“Por, megjithatë, konsideratën që kam kundrejt vendimit të shumicës së miqve të mi politikë që mendojnë se një program i thjeshtë separatist në këto kushte, më parë do të na dëmtonte sesa të na ndihmonte, unë do të përmbahesha me gjithë mend nga predikimi i separatizmit politik, si dhe nga çdo lloj veprimtarie që do të mund të interpretohej si ndonjë përpjekje kundër suverenitetit te sulltanit”(8)

Të njëjtën gjë e dëshmon edhe ai që e gjeti ketë dorëshkrim dhe e botoi, z.Panarity, i cili thotë:

“Në fillim Konica nuk ishte për shkëputjen nga Turqia, duke pandehur se Shqipëria ende nuk ishte gati për t’u bërë një shtet i fortë. Në vend të kësaj, ai parapëlqente formimin e një Shqipërie autonome nën pushtetin e sulltanit, me qeverisje dhe shkolla të veçanta.”(9)

Ashtu siç thotë Thomas Edisoni:”Nuk ekziston mjet që njeriu të ikë nga mendimet e tij”.

Mendimet e para janë ato mendime te padjallëzuara që i vijnë njeriut në rastin e parë që hasë në një problem, dhe veprimi duhet të mbështetet vetëm tek ky mendim i parë.

Të njëjtin mendim, të cilin e miratuan, ishin burrat e Lidhjes së Prizrenit ku në pikën e parë të këtij vendimi shkruhet: ”Lidhja jonë është formuar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjitha mjetet.”(10)

Këto dëshmojnë për të vërtetën edhe synimin e shqiptarëve, për përkrahjen që ata ia bënë Perandorisë Osmane, mirëpo me t’u larguar nga ky synim ndodhi dëmtimi i territoreve tona nga fqinjët tanë të ndershëm siç i quan Konica greket dhe serbët(11)dhe të cilët i admiron për shkak të hipnozës së përsëritjes nga të cilët Konica morri mësim për paraqitjen e historis si të vërtetë pa qenë e tillë, të cilët morën shumicën e territoreve të Shqipërisë së atëbotshme e që ende sot i zotërojnë. Kjo është ajo që ne fituam kur menduam (ose na shtyn të mendojmë) se më mirë është që të largohemi nga Porta e Lartë. Këto pasoja të historisë dhe vendimeve të gabuara i bartëm ne gjeneratat pasardhëse për dekada dhe ende vazhdojmë t’i bartim.

“A s’i dhamë atij dy sy, edhe gjuhë e dy buzë, dhe i sqaruam dy rrugë?”  (Kur’an 90:8-10)

Plotësimi i tekstit nga ana e botuesit Q.M.Panarity

“Duke mos dashur t’i shmangemi stilit të saktë dhe të bukur të Konicës, ramë në hall sesi t’i plotësonim zbrazëtitë që i hasnim aty-këtu. Të shumtën e rasteve i plotësuam duke shtuar materiale nga shënimet dhe nga ligjërimet e tij, si dhe duke iu përmbajtur me vëmendje referencave të tij. Në disa vende, ku ishte nevoja të shtoheshin pasazhe të reja, ato i shpjeguam nëpërmjet shpjegimeve(fusnotave).”(12)

Faik Konica, ndoshta nuk e ka idenë se çfarë njerëzish “të mëdhenj” ka lënë mbrapa, njerëz që kanë arritur t’i kapërcejnë të gjitha ligjet natyrore për ta ditur mendimin e tij edhe pasi ai ka vdekur.

Këtu z.Panarity me paturpësinë më të madhe bënë plotësimin jo të fjalive, por shtimin e paragrafëve të tërë në emër të tij, e ndoshta shprehja e vetme që duhet t’i them është ti flas në gjuhën e nënës “Shame !”

Besa

“Fyerja më e madhe në Shqipëri është kur një njeri e quajnë‘të pabesë’”.(13)

Ne nuk dimë a duhet t’ju falim apo t’ju quajmë ashtu siç thua ti ‘ i pabesë’.

Do të kisha pohuar mohimin tënd që i bënë shprehjes së grekut kur shkon tek një mik ta ngushllojë për ndonjë brengë duke i thënë se “Zoti nuk është shqiptar”, me fjalë të tjera Zoti është i Mëshirshëm, për t’ju falur juve edhe pse këto pasoja ende po i bartim.

“Të keqen, ktheje në mënyrën më të mirë…”  (Kur’an 41:34)

“Dhe ata që e frenojnë mllefin, që ua falin njerëzve”  (Kur’an 3:134)

“Ti, pra, duro me një durim pa ankesë”  (Kur’an 70:5)

“Ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë”  (Kur’an 39:10)

“A nuk është mëngjesi afër”  (Kur’an 11:81)

 

(1)Shqipëria-Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore-Faik Konica fq.149 “Gjon Buzuku”

(2)Po aty fq.91

(3)Po aty fq.41

(4)Po aty fq.117

(5)Po aty fq.131

(6)Po aty fq.133

(7)Po aty fq.23

(8)Po aty fq.25

(9)Po aty fq.21

(10)Zeri Islam- Nexhat Ibrahimi

(11)Shqipëria-Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore-Faik Konica fq.151 “Gjon Buzuku”

(12) Po aty fq.9 dhe fq.120

(13)Po aty fq.76

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme