HOXHA DHE INDIFERENCA

Sa i përket problemeve te ne, Zoti na i ka dhënë mendjen dhe mbamendjen, por për fat të keq, kjo te ne nuk vërehet, shumë shpejt e kaluara kalon pa marrë ne mësim nga ajo. T’jua përkujtoj: në mesin e muslimanëve shpeshherë është biseduar se disa hoxhallarë dhe institucioni i fesë kanë qenë nën kontrollin e ateistëve dhe shërbimit sekret (ndonëse nuk kam dokumente të shkruara për këtë). Kështu flisnin baballarët tanë, por ne çka pamë? Me kallashnikovë u futën njerëz në Bashkësinë Fetare Islame, e kidnapuan Reisin, e bojkotuan mësimin në Fakultetin e Shkencave Islame, e zgjodhën në Strugë kryetarin e BFI-së nën ombrellën/përcjelljen e drejtpërdrejtë e njerëzve të emëruar nga ministria e brendshme; hynë me kallashnikovë banditët shqiptarë, që me fjalorin e modern quhen “terroristë”, gjatë mbledhjes së Kuvendit të BFI-së… Me vite të tëra asnjë projekt nuk bëhet që ka mundi te jetë dëshmi e gjallë për besimtarët dhe kohën e ardhshme. Xhamitë janë shndërruar në prona private t disa imamëve; është shkuar aq larg sa që disa ndërtojnë edhe ndërtesa në hyrje të xhamive “për hir dhe për nevojat e besimtarëve”, pa marrë parasysh se e prishin arkitekturën dhe bukurinë e rrethit të xhamisë, e të mos flas për teologjinë dhe kulturën e teologjisë, e cila është para vdekjes. Ka shumë raste të këtilla, e ne lëre që jemi indiferentë dhe heshtim, por u nënshtrohemi dhe ua japim përkrahjen tonë, edhe pse pandërprerë i lexojmë ajetet/urdhëresat kur’anore që ndalojnë të tilla gjëra edhe për së larti dhe për së afërmi. Ndër karakteristikat më të “urryera” që i shfaqim janë ajo që urdhërojmë për të mirë, e nuk veprojmë ashtu, si dhe heshtja dhe indiferenca.

Indiferenca është më e keqe se përbuzja, ngaqë nënkupton poshtërimin e tjetrit më shumë se vetveten. Nga aspekti etimologjik, termi “indiferencë” do të thotë mungesë vullneti, kompetence ose dëshire për dallimin mes së mirës dhe së keqes, gëzimit dhe hidhërimit, miqve dhe armiqve, ditës dhe natës. Në teologji kjo do të quhej nifak, e pse jo edhe kaos. Ndërsa kaosi ka ekzistuar para krijimit. Krijimi fillon kur Zoti urdhëron ndarjen mes qiellit dhe tokës, dritës dhe errësirës, ujërave mbitokësorë dhe nëntokësorë dhe krijesave të ndryshme. Kur Ademit iu dha autorizimi për t’i ditur emrat e gjërave, në fakt iu dha aftësia për të bërë dallimin midis tyre. Prandaj, të mohohet dallimi do të thotë të kundërshtohet krijimi dhe i njëjti të reduktohet në kaosin fillestar.

Tradita fetare na mëson se Zoti nuk është i largët me veprat e Tij. Ai është kudo. Madje edhe në vuajtje. Ai është kudo që jemi ne, e madje edhe gjetiu. Zoti dëgjon dhe sheh çdo gjë. Zoti i kupton dhe i gjykon të gjitha aktet dhe merr pjesë në të gjitha ngjarjet. Vuajtja e besimtarit nuk rrjedh nga frika e tij se mbase Zoti do të ishte i padrejtë, por se do të mund të ishte indiferent. Të jesh i braktisur nga Zoti është dënim më i rëndë sesa të jesh i ndëshkuar. Të jesh i injoruar nga Zoti është më keq sesa të jesh objekt i mllefit të tij. Zoti është Sunduesi ynë, Gjykuesi ynë. Aty ka një raport midis njeriut dhe Krijuesit të tij. Zoti është i afërt madje edhe kur është i rreptë. Ai jep dhe fal, Ai heton dhe paralajmëron, Ai thërret dhe fton. Njeriu mund të jetojë “larg” Zotit, por jo edhe jashtë Zotit. Pa Zot njeriu nuk do të ishte i njerëzishëm. Meqenëse Zoti është dhe meqë Ai është çdo gjë, pos indiferent, njeriu mund të jetë çdo gjë, pos të jetë indiferent, sepse Zoti në Fjalën e Tij thotë shumë qartë: “Ata që mohuan të vërtetën nga Beni Israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.” (Maide, 78-79)

Ashtu si Zoti që nuk është indiferent ndaj vuajtjeve njerëzore, njeriu nuk do të guxonte të ishte indiferent ndaj vullnetit të Zotit, si dhe ndaj drejtësisë dhe padrejtësisë, ndaj gjendjes së besimtarëve dhe injorancës së tyre.

Të njëjtat masa vlejnë edhe për marrëdhëniet midis njerëzve. Indiferenca ndaj së keqes është armik i së mirës, meqenëse indiferenca është armik i çdo gjëje që e ngrit nderin e njeriut. Indiferenca ndaj brengës së dikujt është krim, ngase ajo vetëm e shton atë brengë. Në fund, indiferenca e shkatërron edhe subjektin edhe objektin e saj. Personi që është indiferent do të vuajë po aq sa edhe personi ndaj të cilit manifestohet ajo indiferencë. Ç’është indiferenca në mos shkalla më e lartë e verbërisë? Ai që është i burgosuri i saj nuk do ta shohë as vetëdijen e brendshme e as atë të jashtme, ai nuk do të shohë më asgjë. Kështu, indiferenca nuk është më vetëm mëkat, ajo bëhet ndëshkim.

Më keq se dëshpërimi, indiferenca nuk është as fillim e as përfundim i ndonjë procesi. Po më pas? Nuk ka më pas! Hidhërimi përfshin faza dhe variacione, indiferenca jo. Agonia mund të shndërrohet edhe në burim frymëzimi dhe kreativiteti, indiferenca jo. Ajo është sipas përkufizimit e shterpë. Ajo sugjeron izolim dhe harresë. Qenia indiferente nuk është më në kontakt me botën e tij të brendshme e as me mjedisin e jashtëm. Për të nuk ekziston asgjë. Madje edhe koha ka ndaluar së rrjedhuri… Qenia indiferente nuk mund të lidhet më me të tjerët dhe askush nuk mund të lidhet për të. Në esencë, ai është i vdekur, por nuk është i vetëdijshëm për këtë…

Dhe që këtu kjo domosdoshmëri absolute dhe e pashmangshme për luftën kundër indiferencës. Në ne dhe rreth nesh. Atë e godasim me edukimin, e nënshtrojmë me mëshirën. Ilaçi më i mirë? Kujtesa. Ashtu siç është indiferenca e kundërt me dashurinë, artin, fenë dhe shpresën, njësoj edhe kujtesa është kundërshti e indiferencës dhe e çdo gjëje që e shkakton dhe e bën atë. Kjo kujtesë nënkupton njohjen e kohës më të ndryshme nga e tashmja: kjo kujtesë do të thotë mundësi për dialog: duke e kujtuar ndonjë ngjarje, ajo lind rishtas tek ne. Duke kujtuar ndonjë personalitet, ne vihemi në lidhje me të. Duke kujtuar ndonjë peizazh, u kundërvihemi mureve që na robërojnë. Duke kujtuar vakëfin, na kujtohet rëndësia e tij dhe flijimi i besimtarëve për të. Kujtesa për ndonjë disfatë apo gëzim të kaluar dëshmon se asgjë nuk na është dhënë përgjithmonë, asgjë nuk është e pakthyeshme. Është vështirë të përjetohet fatkeqësia, por më e vështirë është të harrohet. Vetëm ne e harruam kohën e komunizmit; vetëm ne e harruam kohën e burgosjeve; dhe po e harrojmë edhe kohën e tashme, akoma pa kaluar ajo…

Epoka jonë është e shënuar nga indiferenca ndaj viktimave të panumërta të aq shumë padrejtësive, por edhe ndaj fatit tonë personal. Nga njëra anë, fajtore është largësia. Bosnja na duket larg, njashtu si Siria. Ndërsa Kudsi edhe më larg. Fëmijët e vdekur apo në vdekje e sipër nuk janë tanët. Baballarët e burgosur dhe të torturuar nuk janë baballarët tanë. Gratë e uritura dhe të poshtëruara nga vendet e pazhvilluara nuk janë motrat tona. Pronat e shkatërruara të tyre nuk janë tonat. Do të mund të thuhej se të gjithë ata janë banorë të një planeti tjetër, ose jetojnë në ndonjë shekull tjetër.

Nga ana tjetër kemi mediet. Televizori na shfaq fotografi të njerëzve të vrarë, trupave të uritur, duke na e mundësuar shikimin në tragjeditë njerëzore në çastin teksa ato po ndodhin. Si shikues në mënyrë sinkrone jemi pjesëmarrës në vdekjen e fëmijëve jeta e të cilëve shuhet në duart e nënave të tyre. Kjo afërsi artificiale mund të shkaktojë gjendje indiference gjithashtu. Duke shikuar shumë shpesh mjerimin dhe krimin teksa jemi duke ngrënë drekën apo darkën, ne mësohemi me këtë pa dashje. Shikojmë se si e rrahin nënën dhe vazhdojmë së ngrëni, shohim të burgosurin e vrarë dhe vazhdojmë së piri, llomotituri, argëtuari, mbase sikur ato fotografi tmerruese para syve tanë të ishin vetëm skena fantazmagorike të ndonjë shfaqjeje teatrore natyraliste… E liga e banalizuar e ka humbur fuqinë për të tmerruar dhe paralajmëruar. Duke e shikuar aq shpesh vdekjen para ekraneve, nuk frikësohemi më. Tekefundit, pse të frikësohemi? Nëse vjen, vetëm duhet shtypur butonin dhe ndërruar kanalin…

Dhe kështu, indiferenca ndaj vdekjes së tjetërkujt na bën indiferentë ndaj vdekjes sonë. Shembull për t’u habitur i kësaj është qëndrimi ynë ndaj shkencës pa etikë, ndaj “drejtësisë” pa të vërtetë dhe globalizmit eksploatues. Qëndrim i pakuptueshëm, i ngërthyer me indiferencë. Bota bashkëkohore është habitshëm indiferente ndaj këtyre. Pakicën e përbëjnë aktivistët që janë të ndërgjegjshëm për këtë, por shoqëria, shoqëria e tërë, as që duket e brengosur. Përse? Ngaqë e kupton se është e pafuqishme për ta kuptuar dhe zgjidhur problemin… Ose konsideron se disa katastrofa të tjera, tragjedi të tjera janë më të rrezikshme, d.m.th. kanë përparësi? Me fjalë të tjera, a është indiferenca e përgjithshme pasojë e problemeve të shumta që nxisin për intervenim? Tekefundit, nuk mund të vrapohet gjithandej, nuk mund t’i dërgohet ndihmë ama bash çdo bashkësie të rrezikuar, nuk mund të ngrihet kundër çdo padrejtësie ose dënuar çdo torturë për të cilën na informojnë… Megjithatë, nuk mund të luftohet kundër indiferencës në baza përzgjedhëse. Është e padrejtë të jemi të ndjeshëm ndaj vuajtjes së një grupi, e jo ndaj vuajtjes së ndonjë grupi tjetër. Por dikush që është i ndjeshëm ndaj një lloji vuajtjeje, në fund do të bëhet apatik ndaj vuajtjeve të çdo lloji. Në njëfarë niveli indiferenca mund të bëhet ngjitëse. Njëkohësisht edhe gabim edhe sëmundje, ajo bëhet klimë dhe hapësirë.

Indiferenca e mundëson matjen e përparimit të së keqes që e minon shoqërinë. Shembull për këtë jemi ne vetë. Të ardhur deri në skaj, ne pushuam së përpjekuri, pushuam së ndjeri çfarëdo qoftë. Nuk jemi më as të uritur e as të etur, nuk mendojmë për asgjë, para syve tanë janë zhdukur të gjitha fotografitë. Me fjalë të tjera, mungesa e frikës në kohë të rrezikshme nuk është ndonjë farë virtyti. Përkundrazi, ajo ngandonjëherë nënkupton indiferencë dhe dëshiron ta paralajmërojë fundin para fundit.

Edhe këtu vetëm kujtesa mund të na zgjojë. Nëse e kujtojmë atë që ka ndodhur para shumë por edhe para pak vitesh, kemi mundësinë t’i evitojmë katastrofat e reja. E në mos, rrezikojmë të bëhemi viktima të indiferencës personale. Indiferentë ndaj mësimeve nga e kaluara jonë, do të jemi të tillë edhe ndaj shpresave të pashkëputshme për ardhmërinë.

Dhe tani kam ardhur deri tek thelbi i brengës sime: nëse ne harrojmë, do të harrohemi. Prandaj, le t’i lexojmë me kujdes porositë e Pejgamberit a.s. në Haxhetu-l-Veda :… Pas meje ju kam lënë dy gjëra, Librin e Zotit dhe Traditën time… edhe drejtësinë… Nëse iu përmbaheni asnjëherë nuk do të jeni në humbje… Si përfundim do të doja ta përsëris një ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën tonë jo aq të largët, por që është shumë kuptimplotë edhe për ne sot, e ai është rasti me urdhrin nga “Komiteti” i atëhershëm që të ndryshohet ajeti kuranor nga ballina e gazetës “Preporod” të Sarajevës “Allahu nuk e ndryshon një popull derisa ai nuk e pranon/dëshiron ndryshimin…” (Rad, 11).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme