Nacional-laicizmi, Islami dhe inferioriteti i shqiptarit të Maqedonisë

1.

Në emisionin Top Shou të datës 21/03/2012 me titull “Stinë e rënduar në Maqedoni” ku të ftuar ishin një grup shqiptarësh nga Maqedonia; Artan Dika, Artan Grubi, Adelina Marku, Salajdin Salihu, Imer Ismajli dhe përkrah tyre ish-këshilltari i presidentit socialist Rexhep Mejdani, Mentor Nazarko, u debatua situata e tensionuar që ekziston sot në Maqedoni. Në këtë program ashtu si ndodh edhe gjetkë mes shqiptarësh në Ballkan, shpjegimi i konfliktit shqiptaro-maqedon u rrëfye në terma etnik. U tregua si përplasje ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonëve, dhe jo si konflikt i cili në bazat e tij ka edhe elementë fetar dhe si pasojë është konflikt ndërmjet muslimanësh dhe të krishterësh. Në debatin që pamë, shqiptarët e Maqedonisë vazhduan avazin e vjetër që bëjnë nëpër kafenetë e tyre në Dibër, Tetovë e Shkup, duke u shtyrë me njeri tjetrin dhe sulmuar partitë, bandat, e interesat kundërshtare. E vetmja diferencë ishte se në Top Shou ata ziheshin në toskërisht dhe debatin e dominoi Mentor Nazarko, i cili sillet prej vitesh si një “Big Brother” nga Shqipëria e u jep mend burrave e grave të Kosovës dhe Maqedonisë mbi pan-shqiptarizmin. Ligjërimi i Nazarkos është imperialist e Tiranë-centrik. Ai është në të njëjtën kohë i bazuar në ideologjinë dinsëze të nacionalizmit të Tiranës, e cila lufton Islamin dhe kërkon ti tregojë shqiptarët si laikë, por me simbole të krishtera.

 

Në debatin në fjalë, Nazarko, sulmoi Islamin dhe identitetin islamik të shqiptarëve të Maqedonisë. Në minutën 3.55 të pjesë së tretë të emisionit që shihet në internet ai thotë:

“Vetë shqiptarët, me sjelljen e tyre, rudhjen e esencës kombëtare në Maqedoni, me ekzaltimin e të qënit vazhdimisht, historikisht, eksluzivisht vetëm muslimanë para se të jenë shqiptarë apo para se të jenë ortodoks, apo katolik apo të një feje tjetër, në një farë mënyre e kanë krijuar këtë preteks. Me këtë dua të them që nëse shqiptarët e Maqedonisë, nuk mbrojnë trashëgiminë kulturore shqiptare në Maqedoni që është e lidhur edhe me ato kishat, që është e lidhur edhe me komunitetin ortodoks te Maqedonisë prej nga vjen Migjeni apo nga vinë figura të rëndësishme të Rilindjes… komuniteti shqiptar ortodoks, sigurisht që do të krijohen premisat për një gjë të këtillë… “

 

Teza e Nazarkos e cila turpëron shqiptarët e Maqedonisë pse janë muslimanë, u mor edhe nga Ymer Ismajli, një mësimdhënës i diskredituar për plagjarizëm në Universitetin e Evropës Juglinore. Duke folur në toskërishten e Nazarkos, Ymeri, kërkoi të sigurojë ‘superiorin’ nga Tirana për largimin e muslimanizmit nga shqiptarët e Maqedonisë. Për këtë ai tregoi sesi në një sondazh që kishte bërë për të provuar sesa e duan kombin para fesë studentët shqiptarë të Tetovës, këta e kishin kaluar testin:

“Ju siguroj, kam patur analiza në universitetin ku kam punuar, dhe ka pas statistik, me çfarë do ishte martuar një studente shqiptare muslimane me një musliman të Bangladeshit apo me një katolik të Shqipërisë. 88 % të përgjigjeve kanë qënë po, do të isha martuar, do kisha bërë familje me një katolik të Shqipërisë. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo?”-shtoi Ymeri.

 

Por Nazarko i cili vuan nga racizmi kundër arabëve e popujve muslimanë, (këtë e ka vërtetuar në një debat që ka patur me mua në TV Arbëria në 2006) protestoi pse 12% e studentëve kishin pranuar të martohen me bangladeshas dhe jo me katolikë:

“Është e frikshme 12% shi me muslimanë të Bangladeshit” – klithi ai.

 

Ymeri që u ndje edhe më inferior nga racizmi i dinsëzit të Tiranës e korrigjoi veten në moment duke thënë:

“Unë e mora si shembull. Aty ka qënë musliman turk. Nuk ka qenë musliman i Bangladeshit. Ka qenë musliman turk… dmth të rinjtë shqiptar në Maqedoni, që i takojnë konfesionit musliman, në rend të parë respektojnë kodin e tyre kombëtar, dhe pastaj atë, atë religjioz.”

 

 

2.

Sulmi që Mentor Nazarko i bënte identitetit musliman të shqiptarëve të Maqedonisë dhe nënshtrimi që “maqedonasit” tregonin ndaj udhëzimeve të “vëllait” nga Tirana, janë një sindromë inferioriteti që shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës kanë zhvilluar që në kohë të komunizmit ndaj emisarëve të Tiranës. Popullatat muslimane-shqiptare të ish-Jugosllavisë, pas rënies së Perandorisë Osmane dhe izolimin e hekurt që pësoi Turqia në kohë të Ataturkut, ngelën jetim në Ballkan. Kalifati Islamik apo Mëma Turqi e cila dikur shtrihej nga Presheva e deri në Selanik dhe i mbronte nga kaurët me topa dhe me vapor, tanimë u izolua përreth Stambollit. Në anën tjetër, shtetet shqiptare që u krijuan matanë kufirit, që nga principata e Vidit, te mretnia e Zogut e deri te shteti i Enver Hoxhës jo vetëm që nuk bënë ndonjë përpjekje që ti çlirojnë e mbrojnë këta muslimanë të zënë robër nga pushtetet ortodokse (shpesh i lanë vetë nën Serbi), por në Shqipëri vetë shteti shqiptar u soll me muslimanët edhe më keq sesa shteti jugosllav.

 

Që prej themelimit të tij në 1913 nga austriakët dhe italianët, shteti shqiptar nisi në mënyrë programatike të zhdukë infrastrukturën e islamizmit në vend. Kaurët pranë qeverisë së Vlorës dhe të Vidit, si Mihal Grameno, Kostandin Çekrezi, e më pas Fan Noli, Zogu, etj përqafuan shqiptarizmën si ideologji shtetërore të vendit. Kush ka lexuar librin e Nathalie Clayerit “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë.” (Botimet Përpjekja. Marin Barleti. Tirana. 2009) mund ta kuptojë qartë historinë e luftës të shqiptarizmës me islamizmën. Shqiptarizma apo më saktë nacionalizmi shtetëror i Shqipërisë lindi në vitet e fundit të Perandorisë Osmane si një ideologji laike e cila nën moton “feja e shqiptarit asht shqiptaria” kërkonte të ndajë shqiptarin musliman nga Turqia dhe identiteti islamik, dhe të krijonte një shqiptar, siç thotë Sami Frashëri që “të dojë shqiptarin si frankmasoni dhe bektashiu.” Ideja e shqiptarizmës ishte të krijonte një shtet shqiptar sipas skemave masonike evropjane të kohës ku kombi do bazohej mbi gjuhën dhe jo mbi mësimet e Biblës dhe Kuranit.

 

Para rënies së Perandorisë Osmane, shqiptarizmi laik nuk kishte forcë mes shqiptarësh. Populli i urrente nacionalistët dhe i shikonte si vagabondë, agjentë austriakë e italianë dhe kurvarë. Kur Fuqitë e Mëdha krijuan shtetin e parë shqiptar në 1913, ky shtet i cili me në krye Vidin nisi të sulmoj Islamin dhe Ortodoksinë duke mbyllur medrese dhe skoli, u rrëzua brenda pak muajsh nga revolta e muslimanëve shqiptarë nën udhëheqjen e Musa Qazimit dhe Haxhi Qamilit dhe e ortodoksëve në jug. Sikur të mos kishte qenë pushtimi serb, austriak, italian dhe francez i Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore, islamistët shqiptarë do të kishin triumfuar dhe, edhe nëse një shtet shqiptar do të kishte jetuar, shqiptarizma do të ishte ndërtuar si një ideologji pro-Islamit dhe jo si një ideologji kundër fesë.

 

Mundja e islamistëve dhe lufta civile që ndoqi Shqipërinë nga viti 1914 deri në 1922 bëri që “hijet” e Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit e vetë Esat Pashës, të zhduken nga Shqipëria njëherë e mirë. Siç Mustafa Kruja tregon në kujtimet e tij, Kongresi i Lushnjes dhe vrasja e Esat Pashës e instalimi i qeverisë së Lushnjes në Tiranë sollën në pushtet një klikë njerëzish qafirë të cilët hodhën bazat e shqiptarizmës ateiste në Shqipëri. Masakrat fizike dhe institucionale që Zogu, Mehdi Frashëri, Fan Noli, Stavro Vinjahu, Ali Këlcyra, Bedri Pejani, Luigj Gurakuqi, etj, bën kundër Islamit dhe Ortodoksisë në kohën e ndërmjet luftës, ndarja e muslimanëve nga Kalifati dhe ortodoksëve nga Patriarkana, dhe krijimi i “islamit dhe ortodoksisë shqiptare”, pra i Komunitetit Musliman dhe Kishës Autoqefale me legenat e pushtetit, zhdukën rezistencën e fundit që shqiptaria laike kishte në Shqipëri. Zoti u la jashtë identitetit modern shqiptar, dhe shqiptarët u bënë një popull xhahilësh që i binin gjoksit duke u mburrur se janë vetëm shqiptarë e hiç muslimanë.

 

Si pasojë e kësaj zanafille të shqiptarizmës në kohën e Zogut dhe të Enverit, shqiptaria u definua si një ideologji nacionaliste-laike, intolerante dhe e dhunshme, e cila zhduku fenë në mesin e shqiptarëve, duke kulminuar me barbarizmin e vitit 1967, kur shqiptaria e Enver Hoxhës shkatërroi kisha dhe xhamia, dhe zhduku e vrau priftërij, hoxhallarë e dervishë. Kjo shqiptari e cila vazhdon të jetë “feja civile” e Tiranës edhe sot – edhe pse tani është miksur me katolicizëm - është aq imponuese, sa që mund të shihet edhe në simbolet e Islamit në Shqipëri. Nëse dikush shikon faqen zyrtare të Komunitetit Musliman, aty shihet sesi flamurin bizantin shqiptar mbulon godinën e KMSH-së në vend që aty të qëndrojë emri i Allahut. Shqiptarizmi laik aq shumë ka penetruar Islamin zyrtar në Tiranë, saqë nëpër simpoziumet dhe videot që KMSH-ja bën ajo tregon që ka 90 vite që i shërben kombit (dhe jo Allahut dhe Profetit të Tij). Flamuri me shqiponjë kuq e zi mbulon ceremonitë e KMSH-së dhe hoxhallarët e kaluar që KMSH-ja përkujton, janë padyshim ata që tradhëtuan kalifatin dhe mbështetën nacionalistët.

 

 

3.

Historia e përgjakshme e shqiptarisë me islamizmin pati efektet e saja edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Ndërsa Enver Hoxha i shtypte shqiptarët dhe ua hoqi fenë me dhunë, matanë kufirit, ai dërgoi emisarët e tij – mësues dhe libra historie dhe letërsie – dhe propagandë laike-shqiptariste nëpërmjet të cilës muslimanët shqiptarë i quante “vëllezërit kosovarë”. Shqiptar-laicizimi apo skënderbegizimi dhe enverizimi i kosovarëve, i shërbente regjimit të Tiranës si një mburojë në rast të ndonjë agresioni jugosllav. Universiteti i Prishtinës i themeluar ne 1970 u përdor si nga Tito ashtu edhe Enver Hoxha për të prodhuar nacionalistë shqiptarë, të cilët në libra mësonin që armik të tyre nuk kishin sllavët, por turqit, ndërsa Mekë kishin Tiranën dhe jo Stambollin. Tito kishte nevojë për një nacionalizëm të kontrolluar shqiptar kundër nacionalizmit serb, ndërsa Enveri kishte nevojë për një “popull vëlla” që do adhuronte atë dhe Skënderbeun dhe në rast lufte civile të brendshme apo agresion nga jashtë, t’i vinin në krah. Si pasojë shumë nacionalistë kosovarë u bënë më enveristë dhe me shqiptaristë sesa vetë ne shqiptarët e Shqipërisë që urrenim si Enverin ashtu edhe ateizmin e regjimit. Enveristët kosovarë vetëflijoheshin në mes të Beogradit në emër të Enver Hoxhës dhe flamurit kuq e zi, por kur kalonin kufirin dhe vinin te Nona Shqipni, Enver Hoxha i cili nuk i donte pranë, i kalbte në burg si agjentë jugosllav.

 

Proçesi i ateistizimit dhe enverizimit të kosovarëve u bë nëpërmjet shkollave, ku librat e historisë së Kristo Frashërit i mësonin kosovarët të urrejnë Islamin dhe Turqinë; nëpërmjet romaneve të Kadaresë dhe spindoktorëve të tjerë të Tiranës; dhe në veçanti nëpërmjet propagandës televizive. Kosovarët e mendonin Tiranën si një xhenet në tokë, ku jetonte i lumtur populli amë shqiptar me “zotin” e tij Enver dhe “mesiun” Skënderbe që kishte luftuar turkun. Zonat që ishin më pranë Shqipërisë dhe shikonin TVSH-në u ateistizuan më rëndë dhe adoptuan toskërishten si gjuhë të kulturës së lartë. Ndërsa ato që ishin më larg nga kufiri e ruajtën më shumë fenë dhe dialektin e tyre gegë. Qytete kufitare si Gjakova apo Dibra prodhuan ndoshta numrin më të madh të enveristëve dhe qafirëve kosovarë, të cilët shihnin përnatë si të etur televizionin e Tiranës, që lavdëronte arritjet e socializmit dhe rrënimin e fesë. Ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë shikonim televizionet jugosllave e italiane, dëgjonim Bijelo Dugmen dhe Adriano Çelentanon, Zërin e Amerikës dhe Radio Vatikanin dhe i donim ata pak hoxhallarë që komunizmi kishte harruar pa vrarë, në Prishtinë rritej një klasë kosovarësh ateistë dhe të pabesë, të cilët e sulmonin Islamin si fe të prapambeturisë dhe Turqisë. Prandaj nuk është koiçidencë që klasa e cila drejton sot “shqiptarizmën” në Kosovë dhe Maqedoni, e përfaqësohet nga intelektualë si Veton Surroi, Enver Robelli, Naser Aliu dhe Arbën Xhaferri e urren dhe e sulmon Islamin me egër sesa bëjnë te ne në Tiranë kaurë den baba den si Pirro Misha apo Ben Blushi.

 

 

4.

 

Çlirimi i Kosovës nga NATO në 1999 dhe marrëveshja e Ohrit në Maqedoni, u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë liri që ata nuk i kanë gëzuar për 100 me radhë. Liria dhe kaosi që i solli këtyre vendesh pas rënies së diktaturës sllavo-komuniste, i dha hapësirë për frymëmarrje Islamit. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë e Maqedoni, me mijëra shqiptarë shkuan në vendet arabe dhe Turqi e rimësuan fenë që ua ndaluan titistët dhe enveristët shqiptarë. Po ndërsa islamizmi ka njohur një ringjallje, interesimi i Perëndimit me Islamin pas 11 shtatorit 2001, ka vënë në lëvizje ish-titistët dhe enveristët shqiptarë, të cilët, në aleancë me fondamentalizmin katolik, kanë nisur të monopolizojnë sërisht shqiptarizmën. Duke qënë se kosovarët nuk arritën të ndërtojnë një identitet të tyre pas shkëputjes nga Turqia, dhe proçesi i tyre identitar etnik u importua nga Tirana, tani që ata kanë bërë shtet, po vazhdojnë sërisht të huazojnë idhujt e nacionalizmit laik që Tirana prodhon. Këtyre idhujve u janë shtuar anekset katolike si Nënë Tereza, Gjergj Fishta e Pjetër Bogdani, të cilat Vatikani i ka futur në mbarë arenën shqiptare. Rol të rëndësishëm në mbjelljen e shqiptarizmit laik te kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë luan Tirana. Në një raport që Irakli Kocollari i ka dërguar Fatos Nanos disa vite më parë, kryespiuni shqiptar tregonte sesi spiunërit e Tiranës kishin infiltruar rrethet nacionaliste kosovare për tu dhënë atyre kahjen që donte Tirana.

 

Fuqizimi i faktorit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni dhe adaptimi nga ky faktor i shqiptarizmës laike të Tiranës, e cila u mësohet shqiptarëve nëpër shkolla, po prodhon një rrymë të re dinsëzash shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Hapja e universiteteve në Tetovë dhe e shkollave shqiptare kudo që ka komunitete shqiptare në Maqedoni, përveç pozitives që po i alfabetizon shumë komunitete që më parë janë lënë pa shkolla, po sjell me vete konfliktin e vjetër të Shqipërisë – mes Islamit dhe nacionalizmit shqiptar. Nacionalizmi shqiptar që kur u përpunua nga Rilindja, është në luftë me fenë. Sami Frashëri në “Shqipëria çka qënë, ç’është e çdo të bëhet” thotë që “shqiptari i vërtetë dhe besnik dhe që do të shpëtojë Shqipërinë, vendos gjithmonë kombin përpara fesë. Vëlla i shqiptarit nuk është bashkëfetari i tij, por bashkëkombëtari i tij.”

 

Kjo ideologji po përdoret sot në Maqedoni dhe në Kosovë. Por ndryshe nga mënyra sesi Sami Frashëri mund ta ketë imagjinuar shqiptarizmën në kohën e tij, sot mes shqiptarësh po ndodhin belara edhe më të mëdha. Shqiptarizma tanimë po katoliçizohet si pasojë e veprimit agresiv të Kishës Katolike. Përpara pak muajsh presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e deklaroi Skënderbeun ushtar të Krishtërimit kundër Islamit, ndërsa kryeministri Berisha ka pranuar vite më parë që shqiponja e flamurit shqiptar është simbol i Krishtërimit. Në emër të shqiptarisë, xhahilët e Shkupit me në krye Izet Mexhitin po mbjellin në mëhallat e shqiptarëve musliman idhujt e shqiptarvrasësit Pjetër Bogdani. Shqiptarët laikë në Maqedoni kanë rrëmbyer Nënë Terezën dhe e tregojnë atë si shqiptare e putat e saj shtrihen që nga Tirana e deri në Mitrovicë dhe Shkup.

 

Deklaratat e Mentor Nazarkos në Top Shou dhe nënshtrimi servilosës i Ymer Ismajlit tregon qartë atë që po ndodh sot me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Nazarko e ka perifrazuar shumë qartë pritshmërinë që dinsëzat e Tiranës kanë për kosovarët dhe “maqedonasit”. Ai dhe shokët e tij nuk i duan shqiptarët muslimanë, por i duan të mbrojnë kishat ortodokse, të adhurojnë Migjenin, Pjetër Bogdanin, Skënderbeun dhe qafirët e Rilindjes. Ymer Ismajli që jep mësim në universitetin e Tetovës dhe të Shtulit i tregoi troç se çfarë po bën soji i tij me shqiptarët e Maqedonisë. Nëpërmjet institucioneve ku “ymerët” punojnë, po bindin vajzat e muslimanëve shqiptarë që të mos i binden Kuranit, por Mentor Nazarkos e të martohen martohen me katolikët e Mirditës dhe jo me turqit e Tetovës më të cilët jetojnë në një mëhallë. Ky shqiptarizëm-laik që po mbillet nga Tirana sot në Maqedoni, jo vetëm që është një replikë e nacional-laicizmit të shpifur të Shqipërisë, por në të njëjtën kohë është një ideologji raciste dhe gjenocidale kundër popujve të tjerë. Nëse muslimanët shqiptarë të Maqedonisë ndjekin ideologjinë katolaike të Arben Xhaferrit dhe Mentor Nazarkos, koha nuk do të jetë larg, kur xhamitë e Tetovës do të nisin të rrëzohen dhe të zëvendësohen me kisha katolike apo në diskoteka me flamuj kuq e zi.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme