
Personazhet kryesore na fabulën tonë, janë ujku dhe dhentë. Dhentë që fatkeqësisht mbetën nën udhëheqësinë e një ujku gjakpirës. Tregimi ynë aq shumë i përngjet problemit të cilin duam ta shqyrtojmë, sa që ju do ta kuptoni shumë lehtë se për çka e kam fjalën, andaj të fillojmë!
“Na ishte një herë një bari, i fortë, i madh e bukurosh. Jetonte i vetëm, pa askënd, në një fshat malësor. Pranvera e fshatit ishte e gjelbër sa nata që është e errët, por dimri i tij ishte i ftohtë aq sa nënës i dalin lot kur të birin e vetëm e vorros. Për shkak të shkathtësisë dhe bamirësisë së këtij djaloshi, bashkëfshatarët e tij vendosën t’i ndihmojnë. I dhanë atij njëqind dhen dhe ia lanë tokat e fshatit për nevojat e tij dhe që dhentë të kullosin në ato toka. Një gjë kërkuan nga ai, çdo shtëpie të fshatit t’i japë nga një litër qumësht në ditë. Gjithçka shkonte mirë deri sa bariu ishte gjallë, por kur ai vdiq puna ndërroi. Udhheqësinë mbi dhentë e mori ujku.
Sot u mbushën dhjetë vjet që kur ujku po i udhëheqte dhentë. Dy dele, të lodhura nga puna e rëndë, ishin ulur të pushonin pranë një kroi në maje të kodrës. Nga aty shikonin fshatin, fshatarët dhe delet e tjera. I tha njëra dele tjetrës: sprovë të madhe na dha Zoti. Sikur të na kishin shitur për kurban do të ishte shumë më
mirë. Ujku, ky çobani ynë, nuk la të zezë pa e bërë, nuk la gënjeshtër pa e thënë, nuk la fshatar pa e plaçkitur. Ne dhentë kullosim në tokat e fshatit pavarësisht se kush është pronari i tyre. Çobani ynë duhet t’i japë qumësht çdo familjeje të fshatit, ndërsa ai nuk e bënë këtë. Qumështin e pi vetë ose me shokët e vet, shokët që vijnë nga fshatrat e tjerë. E dërgoi atë dashin e zi, atë bukuroshin, bashkë me disa dele gjeri në një fshat të largët. Atje kishte nga fshatarët e këtij fshati. Shkuan atje, kullotën tokat e tyre ndërsa asnjë litër qumësht nuk ua dhuruan fshatarëve. Nuk durohet kjo gjë, jo, oj shoqja ime. Ndërsa delja tjetër ia ktheu: ashtu është, oj shoqe, ashtu është. Por çka të bëjmë ne të gjorat? Ai është shumë i fortë, ai rregullisht u ka dhënë qumësht ujqve të tjerë dhe tani që të gjithë do ta mbrojnë nëse ndokush e sulmon atë. Sikur ne t’i themi se nuk po punon drejt, ai do të na i heqë kokat. Fshatarët po flasin edhe ata po e dinë se ky, çobani ynë, po manipulon dhe po i mashtron ata. Por për nder dhe për hatrin që e kanë për ne, dhentë, ata nuk po ia ndalin taxhinë atij.
Përderisa dy delet po bisedonin njëra me tjetrën, erdhi e treta. E mërzitur, e nervikosur dhe më ton të lartë iu drejtua shoqeve të saja: a dëgjuat shoqe, a dëgjuat se ç’kishte bërë ai i pandërgjegjshmi? Na e mori fytyrën më këto marrëzira. Nuk na ka mbetur fytyrë as për të dalë e për të kullotur në fshat. Po hë, moj torollake, fol më se na plase, fol e na trego se ç’ka ngjarë. Çobani ynë, para një viti kishte marrë qumësht hua. Kishte marrë 652 mijë litra qumësht hua, i kishte marrur nga një fshat në perëndim. I kishte marrë gjoja të marrë dele të tjera, ta rregullojë vendin ku po jetojmë dhe t’u japë fshatarëve nga qumështi. Ndërsa në të vërtetë ai e kishte pirë qumështin bashkë me shokët dhe të afërmit e tij. Por më e keqja është se, po qe se ai nuk e kthen qumështin në kohën e duhur, ata të fshatrave nga perëndimi do ta marrin fshatin tonë dhe fshatarët tanë do të mbeten pa toka. Njëra delme humbi durimin dhe tha: kjo nuk durohet, do të dal në fshat dhe me zë të lartë do të bërtas: “Duam që ujkut t’i merret udhëheqësia mbi ne, sepse ai e keqpërdor postin që ka. Ai e mori në qafë fshatin, fshatarët dhe ne. “Shoqet e saj e ndaluan, e qetësuan dhe ia mbushën mendjen që ajo të heshtë, si të gjithë dhentë.”
Me kaq fabula jonë mori fund, jeta në fshat po vazhdon ashtu siç vajti viteve që kur kishte ardhur ujku në pushtet.
Ju tani veç e keni kuptuar se kush janë dhentë e kush është ujku. Po a nuk i përngjet – pashë Zotin – ky Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë këtij ujku
mizor? A nuk i përngjasin – pashë Zotin – muftitë, imamët, profesorët e medreseve, profesorët e FSHI-së dhe të gjithë hoxhollarët e tjerë dhenve? A nuk të duken këta sikur dhen të butë, mbase edhe më të butë se dhentë? Kur dikush dikur tha se minjtë bëjnë dasëm kur macja mungon, ne mund të themi sot, se ujku bën dasëm me delet dhe fshatarët kur ata heshtin dhe janë në gjumë.
Kur e përfundova fabulën, një dele si ato të fabulës m’u drejtua e më tha: mos kështu, mos se po e nervikosi kjo fjala yte ujkun, do të të bëjë problem edhe ty. Ti pastaj je ende qengj dhe mund të të haj për hiç kohë. Ndërsa unë i thashë kësaj deles: “Oj motër, ti je dele e nuk e di se çka do të thotë dhe se sa përgjegjësi ke, kur në mes të këmbëve mban dy molla. Andaj dëgjoje këshillën time dhe zhduku. Shumë ujq ka ngrënë toka, ka parë kjo tokë edhe me ujqër se ky i yni, por i ka ngrënë që të gjithë, një nga një. Ti vetëm qetësohu dhe bindu në atë që ua thua njerëzve, bindu një herë e përgjithmonë, se nuk ka më të fort se Ai që krijoi çdo gjë nga asgjëja. Një fjalë e urtë thotë: “Çka gjeti ai që e humbi Allahun, e çka humbi ai që pati Allahun mbështetje?!” Mos ua thuaj njerëzve atë që nuk e bën vetë, andaj zgjohu e largoje këtë ujk nga ky vend, mjaft ka pirë qumështin e këtij populli, popullit që është edhe më i bardhë se qumështi.