

Hyrje
Shqiptarët e Luginës së Preshevës i përkasin me shumicë fesë islame. Lidhur me islamizimin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në Ballkan dhe me depërtimin e fesë islame në këto troje shqiptare, në mbështetje të hulumtimeve dhe studimeve të shumta, qëndrojnë dy teza : 1.Fillimi i depërtimit të Islamit në tokat shqiptare, në Luginë të Preshevës, gjegjësisht në Ballkan e ka zanafillën prej atëherë kur filloi zgjërimi i shtetit arab drejt Afrikës dhe Evropës. Islamizmi, feja islame, filozofia islame kulminacionin e saj e arriti në shek VII dhe VIII, atëherë kur lulëzoi shkenca, mjekësia, filozofia islame, arkitektura, matematika, astronomia. Sipas shumë dijetarëve dhe studiuesve, atëherë u ndërtuan xhamitë më të bukura arkitektonike. Pra, Islami filloi të përhapet në Evropë, Ballkan dhe në Luginë të Preshevës, atëherë kur Arabët myslimanë formuan një shtet të fuqishëm , të cilin e zgjëruan në Spanjë, Itali, në Bregdetin Adriatik dhe atëherë kur tregtarët arabë filluan të depërtonin në këto troje. Kështu filluan të propagandonin edhe fenë islame. Kështu filluan të ndërtohen edhe foltoret e para, xhamitë e para në Luginë të Preshevës, përmendet ajo e Bilaçit, Bugarinës dhe e Tabanocit. Mirëpo, për këto dhe vitet e ndërtimit të tyre nuk kemi të dhëna që e vërtetojnë ndërtimin e atëhershëm të tyre.Edhepse për Xhaminë e Bilaçit dhe të Bugarinës, përmendet viti i ndërtimit, më 1375. Poashtu në bisedë me Mulla Xhemailin e Raincës, i cili më tha se Xhamia e Raincës është shumë e vjetër, ndërtimi i saj lidhet me ndërtimin e Xhamive në Bilaç dhe në Bugarinë. “Përhapja e Islamizmit te Shqiptarët është e lidhur ngushtë me pushtimin turk të Shqipërisë. Megjithatë, Shqiptarët kanë qenë në kontakt me banorë mysliman shumë shekuj më parë. Këto kontakte, në fillim janë kryer nëpërmjet, me sa dihet, sulmeve pirateske të saraenëve, pastaj nëpërmjet marrëdhënieve tregtare që arabët e Afrikës Veriore, pasi pushtuan Sicilinë dhe Italinë e Jugut, zhvillonin në qytetet shqiptare të Adriatikut…” shkruan Prof Dr. Kristo Frashëri në “Përhapja e Islamizmit te Shqiptarët” në gazetën Fakti, më 11 shtator 2006, Shkup. Pastaj Franjo Raçki përmend, se në këto terrirore (Ballkan) ka pasur myslimanë që nga kohët e hershme dhe ate në pjesën e poshtme të Vardarit, në krahinën e Selanikut”/ Franjo Raçki, Bogomil i Patareni, posebna izdanja srpske kraljevske akademije, knjiga LXXXVI, Beograd, 1931/ Perandori bizantin Teofil (829-841) ka shpërngulur numër të madh myslimanësh nga Azia dhe i ka vendosur rreth vardarit të emruar si “Vardariotet”, të cilët shumë përhapën fenë islame dhe Islamin në këto troje. 2.Islami dhe depërtimi i Islamit, fesë islame dhe filozofisë islame në Luginë të Preshevës, në Ballkan ka ndodhur me depërtimin e Osmanllinjëve dhe ata e sollën në Ballkan dhe në Luginë të Preshevës fenë islame. Është fjala për një masovizim të islamizmit ndër popullatën shqiptare edhe në Luginë të Preshevës. Pra, para ardhjes së Osmanllinjëve nuk pati asnjë mysliman, sipas tezës së dytë, në Luginë të Preshevës. Mirëpo, dinamika e procesit të islamizimit në hapësirën shqiptare u përshpejtua me vendosjen pas vitit 1402, të një detyrimi të veçantë të quajtur devshirme, sipas të cilës familjet e krishtera të vendeve nën sundimin osman, duhet të jepnin djemë (devshirë) për të mbushur repartet e jeniçerëve ose për nevoja të tjera të pallatit sulltanor. “Si në çdo vendbanim tjetër ku jetojnë Shqiptarët , feja Islame edhe në këto troje tona erdhi nëpërmes Osmanlinjve . Shqiptarët në Komunën e Preshevës qind për qind i takojnë konfesionit Islam. Meqenëse rajoni i Luginës së Preshevës gjendej në udhëkryqin Shkup-Gjilan-Sofje- Beograd, ai ishte mjaftë i frekuentuar nga njerëz të nacionaliteteve të ndryshme. Sipas informacioneve me të cilat disponohet këtu, Islami në Preshevë kishte arritur pas Betejës së Kosovës, e cila ishte zhvilluar në vitin 1389”. Popullata Shqiptare e këtyre viseve është 100% e konfesionit Islam, ndërsa medhhebi i tyre është hanefij”, thuhet në një shkrim të Këshillit të Bashkësisë islame në Preshevë.
1. Numri i myslimanëve në Ballkan
“Myslimanët e Ballkanit përbëjnë një tërësi heterogjene në pikëpamje politike, ekonomike, etnike, gjuhësore, kulturore, por edhe fetare” shprehet Nexhat Ibrahimi, Natyra, manifestimet, problemet dhe perspektiva e zgjimit islam në Ballkan, Zëriislam.com, 2009. “Takimet e para të myslimanëve me popujt ballkanikë, me intenzitete të ndryshme, datojnë nga shekulli VII”, shkruan Nexhat Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, bot. II, prizren, 2000 dhe Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Shkup, 2003. “Për t’u intensifikuar dhe institucionalizuar me ardhjen e osmanllinjëve në shek. XIV-XV: shkruan Thomas Arnold, Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004 Aktualisht në Evropë jetojnë 53 milionë myslimanë, ndërsa në Ballkan jetojnë sipas disa studiuesve dhe hulumtuesve 10 milionë myslimanë apo rreth 24% e popullatës së përgjithëshme ballkanike. Sipas regjistrimit të vitit 1991, rreth 4.8000.000 banorë në Jugosllavinë e atëhershme kanë qenë me fe myslimane ose rreth 20% e popullatës së përgjithëshme në ish_Jugosllavi : në Bosnje e Hercegovine kishte 1.900.000 myslimanë, në sanxhak 230.000 myslimanë, në Kosovë : 1.550.000 ose 80%, në Maqedoni: 430.000 ose 21 % dhe në Luginë të Preshevës : 70.000 ose 68%. Pjesën tjetër të myslimanëve e bëjnë : romët, goranët e tjerë. “Myslimanët e Ballkanit kryesisht janë popullsi autoktone, e cila ka pranuar Islamin shumë herët, e masovikisht dhe institucionalisht vetëm me ardhjen e osmanllinjëve. Popujt më të njohur janë iliro-shqiptarët, boshnjakët, torbeshët, goranët, pomakët etj.” shkruan Nexhat Ibrahimi, Natyra, manifestimet, problemet dhe perspektiva e zgjimit islam në Ballkan, Zëriislam, 2009. Myslimanët e Ballkanit flasin disa gjuhë : gjuha shqipe, boshnjake, turke, rome dhe ajo bullgare, por gjuhë fetare e kanë gjuhën arabe. Islami në Ballkan, por edhe në Luginë të Preshevës, në masë të madhe është i përfaqësuar nga islami sunit, që i takon madhhabit hanefit, shkollë zyrtare juridike në Perandorinë Osmane. Vëllazëritë kryesore të pranishme në Ballkan dhe në Luginë të Preshevës janë Bektashinjtë(Bektash), me ndikim të veçantë në Shqipëri, halvetitë dhe nakshbendët.
2.Këshilli i Bashkësisë islame në Preshevë
Forma më standarde organizative e myslimanëve të Ballkanit është Bashkësia islame, në krye me Reis’ul-ulema në Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi dhe me kryetarin apo muftiun në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës me Këshill të Bashkësisë islame në Preshevë dhe në Bujanoc. Territorialisht, por edhe në aspektin kadrovik e organizativ Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës është më e madhja, kurse të tjerat janë më të vogla. Bashkësia Islame e Serbisë nuk është homogjene, aktualisht vepron Bashkësia Islame e Sanzhakut me seli në Novi Pazar, ajo e Serbisë në Beograd. Mirëpo, edhe pas ndryshimeve kushtetuese të Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Bashkësia Islame e Sërbisë, si dhe ato në Kroaci dhe në Slloveni mbeten pjesë përbërëse të Bashkësisë Islame të BeH. Në Luginë të Preshevës janë themeluar Këshillat e Bashkësisë Islame, me seli në Preshevë dhe në Bujanoc, të cilat veprojnë dhe janë pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Këshilli i Bashkësisë Islamë i Preshevës dhe i Bujanocit duhet të jenë pjesë përbërëse e Bashkësisë Islame të Serbisë, mirëpo ato janë të lidhura me Bashkësinë Islamë të Kosovës në Prishtinë, sipas një marrëveshjeje mbi marrëdhëniet e veçanta të kësaj myftinije me Prishtinën. Në Luginë të Preshevës ekziston edhe Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila bashkësi ka nxjerrë Kushtetutën dhe në të cilën thuhet se është e pavarur. Bashkësia Fetare Islame , si organizatë e myslimanëve, u themelua me Ligjin për Bashkësinë Fetare Islame në janar të vitit 1930, si dhe me Kushtetutën e BFI-së të 9 gushtit 1930. Në tetor të vitit 1936, në Sarajevë tubohen këshillat e myftinive të BFI-së në Mbretërinë Jugosllave, të cilat pasi e aprovojnë propozimin e Kushtetutës së re, të njëjtën ia dorëzojnë Ministrisë së Drejtësisë dhe me 5 nëntor të vitit 1936, Kushtetuta hyn në fuqi. Kështu krahas organizatës supreme të BFI-së në Beograd, u formuan edhe dy organizata të BFI-së, në Sarajevë dhe në Shkup. Bashkësia Fetarë Islamë me seli në Shkup përfshinte territoret e Maqedonisë së sotme, Kosovës, Luginën së Preshevës, Sanxhakun dhe një pjesë të territoreve të Malit të Zi. “Politika e përmendur që zbatohej në organet më të larta të Bashkësisë Fetare Islame në Shkup ishte e papranueshme nga paria e atëhershme shqiptare. Prandaj alternativë e vetme ishte që në mënyrë demokratike ti merrnin në duart e veta institucionet e saja…Për organizim sa më të mirë të zgjedhjeve, ata krijuan Shtabin e tyre zgjedhor, duke u përfshi në te shumë personalitete të njohura shqiptare, si : Kadri Saliu, Zenel Strazimiri, Iliaz Agushi, Mulla Idriz Gjilani, Shaban Efendiu, Hasan Shukriu, Qemal Mehmeti, Hfz Lutfi Ahmeti, Abdulla Veliu, Azem Hoxha, Aqif Tetova etj.” shkruan Qerim Lita, në librin : Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm, Kumanovë, 2010. Më vonë këta persona u bënë pjesë e veprimtarisë politike e krahut kombëtar shqiptar apo e Komitetit të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë, e cila u themelua më 1941, në Shkup, në Bojali Han. Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevës është institucion i pavarur myslimanëve të komunës së Preshevës. Ai ka për qëllim organizimin e jetës së myslimanëve në Preshevë, në mbështetje të ligjeve islame. Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë kujdeset për të gjitha çështjet e jetës fetare dhe për të gjitha nevojat të tjera të xhematit.
Këshilli i Bashkësisë Islame organizon kryerjen e ceremonive fetare dhe mësimin fetar;
kujdeset për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve, bibliotekave e të tjera ; kujdeset për ruajtjen e varrezave, tyrbeve, përmendoreve të kulturës islame dhe pronës tjetër të Bashkësisë Islame, si dhe për përdorimin e drejtë të tyre ; siguron mjete për funksionimin e Këshillit të Bashkësisë Islame duke grumbulluar anëtarësinë, kontributet dhe të ardhura të tjera ; bën llogaritjen dhe pagesën e rregullt të të ardhurave personale dhe kontributet e kuadrove në territorin e vet ; qeveris vakëfet dhe pronën tjetër ; u ofron ndihmë këshillave të xhematit dhe mbikëqyr punën e tyre ; ofron ndihmë dhe drejtpërdrejt mbikëqyr punën e kuadrit të vet ; organizon jetën e gjithëmbarshme fetare, organizon solemnitetet fetare, si dhe ndihmon organizimin e haxhit dhe të umrë ; nëpërmjet kuvendeve të xhematit informon pjesëtarët myslimanë për punën e Këshillit ; mban evidencën e pronës së Këshillit të Bashkësisë Islame si dhe evidencat e tjera për nevojat e Këshillit të Bashkësisë Islame dhe mbikëqyr punën e rendeve të dervishëve.
2.1. Kryetarët dhe anëtarët e Këshillit
Kryetarët e deritashëm të Këshillit:
1.Mull Demirali Ramadani (1946-1960), 2.Muderris Hfz Nexhati Ahmeti (1960-1984), 3.Mull Ruzhdi Emerllahu (1984-1985), 4.Hfz Xhafer Beqiri (1985-1990), 5.Mulla Qemal Hebibi ( 1990-1994), 6.Hfz Nexhat jashari (1994-2000), 7. Mulla Abdullah Abdiu ( 1999-2004), 8.Mulla Mumin Tahiti (2004-2008), 9. Dr. Adnan ef.Ahmeti (2008-2012)
Këshilli i Bashkësisë Islame, aktual, 2012-
1.Hfz. Llukman Ibrahimi, kryetar, 2.M. Fikret Limani, 3.M. Bejtulla Veseli, 4.M. Mehmet Sahiti, 5.M. Zekerija Kurtishi, 6.Hfz. Orhan Ademi, 7.Hfz. Vehbi Dalipi, 8.M. Isak Ibrahimi, dhe 9.M. Abdulla Abdiu Muderris Nexhati Ahmeti më 1946 , me dekret të Minisrisë të Drejtësisë në Beograd u zgjodh Myfti i Rrethit dhe pagesa e tij bëhej nga buxheti i kësaj Ministrie.
Sipas të njëjtit dekret zgjidhen edhe imamwt e xhemive në Presehvë. 1.Malish H. Qamil, i lindur më 1906, imam i xhematit, Raincë, Preshevë, 2.Jusuf Ahmedi, i lindur me 1908, imam i xhematit, Ilincë, Preshevë, 3.Faik Ali Azizi, i lindur më 1916, Rahovicë, imam i xhematit, Preshevë, 4.Nuredin Xh. Ajdini, i lindur më 1903, imam i xhematit, Maxhere, Preshevë, 5.Avdi Aziri, i lindur më 1915, imam i xhematit, Strezoc, Preshevë, 6.Refik Mehmedi, i lindut më 1918, imam i xhematit, Geraj, Preshevë, 7.Sylejman F. Hajrullahu, i lindur më 1902, imam i xhematit, Bukuroc, Preshevë, 8.Zijadin Xh. Ademi, i lindur më 1918, imam i xhematit, Corroticë, Preshevë, 9.Fahredin Kurtishi, i lindur më 1896, imam i xhematit, Preshevë dhe 10.Jakup Sh. Jashari, i lindur më 1913, imam i xhematit, Zhunicë, Preshevë. /Fondi 332 i Arkivit në Beograd/
2.2.Administrata e Këshillit
1.Jahja Ahmedi, sekretar 2.Hfz Hevzi Nuhiu, arkëtar dhe 3.M.Abdulla Abdiu, bibliotekar
2.3. Pronat e Këshillit
Nëpër këshillat tanë Xhamitë e KBI-së të Preshevës kanë në pronësi disa ara, pasuri mali dhe varreza, që janë në funksion të mbarëvajtjes së punës në xhamitë përkatëse. Ndërsa si vakëfe që sjellin të hyra, kemi dy lokale afariste në Preshevë, që kemi lëshuar me qira. Prona të Këshillit të BI në Preshevë janë :1.Selia e Këshillit në Preshevë, me 1.175 m2 ; 2.Shtëpi banimi në Preshevë, me 451 m2 ; 3. 2 lokale afariste në Preshevë ; 4.Në Rahovicë, me 1.850 m2 ; 5.Në Raincë, me 3.240 m2 ; 6.Në Miratoc, me 315 m2; 7.Në Tërnavë, me 1.619 m2 ; 8.Në Zhunicë, me 987 m2 ; 9.Në Ilincë, me 1.540 m2 ; 10.Në Gare, me 870 m2 ; 11.Në Caravajkë, me 1.020 m2 ; 12.Në Geraj, me 1.870 m2 ; 13.Në Bukuroc, me 987 m2 ; 14. Në Bugarinë, me 2.140 m2 ; 15.Në Bushtran, me 1.854 m2 ; 16.Në Çukarkë, me 2.974 m2 ; 17.Në Leran, me 870 m2 ; 18. Në Golemidoll, me 780 m2 dhe 19.Në Strezovc, me680 m2.
“Në fshatin Raincë janë dy ara dhe një livadh që jepen me qira për çdo vit. Nga kjo tokë vakëfnore, Këshilli i Bashkësisë Islame i Preshevës vjel të mira materiale. Gjithashtu edhe në fshatrat Bushtran dhe Bugarinë kemi prona vakëfnore, ara dhe livadhe. Kështu në Bushtran, Këshilli ka tokë prej 1.854 m2, ndërsa në Bugarinë arën prej 2.140 m2”, thotë ish kryetari i Këshillit të BI në Preshevë, Dr. Adnan ef. Ahmedi. Disa prona të Këshillit në Preshevë janë nacionalizuar, konfiskuar apo shfrytëzohen pa pagesë qiraje. Kështu lokali afarist i Këshillit, i nacionalizuar më 1959, u shfrytëzua nga Ndërmarrja “Bratstvo” e Preshevës, por ta themi se një kohë ishte në kontekst gjyqësor, por Gjykata ia dha të drejtën e pronësisë Këshillit. Më vonë Fondi për Ndërtim i Komunës së Preshevës ndërtoi një ndërtesë me banesa, që do të thotë se e mori edhe lokalin e Këshillit. Iniciativën e parë për ta kthyer lokalin e mori Mulla Demirali Ramadani-Hoxha, atëherë myfti dhe S. Velija, sekretar i Këshillit të BI në Preshevë, më vit 1959.
3.Kuadrotë e Këshillit
Kuadrotë e Këshillit të BI në Preshevë janë : kryeimami/ nuk është i zgjedhur në Preshevë/, Imamët, Myezinët e Xhamive dhe Hafëzët. Kryeimami është autoritet fetar në territorin e Këshillit të Bashkësisë Islame, i cili ka për detyrë të harmonizojë dhe të koordinojë punën e imamëve, të organizojë jetën fetare dhe të kujdeset për zbatimin e drejtë të normave të Sheriatit dhe të Bashkësisë Islame në territorin e vet. Imami është personalitet fetar, i cili në territorin e xhematit të caktuar udhëheq ceremonitë e përbashkëta fetare, organizon aktivitete të ndryshme fetare dhe, si personalitet fetar, kultivon moralin Islam ndër myslimanët. Myezini, i cili i plotëson kushtet e parapara, është punonjës fetar që ndihmon imamin në kryerjen e ibadeteve në grupe dhe në punë të tjera fetare, që kryhen në xhami dhe jashtë saj. “Në kuadër të Këshillit nuk kemi kryeimam, për shkaqe financiare. Meqenëse aktualisht gjendja financiare e këshillit nuk është edhe aq e volitshme, ne nuk kemi kryeimam. Aktivitetin e tij e ushtrojnë etari dhe ndonjë nga anëtarët e këshillit. Shpresojmë se në një të ardhme të afërt do të aktivizojmë edhe këtë post të rëndësishëm në kuadër të KBI-së” - thotë sekretari i KBI-së të Preshevës, Jahja Ahmeti. “Në të gjitha xhamitë kemi imamë të rregullt dhe me përgatitjen e duhur profesionale, ndërsa myezinë të rregullt kemi në tri xhami : në xhaminë “Ibrahim Pasha”, në xhaminë “Xhedid” dhe në xhaminë “Ebu-Bekër”, me seli në Preshevë, ndërsa në xhamitë e tjera detyrën e myezinit e kryejnë vullnetarë, kryesisht xhematlinj vendës”, vazhdon Jahja Ahmeti, sekretar i Këshillit. Këshilli i BI në Preshevë ka të punësuar 32 punonjës, prej tyre 26 imamë, 3 myezinë dhe 3 punëtorë të administratës/sekretar, arkëtar dhe bibliotekar/.
3.1. Imamët dhe myezinët e Xhamive në Preshevë
1. Xhamia “Ibrahim Pasha”në Preshevë, imam është Dr. Adnan ef. Ahmeti, doktor i shkencave-Sherijati, ndërsa myezin është hfz. Avni Ahmedi, 2. Xhamia “Xhedid” në Preshevë, imam është Qemal Hebibi, shkolla e mesme, ndërsa myezin është Abdulaziz Rashiti, 3. Xhamia “Ebu Beker”në Preshevë, imam është Sevdail Jakupi, superiore, ndërsa myezin është Ismail Tahiri, 4. Xhamia e Vjetër në Rahovicë, imam është Adnan Aliu, shkolla e mesme, 5. Xhamia e Re “Selishte” në Rahovicë, imam është M.Llukman Limani, shkolla e mesme, 6. Xhamia në Shoshajë, imam është Abedin Limani, 7. Xhamia në Raincë, imam është Bejtullah Veseli, superiore, 8. Xhamia në Bushtran, imam është Fikret Limani, superiore, 9. Xhamia në Leran, imam është Hajrullah Mehmeti, shkolla e mesme, 10. Xhamia në Golemidoll, imam është hfz.Vebi Dalipi, shkolla e mesme, 11. Xhamia e vjetër në Geraj, imam është Is’hak Ibrahimi, shkolla e mesme, 12. Xhamia e re në Geraj, imam është hfz. Nexhat Jashari, shkolla e mesme, 13. Xhamia në St. Hekurudhor, imam është Mehmet Sahiti, shkolla e lartë, 14. Xhamia në Çukarkë, imam është hfz. Llukman Ibrahimi, shkolla e lartë, 15. Xhamia në Zhunicë, imam është Mumin Tahiri, shkolla e lartë, 16. Xhamia në Bukurocë, imam është Mustafë Abdiu, shkolla e mesme, 17. Xhamia në Tërrnavë, imam është Gazmir Selmani, shkolla e mesme, 18. Xhamia e Vjetër në Miratoc, imam është Hfz Orhan Ademi, shkolla e mesme, 19. Xhamia në Strezoc, imam është M. Abdulsamed Rahimi, superiore, 20. Xhamia në Ilincë, imam është Artan Halimi, superiore, 21. Xhamia në Caravjakë, imam është Agron Halimi, shkolla e mesme, vetëm bajramet, 22. Xhamia në Norçë, imam është Xhemaledin Hasani, superiore, 23. Xhamia e re e Durçajve në Rahovicë, imam është M. Jashar Salihu, 24. Xhamia e re në Miratoc, imam është M. Bedri Jetullahu, 25. Xhamia në Coorroticë, imam është M. Nexhmedin Ademi dhe 26. Xhamia e re në Bushtran, imam është M. Reshat Musliu
3.2.Hafëzët e Preshevës
Presheva shquhet në viset shqiptare për traditën e kultivimit të hifzit. Nga Presheva kanë dalë hafëz me nam, të cilët kanë kontribuar në përhapjen e hivzit dhe në disiplina të tjera.
1.Hfz Lutfi ef. Ahmedi, i lindur më 1907, mori titullin hafëz, 2.Hfz. Zihni Ahmedi, i lindur më 1933, mbaroi për hafëz më 1948, 3.Hfz. Nexhat Jashari, i lindur më 1945, mbaroi për hafëz më 1963, 4.Hfz. Avni Ahmedi, i lindur më 1934, mbaroi për hafëz 1948, 5.Hfz.Hava Jahja, e lindur më 1932, mbaroi për hafëz më 1948, 6.Hfz. Vebi Dalipi, i lindur më 1945, mbaroi për hafëz më 1970, 7.Hfz. Hevzi Nuhiu, i lindur më 1954, mbaroi për hafëz më 1971, 8.Hfz. Hajrullah Mehmeti, i lindur më 1953, mbaroi për hafëz më 1967, 9.Hfz. Orhan Ademi, i lindur më 1972, mbaroi për hafëz më 1984, 10.Hfz. Llukman Ibrahimi, i lindur më 1977, mbaroi për hafëz më 2001, 11.Hfz. Merjeme Aliu, e lindur më 1979, mbaroi për hafëz më 1997, 12.Hfz. Muzafer Ramadani, i lindur më 1978, mbaroi për hafëz më 2006 dhe 13.Hfz. Suad Shabani, i lindur më 1990, mbaroi për hafëz më 2005.
3.3.Persomalitete të shquara të fesë islame
Përveç hivzit, Presheva ka qenë e njohur si qendër me zë edhe për personalitete të shquara të fesë islame që kanë lënë gjurmë jo vetëm në Preshevë e rrethinë, por edhe më gjërë. Këtë radhë do t’i paraqesim disa ish-dijetarë të njohur-ixhazetli që me punën e tyre kanë lënë në një trashëgimi të pasur, që ende kujtohet me pietet e respekt jo vetëm në Preshevë, por edhe gjetiu.

Muderris Hafëz Ali Ahmeti(1856-1952)
Myderriz Ejup Efendi Mustafa nga Gerajt mori ixhazetin në Stamboll. Vdiq në Preshevë në vitin 1945. Ishte myfti i Preshevës për rreth 15 vjet.
Muderris Hafëz Nexhati ef. Ahmedi (1910-1984)
Muderris hfz. Nexhati ef. Ahmedi është i lindur më datë 08.10.1910 në Prizren nga i ati muderris hfz. Ali ef. Rexhaiu dhe ëma Sabrija. Meqenëse babai i tij, muderris hfz. Ali ef. Rexhaiu ishte drejtor në Darul- mual-limin në Prizren dhe jetonte në këtë qytet pitoreskë të Kosovës, muderris hfz. Nexhati ef. Ahmedi pati fatin të lind aty dhe të jetonte deri në moshën tri vjeçare. Me largimin e Perandorisë Osmane nga territoret Shqiptare , i ati i tij , muderris hfz. Ali ef. Rexhaiu ishte kthyer së bashku me familjen e tij në Preshevë. Muderris hfz. Nexhati ef. Ahmedi rrjedh nga një familje qytetare me një histori të gjatë hoxhallarësh. Babai i tij hfz. Aliu kishte marrë ixhazetin në Stamboll të Turqisë. Edhe disa gjenerata të mëparshme të kësaj familje intelektuale kishin qenë jashtëzakonisht shumë të përgatitur në profesionin teologjik islam. Muderris hfz. Nexhatiu mësimet e para i kishte i marrë tek babai i tij hfz. Aliu gjë që qysh në moshën 10 vjeçare kishte kryer me sukses të plotë hifzin e Kur’anit Famë lartë . Pas nxënies përmendësh të Librit të fundit të Allahut xh.sh. , Kur’anit Famë lartë , ai vazhdoi mësimet prapë tek babai i tij duke mësuar sarfin , nahvin (morfologjinë , sintaksën) e gjuhës arabe , akaidin , tefsirin , hadithin , rregullat e jurispondencës islame , astronominë, irtifanë etj. Kur mbushi të pesëmbëdhjetat , dëshira e tij ishte që t’i vazhdonte studimet në ndonjë nga medresetë më të njohura të vendit. Pasi që i ati i tij , muderris hfz. Aliu ishte në një shoqëri të ngusht me drejtorin dhe muderrisin e Medresesë “Medah” në Shkup , hfz. Ataullah Kurtishin , ai edhe e dërgoi në medresën e tij në këtë qytet të njohur dhe me traditë të lashtë islame. Tanimë muderris hfz. Nexhatiu u regjistrua në medresenë “Medah” në Shkup si nxënës i gjeneratës së parë të kësaj vatre arsimore islame. Medreseja e “Isa Beut” zhvilloi një program të pëlqyer dhe kuadrot e saja dolën me bindje profesionale të pastra islame. Gjatë kohës sa ishte nxënës në Medresenë “Medah” në Shkup , muderris hfz. Nexhati ef. Ahmedi shfaqi dëshirën e flaktë për t’i vazhduar studimet e tija në Kajro të Egjiptit. Pasi që babai i ti hfz. Aliu kishte arritur që t’ia siguron disa mjete materiale me shitjen e një prone që kishte në fshatin Tabanoc të Komunës së Kumanovës , ai në vitin 1928 arriti të shkon në botën arabe për t’u regjistruar në Universitetin e mirënjohur të “EZ-herit”. Muderris hfz. Nexhati ef. Ahmedi një vit të plotë mori mësime në Universitetin “El-Ezher” të Kajros ku pati mundësi të dëgjonte ligjërata mjaftë të çmuara nga dijetarë të shumtë të atëhershëm të Egjiptit. Muderris hfz. Nexhatiu ,ndonëse kishte diapazon shumë të gjerë të diturisë , ai ishte mjaftë modest. Ishte i urtë , i durueshëm dhe mjaftë inteligjent. Përpos gjuhës amtare- shqipes , ai mjaftë bukur dhe rrjedhshëm njihte gjuhën arabe dhe gjuhën turke. Kishte njohuri të shumta në të gjitha degët e Teologjisë Islame. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kur të gjitha medresetë ishin mbyllur anëkënd vendit , e vetmja medrese që funksiononte , ishte ajo në Preshevë në të cilën muderris hfz. Nexhatiu përgatiste kuadrot e reja në të gjitha degët e mësimeve islame. Thuajse gjatë tërë kohës ai ndiqej nga ana e qarqeve shtetërore të okupatorit bullgar , ndërsa pas përfundimit të luftës , atë e ndiqnin pushtet mbajtësit komunistë. Përkundër të gjitha këtyre presioneve , ai arriti që të realizojë ixhazetin (diplomimin) e tri gjeneratave të nxënësve të Medresesë së Preshevës. Ai për çdo të premte , para namazit të xhumasë mbante ligjërata në xhaminë “Ibrahim Pasha” n Preshevë në qendër të qytetit , si dhe në Xhamiul-xhedid e cila gjendet afër Medresesë së Preshevës. Ai kishte dy vëllezër ,njërin teolog, Vasfi efendiun dhe tjetrin mësimdhënës të gjuhës frënge , zotëri Jahja. Nga familja e ngushtë kishte gruan , pesë fëmijë , tre nga ta vajza dhe dy djemë. Ai ishte kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë më se njëzet vite , ndërsa ishte edhe anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës gati në katër mandate. Muderris hfz. Nexhatiu punoi edhe si imam xhamie. Ai për tri vite radhazi shërbeu në këtë detyrë të ndershme në `` Xhamiul- Xhedid`` në Preshevë. Sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame , ai njëkohësisht mbante edhe titullin myfti. Në vitin 1969 lindi nevoja për ndërtimin e një xhamie në qytetin e Bujanovcit. Autoritetet e atjeshme komunale që udhëhiqeshin prej serbëve , kategorikisht refuzonin ndërtimin xhamisë në fjalë në Bujanovc. Duke parë dëshirën e madhe si dhe nevojën e patjetërsueshme për ndërtimin e një shtëpie të Allahut Fuqiplotë në këtë vend me shumicë shqiptare e që i përkisni fesë islame , muderris hafëz Nexhati ef. Ahmeti në cilësinë e myftiut jep leje për ndërtimin e kësaj xhamie në Bujanovc. Një vendim i këtillë i tij hasë në kundërshtim të haptë nga ana e autoritete komunale serbe. Pa u hamendur fare , ata ngritën aktpadi penale në Gjyqin e rrethit në Bujanovc , me ç’ rast hafëz Nexhati ef. Ahmeti dënohet me një vit heqje lirie. Me të dëgjuar për këtë aktvendim të padrejtë dhe tendencioz gjyqësor të shqiptuar ndaj tij , reagon Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me seli në Prishtinë dhe Rijaseti i Bashkësisë Islame të ish-RSFJ-së në Sarajevë. Nuk vonoi shumë dhe të sipërpërmendurit erdhën në Bujanovc ku ishte duke u zhvilluar ngjarja rreth ndërtimit të xhamisë. Atëbotë kryetar i Kryesisë ishte haxhi Haki ef. Ismajli , ndërsa reisul-ulema Sylejman ef. Kemura. Të irituar skajshmërish për një vendim të padrejtë të organeve të drejtësisë , autoritetet e Bashkësisë Islame ndërmorën të gjitha masat e nevojshme dhe pas kohe detyruan organet gjyqësore që ta ndërrojnë vendimin e marrë më parë dhe njëkohësisht liruan muderris hafëz Nexhati ef. Ahmetin si të pafajshëm nga dënimi njëvjeçar me burg. Muderris hafëz Nexhati ef. Ahmeti qëndroi në postin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë islame në Preshevë gjer në vitin 1984 kur edhe ndërroi jetë më datë 22 shkurt. Ai ishte edhe anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me seli në Prishtinë në tri mandate radhazi dhe atë që nga viti 1972 e deri në vitin 1983, kur për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u tërhoq nga Kryesia për t’ia lëshuar vendin ndokujt i cili do të ishte në gjendje që në mënyrë më funksionale ta kryente këtë detyrë . Ishte për të një moment shumë i vështirë për t’u tërhequr nga përbërja disa vjeçare e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Muderris hafëz Nexhati ef. Ahmeti ishte mjaftë modest. Ai ishte i këndshëm në shoqërim të njerëzve pa marrë parasysh se a ishin ata pleq apo të rinj. Ai i parapëlqente mjaftë shakatë. Ishte mjaft i shoqëruar. E kishte zakon që gjatë natës të lexonte literaturë islame deri në orët e hershme të mëngjesit. Në një rast kur për kureshtje djali i tij i vogël e kishte pyetur se sa kishte lexuar nga Kur’anoteka e tij e pasur , ai atij i ishte përgjigjur se “deri më tani tërë këto libra i kam lexuar nga dy (2) herë , ndërsa tani jam duke i lexuar për së treti”. Hf. Nexhati ef. Ahmedi vdiq më datë :22 shkurt të vitit 1984 në Preshevë duke lënë pas vete shumë nxënës ,dijetarë dhe veprimtari të bujshme në teologjinë islame .Ai la pas një kur’anotekë mjaftë të pasur me libra të llojllojshëm .i thuajse gjatë tërë jetës së tij , ai dha potencialin e fundit për përhapjen e fjalëve së Allahut të Lartë madhërishëm dhe ato të të Dërguarit të Tij , Muhammedi alejhis-selam.
Hafëz Lutfi Ahmeti(1904-1981)
I lindur në Preshevë, më 1904, në një familje arsimdashëse. Ai ka pasur arsimim fetar. Hfz Lutfi Ahmeti hoxhë i shkolluar, karrierën e mësuesit e filloi në vitin 1946 në shkollën fillore shqipe në lokalet e Medresesë së re, te Xhamia e Poshtme në Preshevë bashkë me mësuesit Fejzi Ahmeti nga Lotovica, Kadrije (Qerimi) Kelmendi, Demirali Ibrahimi, Shukri e Hilmi Qerimi dhe Mehmet Jusufi. Por, profesionin e mësuesisë e ushtroi deri në vitin 1956, pastaj vazhdoi të ushtrojë detyrën e hoxhës. Punën e vazhdoi si imam i Xhamisë së Vjetër, Ibrahim Pasha, në qendër të qytetit dhe myfti në Preshevë. Me titull ishte Hafëz. Hafëz Lutfi Ahmeti ishte njohës i mirë i rrethanave politike, kulturore, arsimore të Preshevës e më gjerë. Sipas djalit, Sylejman Ahmetit, librat e Ofiqarisë i mbajti deri pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht më 1947/48 i dorëzoi në Ofiqarinë e komunës së Preshevës. Hafëz Lutfiu ishte ndër themeluesit e LKpÇB dhe veprimtar i denjë i kësaj Lëvizjeje atdhetare. Bënte pjesë në parinë e Preshevës dhe gjithmonë ishte prezent sa herë që bisedohej apo vendosej për Preshevën. Në jetë ishte me profesion hoxhë i xhamisë, por edhe dashamir i këngës, valles dhë humorit. Me nje fjalë bohem i kohës.Vendndejat më të mira të tija me parinë e Preshevës dhe shokët ishte Kafja e Xhavit Qorrit te lumi, pronë e Abdullah Haxhi Velisë, rruga e Gjilanit dhe berberhania e Qani Ramadanit. Aty mblidheshin kryesisht burrat e parisë së Preshevës, ku bisedonin për rrethanat politike dhe shoqërore të Preshevës e më gjerë. Në elitën preshevare bënin pjesë : Esat Aga, më vonë djali i tij Halil Aga, Adem Kamberi, Ymer Efendiu, Hafëz Beqiri dhe Abdullah Haxhi Veliu, te cilët shpesh rrinin në kafenë e Xhavit Qorrit, te lumi, pron e Abdullah Haxhi Velisë, ku bisedonin për rrethanat politike e shoqërore dhe bënin muhabet për përditshmërinë preshevare. Atyre i bashkangjitej edhe ndonjë tjetër si Hafëz Lutfi Ahmeti e tjerë. Jetoi dhe vdiq në Preshevë në shtator të vitit 1981.
Mulla Nuredin Maxhera (1902-1969)
Mulla Nuredin Maxhera u lind më 1902 në fshatin Maxhere të Malësisë së Karadakut të Preshevës. Ai rrjedh nga një familje, e cila gjithherë punonte dhe vepronte në dobi të çështjes kombëtare. Qysh si fëmijë shquhej për nga zgjuarsia dhe urtësia, kështu duke i parë këto tipare, babai i tij e dërgoi në shkollë. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse Medresenë në Gjilan, dhe atë me sukses të shkëlqyeshëm. Kështu dhe u bë hoxhë. Pas kryerjes së Medresesë kthehet në vendlindje dhe emërohet imam për fshatrat e Karadakut të Preshevës dhe Gjilanit, si Sllubicë, Gare, Maxhere, Bukoc, Gosponicë etj. Ndërkaq, shërbimin fetar e kryente me një ndërgjegje të lartë si prijës fetar, por ishte edhe atdhetar i devotshëm. Vepronte e punonte së bashku me popullin kundër zaptuesve të huaj dhe hyzmeqarëve të tyre, si gjatë LNÇ-së dhe pas saj. Kështu, hoxhës i doli zëri në tërë Malësinë e Karadakut, si patriot i shquar e prijës fetar i mirë. Andaj, edhe populli i kësaj ane e donte dhe e çmonte shumë. Mosmarrëveshjet dhe ngatërresat ndërmjet bashkëkombësve I gjykonte pa kompromis. Ai ishe i vetëdijshëm se këto punë çojnë ujë vetëm në mullirin e armikut. Për këtë, ai ishte zgjedhur si Kryeplak i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në këto treva. Lufta Nacional Çlirimtare, e cila u zhvillua krijoi rrethana të reja për popullatën e kësaj treve. Presheva me rrethinë, përsëri mbeti nën tutelën e huaj. Fshati Maxhere, si dhe tërë zona e Karadakut, mbetën nën okupimin bullgar. Duke qenë gjithnjë i kërcënuar për likuidim dhe shfarosje nga okupatorët sllavë, ai me tërë familjen detyrohen ta braktisin vendlindjen dhe të shpërngulet në Anamoravë të Gjilanit, pikërisht në fshatin Përlepnicë, i cili në atë kohë i takonte Shqipërisë. Ai këtu qëndroi plot tri vjet. Mirëpo, aktivitetin i tij patriotik për asnjë moment nuk e ndali. Me një urti të madhe, krijoi dhe ofroi rreth vetes miq, dashamirë e patriotë të shumtë të kësaj ane. Kishte miqësi të ngushtë me patriotin e shquar Zeqë Vërbanin nga Vërban i Vitisë, i cili gjatë një përleshje të armatosur me fashistët italian kishte rënë heroikisht. Veten e kishte shpaguar me vrasjen e një oficeri të lartë italian dhe plagosjen e disa të tjerëve. Gjithashtu, Hoxhë Maxhera kishte miqësi të mirë edhe me patriotët tjerë, si Ramiz Cërnicën, Feriz Llashticën, Ymer Kelmendin, Elmaz Budrikën dhe shumë patriot të asaj kohe. Por, pas përfundimit të luftës dhe largimit të okupatorëve bullgarë, italianë e të tjerë, nga këto troje shqiptare, synimi për vetëvendosjen e popullit shqiptar nuk ishte realizuar, sepse lufta e shqiptarëve kundër fashizmit ishte tradhtuar nga të ashtuquajturit "komunistë jugosllavë". Kështu Hoxhë Maxhera, duke parë se komunistët kishin tradhtuar idealet e tyre për vetëvendosje të popullit shqiptar, ai nuk u dorëzua, por vazhdoi aktivitetin e tij kundër tradhtarëve të popullit shqiptar. Organizonte takime të fshehta nëpër oda dhe u shpjegonte drejt popullit, se është i tradhtuar gjatë kësaj lufte, dhe se nuk u realizuan përpjekjet e tyre kombëtare. Ishte tepër i mllefosur për tradhtinë e vendimeve të Konferencës së Bujanit, që për shqiptarët ato konsideroheshin si vendimtare për luftën e zhvilluar ndaj okupatorëve. Ky patriot kurrë nuk u pajtua me pushtetin e instaluar nga shqiptarofolësit komunistë, dhe atë e quante okupues. Edhe njëherë vendlindja e tij mbeti nën sundimin serb. Pa hezituar fare anëtarësohet në një organizatë revolucionare për bashkimin e trojeve shqiptare me mëmën Shqipëri. Këtë organizatë e kishin formuar në vitin 1960 patriotët dhe intelektualët e shquar Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha. Me plotë dëshirë pranon të aktivizohet dhe merr përsipër organizimin e grupeve në rajonin e Karadakut. Kështu u bë njëri ndër veprimtarët më të mirë të kësaj organizate. Veprimtaria e tij kishte hasur në përkrahje të popullit të kësaj ane dhe ishte shumë afër qëllimit, që të organizonte popullin për mbrojtje dhe vetorganizim. Mirëpo, pushteti okupues sllavo-komunist, duke e hetuar rrezikun që i kanosej nga kjo organizatë, u ra në gjurmë dhe me policë e agjentë të shumtë, organizuan arrestimin e tij. Organizatorët e kësaj organizate zbulohen, ndërsa, Hoxha arrestohet nga xhandarët dhe njerëzit e UDB-ës. Kështu, ai arrestohet dhe dërgohet në burgun hetues të Vranjës. Në burg qëndroi, siç i ka hije një burri dhe patrioti të madh. Gjatë hetimeve, asnjëherë nuk ra në kurthet e UDB-shëve dhe gjakpirësve të popullit shqiptarë. Qëndroi burrërisht pa e zbuluar dhe rënduar asnjë bashkëpunëtorë. E nxorën para Gjykatës së Vranjës vetë të tetin. Pos Hoxhës, të akuzuar ishin edhe Ali Xhelili nga fshati Ilincë, Fevzi Aliu nga Presheva, Tefik Haxhia nga fshati Gerajt, Zahir Sakipi nga Golemidoli, Nuredin Aliu nga Presheva, Jetish Jetishi nga Depca dhe Hetë Ajdini nga fshati Sefer i komunës së Preshevës. Të gjithë këta kishin vepruar veçmas pa pasur lidhje me te. Pas katër-pesë ditë gjykimi, ai do të shpallet fajtor dhe do të dënohet me tetë vjet burgim të rëndë së bashku me shokët e tij. Hoxhë Maxhera-Karadaku, pas një sëmundje të shkurtër dhe të rëndë, pas përfundimit të burgut në qershor të vitit 1969 vdiq në fshatin e tij Maxhere, aty ku kishte dashur të pushonte përgjithmonë.
Mulla Fejzullah Salihu (1920- 2010)
Mulla Fejza u lind më 1920 në fshatin Geraj, në një familje me tradita dhe kulturë fetare. Prindërit e tij ushqenin dashuri të madhe ndaj fesë, andaj edhe kjo dëshirë e tyre bëri që birin e tyre ta orientojnë për studimin e Shkencave Fetare- Islame. Vlen të potencohet se Mulla Fejza këtë përkrahje e kishte edhe nga Mulla Ejup efendi Mustafa, Myftiu me renome të madhe në këto troje. Myftiu që për njëzet vite me radhë kishte përfunduar studimet në Stambollin e famshëm të Perandorisë Osmane të asaj kohe. Mulla Fejza ixhazetin e mori në Medresenë e Myderrizit të shquar të kësaj ane, Hafëz Nexhati efendi Ahmedit, ku e përfundoi në vitin 1952 Pas përfundimit të punëve fillonte udhëtimin në këmbë nga fshati Geraj për në Preshevë, në mënyrë që të merrte shkence dhe dituri tek alimi dhe myderrizi i mirënjohur Hafëz Nexhatiu. Pas përfundimit të mësimit sërish kthehej në këmbë për në fshat. Ky fshat nuk është shumë afër me Preshevën, ai është thuaja 12 km larg Me vite të tëra organizoi shkuarjen në Haxh, gati njëzet vit me radhë u mundësoi haxhinjeve që të udhëtojnë për në Haxh. Gjatë këtij udhëtimi, ai nuk lodhej, gjatë tërë rrugës vazhdonte t`ju shpjegonte atyre rregullat fetare. Ata që udhëtonin me te do të dëshironin që sërish të udhëtonin, sepse për secilin send u shpjegonte në detaje. Pas vetes la edhe një numër të madh talebesh, duke filluar nga djali i tij Mulla Vahid Salihu, Mulla Shenasi Fejzullahu, Mulla Xhemali i Rainces, Mulla Qemal Hebibi, Mulla Nijaziu i Bilacit, etj. Në fund edhe e përgatiti për hifz Hafëz Llukman Ibrahimin, i cili e përfundoi hifzin (mësimin përmendësh të Kur`anit) në vitin 2001. Gjatë gjithë kohës së tij ai merrej me studime, ishte nga ata dijetare që e pasonte fjalën e Pejgamberit a.s. : “Kërkoni diturinë nga djepi e gjer në varr”. Ishte njohës i shkëlqyeshëm i Fikhut (Jurisprudencës Islame), madje nga njohësit e thellë i cili mund të garonte me dijetarët me renome botërore. Po ashtu ishte njohës i shkëlqyeshëm i gramatikës së Gjuhës Arabe, sintaksës dhe morfologjisë (nahv dhe sarf), tefsirit (shkencave te Kur`anit), hadithit (fjalës, veprave dhe punëve të Pejgamberit a.s.), faraizit dhe mirasit (shkencës së ndarjes së trashëgimisë), Usuli Fikhut (Hyrje në Shkencat e Jurisprudencës Islame), Akaidit (apologjetikes Islame), Ahlakut (Moralit Islam), Texhvidit (Rregullat për leximin e Kur`anit), Historisë Islame, Historisë së Pejgamberit a.s., e Historisë Osmane, Gjuhës Osmane, Gjuhës Perse, ngjarjeve dhe tregimeve të shumta Islame që i tregonte me shumë vullnet pa përtesë dhe me dashuri Në çdo tubim (mexhlis) që bëhej në Luginë të Preshevës, nuk ishte e mundur që aty të mos ishte prezent Hoxha, alimi, myderrizi dhe imami i shquar Mulla Fejzullah efendi Salihu. Madje kur ai ndodhej prezent nuk e bënte askush pos tij lutjen përfundimtare (duanë përmbyllëse) të kelimes, mevludit, Hatmes.Namazi i xhenazes së tij u fal të premten (20 gusht 2010), në namazin e xhumasë, në fshatin e lindjes së tij, në Geraj.
Mulla Nazmi Mehmeti(1927-
Mulla Nazmi Mehmeti u lind më 04.02. 1927 në Rahovicë. Mesimet e para fetare i filloi tek Muderriz Hafëz Nexhati ef. Ahmedi. Më vitin 1954 Mulla Nazmi Mehmeti e mori ixhazetin te muderriz Hafëz Nexhati ef. Ahmedi në Medresenë e Preshevës. Në këtë Medrese morën ixhazetin tri gjenerata të nxënësve (talebeve). Mësimet e një gjenerate zgjatnin 10 deri 12 vite. Ndër më të njohurit të cilët mbaruan mësimet (diplomuan) në Medresenë e Preshevës ishin : mulla Fejzullah ef. Salihu (Geraj-Preshevë) , mulla Ruzhdi ef. Emrullahu (Rahovicë-Preshevë), mulla Nazmi ef. Mehmeti (Rahovicë-Preshevë) , etj. Mulla Nazmi Mehmeti ishte njohës i gjuhës së vjetër turke, andaj edhe i ndihmoi Iljaz Rexhës, autor i librit:Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane, Prishtinë, 1978, u botua në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, në përkthimin e shumë dokumenteve, thotë Mustafë Mehmeti. Mulla Nazmi Mehmeti ishte një kohë të gjatë Imam në Xhaminë e Vjetër të Rahovicës, shërbeu disa vjet, kurse për Muajin e Shenjtë të Ramazanit shërbeu në Miratoc, Sllupçan, Rahmali, Corroticë, etj. Jeton në Rahovicë.
Hafëz Zihni ef. Ahmedi(1933-2009)
Hafëz Zihni ef. Ahmeti u lind më 1933 në Preshevë, në një familje me tradita të shquara fetare- kulturore dhe arsimdashëse. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa ixhazetin- studimet e tija i mori pranë doajenit të njohur të trojeve të Anamoravës Myderriz- Hafëz Nexhati ef. Ahmedi. Ky studim i tij zgjati më shumë se 20 vite me radhë, gjë që do ta shoqërojë deri në vdekje. Ka qenë njohës i mirë i arabishtes, turqishtes, osmanishtes dhe boshnjakishtes. Në moshën 12 vjeçare fillon hafëzllëkun pranë babait të tij hoxhës dhe diplomatit të shquar Hafëz Lufti ef. Ahmedit dhe nënës së tij të mpreftë Hafëz Emine Ahmedi. Me sukses të dalluar e mbaron këtë mision brenda një kohe shumë të shkurtër, mision i cili do ta shoqëroje gjatë gjithë jetës së tij deri në vdekje madje dhe në çastet e fudnit të jetës së tij. Prej asaj kohe fillon të punojë Imam në Xhaminë qendrore të "Ibrahim Pashës" në Preshevë, detyrë të cilën e zbatoi me përpikmëri deri në moshën e tij të shtyrë, pra punoi 50 vite imam i palodhur. Nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë u shpërblye me shpërblimin "Imam i Dalluar". Veproi dhe punoi në kohën më të vështirë, në kohën e errët të komunizmit duke lënë pranë vetes një sërë veprash dhe aktivitetesh të frytshme fetare. Ishte i vetmi hoxhë i cili përkundër kërcënimeve, ndjekjeve dhe sharjeve të ndryshme nuk e la pas mësimin e Kur'anit fëmijëve. Nxënësit e tij e përkujtojnë me mall punën e tij të palodhur dhe me bereqet. U shqua edhe për zërin e tij melankolik dhe shumë të bukur, i njihte të gjitha mekamet, këndonte shumë bukur edhe Kur'an edhe ezan. Gjithashtu me përpikmëri dhe përkushtueshmëri të madhe zbatoi detyrën e shenjtë të imamit, madje duke kujtuar xhemati i tij se ai nuk kishte munguar në asnjë namaz të sabahut, qoftë në borë apo në shi, në frymë e furtunë. Ishte nga ata imam që gjatë muajit të Ramazanit ua lexoi Kur'anin mukabele të mbyllur. Ishte hafëz, jo vetëm me fjalë por hafëz me vepër dhe mund. Fjala e tij përputhej me vepër. Ai u shpërngul për në Xhennet e pas vetes la një sërë talebesh që e lexojnë Kur'anin në saje të tij. Gjithashtu i la edhe pesë fëmijët e shkolluar. Jetoi dhe vdiq në Preshevë, më vitin 2009.
4.Dëmet e shkaktuara nga lufta
Për dëmet e shkaktuara në Luftën e fundit, sekretari Jahja Ahmeti thotë: “Gjatë luftës së fundit të zhvilluar në Kosovë, në komunën e Preshevës janë dëmtuar këto xhami: Xhamia e Caravajkës, Xhamia e Vjetër në Miratoc dhe Xhamia e Tërnavës.Mirëpo, pas përfundimit të luftës, ato u rindërtuan me vetëkontributin e besimtarëve-thotë sekretari Jahja Ahmeti.Këto tri xhami që janë cekur më lartë se janë demoluar gjatë luftës, fill pas lufte janë rinovuar më 1999, me përjashtim të Xhamisë së Caravajkës, e cila është rinovuar në vitin 2000. Po disa xhami u shkatërruan edhe nga koha, të vjetra dhe të pa renovuara apo edhe nga dora e njeriut.
Xhamia në Bushtran-e ndërtuar 1820
5.Mësimbesimi në xhami dhe shkolla
5.1.Mësimbesimi në xhami
Nga aktiviteteve më të rëndësishme që vlen të përmenden, në Preshevë, është mbajtja e mësimbesimit me të rinjtë thuajse në të gjitha xhamitë, ku janë shënuar rezultate të lakmueshme. Mësimbesimi normalisht zhvillohet thuajse në të gjitha xhamitë e KBI-së të Preshevës. Në këtë fushë praktikohet një traditë e kamotshme dhe kjo falë përkushtimit të imamëve, si dhe gatishmërisë së prindërve që fëmijët e tyre të njihen me rregullat themelore të fesë islame. Gjatë mësimbesimit, përveç njohurive themelore, nxënësve u mësohet edhe leximi i Kuranit famëlartë, pastaj fikhu, texhvidi dhe pjesa e pare e akaidit. Xhamitë në të cilat mbahet mësimbesim i rregulltë: Xhamia e Raincës, me 28 nxënës, Xhamia e Vjetër në Rahovicë, me 21 nxënës, Xhamia e Tërnavës, me 15 nxënës, Xhamia e Vjetër në Miratoc, me 24 nxënës, Xhamia e Bukurocës, me 20 nxënës, Xhamia e Bushtranit, me 17 nxënës, Xhamia e Ibrahim Pashës në Preshevë, me 38 nxënës, Xhamiul-xhedid në Preshevë, me 26 nxënës, Xhamia Ebu Bekr Essiddik, me 35 nxënës, Xhamia e Çukarkës, me 15 nxënës, Xhamia e Zhunicës, me 21 nxënës, Xhamia e Leranit, me 14 nxënës, Xhamia Strezocit, me 18 nxënës, Xhamia e Vjeter Geraj, me 22 nxënës, Xhamia e Re Geraj, me 22 nxënës, Xhamia e Golemidollit, me 17 nxënës, Xhamia e Shoshajës, me 12 nxnënës dhe Xhamia e Stacionit hekurudhor, me 15 nxënës. Në Xhaminë e Ilincës mbahet mësimbesimi sezonal dhe numri i nxënësve është 15.
5.2. Mësimi fetar në shkolla
Lënda e mësimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Preshevës ka nisur të aplikohet qysh nga viti shkollor 2001/2002. Mësimdhënësit e lëndës fetare për territorin e komunës së Preshevës emërohen nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame të Preshevës . Arsimtarët e lëndës fetare “Ilmuddin” në procesin arsimor llogariten si të barabartë me mësimdhënësit e shkollave. Nxënësit mësojnë nga librat që nga origjinali në shqip i përkthen Këshilli i Bashkësisë Islame i Preshevës dhe njëkohësisht Këshilli përkujdeset për botimin e tyre. Nga arsimtarët e lëndës fetare “Ilmuddin” në procesin mësimor në shkolla fillore janë të inkuadruar gjithsej 10 teologë, ndërsa në Gjimnaz dhe në Shkollën e Mesme Teknike tre profesorë zhvllojnë lëndën e mësimit fetar.Lënda “Ilmuddini” është lëndë e zgjedhur , prandaj për nxënësit e klasës së parë fillore deklarimin e bëjnë prindërit e tyre , kurse nxënësit e klasës së pestë fillore dhe ata të gjimnazit deklarohen individualisht nëse dëshirojnë të mësojnë lëndën emësimit fetar”Ilmuddin”.Është konstatim i përgjithshëm se lënda e mësimit fetar në komunën e Preshevës ka ndikuar mjaftë pozitivisht në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj.