IMAZHI I OTOMANËVE NË BALLKAN: SHEMBULLI I KOSOVËS

 

 
 
 

 

Një prej temave, që bëri bujë në rendin e ditës së Kosovës gjatë muajit gusht 2011, ishte debati lidhur me imazhin osman dhe atë turk në librat e historisë së Kosovës. Shkaktare të këtij debati ishin fjalët se, "shprehjet negative për otomanët dhe turqit duhet të hiqen nga librat mësimorë të historisë në Kosovë", thënë nga Ministri i Arsimit Kombëtar të Turqisë, Omer Dinçer, gjatë kontakteve zyrtare që ai zhvilloi në këtë vend. Në vijim të kësaj u publikuan shumë artikuj vlerësues të marrëdhënieve turko-shqiptare, madje kjo gjë u bë temë diskutimi edhe nëpër transmetime të drejtpërdrejta radio-televizive. Edhe pse kishte nga ata që e vlerësonin pozitivisht pozitën e shqiptarëve brenda Shtetit Osman, nëpër shkrime dhe debate zunë vend kryesisht shprehje të mbushura plot me gabime dhe shtrembërime historike në lidhje me otomanët. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu, i cili në datat 26-27 gusht shkoi për vizitë zyrtare në Kosovë, përcolli mesazhin se historianët kosovarë duhet të çlirohen nga historiografia e luftës së ftohtë dhe ajo ideologjike.

Shqiptarët kishin një pozitë të privilegjuar në Shtetin Osman. Me përvetësimin e islamit interesat e shqiptarëve u bashkuan plotësisht me interesat dhe vazhdimësinë e Shtetit Otoman. Sipas Bilal Shimshirit, 28 prej sadrazamëve (kryeministrave), që i kanë shërbyer Shtetit Osman, kanë qenë me origjinë shqiptare. Historiani Dennis P. Hupchick tërheq vëmendjen se në periudhën otomane nuk kishte arsye, të cilat mund të bënin të domosdoshme kryengritjen e përgjithshme të shqiptarëve. Ndërsa historiani i famshëm për Ballkanin, Noel Malcolm mbron mendimin se, themelimin e shtetit të pavarur shqiptar në periudhën përpara vitit 1878 e kërkonin kryesisht shqiptarët me banim jashtë vendit. Nga ana tjetër, Charles dhe Barbara Jelavich theksojnë se, deri në vitin 1912 shqiptarët nuk kanë kërkuar pavarësi nga Perandoria Otomane dhe janë mjaftuar me kërkesën për autonomi. Sipas tyre, prijësit shqiptarë, të shqetësuar nga fakti se vendet fqinje mund të pushtonin tokat shqiptare, nuk e shikonin të arsyeshëm copëtimin e Shtetit Osman. Dhe në të vërtetë mes atyre, që u prekën më shumë nga procesi i shpërbërjes së Perandorisë Otomane, bëjnë pjesë edhe shqiptarët.

Kur në procesin e ndërtimit të kombit modern shqiptar u zgjodh zhvillimi i një identiteti shqiptar Perëndimor, akademikët shqiptarë filluan ta rishkruajnë historinë e tyre duke e filtruar atë nga e kaluara osmane. Kështu në librat shqiptarë të historisë u zhvillua armiqësia otomano-turke. Siç thotë Noel Malcolm, asokohe historianët shqiptarë nisën të pasqyrojnë si pjesë të luftës nacionalçlirimtare nga Perandoria Osmane madje edhe disa kryengritje, të cilat organizoheshin vetëm për të protestuar rritjen e taksave, apo ofiqarët shtypës. Me ndikimin edhe të shqetësimeve ideologjike,  shkrimi i historisë vijoi në këtë linjë edhe gjatë periudhës komuniste. Në botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është e mundur të lexohen edhe sot e kësaj dite artikuj, ku osmanët quhen fanatikë dhe intolerantë. Në këtë kontekst zënë vend edhe opinione, që pretendojnë se në Shtetin Otoman shqiptarët janë shtypur nën peshën e taksave të rënda, u janë rrëmbyer të drejtat më themelore të njeriut, madje edhe se janë masakruar barbarisht. Historia e rishkruar në këtë linjë në Shqipëri, pa kaluar shumë u përvetësua edhe në Kosovë.

Në fakt, historia e Perandorisë Osmane, e cunguar dhe e shtrembëruar nga realiteti, nuk u shpjegohet vetëm shqiptarëve, por në përgjithësi të tëra vendeve ballkanike. Megjithëse Turqia i vlerëson si pozitive marrëdhëniet e saj historike me Ballkanin, popujt dhe qeveritë ballkanase mund ta konceptojnë ndryshe historinë e përbashkët në fjalë. Për më tepër, disa rrethe nacionaliste në Ballkan kanë tendencë të akuzojnë periudhën otomane madje edhe për disa fatkeqësi, gabime dhe dështime, që përjetohen sot në vendet e tyre.

Këto paragjykime në drejtim të Shtetit Osman mund të shpjegohen nëpërmjet 2 faktorëve themelorë. Së pari, në shekullin e 19-të popujt ballkanas kanë qenë të ekspozuar ndaj ndikimeve të patriotizmit romantik etnik të Perëndimit. Atdhetarët romantikë ballkanas, jo vetëm që luajtën një rol të suksesshëm në formimin e identiteteve të tyre kombëtare dhe në ngjalljen e dëshirës për pavarësi, por në të njëjtën kohë përgatitën edhe terrenin për komentimin e historisë osmane në mënyrë të shtrembëruar nga realiteti. Së dyti, mund të thuhet fare mirë se kujtesa kolektive e popujve nuk arrin të shkojë shumë pas, pra nuk është shumë e gjatë dhe e fortë. Dihet që popujt e Gadishullit Ballkanik, për sa i takon periudhës otomane, në memorien e tyre ruajnë më të freskëta kujtimet lidhur me shekullin e 19-të dhe fillimin e atij të 20-të. Mirëpo në të vërtetë, gjatë harkut kohor të sipërcituar lajthitjet administrative dhe trazirat e brendshme nuk ndodhnin vetëm në Ballkan, por në të gjitha vendet e Shtetit Osman, madje ato ishin më të përhapura në Anadoll.

Nëse u bëhet një analizë përmbajtjeve të librave mësimorë të historisë, që janë pjesë e kurrikulës së shkollave në Ballkan, mund të vihet re se përgjithësisht për otomanët nuk flitet me paanësi, për sa u takon çështjeve të kontestuara nuk u jepet vend opinione alternative, madje përdoren shprehje me përmbajtje nacionaliste dhe ndonjëherë fyese. Ndonëse kështu, në libra mund të ndihen edhe shqetësimet ideologjike-politike të autorëve. Nga ana tjetër, duket fare qartë se periudha e Perandorisë Otomane në Ballkan trajtohet më shumë nga aspekti ushtarako-politik, ndërsa jetës shoqërore, kulturore dhe fetare të Shtetit Osman nuk i kushtohet vendi i merituar. Por në të vërtetë, për ta rrëfyer historinë otomane në mënyrë më objektive, duhet të studiohen edhe jeta socio-kulturore, struktura familjare, sistemi arsimor, marrëdhëniet midis grupeve shoqërore dhe atyre ndërmjet institucioneve dhe grupeve fetare, që vazhdojnë të ekzistojnë ende sot në Ballkan. Për aq kohë sa historia otomane do të trajtohet vetëm nga prizmi ushtarak dhe ai politik, lexuesit ballkanas nuk do arrijnë dot të mësojnë se në shoqërinë osmane kishte tolerancë fetare, në periudhën otomane janë restauruar kisha të panumërta dhe tema të tjera si këto. Si përfundim, sipas kriterit të drejtësisë, gjatë shkrimit të historisë në Ballkan duhet zhvilluar një këndvështrim më i ekuilibruar lidhur me osmanët. Për të arritur këtë, duhet t'u kushtohet vend hulumtimeve më tërësore dhe më gjithëpërfshirëse në lidhje me periudhën e Perandorisë Otomane.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme