(Islami në Perëndim)
Muslimanët në Perëndim janë viktimë e stereotipeve për shkak të traditës së tyre fetare dhe kulturore, janë të përjashtuar, stigmatizuar dhe diskriminuar nga shoqëria.
Rrëfimet për pranverën e “vonuar arabe” nuk kanë të ndalur. Kjo vonesë sa e befasishme aq ishte edhe e pritur, madje e pritur në ankth prej shumë kohësh.
Disa individë e grupime këto ndryshime në botën arabe i vlerësuan kryesisht “të qeta” e disa të tjerë i vlerësuan të dhunshme e të përgjakshme. Kryesisht të qeta u vlerësuan trazirat në Tunizi e Egjipt, kurse të dhunshme e të përgjakshme ato në Libi, Jemen, Siri, Bahrejn etj. Sido që t’i komentojmë, nga cilido kënd që t’i observojmë, pa dyshim ato e befasuan botën dhe hapën një shteg të ri, një dritare të re të shpresës për të varfrit e të përndjekurit, për politikanët dhe intelektualët.
Provë për këtë befasi (të pritur, respektivisht të dëshiruar) janë mediet e shkruara dhe elektronike, takimet zyrtare por edhe të tjera në Lindje dhe në Perëndim, kudo, si ndër muslimanët, si ndër jomyslimanët. Është bindje e shumicës së opinionistëve dhe analitikëve se qytetarët e atyre vendeve pas ndryshimeve të bëra apo atyre që priten të bëhen do të shijojnë më shumë liri, më shumë lëvizje të lirë dhe më shumë shtet juridik.
Mirëpo, si të arrihet kjo gjendje e bashkëpunimit, e mirëkuptimit, e kalimit të pushteteve në mënyrë të qetë është sfidë për vetë botën muslimane por edhe për evro-perëndimin. Gjendja në Libi, Siri, Jemen, Arabi Saudite, Marok e vende të tjera nuk jep shumë shpresë. Madje, këtyre ditëve të fundit (maj 2011) Mbretërit arabë të Arabisë, Bahrejnit, Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Omanit dhe Katarit, liderët e Vendeve të Gjirit, janë mbledhur këto ditë në Riad të Arabisë Saudite, dhe i bënë thirrje edhe mbretërve të tjerë arabë, atij të Jordanit dhe Marokut për t’u bashkuar me klubin dhe aleancën e tyre kundër vullnetit të popujve të tyre. Kjo çon në përfundim se nuk priten zgjidhje fatlume dhe funksionale politike, por barrikadim në pasurinë e tyre dhe në forcën e tyre, e cila për fat të keq, menaxhohet nga qendrat e ndikimit.
Por raportet dhe fërkimet aktuale muslimane-perëndimore nuk bënë t’i shikojmë dhe përkufizojmë vetëm nëpërmjet krizës aktuale arabe-muslimane, e cila në fakt mund të zgjasë, por duhet t’i shikojmë edhe në dritën e gjendjes së muslimanëve në evro-perëndim dhe në dritën e raporteve të tyre me popujt vendës, e që numri i tyre (muslimanëve) më nuk është për përbuzje e shpërfillje.
Edhe pse Evropa deklarativisht pohon se asgjë nuk ka kundër Islamit dhe muslimanëve, edhe pse Këshilli i Evropës në maj të vitit 2010 në raportin me titull Islami, islamizmi dhe islamofobia në Evropë, pohon se Evropa me shekuj ka qenë shtëpi për muslimanët dhe se qytetërimi islam i ka kontribuar kulturës evropiane, megjithatë deklaratat praktike, si duket të vërteta, të liderëve evropianë në raste të ndryshme dhe refuzimi i Turqisë, Kosovës dhe deri vonë Bosnjës dhe Shqipërisë të hyjë në Bashkësinë Evropiane, bëjnë që muslimanët në Evropë të ndihen të izoluar, të stigmatizuar, të diskriminuar, të shpërfillur. Madje, gjendja e tyre përkeqësohet në skajshmëri sa herë që ndonjë individ nga muslimanët deklaron apo vepron kundër (?!) “interesave” evropiane. E tërë kjo bëhet për shkak të përkatësisë fetare dhe tradicionale të muslimanëve. Ky ritëm i islamofobisë po rritet dita ditës dhe mund të vërehet sidomos në disa mediume apo parti të djathta në Danimarkë, Holandë, Francë, Zvicër, Austri etj. Madje, edhe në Suedi, si vend stabil muslimanët nga ministri për integrim, Henrik Emilson, quhen regjim nacist (Nazi Regime = sipas: http://www.euro-muslim.com/En_u_news_Details.aspx?News_ID=385).
Raporti i fundit vjetor i Zyrës së Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), të dt. 16 qershor 2011, thotë se “racizmi nuk është më i kufizuar vetëm në disa segmente të shoqërisë; edhe politikanët e moderuar po përdorin gjithnjë e më shpesh argumente ksenofobike e anti-muslimane dhe se shpallin referendume kundër atyre që nuk janë shtetas të atij vendi dhe kundër pakicave fetare. "Vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme për të luftuar këtë prirje. Duhet bërë më shumë" lexohet në raport ku kërkohen goditje legjislative për të mund të kryer akte më të vendosura kundër krimeve raciste.” (http://www.shqiptariiitalise.com/component/content/article/35-te-jetosh-ne-itali/1401-keshilli-i-europes-rritet-racizmi-shtohen-politikanet-ksenofobe.html)
Ky ritëm tmerrues tregon ndër të tjera se Evropa edukon dhe mëson brezat e rinj në drejtim të kundërt me nevojat e Evropës. Në vend që shembujt të merren nga e kaluara e mirë, nga koha e mësimit, ajo nxit banorët e saj duke marrë shembuj nga heronjtë fantazmë që i ka prodhuar vetë, si tipi i Al-Kaidës dhe nga këto raste krijon histori. Hiç individët në Evropë, Evropa nuk e njeh Islamin dhe muslimanët, Evropa e përbaltë dhe injoron çdo gjë jashtëevropiane pagane-kristiane (evro-centrizmi), andaj edhe nuk ka elemente të një mirëkuptimi eventual, respektimi vlerash. Por, ato pak figura në Evropë që përpiqen të vendosim ura mirëkuptimi, respekti të ndërsjellë, tolerance në diversitetin kulturor duhet të gjejnë më shumë hapësirë në mediume të shkruara, elektronike dhe vizuale.
Sipas disa të dhënave statistikore, numri i muslimanëve në Evropë është rritur ndjeshëm. Edhe numri i muslimanëve të arsimuar në Evropë është rritur. Ata më nuk janë kryekëput fuqi krahu, por edhe mjekë, profesorë, sportistë të vyeshëm etj. Përqindja e tyre në disa vende ka arritur mbi 5% dhe është numër që duhet respektuar. Nëse Evropa do të vazhdojë t’i shoh muslimanët si armiq potencialë e jo ura lidhëse dhe elemente konstruktive me pjesët tjera muslimane, kjo është fatkeqësi dhe vazhdim i inateve mesjetare inkuizicionale, kryqëzatore etj.
Në anën tjetër, Organizata e Konferencës Islame (OKI) promovon bashkëpunimin dhe paqen botërore, stabilitetin dhe pajtueshmërinë, sigurinë dhe zhvillimin. Kjo organizatë ofron plan vizionar për shekullin që kemi shkelur, duke nënkuptuar përgjigjet e frytshme në sfidat nga jashtë.
Prandaj, Evropa do të duhej t’i përgjigjet ofertës së Konferencës Islame dhe të komunikojë me partnerët muslimanë; të fillohet me temat e përbashkëta, kurse temat e diskutueshme të izolohen për diskutim të mëvonshëm. Evropa po deklaron se është kundër islamofobisë por kjo nuk mjafton për ta hequr urrejtjen nga brendia e tyre. Duhet shumë punë: pastrimi i librave shkollorë, maturia e mjeteve të komunikimit e deri te paraqitjet e politikanëve, intelektualëve e sidomos gjuha e butë e kishave kristiane në Evropë dhe botë etj. Edhe muslimanët duhet ta luftojnë dhunën, urrejtjen kundër të tjerëve, qoftë edhe kur kanë të drejtë.
Të dyja grupet nuk bënë të shndërrohen në pengesa të mirëkuptimit, duke formuar barrikadime politike e kulturore, ekonomike dhe intelektuale, nuk bënë të bëhemi pengë të ekstremizmit të vetjak. Zgjidhja nuk duhet kërkuar në ndasi e pengesa por në parime të përgjithshme, në vlera universale. Nëse diversitetin kulturor e qytetërues nuk do ta shfrytëzojmë për një botë më të mirë, atëherë të drejtat dhe liritë njerëzore do të zbehen edhe më shumë.
Verbalisht ka shpresa për një të ardhme më fatlume. Këtë e premtoi edhe kryetari Obama kur e vizitoi parlamentin turk: “ShBA nuk kanë qenë as kurrë nuk do të jenë në luftë kundër Islamit ...”. Mirëpo në praktikë gjendja nuk ka ndryshuar. Nuk është punuar në heqjen e shkaqeve për këtë gjendje kurse deklaratat pozitive nuk kuptohen pozitivisht as nga optimistët më të mëdhenj.
Megjithatë, ndryshimet në vazhdim e sipër në botën arabe do të duhej të sillnin ndryshime si brenda vetë këtyre shteteve, ashtu edhe në raport me vetë Perëndimin. Ndoshta komunitetet muslimane brenda shteteve perëndimore do të mund të shërbejnë si modele të organizimit por edhe si urëlidhje ndërmjet dy botëve në konflikt të përhershëm me intensitet relativ. Në këtë aspekt duhet të ndihmojnë si institucionet shtetërore, si institucionet kulturore-shkencore, ashtu edhe individët e fuqishëm. Kjo qasje do ta çonte botën islame para kurse Perëndimit do t’i ofronte edhe një mundësi të largohet nga fryma inkuizicioniste dhe luftarake kryqtare dhe të nisë një kapitull të ri si për Perëndimin ashtu edhe për Islamin në Perëndim.