Laicizmi i individit
Shkruan: Redi Shehu
17 Gusht 2009, 13:52
Njëri kryeministër i Italisë dhe person me një bagazh dhe karrierë të madhe diplomatike, i njohur për qëndrimet e tija racionale dhe shpesh progresiste, në një quiz me logjikën e vet arrin në konkluzionin publik se shamia e muslimaneve është një e drejtë e tyre dhe se nuk përbën problem për integrim në shoqëritë perëndimore, me kusht që të mos mbulohet fytyra apo identiteti viziv i tyre. Tjetri një rektor i një Universiteti 2 muajsh si ai i Durrësit, akoma i ekzaltuar nga kolltuku i zyrës së tij, ndoshta duke mos ditur akoma vendndodhjen e auditorëve të tij, merr përsipër të interpretojë direkt apo indirekt Kushtetutën e Shqipërisë në lidhje me liritë dhe të drejtat e besimit, dhe në rastin konkret të frekuentimit të besimtareve muslimane në këtë universitet. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, nëse ky interpretim do të ndiqej nga një procedurë e mirëfilltë ligjore apo konsultim me dikasteret e Ministrisë së Arsimit. Apo edhe me vetë Avokatin e Popullit për të parë nëse ligjshmëria dhe vlefshmëria e Kushtetutës Shqiptare ishte cënuar apo jo. Problemi i rektorit Kukeli qëndron në atë se reagimi i tij, pa u futur në bindjet dhe pozicionin e tij fetar sepse kjo është pjesë e jetës private të tij, u bë i menjëhershëm dhe i pakonsultuar. Me këtë rektori i ri shpalosi disa minuse ne marrëdhëniet tij si me institucionet eprore po ashtu edhe me faktin se ai nuk e paska konsideruar çdo student të këtij Universiteti si qelizë jetësore në trupin e dijes kombëtare. Sepse po të ishte kështu brutaliteti dhe mënyra e përjashtimit të një studenteje do të ishte gjëja e fundit. Në qendrat e mëdha botërore të dijes në Universitetet prestigjioze kudo në botë për të përjashtuar një student është një sipërmarrje goxha e madhe. Ajo do të duhej të bëhej nëse studenti kishte thyer rëndë rregullat jo vetëm të Universitetit por edhe më gjerë, ndërsa botëkuptimi fetar dhe veshja e tillë nuk përbën thyerje të ndonjë rregulloreje. Preambula e Kushtetutës së Shqipërisë fillon me frazën “ … me besim te Zoti…” si duket kushtetutën zt. Kukeli duhet ta ketë hapur , nëse e ka hapur, nga faqja e fundit. “ Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë,me përgjegjësi për ëe ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqënien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, Vendosim këtë Kushtetutë:” Mbi bazën e kësaj preambule rrjedhin logjikisht të gjitha nenet e Kushtetutës pikërisht për të garantuar qëllimin e saj. Që pastaj bëhet më e qartë ë nenet mbi të drejtat dhe liritë e besimit, shkollimit etj. Pra laiciteti i shtetit është diçka relative sepse edhe vete dokumenti themeltar tregon që populli shqiptar i futet një sipërmarrjeje të tillë siç është ndërtimi i shtetit kushtetues së pari me besimin te Zoti. Shihet qartë së natyrshmëria religjioze e popullit shqiptar është krenare për historinë dhe me përgjegjësi ka vendosmërinë për të ndërtuar të ardhmen kushtetuese. Pra asesi kjo kushtetutë e ndërtuar dhe duke pasur si burim natyrshmërinë religjioze të shqiptarëve nuk mund t’i kthehet kundër vetë burimit të saj, aq më tepër pastaj kur flasim për një besim të caktuar siç është ai Islam. Prandaj zt. Kukeli kur dëbonte studenten muslimane nga e drejta për dije, mund t’i jetë referuar kujtdo burimi, por kushtetutës shqiptare, jo. Autonomia e universiteteve është autonomi në konteksin qeverisës dhe për rrjedhojë edhe atë kushtetues, pra nuk mund të pretendohet se në emër të autonomisë së universitetit ta kalojmë fenomenin nga laicizim i shtetit në laicizim të individit, kjo do prodhonte imponim të bindjes dhe për pasojë kthehet në paraprirëse të shkëlqyer të diktatit. Pas periudhës së gjatë komuniste qasja e jonë ndaj gjithçkaje religjioze shoqërohej nga paragjykime, frikë dhe qëndrime kundërshtuese, sepse konsiderohej një trup i huaj në një shoqëri post ateiste. Ndërsa qasja ndaj besimeve të tjera pësoi ndryshime ajo ndaj besimit islam mbeti më e ngurtë e ndikuar kjo nga një propagandë dhe makiazh i shëmtuar që shpeshherë me pa të drejtë i vishej këtij besimi. Mbulesa e femrës muslimane nga një kostum dhe krenari kombëtare që shpesh herë mbushte sallonet e ekspozitave apo faqet e albumeve të historisë së Shqipërisë, apo shoqëronte ato dokumentarë të vjetër filmikë të gërvishur në bardh e zi, u kthye në “shfaqje e huaj” për shoqërinë shqiptare dhe objekt sulmi shpesh herë institucional. Shamia e besimtares muslimane nuk është një shall i vendosur në kokë në një ditë me erë të fortë veriu të cilin mund ta heqë kurdo, ajo është pasqyra e shpirtit të besimit, e devotshmërisë. Me shallin femra muslimane zbulon vlerat më të mira morale duke zbatuar një nga obligimet kryesore të fesë së cilës ajo i përket. Ndaj edhe kërkesa për ta hequr atë është kërkesa për të fshirë identitetin e saj. Universitetit shqiptare por edhe institucionet e tjera arsimore praninë e një vajze muslimane me shami në kokë, përveç se duhet ta konsiderojnë sit të drejtë themelore personale të saj, duhet ta kenë si shembull për të ndikuar në një rini shumë të shkujdesur përsa i përket veshjes.