Vlera e disa sureve ne Kur`an

Në këtë temë, do të sjellim disa hadithe të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem në lidhje me vlerën e disa sureve dhe ajete të caktuara në Kur`an, por para se të përmendim hadithet rreth këndimit të disa sureve të Kur`anit, do të përmendim mendimet e disa dijetarëve në lidhje me prioritetin e disa sureve të Kur`anit ndaj disa të tjerëve. Konkretisht, a mund të ketë përparësi mes sureve të Kur`anit, apo a ka në Kur`an sure më të vlefshme se të tjerat?

Në lidhje me këtë problematikë, në literaturën përkatëse, hasim në disa mendime të dijetarëve, siç vijojnë:

 

Nuk ka përparësi:

 

Një grup i dijetarëve mohojnë mundësinë, që disa sure të jenë më të vlefshme se të tjerat, por ato thuan se të gjitha janë të njëjta dhe kanë shpërblim të lexohen. Pasi përcjell Abdullah b. Mes`udi se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Kur`ani, ai ka një të mirë, e çdo e mirë shpërblehet me 10 të tilla, nuk them elif-lam-mim shkronjë, por glif shkronjë, lam shkronjë, mim shkronjë”.1

Të këtij mendimi janë Ebu Hanifja, Ebu Hasan esh-Shariu, Ebu Bekër Bakilani, etj.

Argumentet e tyre për këtë çështje janë se, mu ato hadithe që bëjnë fjalë për përparësi të një sure ndaj një tjetre, kanë kundërshtim në mes vete. P.sh. në një hadith thuhet se Fatihaja është sure më madhështore, kurse në hadith tjetër thuhet se sure Bekare është më madhështore. Bile, disa dijetarë, të cilët përfaqësojnë këtë mendim, shkojnë aq larg, saqë thonë se hadithet e tilla, që flasin për prioritet të sureve njëra ndaj tjetrës, janë të falsifikuara.

Në librin e Zerkeshiut, kemi këtë mendim: sa për hadithin e Ubej b. Ka`bit, në lidhje me favorizimin e disa sureve janë të falsifikuara. Në të njëjtin libër, më poshtë është shënuar edhe kjo: Kur e kanë pyetur Nuh bin Ebi Merjem se nga i sjell ai hadithet që i transmeton Ikrime nga Ibën Abbasi r.a. në lidhje me përparësinë e disa sureve, ai është përgjigjur: Unë i shihja njerëzit duke u larguar nga Kur`ani dhe leximi i tij, e u merreshin me fikun e Ebu Hanifes dhe me historinë e Muhamed b. Is`hakut, atëherë i solla këta hadithe me qëllim që t`ua tërheq vëmendjen njerëzve kah Kur`ani”.2

Argument tjetër i këtij grupi është se nëse ne u japim përparësi disa sureve ndaj tjerave, atëherë bëjmë degradimin e disa sureve. Kjo gjë nuk është e logjikshme për shkak se të gjitha suret janë fjalë e Allahut xhele shanuhu.3

 

Grupi i dytë heshtin për këtë çështje:

 

Një grup tjetër i dijetarëve  heshtin në lidhje me këtë problematikë, e nuk kanë dhënë asnjë vlerësim. Këtë qëndrim e përfaqësojnë Ahmed b. Hanbeli, Ibn Abdul Berri dhe Is`hak b. Mensuri.

Ibn Abdul Berri thotë: Kur është pyetur Ahmed b. Hanbeli për vlerën e sures Ihlas (Kul huvallahu ehad), se ajo e ka vlerën e 1/3 së Kur`anit, se çka mendon? Ai nuk është përgjigjur!.4

 

Ka përparësi:

 

Një grup i dijetarëve thonë se ka përparësi të disa sureve ndaj disa tjerëve, pasi vet Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i ka dalluar. Të këtij mendimi janë Ebu Hamid Gazaliu, imam Kurtubiu, Zerkeshiu, imam Sujutiu, etj. Këta thonë se hadithet në këtë temë janë të vërteta, pasi i gjejmë nëpër koleksionet e haditheve.5  Edhe ky mendim është mendimi më i zgjedhur dhe më i njohur në mesin e dijetarëve.  Andaj në vazhdim do të sjellim hadithe të sureve të cilat kanë vlerë të veçantë dhe prioritet në lexim.

 

Sureja el-Fatiha

 

Sureja Fatiha është sureja e parë e shënuar në Kur`an. Me të fillon Kur`ani.

Këtë kaptinë e ka ngritur vetë Allahu në shkallë të lartë, pasi sipas disa komentuesve, ajeti 87 i sures Hixhër, flet për suren Fatiha, po ashtu, e ka praktikuar Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe e lexojnë besimtarët, pasi Allahu xh.sh. e ka caktuar që gjatë ditës, në çdo namaz, gjatë çdo rekati farz të lexohet 17 herë, dhe në sunete, të lexohet kjo sure në 40 rekate, ne e lexojmë vazhdimisht.6

Transmeton Ibn Abbasi r.a. se: “Në një rast, derisa tek i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ishte Xhibrili, u dëgjua një kërcitje. Xhibrili shikoi drejt qiellit dhe tha: “Kjo është për shkak hapjes së një dere të qiellit, e cila nuk është hapur asnjëherë. Pastaj shtoi: Prej atje zbriti një melek, që i erdhi të dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Sihariq, për dy drita që të janë dhënë ty, e nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para teje: “Fatihatul Kitab” dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare. Nuk do të ndodh të lexosh shkronjë prej tyre e mos të jepet ajo që ke kërkuar”7

 

Gjithashtu, Imam Hanbeli shënon në Musned prej Ebu Seid el-Mua`la r.a. që thotë: Isha duke u falur, kur më thirri i Dërguari a.s. mirëpo unë nuk ia ktheva përgjigjen derisa e mbarova namazin. Kur e mbarova, shkova tek ai e më tha: Pse nuk erdhe? I thashë: O i Dërguari i Allahut, isha duke u falur. Ai tha: A nuk ka thënë Allahu xh.sh.:O ju që keni besuar, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit...” (el-Enfal; 24); tha: Para se të dalësh prej xhamie, do të mësoj suren më madhështore në Kuran”. Pastaj më mori për dore dhe kur deshi të dal prej xhamie i thashë: Më the se do të më mësosh se cila është kaptina më madhore e kuranit? Ai tha:

“Po, kjo është Elhamdulilahi, kjo është shtatë të përsëriturat dhe Kurani që më është zbritur”.8

 

Transmeton Abdul Melik ibn Umejri i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Në suren Fatiha, keni shërim nga çdo sëmundje”.9  

 

Sureja Bekare

 

Sureja Bekare është kaptina më e gjatë në Kuran dhe është e dyta sipas radhitjes. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza, me të vërtetë Shejtani largohet (ik) nga shtëpia në të cilën lexohet surja Bekare”.10

 

Nga Ebi Emameh el Bahilij se ka dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ve selem duke thënë: “Lexoni Kur`anin, sepse ai në Ditën e Gjykimit do të ndërmjetësoj për lexuesin e vet, lexoni suren Bekare dhe Ali Imran, sepse këto dyja do të vijnë në Ditën e Kijametit si dy mjegulla apo sy dy tufa zogjsh që qëndrojnë përmbi lexuesin e tyre, lexoni suren Bekare, sepse kush e lexon ka begati, kush e braktis do të ketë dëshpërim, dhe atë nuk do ta prek e keqja (batale-sihri)”.11

 

Transmeton Sehël ibn Sa`di se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo gjë e ka majën e vet, kurse maja e Kur`anit është sureja Bekare, kush e lexon këtë sure në shtëpinë e vet në një natë, nuk hyn shejtani në atë shtëpi tri net, e kush e lexon këtë sure ditën, shejtani nuk hyn në shtëpinë e tij tri ditë”.12

 

Abdullah b. Burejde transmeton prej babait të tij, se kanë qenë ulur me të Dërguarin e Allahut i cili ka thënë: “Mësoni suren Bekare, sepse leximi i saj është bekim, lënia e saj është humbje dhe asaj nuk mund t`i bëjnë gjë magjistarët...”*

 

Ajeti Kursij

 

Ky ajet gjendet në suren Bekare, ajeti 255. Është një ndër ajetet i cili ngërthen në vete cilësitë e Allahut xh.sh.

Transmeton Ebu Ka`bi se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “O Eba Mundhir, a të mësoj një ajet nga Libri i Zotit e cila është më e madhja? Allahu la ilahe il-la huve hajjul Kajjum (Ajeti Kursij). O Ebu Mundhir, të uroj për dijen tënde. Pasha atë në Dorën e të cilit është jeta ime, ky ajet ka gjuhë dhe dy buzë që e madhërojnë Sunduesin te Arshi”13

 

Transmeton Esma bint Jezid b. Seken se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Në këto dy ajete (Fillimi i ajetit Kursij) dhe elif-lam-mim. Allahu La ilahe il-la huve hajjul kajjum (Ali Imran 1-2), është emri më i madh i Allahut”.14

 

Transmeton Ebu Umame se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Emri më i madh i Allahut me të cilin kur lutet i përgjigjet lutjes, gjendet në tri sure: Bekare, Ali Imran dhe Taha”15 (Te të tria këto sure fjala e përbashkët është Hajjul-Kajjum).

 

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e obligoj ta ruaj Zekatin e Ramazanit dhe një natë erdhi një njeri i cili morri pak ushqim. E kapa dhe i thash: Do të dërgoj tek i Dërguari i Allahut. Ai më tha: Lëshomë se unë jam nevojtarë, kam fëmijë dhe kam skamje të madhe. Tha: Unë e lëshova, kurse të nesërmen i Dërguari i Allahut më tha: O Ebu Hurejre, çka bëri pengu yt mbrëmë? Tha: Më tregoj për varfërinë, kurse unë pata mëshirë dhe e lëshova. I Dërguari i Allahut tha: Ai të ka gënjyer, prite se do të kthehet prapë sonte!...natën e tretë pasi e kapi, i tha: Sonte patjetër do të dërgoj te i Dërguari i Allahut, pasi thotë se nuk kthehesh, e ti përsëri kthehesh! Ai i tha: Më lësho, e unë do të mësoj disa fjalë, prej të cilave do të kesh dobi! Pyeti: Cilët janë ato fjalë? Tha: Kur të biesh në shtrat që të flesh, lexoje ajetul Kursijën deri në fund. Nëse ti e lexon këtë ajet, Allahu xh.sh. do të dërgojë një mbrojtës, që vazhdimisht do të mbrojë dhe nuk do të afrohet asnjë shejtan derisa të zgjohesh. Ebu Hurejra pas kësaj e lëshoj dhe të nesërmen, përsëri e pyeti njëjtë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e ky i tregoj ngjarjen, e ai i tha: “E ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtarë. Ai ka qenë një shejtan”.16

 

Po ashtu transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo gjë ka kurorën (kurora mbretërore që iu vendohet mbretërve në kokë) të vet,  e kurora e Kur`anit, është sureja Bekare, në të është një ajet, i cili është zotëria i tërë ajeteve kur`anore, ai është ajeti Kursijj”.17

 

Transmeton Ebi Umameh el Bahili se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon ajetin Kursij pas namazit, vetëm vdekja e ndanë prej Xhenetit”.18

 

Abdullah b. Hasen bin Aliu ka transmetuar se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush lexon Ajetin Kursij pas namazit të obliguar, do të jetë nën mbrojtjen e Zotit deri në namazin vijues”.19

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Në një shtëpi ku lexohet Fatihaja dhe ajeti Kursij, atë ditë nuk do të pësoj askush nga shikimet e liga të njerëzve apo xhinëve”.20

 

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon ajetin Kursij dhe fillimin e sures Gafir (ajetin 1-3) nuk do të sheh diçka të keqe të cilën e urren derisa të flejë, e kush i lexon ato kur të shkoj të flejë, nuk do të gjej keq derisa të zgjohet”.21

 

Buhariu transmeton thënien e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem: ”Kur shkoni në shtrat për të fjetur, lexoni Ajetin Kursij deri në fund, në mënyrë që Zoti të jetë në mbrojtjen tuaj dhe që shejtani të mos ju afrohet deri në mëngjes”.

 

Dy ajetet e fundit të sures Bekare

 

Dy ajetet e fundit të sures Bekare, apo të njohura në mesin e popullatës sonë si “Amene Resulu”.

Nga Ibn Mesudi transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare në mbrëmje,  do t`i mjaftojnë”.22

 

Transmeton Ibn Abbasi r.a. se: “Në një rast, derisa tek i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ishte Xhibrili, u dëgjua një kërcitje. Xhibrili shikoi drejt qiellit dhe tha: “Kjo është për shkak hapjes së një dere të qiellit, e cila nuk është hapur asnjëherë. Pastaj shtoi: Prej atje zbriti një melek, që i erdhi të dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Sihariq, për dy drita që të janë dhënë ty, e nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para teje: “Fatihatul Kitab” dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare. Nuk do të ndodh të lexosh shkronjë prej tyre e mos të jepet ajo që ke kërkuar”23

 

Sureja Ali Imran

 

Sureja Ali Imran është sureja e tretë sipas radhitjes në Kur`an.

Uthman ibn Affani r.a. ka thënë: “Kush e lexon fundin e sures Ali Imran në mbrëmje, do t`i shkruhet atij sikur me pas falur namaz nate”.24

Tregohet se një person lexoj para Abdullahut suren Bekare dhe Ali Imran, e ai i tha: Lexoni këto dy sure në të cilat gjendet emri më i Madh i Allahut, i cili nëse i lutesh me të, do ta pranoj, e nëse kërkon me të, do të jepet”.25

Më lartë e cekëm hadithin në të cilin përmendet se do të ndërmjetësoj sureja Bekare dhe Ali Imran dhe do të vijnë si dy hije mbi personin i cili i ka lexuar. Shih hadithin te pjesa e vlerës së sures Bekare.

 

Sureja Kehf

 

Sureja Kehf, është sureja e 18-të sipas radhitjes.

 

Nga Ebu Derda r.a. se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të sures Kehf, do të ketë mbrojtje nga Dexhalli, në një version tjetër thuhet dhjetë ajetet e fundit të sures Kehf”.26

 

Nga Sejid el Hudriju, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, ai do të ketë dritë në mes dy xhumave”.27

 

Transmetohet nga Halid b. Ma`dani se ka thënë: “Kush i lexon 10 ajete nga sureja Kehf, nuk do ta trishtoj Dexhalli atë”.28

 

Transmetohet nga Seid el Hudriju se ka thënë: “Kush e lexon suren Kehf natën e xhumasë, do t`i jepet atij nur (dritë) prej te ai deri në Bejtul Atik”.29

 

Transmeton Ebu Hashim se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon suren Kehf ashtu si ka zbritur, atij do t`i bëhet dritë në Ditën e Gjykimit”.30

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, nën thembrat e tij e deri në qiell do të shpërthej drita e cila do t`ia ndriçojë rrugën në Ditën e Gjykimit dhe do t`i falen mëkatet që i ka bërë ndërmjet dy xhumave”31

Sureja Jasin

 

Sureja Jasin është sureja e 36 sipas radhitjes.

 

Transmeton Enesi r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo gjë ka zemrën e saj, kurse zemra e Kur`anit është sureja Jasin, kush e lexon atë, është sikur të kishte lexuar Kuranin 10 herë”.32

 

Hasani r.a. ka thënë: Kush e lexon suren Jasin në mbrëmje, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut do t`i falen mëkatet atij dhe tha: Më është përcjell se ajo është e barabartë me tërë Kur`anin.33

 

Ka edhe disa hadithe të cilat flasin për vlerën e Jasinit, por nuk haset diçka e besueshme, andaj ato si hadithe llogariten të refuzuara. Ndër to, do të përmendim:

 

“Kush e lexon çdo natë suren Jasin dhe vdes, do të vdes si shehid”.34

 

“Kush viziton varret e prindërve të tij, apo njërit prej tyre ditën e xhuma, do t`i falen disa mëkate”.35

 

“Kush viziton varret dhe lexon suren Jasin, Allahu do t`u lehtësoj të vdekurve dhe do t`i shkruaj shpërblim sa është numri i të vdekurve”.36

 

“Lexoni suren Jasin të vdekurve tuaj”37

 

Sureja Duhan

 

Sureja Duhan është sureja 44 sipas radhitjes.

 

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon (Ha-mim) suren Duhan në mbrëmje, kur do të zgjohet duke kërkuar falje për të 70 mijë melek”.38

 

Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon (Ha-mim) suren Duhan natën e xhuma, do t`i falen atij (mëkatet)”.38

 

Sureja Vakia

 

Sureja Vakia`, është sureja 56-të sipas radhitjes.

 

Transmeton Abdullah b. Mes`udi se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e lexon çdo natë suren Vakia, nuk do t`a godet kurrë varfëria apo mjerimi”.39

 

Po ashtu, tregohet se kur Ibën Mesudi u sëmur, shkoi që ta vizitoj atë Uthmani r.a. e pyeti: çka të dhemb? Tha: Mëkatet e mia! A ke nevojë për diçka e pyeti! Tha: Për Mëshirën e Zotit tim! I tha: A të lë pjesën tënde për pasardhësit tu! Tha: Unë u kam mësuar atyre diçka, që nëse e thonë, asnjëherë nuk do t`i kap varfëria! E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem të thotë: “Kush e lexon çdo natë suren Vakia, nuk do t`a godet kurrë varfëria apo mjerimi”.40

 

Sureja Mulk

 

Sureja Mulk është sureja 67-të sipas radhitjes.

 

Nga Ibn Mesudi r.a. se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Sureja Tebarake (surja Mulk) është mbrojtëse nga dënimi i varrit”.41

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Është një sure një Kur`an, e cila ka 30 ajete, do të ndërmjetësoj për lexuesin derisa t`i falet, e ajo është sureja Tebareke (Mulk)”.42

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ai që lexon suren Mulk, ajo do të vijë dhe do të ndërmjetësoj për atë që e ka lexuar”.43

 

Transmeton Enesi r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Në Kuran ka një sure e cila do të ndërmjetësoj në favor të atij që e ka lexuar, derisa ta çoj në xhenet, ajo është Tebareke ledhi...”.44

 

Transmeton Ibni Abasi r.a. se një shok i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem e shtriu mantelin e tij në varr, duke mos e ditur se ai është varr dhe papritmas dëgjoj një njeri se si lexon suren Mulk duke e lexuar deri në fund, dhe erdhi te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe tha: i tregoj ngjarjen, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i tha: “Ajo sure largon dhe ajo suren e shpëton prej dënimit të varrit!”.45

 

Transmeton Ibni Abasi se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë për suren Mulk: “Do të kisha dëshirë që ajo të jetë në zemrën e çdo njeriu nga ummeti im”.46

 

Transmeton Xhabiri r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem nuk ka shkuar që të flenë para se të lexon suren Sexhde dhe suren Mulk.47

 

Transmetohet se Ka`bi ka thënë: “Kush e lexon suren sexhde dhe mulk, do t`i shkruhen 70 të mira, do t`i fshihen 70 mëkate dhe do të ngrihet 70 shkallë”.48

 

 

 

Sureja Kafirun

 

Sureja Kafirun është sureja e 109-të.

 

Transmeton Fervete b. Neufel nga babai i tij se ka qenë te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e ai i ka thënë: Pse ke ardhur? Kam ardhur që të më mësosh diçka, që ta lexoj para se të flejë! Tha: “Kur të shkosh te shtrati yt, lexo “Kul ja ejjuhel kafirun”, pastaj flejë, sepse ajo është mbrojte nga shirku”.49

 

Sureja Ihlas

 

Sureja Ihlas është sureja e 112-të sipas radhitjes.

 

Nga Ebi Seid el Hudriju se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë shokëve të tij: “A nuk dëshironi dikush prej jush  që të lexoni 1/3 e Kuranit brenda një nate? U habitën shokët dhe thanë: Kush mund që ta bëj këtë o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Kul Huvallahu ehad, Allahu Samed është 1/3 e Kur`anit”50

 

Transmeton Ebu Ejjubi r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A nuk ka mundësi dikush prej jush që të lexon 1/3 e Kur`anit në një natë? Kush e lexon “Kul Huvallahu ehad” ka lexuar 1/3 e Kur`anit”.51

 

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kul Huvallahu ehad, është e barabartë me 1/3 e Kur`anit”.52

 

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Isha duke ecur me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe e dëgjoj një njeri duke lexuar “Kul hu vallahu ehad” e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: I është bërë obligim! E pyeta: çka o i Dërguari i Allahut? Ai tha: “Xhenneti”...53

 

Nga Muadh b. Enesi dhe Sejjid b. Musejjebi se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush e lexon Kul Huvallahu Ehad dhjetë herë, do t`ia ndërtoj Allahu atij një shtëpi në xhenet. Kush e lexon atë 20 herë, do t`i ndërtoj atij dy pallate në xhenet, e kush e lexon 30 herë, do t`i ndërtoj atij 3 pallate në xhenet”.54

 

Sureja Felek dhe Nas

 

Sureja Felek është sureja e 113-të, kurse sureja Nas, është e 114-ta dhe e fundit.

 

Transmeton Ukbe b. Amir el Xhuhenij r.a. se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sonte më janë zbritur ajete të cilat asnjëherë më parë nuk janë zbritur! Sureja Felek dhe surja Nas”.55

 

Nga Aisha r.a.h. se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Me të vërtetë, kur Pejgamberi salallahu alejhi ve selem shkonte në shtratin e tij në mbrëmje, i bashkonte duart e tij dhe frynte në to, pastaj lexonte: Kul huvallahu Ehad, Felek dhe Nas, pastaj e prekte të gjithë trupin duke filluar prej koke, këtë e përsëriste tre herë”.56



1 Sunen Tirmidhi, kitab fadail Kur`an, bab 16, nr.2919;

2 Imam Zerkeshiu, “El-Burhan fi ulumil Kuran”, 1/232-233;

3 Xhelaludin es-Sujuti, “El-Itkan fi ulumil-Kur`an”, 2/158;

4 Xhelaludin es-Sujuti, “el-Itkan fi ulumil-Kur`an”, 1/160;

5 Xhelaludin es-Sujuti, “el-Itkan fi ulumil-Kur`an”, 1/69-70; Imam Zerkeshiu, “El-Burhan fi ulumil Kuran, 1/442-446;

6 “Fi Dhilal-il Kur`an”, Sejjid Kutub, Dunya Yayincilik, 1980, fq. 19;

7 Sahih; Sahih Muslim, kitab salatu mysafirin, bab 43, nr.806 dhe Nesaiu në Es-Sunen el-Kubra, vëll.V, f.12;

8 Sahih; Sahih Buhari, kitab Tefsir, bab 1, nr.4474 dhe kitab fadailul Kur`an, bab 9, nr.5006; Ahmedi, vëll.IV, f.211; Ebu Davudi, kitab salat, bab 15, nr.1458; Sunen Nesaiu, kitab salat, bab 26, nr.914 dhe Sunen Ibn Maxheh, kitab edeb, bab 52, nr.3785; Muvetta` Malik, kitabus-Salat, bab ma xhae fi ummil-kur`an, nr.182; Sunen Darimij, kitab fadailul Kur`an, bab 12, nr.3371; Ibn Huzejmeh në Sahiha, 2/38, hadithi nr.862; hadith i ngjashëm gjendet edhe në Sunen Tirmidhi, kitab fadail kur`an, bab 1, nr.2884 dhe thotë se është Hasenu-Sahih;

9 Zinxhiri i hadithit është i dobët, e transmeton Tirmidhiu në “Mishkat”, 1/667, nr.2170 përmes rrugës së Abdul Melik ibn Umejri si Mursel; Bejhakiu në “Shu`bul-Iman”, 2/450, nr.2370, kurse të dobët e ka vlerësuar Albani në “Daiful Xhami”, nr.3955;

10 Sahih; Sahih Muslim, kitab salatu mysafirin, bab 29, nr.780; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul kuran, bab 2, nr.2886; Musned Ahmed, nr.7826 dhe 8451; Nesaiu në “el-Kubra”, vëll.5, f.13;

11 Sahih; Sahih Muslim, kitab salatu mysafirin, bab 42, nr.804-805, Sunen Tirmidhi, kitab fadail kuran, bab 5, nr.2892; Musned Ahmed, nr.22.208 dhe 22.255; hadith të ngjashëm shënojnë edhe Ibn Maxheh në kitab edeb, bab thevabul kuran, nr. 3781; Ahmedi në Musned nr.352-361; Hakimi në Mustedrek, 1/560; Sunen Darimiju, kitab fadailul kur`an,  bab 15, nr.3391;

12 Ebu Kasim et-Taberani, vëll.VI, f.163; Ibn Hibbani në Sahiha, vëll.2, f.78;

* Ahmedi në Musned, vëll.5, f.352;

13 Sahih; Sahih Muslim, kitab salat mysafirin, bab 44, nr. 810; por te Muslimi nuk gjendet pjesa prej te “Pasha atë në dorën ...” Ahmedi në Musned, vëll.5, f.141;

14 Ahmedi në Musned, vëll.6, f.461; Ebu Davudi vëll.2, f.168; Tirmidhiu vëll.9, f.447 dhe Ibn Maxheh. Vëll.2, f.1267;

15 Taberaniu, vëll.8, f.282;

16 Sahih; Fet`hu-l-Bari, vëll.4, f.568; vëll.6, f.386 dhe vëll.8, f.672; Sahih Buhari, kitab fadailul Kuran, bab 10, nr.5010; tregim të ngjashëm por jo me Ebu Hurejren, por me Ebu Ejub Ensarijun që e përcjellin Ahmedi në Musned, vëll.5, f.422; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kuran, bab 3, nr.2889; i cili thotë është Hasen Garib;

17 Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kuran, bab 2, nr.2887; thotë Ebu Isa për këtë hadith: ky hadith është Garib, nuk e dimë përmes ndonjë rruge tjetër përpos prej Hakim b. Xhubejrit, dhe ka folur për të Shu`be dhe e ka konsideruar atë të dobët;

18 Ibën Hibbani me zinxhir Sahih; Nesaiu në Sunen El-Kebir 6/30, pasi Nesaiu për Husejn b. Bishër ka thënë se nuk është i keq kurse në vend tjetër se është i besueshëm; Taberani në el-Kebir, 8/114; Ibën Sunni në Amel jaum ve lejl, fq.43, nr.120; Hajthemiu në Mexhmea`z-Zevaid, 10/102-106; Ebu Neimi në Hilje 3/121, me zinxhir të mirë të transmetuesve, të cilin e transmeton nga Mugire b. Shu`be; e konsideron të dobët këtë hadith Ebu Ferexh ibën el Xheuziju; kurse Hafidh ibën Haxheri e ka konsideruar Sahih;

19 Taberaniu në Mu`xhem el Kebir; Hajthemi në el-Mexhmeu, 2/148; ky hadith përcillet edhe nga sahabë tjerë, por te të gjithë ekziston dobësi, por e forcojnë njëra tjetrën dhe vijmë në konkluzion se nuk është i falsifikuar.

20 Transmeton Dejlemiu;

21 Zinxhiri i këtij hadithi është i dobët, e ka shënuar Tirmidhiu në Sunen, kitab Fadailul Kuran, bab 2, nr. 2888, dhe thotë Ebu Isa: ky hadith është Garib; por te ky në vend të fjalës “nuk do të gjej keq” gjendet “do të jetë i ruajtur”;

22 Muttefekun alejhi; Sahih Buhari, kitab megazi, nr.4008 dhe kitab fadailul kuran, bab 9, nr.5008; Sahih Muslim, kitab salat mysafirin, bab 43, nr. 807-808; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kur`an, bab 4, nr.2890; Sunen Darimij, kitab fadailul Kur`an, bab 14, nr.3388; Musned Ahmed, nr.17.067 dhe 17.094;

23 Sahih; Sahih Muslim, kitab salatu mysafirin, bab 43, nr.806 dhe Nesaiu në Es-Sunen el-Kubra, vëll.5, f.12;

24 Sunen Darimij, kitab fadailul kuran, bab 16, nr.3396;

25 Sunen Darimiju, kitab fadailul Kur`an, bab 15, nr. 3393; Shih Sujutiju në Durr el Menthur, 1/19

26 Sahih; Sahih Muslim, kitab salat mysafirin, bab 44, nr. 809; Sunen Ebu Davud, kitab melahim, bab 14, nr. 4323; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kuran, bab 6, nr.2895; Sunen Darimij, kitab fadail kuran, bab 18, nr.3405; Nesaiu në el-Kubra, vëll.6, f.236; Ahmedi, vëll.5, f.196;

27 Sahih; Transmetojnë Hakimi në Mustedrek, vëll.2, f.36, Hakimi thotë se ky hadith është Sahih sipas zinxhirit, por Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë shënuar; e përcjell edhe Ebu Bekër el-Bejhakiu, në Sunen vëll.3, f.249;

28 Sunen Darimij, kitab fadailul kuran, bab 18, nr.3405;

29 Sunen Darimij, kitab fadail kuran, bab 18, nr. 3407; Bejhakiu në Shu`bul iman, 2/474, nr.2444; Hakimi në Mustedrek, 2/368, por thotë: Në mes dy xhumave; e konsideron atë Sahih sipas zinxhirit; thotë Dhehebiu: Neimi është Munker; Taberani në Evsat, 2/132, nr.1478; Hajthemiu në Mexhmu`a, 1/239;

30 Bejhakiu, vëll.3, f.249, po ashtu gjendet edhe në Tefsir Ibën Kethir, vëll.3, f.71;

31 Sahih; Hakimi 2/368; Bejhakiu nga Nuajm bin Hamadi si Merfu`; Musned Darimij 2/454;

32 Hadith Meudu`; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kur`an, bab fi fadli jasin, nr.2897; Ebu Isa thotë: Ky hadith është Hasenul-Garib, nuk e dimë përpos rrugës së Humejd b. Abdur-Rahmanit dhe Harun Ebu Muhamed, mësuesi i të cilit është i panjohur; Bejhakiu në Shu`bul-iman, 2/479; nr.2460; e ka refuzuar po ashtu edhe Sheukani në librin “Fet`hul-Kadir”, 4/503 dhe Sujutiu në Ed-Durr el Menthur, 5/256; po ashtu edhe Albani në Silsiletu-Daifeh, 1/169 dhe thotë se është Meudu`; e ka refuzuar edhe Ebu Hatimi;

33 E ka refuzuar Sujutiu në veprën “Durr el Menthur, 5/256;

34 Taberani në “Evsat” dhe “Sagir”, është i dobët shkaku i Seid b. Musa el Ezdij, i cili është gënjeshtarë, e kanë refuzuar këtë hadith Sujutiu, Hajthemiu dhe Albani;

35 E ka shënuar Ibën Adijj në veprën “Kamil” dhe Ibni Ebi Lejla në “Mekarimil ahmak”, ky hadith është i dobët shkaku i Amër ibën Zijad i cili gjendet si përcjellës i hadithit;

36 E shënon Thalebiu në Tefsirin e tij, por është i dobët, pasi në zinxhir të hadithit është Ejub ibën Mudrek, për të cilin Ibn Meini thotë se është gënjeshtarë, kurse Albani e vlerëson hadithin si të shpikur;

37 Daif; Sunen Ebu Davud, kitab xhenaiz, bab kiraetu indel mejjit, nr.3121; Sunen Ibën Maxheh, kitab xhenaiz, bab 4, nr.1448; Ahmedi në Musned, nr.19.790; Hakimi 1/753; Ibën Hibbani nr.3002; Bejhakiu 3/383; Ibën Ebi Shejbe 2/445; Bulugul Meram të Askalanit nr.559; Dija` el-Makdisiju; në zinxhir të hadithit gjendet Ebu Uthman, i cili është i panjohur; të dobët e kanë vlerësuar këtë hadith Darekutni, Neveviu, Ibën Haxher el Askalani, Albani dhe Shuajb Arnauti; Darekutni thotë se në këtë temë, nuk ka asgjë të vërtetë;

38 Sunen Tirmidhi, kitab fadail kuran, bab 8, nr.2897; Ebu Isa thotë: Ky hadith është Garib, nuk e njohim përmes ndonjë rruge tjetër përpos përmes kësaj; kurse Umer b. Ebi Hath`ami, është i dobët;

38 Sunen Tirmidhi, kitab fadail kuran, bab 8, nr.2898; Ebu Isa thotë: Ky hadith është Garib, nuk e njohim përmes ndonjë rruge tjetër përpos përmes kësaj; kurse Hisham ebu Mikdam është i dobët; si dhe nuk e ka dëgjuar hadithin Haseni prej Ebu Hurejres, kështu ka thënë Ebu Ejjubi, Junus b. Ubejdi dhe Alij b. Zejdi;

39 Bejhakiu në Shu`abul iman, 2/491, këtë hadith e llogarit të dobët Albani, në veprën “Silsile Daifa”, 289;

40 Po aty;

41 Sahih; Hakimi 2/498 dhe Ebu Nuajmi;

42 Hasen; Sunen Ebu Davud, kitab Salat, bab 10, nr.1400; Sunen Ibn Maxheh, kitab edeb, bab 52, nr.3786; Ahmedi në Musned, nr.7980; Tirmidhiu në Tuhfetul Ahfedhij, vëll.8, f.200; Nesaiu në el-Kubra, vëll.6, f.496;

43 Sahih, Sunen Darimiju, kitab fadailul kuran, bab 19, nr.3410 dhe Hakimi në Mustedrek 2/498;

44 Taberani në el-Evsat, vëll.4, f.391; po ashtu e përcjell edhe Hafidh Dija el Makdisiju;

45 Sahih, Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kuran, bab 9, nr.2899; thotë Ebu Isa Tirmidhiu se ky hadith është Hasen-Garib; diçka e ngjashme është edhe në Sunen Darimij, kitab fadailul kuran, bab 19, nr.3413;

46 Hadith i dobët, Bejhakiu nr.2507 dhe Taberaniu, nr.11.616;

47 Sahih li gajrihi; pasi zinxhiri i hadithit është i dobët, e ka shënuar Tirmidhiu në Sunen, kitab fadail kuran, bab suretul mulk, nr.2901; Buhariu në Edebul Mufred, nr.1207-1209; Musned Ahmedi, 3/340; Nesaiu në librin “Amelul jaumi ve lejl”, 707-708; të gjithë e përcjellin përmes Lejthit, e Lejthi është Lejth b. Selim, i cili është i dobët;

48 Sunen Darimij, kitab fadail kuran, bab 19, nr.3409; e ka refuzuar Sujuti në “Ed-Durr el-menthur”, 5/171;

49 Sahih; Sunen Ebu Davud, kitab edeb, bab ma jekulu inde neum, nr.5055; Sunen Tirmidhiu, kitab da`vat, bab 22, nr.3403; Sunen Nesaiu, kitab “amelul jaumi ve lejl”, nr. 801; Musned Ahmed, nr.5/456; Ibni Hibbani në “mevaridu dhemman”, 7/391, nr.3363; Sunen Darimij, kitab fadailul kuran, bab 23, nr.3427;

50 Sahih; Sahih Buhari, kitab fadailul Kur`an, bab 13, nr.5015; Sahih Muslim, kitab salat mysafirin, bab 45, nr. 811; Sunen Nesai, nr.995; Sunen Ebu Davud, nr.1461 dhe Sunen Darimij, kitab fadailul Kuran, bab 24, nr.3431; Ahmedi në Musned 3/35, nr.11324; Ibni Hibbani, nr.3/71, nr.791;

51 Sunen Tirmidhi, kitab fadailul kuran, bab 11, nr.2905; Ebu Isa Tirmidhiu thotë se ky hadith është Hasen;  Sunen Nesai, kitab salat, bab 69, nr.997; Musned Ahmed, 5/418, nr.23.444; Sunen Darimij, kitab fadailul kuran, bab 24, nr.3437;

52 Sahih; Sahih Muslim, kitab salat mysafirin, bab 45, nr. 812; Sunen Ibni Maxheh, kitab edeb, bab 52, nr.3787-89; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul Kur`an, bab 11, nr.2908-09 dhe Ahmedi nr.9540;

53 Sahih; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul kuran, bab fi suretil ihlas, nr.2897; Sunen Nesai, nr.994; Ahmedi në Musned, 2/535, nr.10.932; Hakimi në Mustedrek, 1/754, nr.2079;

54 Zinxhirin e ka të mirë, e ka refuzuar Ibën Kethiri në Tefsir, 5/608 dhe thotë se është Mursel; po ashtu edhe Kurtubiu në Tefsirin e tij, 20/246; Tebrizi në “Mishkatul Mesabih”, 1/669, nr.2185; Ahmedi në Musned;

55 Sahih; Sahih Muslim, kitab salat musafirin, bab 46, nr.814; Sunen Tirmidhi, kitab fadailul kuran, bab 12, nr.2911 dhe thotë se është Hasenu-Sahih; Sunen Ebu Davud, kitab Salat, bab 19, nr.1462, Sunen Nesai, kitab salat, bab 46, nr.955 dhe Ahmedi nr.17.305; Sunen Darimij, kitab fadailul Kuran, bab 25, nr.3441;

56 Muttefekun alejhi; Sahih Buhari, kitab fadailul Kuran, bab 14, nr.5017; Sahih Muslim, kitab selam, bab 20, nr.2192; Muvetta` Malik, vëll.2, f.942; Sunen Ebu Davud, vëll.4, f.220; Nesaiu në el Kubra, vëll.4, f.867 dhe Ibn Maxhe, vëll.2, f.1166;

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme