Në kthinat e blloqeve të pallateve stivosur mbi ish troje të gjelbërta apo në rrugicat e shtëpive përdhese të zgërlaqura nga gjigantët shumëkatësh, shpesh të bie rasti të shohësh grumbuj informalë adoleshentësh me qëndrime shkapërderdhëse të strukur nën kapuçët misteriozë në kokë, me lëvizje të papërcaktuara dhe merak-ndjellëse, që tymosin lëndë të çuditshme avujt e të cilave dehin gjithë lagjen. Grumbuj- grumbuj e tufa- tufa, në mënyre gati të nënkuptuar komunikojnë me njëri-tjetrin përmes ca kodesh të pazbërthyeshme injorance duke mbushur atë asgjënë e tyre ditore me miningjarje gallatash shoqëruar me vërrima e piskama zoologjike. Të përhershëm dhe të pazëvendësueshëm, mundësisht pranë dyerve të pallateve apo fillimrrugicave, janë kthyer në postoblloqet urbane të popullimeve heterogjene, të cilat kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme që jeta komunitare të vazhdojë ashtu pa ndonjë të re bezdisëse. Ditën në rrugë e natën në lloto, asgjëja e tyre përplotësohet përditë duke u kthyer në një pakuptimësi të madhe plot pikëpyetje e qorrsokake.
Kur sheh këtë taborr të rinjsh të cilët çuditërisht shtohen në mënyrë progresive, mundohesh t’i japësh një domethënie gjësë e cilat të kthehet përherë e më e komplikuar dhe meraku yt reduktohet vetëm në një proibicionizëm familjar ndaj fëmijëve të tu, në formën e një rregulli xhandarmërie mbi kohën e lirë dhe luajtjen në ambientet e përbashkëta të banimit. Kështu nga pamundësia për të ndryshuar realitetin e tjetrit, i kthehesh realitetit tënd familjar duke ngushtuar hapësirën e lirisë vetjake për t’i shpëtuar vrimave të zeza sociologjike që ndodhen poshtë këmbëve të tua dhe që përditë thithin pafund kontingjente të reja në format e tyre të pavetëdijshme. Kështu taborrit të individëve informalë me kapuç, i shtohen skuadriljet e interneteve, lokaleve të vrasjes së kohës me pagesë, llotove e basteve të paepura mbushur plot me gjenerata pëllitëse sa herë që një top i shkretë përpiqet të futet në rrjetë dhe kafeneve që të zënë pritë pas çdo kthese, mbushur me apati e tym, thashetheme e shpoti. Pa folur për ndonjë barakë ku mishi i zgarës fillon të ekzekutohet pasi një tharëse flokësh ka bërë kërdinë mbi ca mbetje qymyri që asfiksojnë të gjithë minibashkinë.
Dhe ti, pas një dite të lodhshme, apo pas një pushimi të shumëpritur, dëshiron vetëm të bësh një shëtitje këtu afërt pa i hipur ndonjë gjëje e të arratisesh në ishujt e blertë të periferisë, përballesh me një jetë getoje në të cilën ndihesh si banori i gabuar i lagjes së vjetër. Metamorfoza e saj në drejtim të paditur me prirje drejt së cekëtës të lë me gojë hapur. Ky proçes i tëhuajsimit vetjak brënda territorit tënd i cili përditësohet gradualisht duke prodhuar një realitet të huaj, e kthen jetesën në blloqet e banimit në një izolim kolektiv të detyrueshëm.
Rinia jonë, përfaqësuese e denjë e “Brezi X”, identiteti i së cilës luhatet përmes kristaleve të lëngshme të ekraneve të sheshta, është në kërkim të një mënyre të kollajshme suksesi e pasurie pa mund e dije, pa punë e përpjekje. Teksa kridhesh në rrugicat e kthinat e qyteteve tona plot me adoleshentë nën efektin e sedativëve mediatikë, e kupton se pozicionimi i duhur i një rinie në marrëdhëniet e saja me ambientin, me fqinjët, me prindërit me institucionet e arsimimit si dhe me çdo gjë tjetër të natyrshme në këtë botë, kthehet në një pamundësi konkrete. Si pauses të brezit të mëparshëm të goditur nga tajfune të njëpasnjëshme sociale, brezi i ri nuk po reflekton atë ndryshimin e madh të pritshëm të shoqërisë sonë drejt progresit, por aq më keq, vleravetë humbura të shoqërisë tonë në dekada po i shton antivlerën postmoderne të materializuar në mënyrën më të keqe të mundshme.
Të ndodhur në këtë kurth të ri social të ngritur nën këmëbët e secilit, nuk dallojmë bombën e madhe të brezit të ri e cila akoma e pa shpërthyer, afishohet frikshëm në realitetin tonë urban, dhe as që nuk e imagjinojmë valën e madhe goditëse që ajo mund të shkaktojë pas disa vitesh kur këta adoleshentë të transformohen në zotër të ca gjërave të rëndësishme dhe të reflektojnë gjithë atë kotësim të akumuluar ndër vitet e tyre të hershme të shkapërderdhjes vetjake.
Aktorët e sotëm socialë të cilët marrin pjesë aktive në formësimin e përceptimit publik, që nga mediat e deri tek gjyshërit që kanë hequr dorë nga nipërit për të luajtur atë dominonë e tyre ulur në letra kartoni në pritje të pensionit avullues, duhet të rimoralizojnë qëndrimet dhe mesazhet e tyre në raport me brezin e ri për të parandaluar shfaqjen e përbindshave aspak mitologjikë por që gjezdisin tek pragu i derës, të bëhen shkatërruesit e normave tona shoqërore e morale.