Diplomacia amerikane kundrejt shqiptarëve

-Ne sot duhet pasur kujdes nga tendenca e pseudo-historianëve komunist shqiptarë që i rishkruajnë veprat e tyre në atë mënyrë që i ndryshojnë interpretimet e mëparshme komuniste dhe i interpretojnë ata me një frymë anti-islame dhe pro-perëndimore. Ata pseudo-historian që deri dje ishin motori i propagandës së diktaturës, sot na dalin si pro-amerikanët më të mëdhenj dhe në kundërshtim me faktet historike dhe dokumentet e kohës, shkruajnë se pavarësinë e Shqipërisë në Kongresin e Parisit e siguroi ShBA-ja apo presidenti i saj Villson. Po ashtu nuk duhet pasur iluzione se Villsoni me programin e tij të famshëm prej 14 pikave për rendin e ri botëror kishte për qëllim çlirimin e popujve. Mos harrojmë që në Konferencën e Parisit ishte po Villsoni ai që detyroi Perandorinë Osmane të nënshkruaj Traktatin e Sevres, me çka Turqia thuajse u zhduk nga harta politike. Po ashtu ai detyroi delegacionin gjerman të nënshkruaj Traktatin e Versajit, si pasoj e së cilës miliona gjerman etnik u detyruan që pa asnjë të drejtë elementare të jetojnë  në shtetet e reja të formuara, gjegjësisht në Poloni dhe Çekosllovaki. Dhe më kryesorja për ne shqiptarët është se me pajtim të tij dhe të Senatit amerikan, Shqipëria Jugore iu dha Greqisë, Vlora iu dha Italisë, përderisa shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës mbetën nën Serbin (Mbretërinë SKS). Villsoni që donte të kapërcejë politikën izoluese të ShBA-së që prej kohës së presidentit Monro dhe doktrinës së tij, e filloi agresionin amerikan në politikën e jashtme me një politikë të re që dhe sot vazhdon; gjegjësisht asaj të drejtave të njeriut apo të drejtat e pakicave. Ai filloi të interesohej për të drejtat e pakicave në botë pasi i zhdukën pakicat në ShBA, gjegjësisht pas gjenocidit ndaj banorëve vendas (indianëve) dhe segregimit të vazhdueshëm ndaj zezakëve.

Villsoni edhe pse ishte president prej vitit 1913 deri në vitin 1921, ai nuk e njohu pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia e Shqipërisë nga ShBA-ja u njoh disa vite më vonë, pasi që atij i kishte kaluar mandati. Villsoni jo vetëm që nuk meriton që në historinë shqiptare të quhet shpëtimtari i Shqipërisë (pasi që nuk e njohu Shtetin Shqiptar), por përkundrazi ai mund të përmendet në historinë shqiptare si president që vulosi ndarjen e popullit shqiptar në rastin historik të Konferencës së Parisit. Ai në atë konference e verifikoi vendimin keqdashës të shteteve tjera evropiane për ta ç’farosur popullin shqiptar, me çka vërtetoi që nuk ndryshonte ShBA-ja nga shtetet tjera të krishtere. Pasojat e vendimit të tij, ne shqiptarët e Maqedonisë ende i vuajmë pasi që jemi të okupuar nga sllavët. Dëmi i veprimit diplomatik të tij ndaj shqiptarëve ishte i dyfishte, pasi që Villsoni u përpoq me gjithë fuqinë diplomatike që ta shkatërroj edhe Turqinë, duke formuar në tokë të saj Armenin dhe Greqinë e Madhe; në atë vend ku gjetën strehim qindra-mijëra refugjatë shqiptarë, dhe të cilëve iu ishte dhënë tokë në posedim për të filluar një jetë të re.

Do të duhej që të kalonin 80 vjet që ShBA-ja me fuqinë e saj diplomatike dhe ushtarake të përmirësonte pjesërisht një padrejtësi që iu bë shqiptarëve në Konferencën e Parisit.

Sot do të ishte e padrejtë që intervenimi amerikano-evropian në Kosovë i vitit 1999 mos të shpjegohet edhe nga një këndvështrim tjetër, përveç atij të shumë njohur se Amerika intervenon kudo për ta mbrojtur lirin. Është naive të besohet kjo teori përderisa jemi dëshmitar që në dekadën e fundit në emër të lirisë Amerika (ShBA-ja) ka shkaktuar vrasjen e 1 milion myslimanëve në botë.

Lufta në Kosovë ishte vazhdimësi e luftërave që ndodhën në vitet e 90-ta në territor të ish Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe në mes të Evropës ndodhën krime të papara që prej Luftës së Dytë Botërore.  Qytetarët e shteteve perëndimore por dhe lindore, tmerroheshin nga vrasjet masive të fëmijëve dhe grave në ish Jugosllavi. Ata këta ngjarje të tmerrshme për çdo ditë i lexonin në gazeta apo dhe i shikonin në lajme. ShBA-ja që kryesonte botën pas kolapsit të BRSS-së, ishte e vetmja fuqi botërore që mbahej përgjegjëse për tolerimin e këtyre masakrave në Evropë. Gjatë kësaj periudhe diplomacia globale ishte kthyer prej bipolare (ShBA&BRSS) në uni-polare (vetëm ShBA). ShBA-ja si ekonomi me industri më të zhvilluar në botë, duke shfrytëzuar forcën e saj arriti që ta shpartalloj BRSS-në. Ishte fati i shqiptarëve që në këtë periudhë të uni-polaritetit ShBA-ja të intervenonte për t’i mbrojtur edhe “parimet” e saja për liri dhe demokraci dhe të jepte një shembull për opinionin publik në Evropë, të cilët, afër një dekadë merreshin me luftërat në ish Jugosllavi dhe me fluksin e madh të refugjatëve që vinin nga këto vende. Në këtë periudhë, po ashtu ishte në proces bashkimi i Evropës Perëndimore të ndikuar nga Amerika me Evropën Lindore që tash më gradualisht largohej nga ndikimi rus dhe të cilët shprehnin gatishmërinë për tu anëtarësuar në NATO. Vlerat e përbashkëta “perëndimore” duhej të ishin bazë e këtij procesi të bashkimit, prandaj dhe çështja e Kosovës ishte një rast ku mund të shpreheshin vlerat perëndimore - që për bazë kanë lirin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kjo politik e vlerave të përbashkëta dhe teoria për një qytetërim të përbashkët perëndimor rezultoi më bashkimin e Evropës në vitet 2004/07 dhe anëtarësimin e atyre shteteve në NATO.

Do të ishte e padrejtë që mos të përmenden dhe interesat gjeopolitike të ShBA-së në Kosovë. Por që këta interesa për rastin e Kosovës nuk ishin arsyeja kryesore e intervenimit, sikur që është rasti në intervenimet që i ndërmerr ShBA-ja në shtetet tjera. Ashtu sikur që na mëson historia, Ballkani ka qenë një nga vatrat e dominimit rus shumë më herët se amerikanët të ndërhyjnë në çështjet evropiane. Mirëpo në vitet e 90-ta për shkak të trazirave politike dhe ushtarake u krijua një vakum të ndikimit në Ballkan nga shtetet e fuqishme. Prandaj dhe ShBA-ja e shfrytëzoi periudhën e kolapsit ekonomik të Rusisë për t’i instaluar bazat ushtarake në Kosovë por dhe në Bosnjë, si dhe instalimin e politikës pro-amerikane në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë. E gjithë kjo me qëllim të parandalimit të dominimit rus të Ballkanit, njëjtë sikur që e largoi dominimin e saj prej Evropës Lindore, duke i integruar ato shtete në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në Ballkan, ShBA-ja e arriti këtë duke formuar dy gjysmë-shtete vasale (Kosovë dhe Bosnjë) dhe duke i lënë ato të varur nga mbrojtja ushtarake e ShBA-së për të ekzistuar, si dhe duke e neutralizuar forcën ushtarake të Serbisë e cila ishte forcë rajonale. Por, ndikimi direkt amerikan në Serbi nuk zgjati shumë pasi që njësit speciale-policore serbe e vranë kryeministrin e tyre, të cilin e instaluan perëndimorët nëpërmjet ndihmës së dhënë financiare, mediatike dhe diplomatike.

Sukseset ushtarake nën kryesimin e ShBA-së në Ballkan po ashtu neutralizuar tendencën e Francës dhe Gjermanisë për formimin e një aleance ushtarake paralele në mes shteteve të Evropës me qëllim të largimit gradual të ndikimin amerikan nga Evropa, pasi që më ishte tejkaluar rreziku ushtarak sovjetik për Evropën.

Po ashtu nuk duhet nënvlerësuar edhe ndikimi kinez në Ballkan që filloi gjatë asaj periudhe. Dëshmi më e mirë për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kinës dhe Serbisë (Jugosllavisë) është fakti se gjatë viteve të ‘90-ta numri i banorëve kinezë në Beograd u shtua në disa mijëra. Kjo ishte si rezultat i interesave të Kinës për të gjetur një shtet mik në Evropë pasi që në fund të viteve të 70-ta i prishi marrëdhëniet me Shqipërinë. Kina gjatë asaj periudhe filloi që ta përdorte territorin e Serbisë (Jugosllavisë) si stacionim të ri të saj në Evropë. Ky afrim i Serbisë me Kinën kuptohet që nuk i konvenonte interesave amerikane, pasi që për Kinën mendohej me të drejtë se për disa dekada do të përfaqësonte ekonomin dhe forcën ushtarake më të madhe në botë. Prandaj dhe gjatë sulmit që iu bë Serbisë, një ndër caqet e para ishte edhe bombardimi i ambasadës së Kinës në Beograd. Me këtë sulm amerikanët ia dërguan mesazhin Kinës se prania e tyre në Evropë ishte e papranueshme për interesat amerikane dhe se Amerika do të vazhdonte me politikën e saj uni-polare.

ShBA-ja me aleatët e saj në intervenimin ushtarak në Jugosllavi, nuk u përpoq seriozisht për të siguruar paraprakisht mandatin e intervenimit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së , edhe pse kishte argumente të mjaftueshme dhe ndikimin për ta siguruar ate në këtë institucion më të rëndësishëm ndërkombëtar. Me shpërfilljen e OKB-së, ShBA-ja vetëm që deklaronte vendosmërinë e diplomacisë amerikane për të vazhduar sistemin njëpolar. Nëse së fundi ShBA-ja me aleatët e saj arritën që të marrin mandatin nga Këshilli i Sigurimit për intervenimin ushtarak në Libi (të mbështetur në disa raporte të mediumeve pro-perëndimore për situatën në Libi), pasi që Kina dhe Rusia votuan të përmbajtur, është absurde të besohet teza se ShBA-ja nuk morri mandatin për intervenimin në Kosovë nga ky institucion për shkak të mundësisë së vetos së Kinës apo Rusisë. Kjo pasi që Rusia nuk e kishte pasur Jugosllavin zonë të influencuar nga ajo gjatë Luftës së Ftohtë, përderisa Kina ishte përqendruar kryesisht në çështjet e saja të brendshme dhe interesave të saja në Azi apo Pacifik. Vendimi i ShBA-së (NATO-së) për intervenimin ushtarak në Jugosllavi pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i solli si pasojë vështirësi të shumta statusit politik të Kosovës.

Sot më shumë se 10 vjet pas këtij intervenimi, bota nuk është si në vitet e 90-ta, pasi që Rusia në ndërkohë e morri veten ekonomikisht, përderisa Kina e vazhdoi me sukses ngritjen e saj ekonomike dhe ushtarake. Prandaj dhe sot kemi rikthim në politikën multipolare dhe ndarjen e zonave të influencës në mes shteteve të fuqishme. Në këtë periudhë edhe Ballkani ndahet në zona të influencës. Sipas mendimit tim profesional, ajo ndahet në mes influencës neo-osmane dhe pan-sllave. Shpresoj që sot shqiptarët të vetëdijesohen dhe të njohin se kush ka qenë mik e kush armik i tyre. Shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës këtë kanë filluar gradualisht që ta kuptojnë, mbetet që ta kuptojnë edhe ata të Shqipërisë.  Ekziston rreziku real që nga mosnjohja e historisë nga disa politikan apo diplomat shqiptarë, ne shqiptarët të ndahemi në dy zona të influencës; gjegjësisht, Kosova me shqiptarët e Maqedonisë nën Turqinë përderisa Shqipëria nën ndikimin pan-sllav (pan-ortodoks).

-Edhe shpërndarësit e drogës që shkaktojnë vrasjen graduale të të rinjve për përfitime materiale, në disa raste bëhen human dhe ndërtojnë ndonjë kishë, xhami, spital apo mbulojnë shpenzimet për ta shëruar ndonjë të sëmur të varfër. Ky veprim i tyre me siguri që e zbut mendimin e keq ndaj atij individi apo klani. Por, pasi ata vazhdojnë të prodhojnë dhe të shesin drogë nuk mund të konsiderohen bamirës.

Kosova ka mbetur shteti më me pa perspektivë në Evropë pasi përveç papunësisë rekorde ajo është e izoluar nga Evropa. Kushti që administrata amerikane dhe evropiane ia imponoj Kosovës “standardet para statusit”, e dëmtoi zhvillimin ekonomik të Kosovës, procesin për formimin e shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Nëse së fundmi Sudani Jugor pasi që e shpalli pavarësinë, menjëherë u pranua nga më shumë se 100 shtete dhe më pastaj me mbështetjen e diplomacisë amerikane u bë edhe anëtare e OKB-së me konsensus të plotë, atëherë parashtrohet pyetja logjike se pse diplomacia amerikane nuk vepron njëjtë edhe me shqiptarët apo Kosovën?!

Frymzim Dauti (autori është Master i Studimeve Evropiane- Universiteti i Vjenës)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme