Literaturat bëjnë një qasje të gabuar dhe të paqenë ndaj kësaj figure duke e portretizuar atë si të dhënë pas dëfrimit dhe zbavitjes. Harun er Rashidi ndërroi jetë në vititn 193 hixhri. Nëna e tij është Umul Hedi, e lindur në Er Raj në vitin 145 hixhri. Kur Haruni ishte ende i ri, i ati e kandidoi për fronin e kalifatit dhe e emëroi në çështje shumë të rëndësishme. Në vitin 163 hixhri i ati e bëri atë udhëheqës të Saifes, në vitin 164-165 hixhri e emëroi udhëheqës të gjithë territorit të Marokut, nga El Enber-i deri në skajet e Afrikës, ku ishte vetë Haruni ai që i emëronte krerët qeverisës. Në vitin 166 hixhri i ati e shpalli atë kandidat të dytë për fronin e kalifatit, pas vëllait të tij Hedit. Viti 169 hixhri është viti në të cilin vdes El Mehdi, i cili deshi ta vendos Harunin kandidat të parë për marrjen e fronit, para Hedit, nisur nga guximi dhe niveli i lartë që shpaloseshin në personin e Harunit, por vdekja e frenoi El Mehdin që të arrinte ta bënte një gjë të tillë.
Harun er Rashidi, mori besëlidhjen e kalifatit në ditën që vdiq vëllai i tij Hedi, me 14 Rabijul Euel 170 hixhri, që i korrespondon 14 shtator i vitit 786 gregorian, në moshën njëzetepesë vjeçare dhe mbeti kalif deri kur vdiq në moshën 48 vjeçare, me 3 Xhumadal Akhira të vitit 194 hixhri, që i korrespondon 24 mars i vitit 808 gregorian. Kësisoj, periudha e udhëheqjes së tij ishte 23 vjet, 2 muaj dhe 18 ditë.
Epoka e Harun er Rashidit ishte mesi i epokës abasite, në të cilën kalifati arriti në gradat më meritore të triumfit, qeverisjes, begatisë materiale, diturisë dhe pedagogjisë. Në këtë periudhë civilizimi shkencor, pedagogjik dhe material shtetëror, arriti kulmin e niveleve të tij.
Përgjatë civilizimit abasit por edhe civilizimeve të tjera, kombi islam arriti një luks dhe kamje shumë të madhe. Në epokën e Harun er Rashidit, krerët e lartë të qeverisjes administrative dhe ushtarake, madhëroheshin edhe nga mbretërit, gjë kjo që e lartësoi personalitetin e tyre brenda e jashtë kalifatit. Moralet e Harun er Rashidit shërbyen si kontributi më i mirë në shërbim të progresit në fjalë.
Në epokën e Harun er Rashidit, Bagdadi arriti kulmin e lavdisë dhe krenarisë së tij arkitekturore dhe financiare. Harun er Rashidi ishte kalifi abasit më dorëdhënë. Ai jepte pa iu trembur syri nga varfëria.
Sa i përket diturisë, Bagdadi u shndërrua në orientimin e diturisë, për ku drejtoheshin të gjitha viset islame, për të kompletuar shkencat dhe artet, ku kishin vendosur këmbët. Bagdadi ishte akademia e lartë për studentët e shkencave teologjike dhe të gjuhës arabe, të lëmenjve nga më të ndryshmet. Aty gjendeshin kokat e dijetarëve të hadithit, leksikës, fikhut, gjuhës arabe dhe disiplinave e sintaksës së saj; që të gjithë ata u jepnin mësim dhe u bënin dobi studentëve të tyre nëpër xhamitë e universitetit të Bagdadit, që konsideroheshin asokohe shkolla të larta, ku merreshin këto njohuri. Rrallë ndodhte që dikush ta kompletonte fizionominë e shkencëtarit, apo fakihut, apo hadithologut apo autorësinë, pa udhëtuar në Bagdad dhe pa marrë mësim nga dijetarët e tij. Bagdadi nuk ia kishte lënë mangët shkencave jofetare sikurse mjekësia, logjika dhe shumë të tjera veç tyre, që kishin të bënin me mbarë industritë. Harun er Rashidi tuboi në Bagdad mjekët, inxhinierët dhe mbarë novatorët e industrisë, prej viseve të ndryshme. Shkencat e lëvruara kishin përftuar nga shkencat e mëparshme të kombeve të qytetëruara, por ato shtuan njohuri dhe arritje të reja në to, falë talenteve dhe gjenive të cilët i pasuruan këto shkenca me kapitale të reja të vyera.
Moralet dhe xhihadi (mobilizimi luftarak) i Harun er Rashidit:
Harun er Rashidi ishte kalif i përkushtuar fetarisht, që u qëndronte me rigorozitet përgjegjësive juridike islame...
Sa i përket namazit të tij, ai për çdo ditë falte njëqind rekatë, përveçse kur e kishte të pamundur diçka të tillë. Ai vazhdoi të vepronte kështu deri kur u nda nga kjo botë.
Sujutiu, në librin e tij “Et Tenbih”, e konsideron Harun er Rashidin nga reformatorët e fesë islame të shekullit të dytë hixhri, të cilët Allahu i dërgon në krye të çdo shekulli, duke radhitur krahas tij edhe Shafi’i-un.
Sadakaja e Harun er Rashidit ishte e përditshme, ashtu që nga trungu i pasurisë së tij për çdo ditë ai bënte donacion njëmijë dirhem, veç donacioneve të tjera të tij që binin si shiu mbi njerëzit, aq sa nuk është parë ndonjë kalif para tij më dorëdhënë sesa ai, kurse pas tij ishte Me’muni.
Haxhi i tij ishte i pandërprerë, për çdo vit, përveçse kur ishte i preokupuar në mobilizimin ushtarak, prandaj ai çdo vit ishte midis haxhit dhe xhidahdit (mobilizimit ushtarak).
Suliu, mbështet tek Jeakub ibn Xheafer, se ai ka thënë: “Rashidi në të njëjtin vit që u emërua kalif doli të luftonte në skajet territoriale të Bizantit, ndërsa në muajin (hënor) Sha’aban u largua nga lufta dhe në fund të vitit shkoi të kryente haxhin me njerëzit, ku dedikoi një vlerë të madhe monetare për dy viset e shenjta (Mekën dhe Medinën). Ai kish parë Profetin (a.s) në ëndërr, i cili i kish thënë: ‘Kjo çështje po vjen tek ti këtë muaj, lufto, bëje haxhin dhe bëju i gjerë kundrejt banorëve të dy viseve të shenjta (Mekës dhe Medines)”. Harun er Rashidi arriti ta realizonte të gjithë këtë”.
Harun er Rashidi i kryesoi njerëzit në kryerjen e haxhillëkut nëntë herë përgjatë viteve të qeverisjes së tij, përkatësisht në vitin 70, 73, 74, 75, 77, 80, 81, 86 dhe 88 hixhri, pas qindëshes së parë hixhrije. Kur e kryente haxhin, bashkë me të e kryenin haxhin fakihë (dijetarë të jurisprudencës islame) dhe fëmijët e tyre, ndërsa kur nuk shkonte në haxhillëk, ai dërgonte bedil (për të kryer haxhin në vend të tij) treqind burra, të cilëve u siguronte shpenzime të bollshme dhe veshje të admirueshme.
Harun er Rashidi e dëgjonte këshillën me zemër të brishtë dhe prekej shumë shpejt.
Ai kurrë nuk rrinte pa dalë me ushtarët e tij, por në përgjithësi qëndronte në pararojën e tyre, që të mos binte pre e zakonit të relaksimit dhe të mos e ngujonte luksi kundrejt kryerjes së këtij obligimi. Gjurmimi historik na sjell të dhëna, se ai një vit luftonte dhe vitin tjetër kryente haxhin.
Ai kishte një banderolë, mbi të cilën gjendej mbishkrimi “luftëtar haxhi”, të cilën e mbante në kokën e tij.
Në vitin 180 hixhri, atij i vjen një shkresë nga Nakfuri, mbreti i Romës, ku i shkruante se ai e kishte prishur paktin e luftës, që Harun er Rashidi kishte lidhur midis muslimanëve dhe mbretëreshës Irenia (të Bizantit). Në këtë letër Nekfuri shkruante:
“Nga: Nekfuri, Mbreti bizant.
Për: Harunin, Mbretin e arabëve.
Kurse më tej; mbretëresha para meje (ku kishte për qëllim mbretëreshën Irenia që kish nënshkruar paktin e taksës prej shtatëdhjetë mijë dinarësh, të cilat ia dërgonte depozitës së kalifatit për çdo vit) të dha ty pozitën e kështjellës (torrës së shahut) dhe vetes së saj atë të ushtarit, duke sjellë tek ti pasuritë e saj, nisur nga naiviteti i grave dhe dobësia e tyre. Kur ta lexosh këtë letrën time, të m’i kthesh çfarë ke marrë prej parave të saj, përndryshe midis nesh dhe teje është shpata”.
Kur Harun er Rashidi e lexoi shkresën, u krodh në zemërim, aq sa askush nuk mundi ta shihte në fytyrë, e jo më t’i fliste. Ata që ishin në kuvendin e tij, u shpërndanë nga frika... Haruni kërkoi t’i sillnin bojën dhe në shpinë të letrës së Nekfurit shkroi:
“Bismilahi Rahmani Rahim-Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Nga: Harun er Rashidi, Prijësi i besimtarëve.
Për: Nekfurin, qenin e romakëve.
E lexova shkresën tënde dhe përgjigja është ajo që do shikosh, jo çdo dëgjosh”.
Pastaj, po atë ditë u nis me ushtrinë e tij, derisa mbërriti në qytetin e Herakl-it, ku ndodhi beteja e famshme dhe çlirimi i qartë, në të cilën Nekfuri kërkoi një rezolutë që e angazhonte Nekfurin me një taksë të caktuar, që ai vazhdoi t’ia dërgonte kalifatit për çdo vit”.
Pra kalifi abasit Harun er Rashidi një vit luftonte dhe një vit kryente haxhin, ndërsa mbi kokën e tij mbante banderolën me mbishkrimin “luftëtar haxhi”.
Shumë poetë e kanë lavdëruar epokën e Harun er Rashidit, duke trajtuar më së shumti në poemat e tyre këto dy cilësi të tij.
Ebul Meali el Kelabiu e lavdëron atë duke iu drejtuar me fjalët:
Ose në dy viset e shenjta ose në llogoret më në skaj,
E kush guxon të matet me ty, e t’ia qëlloj pas kësaj.
Ndërsa Eshxhe’a es Selamiu e lavdëron Harun er Rashidin me vargjet e tij:
Ai që dy udhëtime ka për çdo vit,
Njëmijë haxhinj dhe xhihad të pandarë,
Një karvan që drejt haxhit marshon,
Dhe një tjetër që armikut sfidë i bën.
Dashuria që gëzonte Harun er Rashidi për dijetarët:
Harun er Rashidi i donte shumë dijetarët, i madhëronte shenjtërimet e fesë dhe e urrente polemikën dhe llafet... Kadiu El Fadil, në disa prej “Risaleve” të tij ka thënë: “Nuk di assesi, që ndonjë mbret të ketë udhëtuar në kërkim të diturisë, përveç Harun er Rashidit. Ai udhëtoi bashkë me dy djemtë e tij, Eminin dhe Me’munin, që t’ia lexonte Malikut [Allahu e mëshiroftë] librin “El Muete’a”. Po kështu, kur i mbërriti lajmi i vdekjes së Abdullah ibn Mubarekut, ai u hidhërua për këtë dhe organizoi ngushëllime, në të cilat erdhën ta ngushëllonin njerëzit më me zë”.
Ebu Mu’auije ed Dariri ka thënë: “Një person që nuk e shquaja dot, pas ushqimit më hodhi të pi”. Harun er Rashidi më tha: “A e di se kush të dha të pish?” I thashë: Jo. Më tha: “Unë, në madhëri të diturisë (që ke)”.
Gjithashtu, edhe dijetarët nga ana e tyre tregonin vlerësim për Harun er Rashidin. Transmetohet se Fudaj ibn Ijadit ka thënë: “Nuk ka njeri, vdekja e të cilit është më e rëndë për mua, sesa vdekja e prijësit të besimtarëve Harunit. Do dëshiroja që Allahu t’i shtonte atij jetë nga jeta ime”. Ne (thotë transmetuesi) e morëm diçka të tillë gjë për të madhe. Por kur Haruni vdiq, trazirat u shfaqën dhe Me’muni doli me fushatën, në të cilën i imponoi njerëzit të thonë se “Kurani është i krijuar”, atëherë thamë: “Shejkhu (dijetari ynë i madh Fudaj ibn Ijadi) ishte i vetëdijshëm më së miri për atë që fliste”.
Xhelozia e tij për fenë:
Ibn Asekiri publikon në adresë të Ibn Ulejes, se ai ka thënë: “Harun er Rashidi zuri një heretik dhe urdhëroi të ekzekutohej. Heretiku i tha: Përse po më ekzekuton. Haruni i tha: T’i shpëtoj njerëzit prej teje. Heretiku i tha: A di gjë ti, se ke shpikur njëmijë hadithe në adresë të të Dërguarit të Allahut, në të cilat s’ka asnjë germë të vetme që ai ta ketë shqiptuar? Haruni tha: A di gjë ti, o armik i Allahut, për Ebu Is’hak el Fezerin dhe Abdullah ibn Mubarekun, që i kanë shoshitur ato hadithe (që po pretendon se janë të trilluara), i kanë konfirmuar dhe stisur germë për germë?”
Ebu Mu’auije ed Dariri ka thënë: “Sa herë që është përmendur Profeti (a.s) në prani të Harun er Rashidit, ai ka thënë: Salavati-lavdërimi i Allahut qoftë mbi të”. Kur atij i është transmetuar hadithi i profetit (a.s): “Sa do doja të luftoja në Rrugë të Allahut e të vritesha, pastaj të ringjallesha dhe pastaj sërish të vritesha”, Haruni ka qarë aq sa është shkrehur në vaj.
Kharzedh adhurimtari ka thënë: Ebu Mu’auije i transmetoi Rashidit hadithin: “... Iu argumentua Ademi Musait”. [Transmetim i Buhariut] Një njeri i ndershëm prej të pranishmëve tha: Ku e ka takuar Musai a.s. Ademin a.s.? Kjo gjë e zemëroi Rashidin, i cili tha: “Ekzekutimi e pret çdo heretik, që cenon hadithin”. Ebu Mu’auija nisi ta qetësonte dhe vijoi kështu për një kohë të gjatë, duke i thënë: “O prijës i besimtarëve, ishte një gjest i pakontrolluar nga ana e tij”. Kjo gjë vazhdoi, derisa Harun er Rashidi u qetësua.
Sujutiu thotë për Harun er Rashidin: “Ai e donte shumë diturinë dhe dijetarët. I madhëronte shenjtëritë e Islamit, e urrente polemikën në fe, si dhe fjalosjen në opozitë me tekstin (hyjnor). Kur atij i mbërriti fjala e Bishër el Mursiut, se Kurani është i krijuar, Haruni tha: “Nëse do dominojë mbi të, kam për ta ekzekutuar”. [Shkëputur nga: Terikhul Khulefe]
Harun er Rashidi, njeri i thjeshtë:
Rashidi nuk e harronte pjesën e dynjasë. Ai ishte i mirë-orientuar në të dhe e kishte pranuar pjesën e tij në të.
Esmaiu ka thënë: “Rashidi i donte mbrëmjet me humor dhe i pëlqente bashkëbisedimet me njerëzit”.
Xhehidhi përmend: “Askush nuk ishte më i pasionuar në kremtimet poetike se ai”.
Poetët që i kanë thurur lavde Harun er Rashidit, kanë qenë më të shumtë se ata që i kanë thurur lavde kujtdo tjetri. Prej tyre përmendim: Ebul Atahije, Miruan ibn Ebu Hafsa, Selem el Khasir, ibn Munedhir, Eshxhea es Sulemi, Kulthum ibn Amër el Itabi, Mensur en Nemriu, El Ameni er Raxhizi, dhe në krye të tyre shoku i tij i çmuar Ebu Neuesi.
Rashidi ishte elokuent, i ditur, i ndërgjegjshëm sa i përket barrëve të kalifatit, me një vizion të mirë edhe në pedagogji dhe fikh, i kishte qejf elozhet, i shpërblente mirë poetët dhe recitonte poezi.
Transmetohet nga Mu’auije ibn Salihi, nga i ati i tij, se ai ka thënë: “Poezia e parë që ka thënë Rashidi, është kur bëri haxhin në po atë vit që u emërua kalif, në të cilin ai hyri në një shtëpi dhe në pjesën e sipërme të saj pa një strofë poezie të shkruar mbi mur:
Flijimi i madh mendon ti se është,
Të emigruarit larg atij që dashuron,
Përveç për prijësin e besimtarëve,
a s’e shikon (që vazhdimisht emigron)?!
Kur e lexoi këtë, Harun er Rashidi kërkoi t’i sillnin sendet e shkrimit dhe me dorën e tij shkroi poshtë këtyre vargjeve:
Në Mekë eci me hije të lartuara,
Por, me vështrim të molepsur,
Si jo, dhurata shumë dhuroi,
ndjesi dhe të tjera gjëra përjetoi.
Përtej poezisë dhe poetëve, Harun er Rashidi u preokupua dhe me fikhun, hadithin, gjuhën dhe pedagogjinë.
Ç’mendim ke mbi një mbret, i cili tubohet me Shafi’i-un, Ebu Jusufin, Muhamed ibnul Hasen esh Shejbenin, Sufjan ibn Ujejnen dhe Fudajl ibn Ijadin? Ebu Jusufi (fakihu Ebu Jusuf Jeakub ibn Ibrahin el Ensariu, nxënësi i imam Ebu Hanif en Nue’amenit 113/182) hartoi për të përpilimin “Kitabul Kharaxh”. Lexoje parathënien e këtij libri dhe medito porosinë e Ebu Jusufit për Harun er Rashidin, ku do gjesh një sinqeritet goxha të madh në këshillim dhe kthjelltësi në orientim, që Ebu Jusufi nuk ia ka bërë dikujt tjetër, pasi ai e dinte se tek Harun er Rashidi do gjente një kraharor të gjerë dhe vesh të arsyeshëm.
Ç’mendim ke po kështu mbi një mbret, në tubimin e të cilit gjendet Sibeuejhi dhe El Kesei, të cilët në prezencë të Harun er Rashidit debatojnë subjektin e famshëm të Zenburijes? Po në prezencë të tij, Kesei debaton me El Mufadil ed Dabji, me El Esmai’u-n, me Ebu Muhamed el Jezidiu-n dhe me Ebu Jusufin. (Shih “Mexhelisul Ulemei” të Zuxhaxhiu-t)
Dhehebiu, duke përshkruar Rashidin, thotë: “Ishte fisnik, guximtar, i vendosur, dorëdhënë, donte dhe bënte elozhe, i përkushtuar në fe dhe në traditën profetike, i dhënë pas argëtimit dhe lirikës, ishte i gjatë, i bardhë, i shëndoshë, i hijshëm, me breza thinjash, derisa vdiq falte njëqind rekatë për çdo ditë dhe po për çdo ditë bënte donacion nga trungu i pasurisë së tij me njëmijë dirhem, ishte i shtruar dhe i edukuar me më të mëdhenjtë”. (Shkëputur nga “El Iber fi khaberi men gabera”)
Gjithashtu, Dhehebiu në përpilimin e tij “Sijerul Ealemi Nubele” thotë për të: “Të mirat e tij ishin shumë dhe qarkullojnë të dhëna mbi dhënien e tij pas argëtimit, qejfeve dhe lirikës (këngës), Allahu e ndjeftë”.
Muhamed ibn Ali el Kharaseni ka thënë: “Rashidi është kalifi i parë, që ka luajtur hokej, shigjetim mbi kalë, si dhe është i kalifi i parë abasit që ka luajtur shah”.
Xhahidhi ka thënë: “Kuvendi i Rashidit kishte një përbërje që se ka pasur tjetërkush, prandaj ministrat e tij ishin (kuadrot e fisit të famshëm) el Beramika, gjykatës i tij ishte kadiu Ebu Jusufi, poet i tij ishte Miruan ibn Ebi Hafsa, kryetar i shpurës së tij ishte el Abas ibn Muhamedi, xhaxhai i të atit të tij, prezantues i miqve ishte El Fadl ibn Rabi’a dhe lirikë të tij ishin Ibrahim el Musiliu dhe e shoqja (gruaja e Harunit) Zubejdja.
Prej historianëve që janë treguar të paanshëm në çështjen e Rashidit është edhe Ahmed ibn Khalkani, i cili në librin e tij “Uefejet el Eajen” thotë për të: “Ishte prej kalifëve më fisnikë, mbretërve më të shërbyer, ishte haxhi, i mobilizuar, luftëtar, guximtar dhe ideator”.
Këta historianë të Islamit kanë përmendur të gjitha aspektet e Harun er Rashidit, nuk kanë shpalosur vetëm hiret e tij dhe lënë të palosura të metat e tij, kalibër ky i mbarë historianëve arabë dhe muslimanë.
Vdekja e Harun er Rashidit
Kur Rashidit i mbërriti çështja serioze e Rafi’i ibn Lejthit “rebelimit të tij në anën përtej lumit”, ai me 5 Shaban të vitit 192 hixhri, doli nga Bagdadi për në Kharasan. Zëvendës të tij në qytetin e Selamit, la të birin, Muhamed el Eminin, ndërsa djali i tij, Abdullah el Me’muni, doli me të. Rashidi vijoi në këtë marshim, derisa në muajin Sefer të vitit 193 hixhri, arriti në qytetin Taus, ku sëmudja e tij u përkeqësua. Pas tre netësh, Harun er Rashidi ndërroi jetë, në të shtunën e muajit Xhumadal Akhira të vitit 193 hixhri. Namazin e xhenazes së tij ia fali i biri, Salihu, pasi Me’muni qe nisur më parë për në Meru (rrethinat e Kharasanit). Rashidi [Allahu e mëshiroftë] varroset po në këtë qytet.
Thuhet se Rashidi kish parë në ëndërr, se ai do të vdiste në këtë qytet, pra në Taus, gjë që e bëri të qajë dhe të thotë: “Gërmoni një varr për mua!” Varri u gërmua dhe ai i hipur mbi një kube përmbi deve, u dërgua që të shikonte varrin e tij. Kur arriti aty, ai tha: “O bir i Ademit, këtu do përfundosh”. Ai i dha urdhër disa personave, që t’i këndonin një hatme të plotë Kurani tek varri, ndërsa ai vetë gjatë kësaj kohe qëndroi në buzë të varrit. Kur ai vdiq, besa iu dha djalit të tij Eminit, në armatë, i cili asokohe ishte në Bagdad, ku i erdhi lajmi i vdekjes së të atit. Pasi mori këtë lajm, Emini fali xhumanë me njerëzit, u mbajti atyre një fjalim, i ngushëlloi për vdekjen e Rashidit dhe ata ia dhanë besën për kalif.
Ebu Shijsi e përcjell Rashidin me vargjet:
Diell, për të cilin syri im lotoi,
Kur ai në lindje perëndoi,
Perëndoi pasi që atje ndriçoi,
Pasi tij, diell kush më s’do shikoj.
Librat e historisë janë të mbushura me qëndrimet brilante të Rashidit në ndihmë të së vërtetës dhe drejtësisë, me dashurinë e tij për këshillën dhe qasjen e dijetarëve. Vetëm abuzuesit dhe manipuluesit i mohojnë këto gjëra.
Në vijimësi të kësaj që u tha; a nuk jemi ambicioz ta shohim emrin e Harun er Rashidit të shkëlqejë dhe vezullojë në logot e universiteteve dhe qendrave hulumtuese shkencore arabe dhe islame, në vend të spikatjes së emrit të tij nën titujt “Salloni Harun er Rashid” apo “Ëmbëltorja Harun er Rashid”?!
_________
Referencat:
1. “Terikhul Khulefei”, me autor Es Sujutiu-n.
2. “El Bideje ue Niheje”, me autor Ibn Kethiri-n.
3. “Ed Deuletul Abasie”, me autor Muhamed el Khidiri.
4. “Be’adu ma Jumkin Kauluhu”, me autor Mahmud el Erdeni.
5. “Kisatul Hadara”, me autor Uil Djuranit.
6. “Harun er Rashid”, me autor Felibi-n.
7. “El Kharaxh”, me autor Ebu Jusufin.
8. “Mexhelisul Ulemei”, me autor Zuxhaxhiun.
9. “Khaberu men gabera”, me autor Dhehebiun.
10. “Ealemu Nubelei” , me autor Dhehebiun.
11. “Uefejetul Eajeni”, Ibn Khalkani.
12. “El Ametu ue Kiraetu Turathi” , me autor dok. Mahmud et Tenahi.
13. “Teraxhim Islamije”, me autor Muhamed Abdullah Anen.