KADRI PRISHTINA DHE REVISTA “UDHA E SË VËRTETËS”

Në vitin 1885 ai u regjistrua në shkollën fillore në Prishtinë. Pasi plotësoi shkollën fillore dhe atë plotore në Prishtinë, i ati Lutfullahu e regjistroi në gjimnazin turk në Shkup, ku spikati në mesin e shokëve për zgjuarsi dhe arritje në mësime. Më pas, sipas traditës arsimore osmane, ai u regjistrua në Daru’t-Tedris, të cilën e përfundoi për dy vjet. Këtu, përkrah edukimit fetar mësoi edhe pedagogji, psikologji, histori, letërsi etj. Në medresenë Fatih ai perfeksionoi njohuritë islame, në mënyrë të veçantë gjuhët arabe dhe perse, ndërsa turqishtja osmane qe gjuha e arsimimit. Në vitin 1903, në moshën 25 vjeçare, ai regjistrohet në fakultetin juridik të universitetit osman Darulfunun, nga ku diplomohet si jurist. Përkrah gjuhëve të lindjes ai mësoi edhe gjuhë perëndimore, si gjermanisht dhe frëngjisht. Në periudhën 1904-1909 ai arrestohet dhe burgoset në Jedikule, ndërsa në periudhën 1909-1913 burgoset në Tokat. Një periudhë kohe punoi si këshilltar juridik në Samsun deri sa u deportua jashtë Turqisë, sipas një vendimi të Ministrisë së punëve të Brendshme. Në vitin 1914 vendoset në Shkodër, ku fillimisht punoi si avokat në gjyqe të ndryshme. Ndërkohë, me kushtet e reja para së cilave përballej kauza kombëtare pas luftës së parë botërore, ai së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht kosovarë, krijoi në muajin nëntor të vitit 1918 komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Hoxhë Kadria ishte kryetar i këtij komiteti. Si organ i komitetit qe gazeta “Populli”, me kryeredaktor patriotin vlonjat Salih Nivica, gazetë e cila u botua mes datave janar 1919 dhe gusht 1920. Hoxhë Kadria u zgjodh deputet dhe mbuloi edhe postin e ministrit të drejtësisë. Vdiq me datë 20 janar 1925, në moshën 47 vjeçare, moshë kur ai me fuqitë e tija mendore kishte shumë gjëra për t’i dhënë lëvizjes kombëtare shqiptare. Gjatë viteve të punës si avokat në Shkodër, Hoxhë Kadria nxori gazetën e titulluar “Udha e s’Vërtetës” emri i të cilës të sjell ndërmend gazetën e shtypit intelektual mysliman në Stamboll, që titullohej “Sirati Mustekim”. Revista u botua në shtypshkronjën “Ora” në Shkodër. Kjo qe revistë fetare-politike-letrare dhe kishte moton “Kërkimi i së vërtetës asht e drejta e mendjes”. Revista trajtoi kryesisht tema me natyrë informative fetare dhe u aktualizua duke trajtuar çështje të diskutueshme në realitetin shqiptar të Shkodrës. Në numrin e saj të parë, Hoxhë Kadria e shpreh me këto fjalë arsyen e ndërmarrjes së këtij botimi: “qëllimi kryesor asht me i këshillue bashkëfetarët t’onë, me ua mësue këtyne parimet e thjeshta të fesë,…, mu munduem me i ba gjymtyrë të dobishëm për jetën shoqnore e kombtare t’onën…me i dhanë nji zhvillim mendimtar krejt popullit në lamë të filozofis, të sociologjisë e të politikës.” Revista doli në tre numra. Numri i parë i revistës doli në muajin tetor të vitit 1923, i dyti dhe i treti respektivisht në muajt në vazhdim, në nëntor e dhjetor. Pra, Kadri Prishtina edhe në vitet e fundit të jetës së tij (dy vjet pas daljes së revistës ai vdiq) vazhdoi të kontribuonte në jetën e mendimit fetar, ashtu siç kontribuonte në jetën politike dhe kombëtare të vendit. Temat e trajtuara në revistë qenë me natyrë fetare. Në numrin e tetorit ai botoi artikujt: Parathënie, Nevoja e fesë, Feminizëm dhe Lajme të ndryshme. Në numrin nëntor ai botoi këto artikuj: Burimi i mendimit të besimit tek njerëzit, Profesioni më i keq, Bisedë, Kuvendi konsistues, Letër e hapur. Në numrin e dhjetorit ai botoi artikujt: Hytbe, Letër e hapur, I ndershmi Z. H. Kadri dhe Besimi i natyrës. Artikulli “nevoja e fesë” mbështetet mbi disa nëntema që janë feja si prehje e vetme shpirtërore për njeriun, feja e vërteta e përjetshme, mjeti më i mirë për ruajtjen nga e keqja, njeriu pa fe nuk mund të jetë i sinqertë, myslimanët mbetën prapa atëherë kur braktisën fenë e tyre. Në artikullin Feminizëm ai trajton temat si martesa me kurorë, martesa stabilizim për njeriun, çfarë dëmesh shkakton i pamartuari, si e mbyllin jetën ata që nuk martohen, çfarë fshihet pas parullave të emancipimit të femrës, si lidhet kurora, historia nuk njeh popull pa fe, besimi është instinkti i lindur tek njeriu. Në artikullin “Profesioni ma i keq”, ai trajton temën e thashethemeve dhe të spiunimit. Në artikullin “Bisedim”, Kadri Prishtina polemizon me artikullshkruesin e gazetës “Lajmëtari”, organ i kishës katolike në Shkodër, i cili kishte guxuar t’i drejtonte thirrje myslimanëve që të ktheheshin në të krishterë. Ai merr në diskutim edhe çështjen e dr. Rashës që jep lëndën e historisë myslimane në Gjimnazin Shtetëror, i cili mbështet në pohimet e historianëve tendenciozë perëndimorë që sulmojnë fenë islame dhe profetin e saj Muhamedin pa baza dhe të mbështetur në trillime. Në këtë artikull ai ndalet në disa pika që janë: Kush i fton myslimanët në fenë e krishterë?, kush i nxiti kryqëzatat?, pluralizmi fetar tek shqiptarët, shqiptarët myslimanë janë të palëkundur në besimin e tyre, myslimanët e respektojnë Isanë (Krishtin), islami është fe e lirisë, e vërteta rreth gurit të zi (haxheru’l-esved) në Qabe, shpifjet e orientalistëve rreth udhëtimeve të profetit Muhamed kur ai ishte në moshë të re, Muhamedi i dërguar për mbarë njerëzimin, cilat janë bazat e fesë islame, pavërtetësia e mendimit se islami është përhapur me forcë, feja islame nuk e pranon fatalizmin, dallimi mes Kuranit dhe hadithit. Interesant është krahasimi që Kadri Prishtina i bën xhizjes, që trajtohet nga shumë shkrimtarë dhe studiues si mjeti i presionit që myslimanët përdorën kundër të krishterëve që ata të bëheshin myslimanë. Para së gjithash, Kadri Prishtina u bën thirrje që të hedhin sytë nga e kaluara e pushtimeve që kryen kombe si anglezët dhe francezët sa andej-këndej nëpër botë. Tek zhvatjet dhe plaçkitjet që bënë ata në për këto vende dhe vrasjet në numër të banorëve vendas. Para këtyre të vërtetave historike, aplikimi i xhizjes nga myslimanët nuk qe tjetër përveç se një taksë më se e kuptueshme, përkundrejt së cilës jomyslimanët liroheshin nga kryerja e ushtrisë. Madje, edhe në të drejtën ndërkombëtare, shton Kadri Prishtina, në rast se shkoni në një vend të huaj duhet të merrni lejeqëndrimin për të cilin paguani një vlerë të caktuar parash, në rast se nuk pranoni ose në rast se refuzoni nënshtetësinë e atij shteti apo të mbretërisë ku ndodheni. Artikulli Hytbe në të vërtetë është një thirrje drejtuar të gjithë myslimanëve shqiptarë, që të japin kontributin e tyre për të ndryshuar fatin e shtetit shqiptar, duke e mbyllur me këshillën që ende ruan vlerën e saj në planin kombëtar dhe që është: “Çel sytë sot, të mos qash mot.”

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme