Një njëmijëvjeçar e gjysmë

Institucione botuese të këtij bleu voluminoz që përfshin 840 faqe të një tipografie të imët, janë Instituti i Europës Juglindore në Regensburg dhe Instituti i Historisë së Europës Lindore në Vjenë. Konrad Clewing, i datëlindjes 1967 është studiues i historisë së kohës së re në vendet e Ballkanit dhe nëndrejtor i institutit të Regensburgut, ndërsa Oliver Jens Schmitti, i  mirënjohur në vendin tonë për librat “Arbëria venedike” dhe “Skënderbeu”, lindur më 1973, është studiues i arealit ballkanik për mesjetën por edhe kohën e re, profesor i institutit vjenez, njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë.

Grupi i autorëve përgatitës përfshin veç dy historianëve të lartpërmendur edhe: Ulf Brunnbauerin, Markus Kollerin, Peter Mario Kreuterin, Wim van Meursin, Michael Portmanin, Günter Prinzingun, Gottfried Schrammin, Holm Sundhausenin, Betrix Romhányin, Harald Rothin dhe Daniel Ursprungun.

Anekse të këtij vëllimi janë: një tabelë me konkordancat e toponimeve kryesore të rajonit; një listë e ngjarjeve më të rëndësishme për epokën nën vështrim, një parathënie e dy profesorëve përgatitës, një bibliografi e përgjithshme, indeksi i personave të përmendur dhe një kapitull hartografik me 16 harta me ngjyra e po aq në bardhezi.

Libri duhet përshëndetur për disa arsye: Ai vijon traditën më të mirë të historiografisë së gjuhës gjermane me objekt Europën Juglindore; autorët e tij janë jo vetëm historianë të tablove të gjera por edhe specialistë të ngushtë për vende dhe periudha të caktuara; së treti, mënyra e trajtimit është e çliruar nga çdollojpartiprije e sidomos këndvështrimi të ngushtë nacionalist.

Katërmbëdhjetë nënndarjet kryesore të vëllimit janë si vijon: 1. Europa Juglindore: hapësirë dhe histori; 2. Nga 500 në 900 mbi truallin e spastruar romak: aleanca politike-ushtarake dhe krishterizimi i dytë (kapitull i shkruar nga Gottfried Schramm, i mirënjohur për librin e tij mbi besët dhe teorinë e prejardhjes së shqiptarëve prej tyre); 3. Sundimi perandorak dhe konsolidimi brendarajonal në mesjetën e lartë: Bizanti dhe bota e shteteve të Europës Juglindore; 4. Mesjeta e vonë në Europën Juglindore (me bashkautorë O.J. Schmitt dhe D. Ursprung); 5. Europa Juglindore nën shenjën e sundimit perandorak: Perandoria osmane nga shek. 16 në shek. 18; 6. Nën shenjën e sundimit perandorak: Europa Juglindore nën sundimin e krishterë në fillimet e Kohës së Re (bashkautorë Harald Roth dhe O.J. Schmitt); 7. Shoqëria dhe kultura në Europën Juglindore nga fillimi i shek. 19 deri në mes të shek. 20; 8. Sistemi i shteteve dhe veprimi brendashtetëror në një hapësirë multikulturore: Europa Juglindore në shekullin e gjatë të 19 (shkruar nga K. Clewing); 9. Historia politike e Europës Juglindore nga 1918 deri më 1945; 11. Shoqëria dhe shndërrimi shoqëror në Europën Juglindore pasi vitit 1945; 12. Ndërtimi i kombeve dhe nacionalizmi në Europën Juglindore (shkruar nga K. Clewing); 13. Krizë, stabilizim dhe integrim: historia politike e Europës Juglindore pas fundit të socializmit, e në mbyllje 14. Epilog: shtresëzimet kohore të së tashmes në rajon (nga dy përgatitësit).

Si mund të përkufizohet rajoni?

Njëra nga përgjigjet, shkruajnë autorët, mund të ishte: Ajo pjesë e Europës që ka nënndarjet më të shumta gjuhësore dhe kulturore. Është një hapësirë që përfshin gjithë çka shkon nga Hungaria historike në Egje e në Bosfor, me rreth 100 milionë banorë, një e treta e të cilëve flet gjuhë sllave, rreth 24 milionë flasin rumanisht, nga rreth 10 milionë flasin hungarisht, greqisht, turqisht, rreth 6,5 milionë flasin shqip, pa përmendur folës të grupeve më të vogla gjuhësore.

Sado që rajoni mund të shihet si njësi historike, atij nuk mund t’i përfytyrojmë kufij të ngurtë, përkundrazi, duhen theksuar breza të gjerë kalimtarë që e lidhin p.sh. në drejtim veriperëndimor me Europën Qendrore gjermane, në verilindje me hapësirën sllavoperëndimore e lindore, në perëndim me zonën adriatike që ka vulën italiane, ndërsa në juglindje me Azinë e afërme. Kufij të palëvizur gjeografikë Europa Juglindore ka vetëm me detet…

Përse jo histori vendesh të veçanta?

Historia e Europës Juglindore nuk mund të jetë një renditje historish të veçanta kombëtare. Shumica e shteteve kombëtare në këtë rajon janë relativisht të reja, identitetet përkatëse kombëtare (por jo të gjitha identitetet etnike-kulturore) janë, ashtu si në pjesë të tjera të Europës, rezultat i zhvillimeve nga shek. 19 në shek. 21. E sidomos renditja e historive të veçanta kombëtare do të fshihte ato tipare të shumta të përbashkëta që dallojnë hapësirën historike Europë Juglindore, të cilat i kapërcejnë kufijtë gjuhësorë dhe etnike. Një mënyrë të vështruari kombëtare do të dështonte edhe për shkak të larmisë etnike e fetare, që aq shumë është shkatërruar në shek. 19 e 20, si dhe për shkak të mungesës së hapësirave të mëdha homogjene etnike.

Përse nis kjo histori në mesjetën e hershme?

Përjashtimi i lashtësisë u bë mbi bazën e një konvencioni, i cili lidhet me kompetencat e historianëve autorë. Hartuesit shpresojnë që një botim i ardhshëm të mbulojë epokën antike; ata theksojnë se janë të vetëdijshëm për nënshtresën e kulturës mesdhetare, përveç asaj greke të lashtë, në rajonin europianojuglindor – ndryshe nga bota e sllavëve të lindjes ose të perëndimit; gjithashtu për lidhjen gjuhësore që kanë me lashtësinë grekët, rumunët e arumunët si dhe shqiptarët.

Gjithsesi, fillimi me mesjetën e hershme e ka dhe një përligjje: Shumë më tepër sesa në pjesën perëndimore të Perandorisë romake, shpërbërja e perandorisë së Lindjes në thuajse gjithë Europën Juglindore ishte një prerje e thellë. Më pak shtegtimet gjermanike dhe shumë më tepër zaptimi i tokave prej sllavëve dhe dyndjet e popujve të stepave (sikurse ishin hunët, avarët, protobullgarët, magjarët) i shkatërruan thuajse krejtësisht qytetërimin e antikitetit të vonë, botën e qyteteve dhe kishën e krishterë si bartëse të kulturës, duke e ndryshuar nga shek. 6 në shek. 10 prej themeli fytyrën gjuhësore dhe kulturore të Panonisë e të Gadishullit ballkanik.

S’na mbetet veç të urojmë në një të ardhme të afërt një botim të plotë në shqip të kësaj vepre sa informuese aq dhe profesionale në tablotë dhe analizat që shtjellon.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme