Deklarate publike

Duke iu referuar deklarimeve urrejtëse të anëtarit të Asamblesë Komunale të Prizrenit, njëherit kryetar i degës së LDD-së në Prizren, zotëri Lulzim Kabashit, të bëra më datë 27.04.2012 para kuvendarëve të Prizrenit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit për opinionin publik lëshon këtë

 

DEKLARATË

 

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit shpreh shqetësimin e vet të thellë ndaj deklarimeve monstruoze të kuvendarit Lulzim Kabashi në lidhje me thirrjen e ezanit në xhamitë e Prizrenit. Deklarimet e tij, nuk janë deklarime kundër zërit të lartë të ezanit nëpër xhamitë e Prizrenit historik, në të vërtetë ato janë deklarime kundër vetë ezanit. Krahasimi i ezanit me dukuritë e tjera destruktive në shoqëri, siç është alkooli, droga, prostitucioni, etj., me të vërtetë është një turp i madh. E dimë që shumë kujt i ka penguar ky ezan, tash e njëmijë e pesëqindë vjet më parë, duke filluar nga koha Muhamedit a.s. dhe deri më sot, por fati i tyre, tani është skalitur në histori me shkronjat e turpit. Fundrrinat e së kaluarës kanë vdekur që moti. Ata, kurrë nuk do të kthehen më, sepse nuk i do Zoti e as populli. Të gjithë e dinë se ky ezan ia ka dhënë emër dhe nder këtij vendi. I ka dhënë veçanti Prizrenit, qytetit tonë të dashur dhe të njohur ndër popuj dhe kombe. Thirrja e ezanit pesë herë në ditë është thirrje e pesëfisht për vepra të mira. E, ata që çohen kundër tij, siç ka ndodhur nga kuvendari Lulzim Kabashi janë ngritur kundër vlerave të demokracisë.

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, nëpërmjet kësaj deklarate përcjellë shqetësimet e besimtarëve islamë të Komunës së Prizrenit, dhe njëherit kërkon nga Lidhja Demokratike e Dardanisë që sa më parë të distancohet nga deklarimet monstruoze të Lulzim Kabashit.

Sinqerisht, na vjen keq që në Asamblenë e Prizrenit ka njerëz me ide të këtilla.

 

 

Prizren, 02.05.2012

Këshilli i Bashkësisë Islame

Prizren

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme