

Reza Karami
Para se të filloj kumtesën dëshiroj të falënderoj organizatorët e Konferencës Shkencore, Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe sporteve dhe bashkëorganizatorët e tjerë për përpjekjet e tyre në organizimin e këtij evenimeti kulturor shkencor. Pa dyshim që Konferenca të tilla mbartin vlera të mëdha kulturore dhe shkencore. Ato pasurojnë kulturën e shoqërisë dhe i njohin drejtpërsëdrejti brezat e ardhshëm me figurat e shquara e të hershme të kombit të tyre. Duhet të theksoj se ndjehem i privilegjuar që jam sot këtu, në mesin e intelektualëve dhe në këtë Konferencë madhështore shkencore, kushtuar një figure kolosale të letërsisë dhe të kulturës.
Sinqerisht pohoj se gjatë gjithë historisë së kulturës shqiptare ne jemi dëshmitarë të lindjes së personaliteteve të shquara dhe të intelektualëve të shquar, të cilët kanë shërbyer si orientues për brezat e mëvonshëm dhe janë bërë shembull i krenarisë kombëtare.
Natyrisht të flasësh për polumbarët e detit të diturisë dhe inteligjenciës është shumë e vështirë, por një shprehje e moçme persiane thotë: Nëse nuk mundesh të pish gjithë ujin e detit, pi aq sa të shuash etjen.
Sami Frashëri është një ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar. Ai njëkohësisht me punën e tij shkencore dhe kulturore nuk i përket vetëm Shqipërisë, por edhe shumë vendeve të tjera. Roli i Samiut në shoqërinë osmane të periudhës së tanzimatit ka qenë shumë i spikatur, aq sa ndihmesën e tij e kanë cilësuar si një ndër bazat më të rëndësishme të shoqërisë osmane. Vetvetiu lind pyetja: Si dhe kur lindi dashuria dhe pasioni i Samiut për gjuhën, literaturën dhe kulturën perse? Kjo pyetje ka nevojë për një shpjegim të hollësishëm.
Gjatë periudhës të tanzimatit në territoret e ndryshme ku sundonte kultura osmane, poezia turke pati një hov zhvillimi. Para kësaj periudhe poezia turke quhej poezi Divan. Ajo trajtonte kryesisht dashurinë sipas pikëpamjeve fetare por ishte pothuajse e pakuptueshme nga shtresat e thjeshta të popullit dhe letërsia moderne që kishte filluar të lulëzonte pati një shtrirje të madhe në popull. Poetët ose shkrimtarët e rinj në veprat e tyre letrare filluan të trajtonin ide dhe tema të reja, të bazuara mbi letërsinë e kaluar me qëllimin e mirë për ta rinovuar dhe për ta bërë më të thjeshtë poezinë turke. Në këtë mënyrë rrugëzgjidhjen e këtij problemi ata e gjetën te përdorimi i termave të gjuhës perse; kjo nuk u kufizua vetëm në poezi, por romancierët e rinj turq në veprat e tyre trajtonin tema legjendash historike të Iranit të lashtë.
Samiu si një gazetar dhe një shkrimtar i shoqërisë osmane, duke përfituar nga letërsia perse dhe ndryshimet e reja letrare të asaj kohe në Turqi, i hyri punës për përfundimin e skenarit të tragjedisë “Sohrabi ose vrasësi i djalit”, dhe më pas shkroi dramën “Gjave”, që ështe një tregim i një djaloshi të thjeshtë iranian i cili ngre krye kundër sundimtarit të egër Zahak që kishte pushtuar Iranin, atdheun e tij. Këto vepra u priten shumë ngrohtë nga publiku dhe nga amdirues të shumtë. Pikërisht për këtë “faj” Samiu u internua në Trablosin perëndimor. Këtu duhet theksuar se kjo dramë, në mënyrë të tërthortë adresohej kundër pranisë së osmanëve në atdheun e tij.
Studiuesit turq pohojnë se gjithë letërsia turke, gjatë periudhës osmane, është kryekëput e huazuar nga letërsia perse:
Ekzistenca e poetëve dhe e prozatorëve iranianë gjatë sundimit të Sulltan Muhamed Fatihut u bë shkas që gjuha perse të ketë një ndikim të theksuar në gjuhën turke, madje dhe poeti më i madh turk i shekullit të 9-të Ahmed Pasha i cili njihet dhe si një ndër themeluesit e poezisë turke, është përkthyes i poezive perse.
Por pas ripërtëritjes së gjuhës turke dhe dominimit të saj në territoret osmane, gjuha perse filloi të humbiste fuqinë e saj. Ajo u reduktua ndjeshëm. Numri i novelave dhe i tregimeve ose i vëllimeve poetike në gjuhën perse u zvogëlua, por megjithatë nuk u venit kurrë dëshira e madhe e intelektualëve për të lexuar poezitë dhe prozën iraniane. Kryeveprat e letërsisë perse ruajtën superioritetin e tyre letrar dhe artistik në atë shtet.
Për të përmbushur kërkesat e shoqërisë osmane për literaturë perse intelektualët turq filluan të bënin një sërë reformash të rëndësishme nga të cilat po prekim vetëm disa syresh:
1 – Botimi i fjalorëve dhe i termave të rëndësishëm për njohjen e gjuhës dhe të kulturës si dhe historinë e civilizimit të lashtë persian, me qëllim që brezat e ardhshëm të njihen më mirë e më saktë me trashëgiminë kulturore iraniane.
2 – Ilustrimi turqisht i teksteve persiane.
3 – Përkthimi i kryeveprave letrare perse në gjuhën turke.
4 – Botimi i librave të mësimit të gjuhës perse për mësuesit e rinj në periudhën e tanzimatit.
Po të vemë re pikat e përmendura pak më lart do të kuptojmë dhe rolin e madh të Sami Frashërit për zgjerimin dhe për përhapjen e gjuhës perse. Si Samiu ashtu dhe vëllai i tij më i madh Naimi kanë shkruar vepra gjatë gjithë reformave të përmendura më lart.
Sipas konfirmimit të bërë nga intelektualë dhe mendimtarë Samiu ishte dijetari më i madh dhe më i famshëm osman, që kishte dalë nga gjiri i popujve të Evropës Juglindore dhe që la pas vepra të çmueshme:
Enciklopedia e Samiut “Kamus al Alam”, një kryevepër e rrallë bën një prezantim historik dhe gjeografik. Për të vërtetuar këto fjalë duhet të theksojmë Alame Dekhoda-n, gjeniun e enciklopedisë së fjalorëve të gjuhës perse, i cili i kushtoi këtij libri një vëmendje tejet të veçantë, por më e rëndësishmja është se vepra Kamus al Alam shërbeu si bazë për hartimin e shumë fjalorëve të rëndësishëm.
Përkthimi në gjuhën turke i një përmbledhje nga libri “Shahnameja” si dhe përkthimi i shumë veprave të tjera të letërsisë perse pohojnë edhe njëherë tjetër faktin se Samiu është jo vetëm një orientalist dhe iranolog, por duke marrë parasysh besimet dhe idetë humane ndaj kulturës dhe civilizimit mijëravjeçar iranian bëri përpjekje tepër të mëdha për prezantimin dhe popullaritetin e Iranit në shoqërinë osmane. Po të vështrojmë veprën Kamus al Alam të Samiut, pjesën kushtuar Iranit, në librin e prof Gazmend Shpuzës del se Samiu ka nxjerrë në pah dashurinë dhe simpatinë e tij ndaj kulturës dhe civilizimit të lashtë iranian.
Marrë nga revistë shkencore-kulturore tremujore “PERLA”, Viti IX 2004 Nr. 2 (33), f. 15-18