Liria e shprehjes përmes lirisë së shtypit është një e drejtë themelore në shoqëritë demokratike, por megjithë këtë fakt, liria e shprehjes nuk gëzon atributet e një të drejte absolute për arsye se ajo përmban në vetvehte ashtu si detyra të specifikuara edhe përgjegjësi në raport me shoqërinë. Për këtë arsye ajo i nënshtrohet ligjërisht terreneve juridike kufizuese.[1]Nga ana tjetër Ligji Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut e pajis individin me të drejtën e lirisë së besimit. Kjo liri përfshin pasjen e një feje apo edhe proçesin e adoptimit me një fe tjetër, gjithashtu edhe të drejtën e praktikimit të këtij besimi në hapësirat e shoqërisë. Por pavarësisht kësaj, ky ligj nuk e merr në konsideratë përjashtimin e religjionit nga përqeshja apo fyerja gjë e cila lidhet direkt me respektimin e ndjenjave besimore te individit.[2]
Në përgjithësi liria e shprehjes është një e drejtë e cila është e kufizuar nga të drejta të tjera të individëve të komunitetit bashkëpjestar të një shoqërie. Pra, kjo e drejtë mbështillet nga e drejta e të tjerëve dhe pikërisht kjo balancë të drejtash përcakton edhe legjitimitetin e fjalës së lirë në marrëdhëniet e saja në një shoqëri, përndryshe tejkalimi i kufirit të njërës liri ndaj tjetërs do të thotë sakrifikim i lirisë së tjetrit edhe nëse ky sakrifikim do të duhej të bëhej në emër të interesave të mëdha të shoqërisë, përsëri një akt i tillë do të qëndrone në suazat e anomalisë së lirisë së individit. Pastaj një koncept i rëndësishëm i cili lidhet me lirinë e shprehjes është fakti i moskonsiderimit të saj të shkëputur nga shumë dimensione që e përshkojnë atë. Një person lirë në rendin e ri demokratik është një person i cili lirinë e vet e ka të sintonizuar jo vetëm në marrëdhëniet e tija të jashtme me botën që e rrethon, por kuptimi vërtetë i lirisë së tij është kur ajo shtrihet edhe në dimensionin e lirisë brëndëshme të tij, lirisë në marrëdhëniet sociale e komunitare, por mbi të gjitha në dimensionin intelektual të lirisë.
Të njëjtat arsye që një individ gëzon në lirinë e tij të shprehjes të njëjtat arsye i japin jetë të drejtave të tjera po aq themelore siç janë e drejta e individit për sigurinë personale, për privacinë e tij, reputacionin dhe trajtimin e barabartë në marrëdhëniet me anëtarët e tjerë të shoqërisë, sespe janë të drejta që i përkasin të njëjtit terren lirie si ajo e shprehjes, duke qënë pjesë e të njëjtit korpus vlerash dhe standartesh. Tani, kur ne zhytemi në debatin për hapësirat e lirës së shprehjes nuk e kuptojmë se kredhja jonë artikuluese shtrihet në planin justifikues të faktit që një liri si ajo e shprehjes paska të drejtën legjitime të mbivendoset apo edhe të shterrojë liritë e tjera po aq themelore të të tjerëve. Justifikimi i mbivendosjes së kësaj të drejtë mbi të drejtat e tjera, bazohet nga mbështetësit e tyre në atë që ata e quajnë interesin shoqëror të cilit liria e shprehjes i shërben. Në fakt është karakteristikë e justifikimeve ligjore që kur e do vakti, të drejtat juridike të interpretohen si interesa dhe kur bëhet fjalë pastaj për interest e individëve apo grupeve shoqërore, ato marrin formë vetëm nëse janë konform vlerave të shoqërive respektive, duke mënjanuar natyrën universale të të drejtës juridike e cila qëndron si e tillë e pavarësuar nga interesi qoftë edhe konjuktural apo i përkohshëm i një situate juridike. Kështu e drejta individuale përfundon të përthithet apo neutralizohet nga koncepti i interest social i cili nga ana e tij është i vështirë të definohet në formë konsensuale.
Meiklejohn, në analizën që i bën dispozitave të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, shprehet se ky amendament zanafilloi si zgjidhja përfundimtare e problemeve të lirisë së shprehjes por më vonë u pa një konflikt i cili doli në sipërfaqe mes dy grupimeve të interesave sociale, konfliktit mes promovimit të fjalës së lirë dhe interesit social i cili dëmtohej nga ushtrimi i saj.[3] Ndërkohë që promovimi i fjalës së lirë gjeti mbështetje ligjore, një gjë e tillë nuk arriti të shtrihej deri tek mbrojtja e vlerave të dëmtuara pikërisht gjatë ushtrimit të lirisë së shprehjes duke u transformuar në përceptimin e përgjithshëm të një antagonizmi mes lirisë së shprehjes dhe interesit publik. Në të vërtetë ka raste kur të drejtat juridike mund të përplasen, por kjo konsiderohet si përjashtim. Ajo që ndodh në rastin e përplasjes së lirisë së shprehjes dhe dëmeve që ajo i shkakton interesit publik, është kthimi i një përjashtimi në rregull të përhershëm, pra, një konflikt juridik jo i përkohshëm për që ka zënë rrënjë dhe kërkon zgjidhje në çdo situatë sociale.
Në veprën e tij “Natyra dhe Burimet i Ligjit” John Gray ndërton një strukturë trekëndore të problemeve që implikojnë lirinë e shprehjes dhe dëmet që ajo mund t’i shkaktojë interesit shoqëror. Së pari, qëndron e drejta e atyre të cilët dëshirojnë të shprehen lirshëm apo të jenë të lirshëm të dëgjojnë të tjerët të shprehen. Së dyti, qëndron pjesa tjetër e shoqërisë të drejtat e të cilëve mund të cënohen apo dëmtohen nga e drejta e të tjerëve për t’u shprehur lirshëm. Dhe së treti, qëndron shteti i cili është përgjegjës për ressektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dy grupimeve të mësipërme.[4] Në këtë kuptim të drejtat e të dy grupimeve të para, në konceptin modern juridik, mund të konsiderohen në të njëjtën kohë si interesa shoqërore dhe roli i shtetit qëndron pikërisht në mbrojtjen e tyre ngase interesi shtetëror është i pandarë nga interesi publik (social). Pra, fenomeni duhet parë si ndërveprim të drejtash dhe lirish i cili shndërrohet në konflik në momentin që shteti si rregullator i këtyre të drejtave, që në të njëjtën kohë janë edhe interesa, të sigurojë mbrojtje ligjore vetëm për njërën dhe duke e lënë tjetrin të pambuluar ose pjesërisht të mbuluar ligjërisht.
____________________________________________________________
[1] Shih: “Human Rights Commitee”, Dispozita të Përgjithshme nr.10. Neni 19: “Liria e Shprehjes”. OKB viti 1983.
[2] OKB : “Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike”, Neni 18, 16 Dhjetor 1966
[3] Meiklejohn, Alexander; “Political Freedom” viti1960 fq.54-55 (në këtë punim autori rreket të shpjegojë se Amendamenti i Parë nuk arrin të mbrojë si individin dhe lirinë e tij dhe të sigurojë në të njëjtë kohë mbrojtje të interesave sociale). Kurse Bork H Robert në një punim tjetër, “Neutral Principles and Some First Amendment Problems”, 47 IND. L. J.1, viti1971 fq 24-26 (agumenton se Amendamenti i Parë mbron vetëm lirinë e fjalës në diskursin politik)
[4] Gray Ch. John: “The nature and Sources of the Law” botimi i dytë viti 1972 fq.18