
Dy vjet pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore 1914-1918, në të cilën aleatët fituan dhe Perandoria Osmane u mund, pjesët arabe të saj u morën në shqyrtim në një konferencë në qytetin italian San Remo (1920), në të cilën u arrit një marrëveshje për ndarjen dhe caktimin e mandateve[1], ku dëshirat e arabëve vendas u morën parasysh vetëm në mënyrë të pjesshme.
Siria, siç ishte premtuar, i kaloi Francës, ndërsa Britania mori hisen e saj në Palestinë dhe në Irak. Mandatet do të ishin vetëm të përkohshme dhe duhet t’i aftësonin vendasit për të arritur, së fundi, pavarësinë e plotë. Deklarata e Balfourit, u ndërthur në mandatin e Britanisë për Palestinën, duke i kënaqur kështu dëshirat e sionistëve.[2]
Britania caktoi si përfaqësues të vet në Palestinë Herbert Samoilin, në vitin 1920, i cili në vitin 1916 kryente detyrën e ministrit të punëve të brendshme. Ajo e vazhdoi mandatin e saj mbi Palestinën për 28 vjet (1920-1948). Këshilli i Ligës së Kombeve në vitin 1922 e miratoi protektoratin Britanik mbi Palestinën sipas dokumentit mandatar.[3]
Rezoluta e San Remos, që u miratua në 25 prill të vitit 1920, përfshiu Deklaratën e Balfourit dhe nenin 22 të Statutit të Lidhjeve të Kombeve. Ajo ishte dokumenti bazë mbi të cilin u vendos mandati për Palestinën. Në qershor të vitit 1922, Lidhja e Kombeve aprovoi Mandatin mbi Palestinën, që hyri në fuqi kur u zgjidh një grindje midis Francës dhe Italisë mbi mandatin mbi Sirinë. Kjo ndodhi në shtator të vitit 1923. Mandati mbi Palestinën ishte një dokument ekplicit në lidhje me përgjegjësitë dhe të drejtat britanike të administrimit në Palestinë.[4] Gjithashtu, pikat e tij vërtetonin nxitjen e migrimit hebraik.
Britania e Madhe vendosi të tërhiqej më 14 Maj 1948 në vend të 1 gushtit, sikurse ishte paraparë me planin e KB, gjë që e vështirësoi punën e Komitetit të KB në implementimin e vendimeve të KB për ndarjen e Palestinës. Këshilli i Përgjithshëm i organizatës sioniste i përshpejtoi përgatitjet e shpalljes së shtetit hebraik në të njëjtin ditë të largimit të trupave anglezë. Kështu, Këshilli Nacional Hebraik, i përbërë nga përfaqësuesit e rrymave politike të organizatës botërore sioniste, shpalli formimin e shtetit disa orë para largimit të njësive të fundit ushtarake angleze nga Palestina.[5]
2- Deklarata për shpalljen e shtetit të Izraelit (1948)
Më 14 maj të vitit 1948 (dita e pestë e muajit Ijar të vitit 5708, sipas kalendarit hebraik) ishte marrë vendimi definitiv që të shpallej shteti hebraik me 650 mijë banorë. Me këtë akt bëhej përtëritja e shtetit hebraik, Eretz Izrael.[6] Deklarata e Pavarësisë kishte 979 fjalë hebraike.[7]
Në Deklaratën e Pavarësisë është thënë: “Shteti Izrael do të jetë i hapur për migrimin e hebrenjve dhe tubimin e të internuarve; ai do të forcojë zhvillimin e vendit në interes të të gjithë banorëve, ai do të bazohet në liri, drejtësi dhe paqe, sikurse që kanë profetizuar profetët e Israilit; ai do të sigurojë barazinë e plotë e të drejtave sociale dhe politike për të gjithë banorët e vet pavarësisht nga religjioni, raca ose gjinia; ai do të garantojë lirinë e besimit, ndërgjegjes, gjuhës, edukimit dhe kulturës; ai do të ruajë të gjitha vendet e shenjta të feve; ai do të jetë thellësisht lojal ndaj parimeve të Kartës së KB...”[8]
Qëllimet dhe parimet udhëheqëse të shtetit të ri u përkufizuan si vijon: Është arritur rimëkëmbja e shtetit në atdheun e vjetër, Eretz Izrael, nga i cili populli hebraik është dëbuar me dhunë. Në dekadat e fundit pionierët hebraikë dhe hebrenjtë e tjerë e kanë shndërruar shkretëtirën në një kopsht të lulëzuar, e kanë përtërirë gjuhën hebraike, kanë ndërtuar fshatra dhe qytete... duke u sjellë bekimin dhe përparimin të gjithëve banorëve të vendit në Palestinë.
Katastrofa e hebrenjve evropianë kishte kërkuar zgjidhje urgjente të çështjes së tyre që ishin pa atdhe përmes rimëkëmbjes të shtetit në Eretz Izrael, që do t’ia hapte dyert gjerësisht çdo hebreu në botë. Bashkësia hebraike në Palestinë ka dhënë kontributin e saj të plotë për luftën e popujve liridashës dhe paqedashës kundër forcave të errëta të nazizmit, prandaj ka fituar të drejtën që të përfshihet në bashkësinë botërore të popujve.
3 - Nakba
Për palestinezët krijimi i Izraelit në 14 maj 1948, rreth gjashtë muaj pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për ndarjen e Palestinës së atëhershme në shtetet arabe dhe hebraike, ishte "Nakba”(arabisht El-Nakba), ose “Katastrofë”, ku rreth 700 mijë palestinezë i braktisën apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Prandaj ditën e krijimit të Izraelit palestinezët e njohin si El-Nakba ose "Katastrofa"e vitit 1948. Palestinezët e përkujtojnë Nakbën çdo vit në 15 maj. [9]
Në vitin 2008, kur Izraeli festoi 60 vjetorin e krijimit të shtetit, palestinezët përkujtuan 60 vjetorin e Nakbas. Ata marshuan në mënyrë solemne në Bregun Perëndimor në rreshta që simbolizonin shpresën e refugjatëve palestinezë për t'u rikthyer në fshatrat e tyre që tani janë brenda kufijve të Izraelit. Ata dhe pasardhësit e tyre, shumë prej të cilëve jetojnë në kampe refugjatësh, besojnë se kanë të drejtë të kthehen ne tokën e tyre historike.[10] Shumë palestinezë mendojnë se kërkesa e tyre për t’u kthyer në tokat e para 1948-ës nuk do të realizohet kurrë në praktikë. Megjithatë, nëse do të pranohej se është bërë një padrejtësi, kjo do të ndihmonte shumë në gjetjen e një zgjidhjeje.
Fransis Boyle ka propozuar një fushatë ndërkombëtare që do të kërkonte prej Asamblesë së Përgjithshme të KB që të vendosë Tribunalin Ndërkombëtar për krime të luftës në Palestinë, që do të mund të punonte sipas vijave orientuese të Tribunalit të ish-Jugosllavisë. Ai do të ishte në gjendje që të merrej me krimet e luftës që ka bërë dhe bën ushtria izraelite ndaj popullit palestinez.[11] Uri Avnery, një intelektual i njohur izraelit, shkruan se me rastin e festimit të 60 vjetorit të formimit të Izraelit, shumë burrështetas u mblodhën në Izrael por asnjëri prej tyre nuk tha asnjë fjalë për ardhacakët sionistë, bllokadën e Gazës dhe vrasjet e përditshme. Asnjëri nuk u ngrit që të tërhiqte vërejtjen se një politikë e tillë do ta çonte Izraelin drejt shkatërrimit.[12]
Korrespondenti i BBC-së në Jerusalem, Tim Franks, thotë se Izraeli ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga koha e krijimit. Popullsia është rritur dhjetë herë, ekonomia dhe ushtria e vendit janë në pozita shumë më të fuqishme se ato që kishin ëndërruar themeluesit e shtetit. Megjithatë, ai thotë se Izraeli është një vend ku shumëçka është ende e paqartë, për shkak të konfliktit të pazgjidhur me vendet arabe fqinje dhe palestinezët. Po ashtu, nuk është e sigurt nëse do t’i mbijetojë kohës mozaiku i larmishëm fetar, etnik dhe politik që përbën vendin.[13]
[2] Stanford J. Shaw, Ezel Kural, Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë Moderne, vëllimi II, Jehona Study Center, Tiranë, 2006, f. 400.
[3] Mandati Britanik përfshinte gjithë territorin e asaj që njihet si Palestina Historike, me 26. 920 km (që nënkupton shtetin e Izraelit, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës). Shih: http://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%A7%D9%84%D8%A7%D9%86%D8%AA%D8%AF%D8%A7%D8%A8_%D8%A7%D9%84%D8%A8%D8%B1%D9%8A%D8%B7%D8%A7%D9%86%D9%8A_%D8%B9%D9%84%D9%89_%D9%81%D9%84%D8%B3%D8%B7%D9%8A%D9%86 (me datë 12. 07. 2008.)
[4] http://en.wikipedia.org/wiki/British_Mandate_of_Palestine#Drafting_The_Mandate (me datë 09. 07. 2008.)
[6] Eretz Yisrael është shprehje hebraike që është përdorur në Dhiatën e Vjetër, që fjalë për fjalë do të thotë dheu i Izraelit: “E në mbarë dheun e Izraelit nuk kishte farkëtarë...” (Libri i parë i Samuelit/ 13:19). Shih: Abdulvehab Muhammed El Mesiri, Mevsua El Jehud... op. cit., f. 204.
9] http://www.bbc.co.uk/albanian/news/2008/05/080508_israel_anniversary.shtml (me datë 13. 07. 2008.)
[11] Fransis Boyle është profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Ilinios. Shih:
http://www.srebrenica.ba/?link=12 (me datë 19. 07. 2008.)
[12] http://www.islambosna.ba/index.php?option=com_content&task=view&id=2167&Itemid=31 (me datë 22. 07. 2008.)
[13] http://www.bbc.co.uk/albanian/news/2008/05/080508_israel_anniversary.shtml (me datë 26. 07. 2008.)