
- Sot Bashkimi Evropian me 500 milionë banorët e saj përbën hapësirën më të madhe ekonomike në botë. Qysh në kohën e Romës antike Evropa ishte gjeografikisht e bashkuar, në mesjetë atë e bashkoi Karli i Madh dhe më pas Napoleon Bonaparta; atë e bashkoi dhe Hitleri në kohën e re. Mirëpo ky bashkim nuk doli i suksesshëm për shkak se ishte i bazuar në interesat e ndonjë despoti apo populli të caktuar. Asnjëherë sikurse tani Evropa nuk ka qenë e bashkuar me mjete paqësore nën vlera të tolerancës, solidaritetit, shtetit ligjor, respektimit të sovranitetit, të drejta e njeriut etj. Pikërisht këtu qëndron suksesi i këtij bashkimi, dhe kjo është garanci se Evropa e bashkuar nën këto vlera ka ardhmëri.
Por si erdhi deri të ky bashkim Evropa? Bashkimi Evropian është rezultat i dy luftërave Botërore që ndodhën në shekullin e kaluar. Pas shumë shkatërrimeve dhe humbjeve të dhjetëra-milionë jetëve të banorëve të Evropës dhe për shkak të rrezikut që këto luftëra shkatërrimtare për njerëzimin mund të vazhdonin, dilet me një plan gjenial. Këtë plan e shpalli publike ministri i Punëve të Jashtme të Francës Robert Shuman. Plani ishte që shtet e Evropës të formonin një organizim mbishtetërore që do të kontrollojë dhe menaxhojë çelikun dhe thëngjillin në Evropë. E gjithë kjo do të bëhej në funksion të transparencës me qëllim që të dihet sesa dhe për çfarë qëllimi harxhohet çeliku, si dhe për çfarë shfrytëzohet energjia që fitohet nga thëngjilli. Mirëpo çfarë rëndësie dhe cilit qëllim i shërben kontrolli i çelikut në Evropë? Kontrolli i çelikut në Evropë pamundëson që ndonjë shtet i Evropës e posaçërisht Gjermania të mund të armatoset pa dijen e shteteve të tjera. Kjo pasi çeliku është lënda e parë për prodhimin e tankeve, topave, luftë-anijeve, nëndetëseve, bombave etj. Kontrolli i çelikut i heq shpresat atij shteti, që në fshehtësi të punojë për ta kthyer pozicionin e vet në favor të tij dhe në dëm të të tjerëve. Që ky plan të realizohej, në vitin 1951 në Paris u lidh Traktati Evropian për Thëngjill dhe Çelik në mes Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve të Beneluks-it (Belgjikë, Holandë, Luksemburg) i njohur si Traktati i Parisit. Pas lidhjes së Traktatit të Parisit filloi procesi i integrimit evropian e, si rrjedhojë u lidhën dhe traktate edhe me shtete të tjera, për sfera të ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, që si qëllim kishin evitimin e luftërave në Evropë dhe bashkimin e Evropës.
Por, pasi kohërat ndryshuan dhe armatimi nuk bëhej vetëm prej çeliku, kur mundet që vetëm me një bombë të shkatërrohet një shtet, u parapa që në vitin 1957 të formohet dhe një organizim tjetër mbishtetërorë, e që do të ketë për detyrë të mbikëqyrë dhe menaxhojë energjinë bërthamore. Ky organizim kuptohet që kishte për qëllim që të pengojë Gjermaninë që të krijojë bombë atomike. Por pse nuk e formuan këtë organ në të njëjtën kohë kur e krijuan organin për kontrollin e çelikut dhe thëngjillit? Arsyeja qëndron në faktin se në atë kohë Franca ende nuk e kishte krijuar bombën atomike. Franca pasi e krijoi bombën dhe u sigurua për vete, ajo përpiqej që të gjejë zgjidhje sesi ta parandalojë Gjermaninë, pasi ndërkohë dhe Mbretëria e Bashkuar kishte krijuar bombën atomike. Me këtë rast, në vitin 1957 në Romë u nënshkrua Traktati i Komunitetit Evropian për Energji Atomike dhe u themelua Bashkimi Ekonomik Evropian, e që parashihte bashkëpunim ekonomik ndërshtetëror.
Përderisa në Traktatin e Romës u themeluan bazat për një bashkëpunim ekonomik në mes disa shteteve evropiane, pas disa dekadave në Mastrih (1993) u themelua Tregu i Përbashkët Evropian, Bashkimi Evropian (si organizim politik, e jo vetëm ekonomik) dhe, u parapa themelimi i një Bashkimi Monetar Evropian (Euro). Me Traktatin e Mastrihut u arrit kompromisi që Gjermania të heq dorë nga valuta e saj shumë e suksesshme në treg, gjegjësisht marka dhe të pajtohet për valutë të përbashkët me frangën e Francës, me qëllim që mos të vazhdojë të humb vlera e frangës franceze në krahasim me markën gjermane. Por Gjermania nuk e dorëzoi markën pa përfitim. Pasi dorëzoi një pjesë të fuqisë ekonomike, ajo kërkoi që Bashkimi Ekonomik Evropian nga një organizimi kryesisht ekonomik të shndërrohej në organizim edhe politik, me ç’ka Gjermania e ngriti influencën e saj politike në Evropë. Sot ky veprim i Gjermanisë u dëshmua edhe më i suksesshëm nga ç’pritej, pasi me krizën ekonomike që ka kapluar Bashkimin Monetar Evropian, e vetme ekonomi që mund ta përballojë këtë krizë ekonomike në Evropë është Gjermania. Varësinë e shteteve evropiane nga kreditë e Gjermanisë, ajo e shfrytëzon që gradualisht të rrisë influencën e saj politike në Evropë.
Pas Traktatit të Mastrihut lidhet Traktati i Amsterdamit (1997) dhe Traktati i Nicës (2001) me ç’ka u hap rruga për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Evropës së mesme dhe lindore. Me rritjen e traktateve u zmadhuan dhe kompetencat e BE-së, që nënkupton dhe rritjen e dispozitave ligjore, që janë të nevojshme për funksionimin sa më efikas të këtij bashkimi. Traktatet e shumta për një periudhë të shkurtër, shkaktuan konfuzion të ligjeve, pasojat e të cilës më shumë prekën qytetarët e Bashkimit Evropian, të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë se si funksionon BE-ja. Ky fakt, së pari u vërejt pas dështimit të ratifikimit të Traktatit të Amsterdamit në Danimarkë nëpërmjet Referendumit. I njëjti fenomen u paraqit disa vite më vonë me rastin e dështimit të ratifikimit të Traktatit të Nicës në Irlandë. Ratifikimi i Traktatit të Nicës ishte me rëndësi jetike për reformimin e institucioneve të BE-së, për shkak se pa këtë reformë BE-ja nuk do të mundej t’i përballonte sfidat, që do të vinin si rrjedhojë e zgjerimit të BE-së në lindje të Evropës.
Në një situatë të tillë të re, me shumë traktate dhe me rritjen e shteteve që iu bashkuan BE-së, si dhe me zgjerimin e mëtejshëm që pritej, pra të Bullgarisë, Rumanisë dhe Ballkanit Perëndimor, ishte e nevojshme inkorporimi i traktateve në një traktat të vetëm. Për këtë arsye BE-ja formoi Konventën Evropiane, në të cilën çdo shtet anëtar i BE-së dhe shtetet kandidatë së bashku dhe me Turqinë, dërguan përfaqësuesit e vetë. Në krye të kësaj Konvente u emërua ish-presidenti i Francës, Giscard. Detyra e kësaj Konvente ishte që të përpilojë tekstin për një Kushtetutë të Evropës, në të cilën do të përmblidheshin të gjitha traktatet e mëparshme dhe, me të cilën do të riformoheshin institucionet e BE-ë, në atë formë që ato të jenë më transparente dhe më afër qytetarëve. Puna e Konventës përfundoi me sukses, pasi ajo përmblodhi në tekst të gjitha detyrat që iu besuan.
Para se të sillet teksti përfundimtar i Kushtetutës së Evropës, kjo Konventë zhvilloi një debat të gjerë lidhur me atë tekst. Në debat u ftuan dhe morën pjesë me fjalimet dhe propozimet e tyre politikanët dhe akademikët më të njohur të Evropës. I gjithë ky bashkëpunim dhe transparencë zgjati afër dy vjet dhe si përfundim nxori në dritë tekstin përfundimtar, në të cilën u përfshin pak a shumë aspiratat e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, por duke pasur si bazë interesin e përgjithshëm të BE-së, e jo të shteteve të veçanta. Ky tekst në dallim nga traktatet e mëparshme të BE-së përmbante disa risi, ku më me rëndësi është se, në këtë tekst është përfshirë Preambula dhe Karta për të Drejtat e Njeriut.
Edhe pse Konventa ia doli që të përmbledhë një tekst përfundimtar për Kushtetutën e Evropës, me pëlqimin e gjithë anëtarëve të saj, rruga deri në përfundimin e këtij teksti nuk ishte dhe aq e lehtë, pasi për shumë çështje u zhvilluan debate të nxehta. Ndër temat për të cilën u diskutua më shumë ishin rreth peshimit të votës në Këshillin e BE-së, për zgjerimin e kompetencave të Parlamentit Evropian, për inkorporimin e Kartës për Drejtat e Njeriut në kushtetutë etj. Por, në këtë Konventë padyshim tema më interesante dhe që zgjati më shumë ishte diskutimi rreth identitetit evropian dhe vlerave evropiane, të cilat duheshin përmendur në preambulën e Kushtetutës Evropiane.
Ky debat u bë më interesant atëherë kur dhe Vatikani vendosi të ndërhyjë në këtë temë dhe, Papa i dërgoi letër Kryetarit të Konventës që të përmendet Zoti në Kushtetutë, si dhe të përmenden rrënjët krishtere të vlerave evropiane dhe të Evropës. Mirëpo ironia më e madhe ishte që përderisa debatohej për vlerat evropiane, e sidomos për vlerën se BE-ja është promotor i paqes, shumë shtete anëtare të BE-së i dërguan trupat e tyre në luftën në Irak, ku në atë kohë vranë me qindra, mijëra irakian dhe i dëbuan miliona të tjerë nga Iraku. Përderisa në këtë Konventë bisedohej për inkorporimin e Kartës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, me qëllim që BE të prezantohet në botë si komunitet vlerash, ndërkohë në Evropë kishim shkelje flagrante dhe sistematike të të drejtave dhe lirive të njeriut. Shumë qytetarë muslimanë të Evropës u arrestuan dhe dërguan në Guantanamo, e ku i nënshtrohen torturës dhe mbahen atje me vite pa mos u gjykuar.
Identifikimi i BE-së si komunitet vlerash është tepër idealist, pasi në ndërkohë sipërmarrësit evropianë shfrytëzojnë krahun e lirë punëtorë në shtetet e pazhvilluara, përderisa BE është një ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit jetësor; në territorin e saj lejon islamofobin nëpër media dhe në fjalorin politik të politikanëve; bashkëpunon me shtete autokratike për interesa ekonomike; është eksportuesi më i madh i armëve në botë; dhe për dekada të tëra iu imponoj viza evropianëve muslimanë, si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnje, Turqi dhe i izoloi ata nga të gjitha anët. BE-ja nuk do të na hiqnin dhe neve në Maqedoni vizat, por si duket shumica e atyre që kanë votuar për këtë vendim iu kanë besuar statistikave zyrtare të Maqedonisë, se shumica e banorëve të Maqedonisë janë të krishterë. Ata që vendosën që t’ia heqin vizat Shqipërisë, kërkuan që të bëhej regjistrim i popullsisë në Shqipëri, me çka shpresonin që të rritet numri i të krishterëve në Shqipëri, me qëllim që të justifikohen para qytetarëve të tyre, që i kanë shndërruar në islamofob, se nuk afrojnë një shtet me popullsi muslimane në BE. Përderisa kosovarët i kane shndërruar në popullin më të izoluar ne Evropë, ndoshta dhe në botë.
Por, si mundet që identiteti dhe vlerat evropiane të kenë rrënjë krishtere, ndërkohë që dhjetëra milionë muslimanë jetojnë në Evropë dhe tek të cilët krishterimi nuk ka ndikuar direkt në krijimin e identitetit të tyre, pasi ne e kemi pasur dhe e kemi Islamin bazë të formimit të identitetit tonë evropian dhe mysliman! Por kuptohet që nuk është pa qëllim tentimi që vlerat evropiane të identifikohen si vlera krishtere, pasi me te tentohet që të vështirësojnë krijimin e identitetit evropian te muslimanët evropianë në shtetet Ballkanike dhe Turqi. Pasi për zgjerimin e BE-së është paraparë që të zgjerohet me shtetet, të cilat ndajnë vlera të përbashkëta evropiane, me atë rast ato tentojnë të ndërpresin zgjerimin e BE-së në Ballkan dhe Turqi, dhe ne në atë rast nuk do t’i plotësojmë kushtet nëse nuk pranojmë se vlerat evropiane kanë rrënjë krishtere. Vlerat evropiane me rrënjë krishtere sot nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veç se politikën asimiluese të Bashkimit Evropianë kundrejt qytetarëve të saj musliman.
Pasi Kushtetuta Evropiane u soll pa përfshirë në të sugjerimet e Papës, kjo u reflektua në procesin e ratifikimit të saj në referendum. Në Francë, shtet me popullsi shumica katolikë, në Referendum u refuzua kjo Kushtetutë me lobim të Vatikanit. Pasi Franca përfaqëson shtetin themelues dhe më të rëndësishëm të BE-së, kjo nënkuptoj se Kushtetuta Evropiane u shpall e pavlefshme para se të mund të hyjë në fuqi. Si rezultat i vonimit të reformave në BE, pas zgjerimit të saj me 12 shtete të reja, dhe pasi kriza ekonomike kapi SHBA-në e që u përhap dhe në Evropë, e gjeti Evropën të papërgatitur dhe institucionet e saj të pa reformuar nga sfidat e reja ekonomike në botë. Andaj debati për Kushtetutën Evropiane dhe tentimi për ratifikimin e saj u la mënjanë dhe BE-ja me shpejtësi solli dhe ratifikoi Traktatin e Lisbonës, që hyri në fuqi në fund të vitit 2009. Me këtë veprim u dëshmua se debati për identitetin evropian ishte i hershëm në Evropë dhe zëvendësimi i identiteteve kombëtare me identitet evropian do duhet të pres kohëra më të mira.
Sot për shkak të krizës ekonomike në Evropë, edhe përkrahja pa rezervë e qytetarëve të saj për projektin e BE-së është duke u zvogëluar. Nuk është për t’u habitur kur dëgjohet që shumë analistë të rëndësishëm politik dhe ekonomik, flasin se kjo është fillimi i shkatërrimit të BE-së dhe valutës së përbashkët euro. Megjithatë unë ndaj mendimin se këtë sfidë, edhe pse me lëndime serioze të kredibilitetit të BE-së dhe euros, BE-ja do të mbijetojë. Sot në kohë të globalizimit dhe të një ekonomie të tregut të lirë është e vështirë që të mbijetosh si fuqi botërore, dhe prandaj Evropa do të qëndrojë e bashkuar, me qëllim që të mundet të mbajë balancë me Kinën, SHBA-në, Rusinë, Indinë dhe Brazilin, si dhe aleancave të tjera që pritet që të krijohen në të ardhmen, gjegjësisht të shteteve hispano-amerikane, arabe dhe turke.
- Në prill 2012, Kryetari i Parlamentit të Bashkimit Evropian në një intervistë për një gazetë prestigjioze gjermane, në pyetjen se a ndihet një trend i skepticizmit për BE në shtetet anëtare të saja, ai u përgjigj: “Bashkimi i Evropës është një projekt i kthyeshëm ( reversibil), Evropa mund gjithashtu të dështoj. Ne tani për herë të parë jemi në një situatë kur kjo është një skenë reale”.
Tani parashtrohet pyetja se nëse këtë e thotë përfaqësuesi më legjitim i Bashkimit Evropian pse atëherë politikanët shqiptarë si të marrë në çdo fjalim të tyre politik na flasin për të ardhmen e ndritur të shqiptarëve në Evropën e Bashkuar?! A ende nuk e kuptojnë ata, apo nuk duan që ta kuptojnë, se Evropa e Bashkuar nuk është bashkim territorial i kontinentit të Evropës, por është bashkimi në një ide apo ideologji, e që konsiston në bashkimin e shteteve të krishtera me një qytetërim të përbashkët.
Nëse ne shqiptarët në shumicë jemi mysliman, atëherë pse ne mendojmë që kemi të ardhme në një shoqëri me qytetërim dhe mentalitet që është armike ndaj Islamit?!
Kuptohet që ne mund të kemi ardhmëri në projektin e Evropës së Bashkuar, por vetëm nëse ne do t’i pranonim vlerat evropiane apo krishtere. Si duket disa politikan shqiptarë janë të gatshëm që ta pranojnë këtë kompromis, prandaj dhe pandërprerë me ndihmën e masmediave punojnë në formimin e një shqiptari/e me vlera evropiane.
Vetvetiu parashtrohet pyetja tjetër se a duam ne (shumica) shqiptarët që të bëhemi musliman me vlera krishtere (evropiane)?!
Besoj që jo, pasi që identiteti ynë, vlerat tona islame dhe e kaluara e jonë e lavdishme gjatë Perandorisë Osmane nuk mund të zëvendësohen për projekte politike të paqarta; aq më shumë kur dhe vetë krerët më të lartë të institucioneve evropiane parashohin se Evropa e Bashkuar mund të dështoj.
Autori është Master i Studimeve Evropiane – Universiteti i Vjenës.