

Emil Lafe
Është mjaft domethënës fakti se numri i parë i revistës sonë “Perla” (janar–mars 1996) hapet me artikullin “Persizmat në gjuhën shqipe”. Ky artikull, që përuron dhe rubrikën bazë të revistës: “Lidhjet kulturore shqiptaro-iraniane”, ka si autor mbledhësin dhe studiuesin e mirënjohur të orientalizmave të shqipes, që i kushtoi jetën e tij shkencore hartimit të një fjalori të orientalizmave të gjuhës shqipe. Lumturisht ai arriti ta përfundojë së gjithash dorëshkrimin e fjalorit në vitin 1972, kur do të ndahej nga jeta. Por mjerisht vepra e tij e pa dritën e botimit 33 vjet më vonë, falë përkujdesjes dhe ndihmesës financiare të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) dhe Organizatës Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO). Tahir Dizdari e hartoi këtë fjalor si punonjës i Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe pjesë të zgjedhura nga shkronjat e para të fjalorit të tij u botuan në një varg numrash te “Buletini i USHT Seria shkencat shoqërore” (1960–1962) e më pas te revista “Studime filologjike” (1964–1966). Në vitet 1993–1995 pjesë të zgjedhura nga Fjalori i T. Dizdarit u botuan edhe te revista “Drita islame” (Tiranë). Dorëshkrimi i fjalorit i daktilografuar dhe i korrigjuar nga vetë autori u ruajt në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku studiuesit e interesuar patën mundësi të përfitojnë nga shpjegimet e hollësishme për fjalët e mbledhura e të trajtuara me aq kompetencë e material të pasur si nga gjuha e folur në krahina të ndryshme të vendit, ashtu dhe nga gjuha e shkruar (autorë të letërsisë shqipe, përkthime, organe të shtypit). Fjalori i Tahir Dizdarit u ka shërbyer veçanërisht hartuesve të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), ku ndër 41 mijë fjalët e tij, mbi 1800 janë fjalë me burim nga gjuhët orientale të formuara nga tema orientalizmash. Të dhënave të Tahir Dizdarit u referohet dendur edhe E. Çabej në studimet e tij etimologjike. Pjesët botuara nga fjalori i Tahir Dizdarit i kanë shërbyer veçanërisht studiuesit gjerman Norbert Boretzky për veprën e tij në dy vëllime “Der türkische Einfluss auf das Albanische” (“Ndikimi i turqishtes mbi shqipen”). vëll. I, 1975, 279 f.; vëll. II, 1976, 225 f., Wiesbaden (Gjermani).
Revista “Perla” në numrin 4 të vitit 2006 përfundoi botimin e fjalëve me burim nga persishtja, që kishte përfshirë në fjalorin e vet T. Dizdari. Redaksia më ngarkoi me detyrën e përgatitjes për shtyp të materialit dhe kjo punë hap pas hapi më futi në rrethin e problemeve të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët burimore të atyre fjalëve, që T. Dizdari i kishte quajtur orientalizma. Kjo detyrë ishte edhe një peng nderimi për atë studiues të përkushtuar e fjalëpakë, që kisha njohur së pari në kthinën e tij pranë Pazarit të Ri (sot rruga “Luigj Gurakuqi”), ku kishte dikur librarinë dhe studion. Aty rrihte në makinë (siç thonë shkodranët) lëndën e fjalorit, por nuk linte rast pa pyetur vizitorët e ndryshëm për këtë ose atë fjalë dhe kështu zgjeronte gjeografinë e përhapjes së orientalizmave në të folmet e ndryshme të shqipes dhe saktësonte kuptimet e tyre. Kur fillova punën në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë në vjeshtën e vitit 1959, fati më hodhi të jem në një zyrë me Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejnë dhe Mahir Domin. Aty vinte herë pas here edhe Tahir Dizdari, veçanërisht kur filloi të botohej pjesë-pjesë fjalori i tij te “Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës”. Vinte për të marrë vërejtjet e redaksisë për lëndën e fjalorit dhe kështu isha dhe unë i pranishëm në ato shkëmbime mendimesh që zhvilloheshin me aq frymë ndërtuese shkencore dhe me një fisnikëri intelektuale mbresëlënëse.
Botimi i pjesëve të zgjedhura nga fjalori i T. Dizdarit dhe vetë qenia e një vepre të tillë, ndonëse e pabotuar, gjallëruan interesin e studiuesve shqiptarë për këtë shtresë fjalësh me aq interes gjuhësor e social-kulturor në leksikun e shqipes e të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Këtë e dëshmon edhe bibliografia e studimeve për orientalizmat në gjuhën shqipe, të botuara në shtypin shkencor shqiptar (në Shqipëri e në Kosovë), që paraqitet si shtojcë në fund të këtij shkrimi. Në këtë bibliografi (që nuk mëton të jetë e plotë) bie në sy ndihmesa e veçantë e revistës “Perla”, ku janë botuar shtatë studime rreth kësaj teme, përveç lëndës së plotë të rubrikës “Persizmat në gjuhën shqipe” (1996–2006), të nxjerrë nga fjalori i T. Dizdarit, për të cilën u bë fjalë më lart. Me mbështetjen e Fondacionit “Saadi Shirazi” pata mundësi të marr pjesë në Kongresin II Kombëtar të Iranologjisë (Teheran, 20–23.12.2004), ku mbajta një kumtesë me temë “The Persian Words in the Context of Orientalism in the Dictionary of Contemporary Albanian Language” (Rreth persizmave të gjuhës shqipe dhe vendit të tyre në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”). Kongresi ishte organizuar në mënyrë të shkëlqyer dhe interesimi i gjuhëtarëve iranianë e të huaj për gjuhën shqipe, për marrëdhëniet ndërmjet shqipes e persishtes dhe për lidhjet historike e kulturore ndërmjet dy popujve ishte shumë i madh. Për fat të keq atë në kohë “Fjalori i Tahir Dizdarit nuk kishte dalë ende nga shtypi dhe mua m’u desh ta paraqes vetëm me fjalët e mia të thjeshta punën e tij monumentale, duke e falënderuar së brendshmi me gjithë zemër, që më dha mundësinë të paraqitem në një forum të tillë shkencor me një kumtesë që tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve.
Tahir Dizdari pasi përfundoi veprën e vet, bëri edhe një pasqyrë statistikore të orientalizmave sipas gjuhëve burimore. Kështu, ndër rreth 4400 fjalët-titull që përmban fjalori i tij, rreth 500 janë persizma. Ndër orientalizmat e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980) persizmat janë rreth 270; po të shtojmë këtu edhe fjalët e prejardhura e të përbëra të formuara me temat e tyre dhe me prapashtesa e tema të tjera të shqipes e të turqishtes (p.sh. farfuri: i farfurinjtë, farfurit, farfuritje, farfuritës; naze: nazemadh; rast: rastësi, rastësisht, rastësor, rastis, rastisje, i rastit etj.), ky numër shkon në rreth 425.
Siç e kishte vënë re me kohë vetë T. Dizdari, orientalizmat në përgjithësi, dhe gjithashtu persizmat si pjesë e tyre, kanë ardhur duke u rralluar në përdorim e duke u pakësuar. Megjithatë tërheq vëmendjen larmia e fushave kuptimore (rreth 20) që mbulojnë persizmat. Emërtimet nga fusha e fusha e kuzhinës dhe e gjellëtarisë, d.m.th. emërtime gatesash, ëmbëlsirash, pijesh, lëndësh ushqimore e përdorësesh të kuzhinës, zënë vendin e parë me rreth 40 fjalë. Ndër to po përmendim: burani, jahni, meze, paçe, pilaf, qofte, trahana, turshi; paluze, pelte, reçel, revani, sheqerpare, zerde; bozë, narden, pekmez; maja, niseshte, sheqer; çini, farfuri, hanxhar, havan, kuze, qepshe, rende, tas, tavë; majhosh, taze. Shumica e këtyre fjalëve i përkasin leksikut aktiv, d.m.th. janë fjalë që përdoren gjerësisht, janë emërtime të vetme për sendet që shënojnë. Pa dyshim kjo lidhet me shkallën e lartë që kishte arritur prej kohësh arti i kuzhinës në Iran.
Pas tyre renditen emërtimet që lidhen me banesën dhe me pajisjet e saj (23 fjalë), si avdeshanë, baxhë, çerçive, gjerdek, kafaz, qoshe, reze, bohçe, çarçaf, destemel, divan, legen, paçavure, perde, peshqir, poste, postiqe, qilim etj. Siç mund të vërehet, me modernizimin e jetës një pjesë e këtyre fjalëve po dalin nga përdorimi. Nga fusha e bimësisë (drurë frutorë e jofrutorë, perime, lule etj.) ka mbi 30 emërtime, si: bajame, fëstëk, gonxhe, hurmë, idërshah, jargavan, jasemin, manushaqe, nerënxë, pambuk, panxhar, patëllxhan, razakishebojë, shefteli, zerdeli, zymbyl. Shumica e tyre janë fjalë të leksikut aktiv, emërtime të vetme për drurët a bimët që shënojnë. Nga fusha e almiseve dhe përdorëseve kemi gjithashtu rreth 20 fjalë, si: bel, çark, çengel, çirak (kandil), gjergjef, llullë, masur, nargjile, neshter, palldëm, perdah, pergjel, qase, qese, shishe, terezi, tezgjah, zemberek, zumpara. Edhe këto në pjesën më të madhe janë fjalë të leksikut aktiv. Rreth 20 fjalë të tjera kanë të bëjnë me njeriun dhe me tiparet e tij fizike e morale; të tilla janë: ferishte, naze, nazik, neqez, nishan, paq, perçe, pishman, qel, qelan, qorr, sarhosh, serbes, shend, viran, xhadi, xhan, xhanan, xhymert, zor, zylyfe. Një pjesë e mirë e tyre kanë fituar ngjyrime stilistike. Një fushë tjetër, përsëri me rreth 20 fjalë, është veshmbathja dhe lëndët që përdoren për të. Këtu hyjnë fjalë si: anteri, çember, çarap, humai, ibërshim, meshin, pambuk, papuçe, perçe, qelepoçe, qyrk, shallvare, taç, tafta, tumane etj. Me modernizimin e jetës edhe një pjesë e tyre tashmë kanë dalë nga përdorimi aktiv. Persizmat shtrihen edhe në një varg fushash të tjera semantike, si emërtimet e mjeshtërive (çirak, çoban, usta, xhambaz); tregtia dhe transporti (badihava, dyqan, para, pazar, peshin, qar, deng, karvan etj.); kozmetika dhe stolitë ( gjerdan, lajle, mazi, myshk, perishane, zile etj.); pjesë të qytetit e të ndërtimeve në të (çarshi, çezmë, gjiriz, han, mejhane, pazar, saraj, shatërvan); emërtime fetare (dervish, gjynah, gjynahqar, hoxhë, namaz e nevruz etj.). Fjalë me burim nga persishtja ka edhe në leksikun ushtarak (çadër, dylbi, ndërsa kumbara, shishane, xhephane janë bërë tashmë historizma). Nga fusha e muzikës kemi fjalët: çapare-t, qemane, saze e zurna, po ashtu aheng. Nga fusha e bujqësisë dhe e botës shtazore kemi pak fjalë, si bahçe, bahçevan, bostan, hergjele, zarzavate; bilbil, çakall, fil, kumri, lejlek. Kjo dëshmon se ndikimi i persishtes lidhet kryesisht me jetën qytetare, me kulturën e jetesës. Persizmat kanë shërbyer jo rrallë edhe si tema fjalëformuese duke u bashkuar me prapashtesa ose me tema të tjera të shqipes. Kështu nga behar kemi beharisht e beharor, nga qorr kemi qorroj, qorrohem, qorrim, qorras, qorrazi, qorrollis, qorrollisem, qorrollisje etj.
Nga pikëpamja e përhapjes, persizmat në pjesën më të madhe të tyre shtrihen në mbarë truallin e shqipes. Vlen të vihet në dukje se të paktën tre persizma: jaran, masur e nerënxë gjenden edhe te shkrimtarët arbëreshë J. De Rada, B. Bilota, M. Markjano1.
Në studimin e persizmave të shqipes dhe të orientalizmave në përgjithësi, me gjithë mbledhjen e kujdesshme dhe shpjegimet e hollësishme të T. Dizdarit, ka ende mjaft punë për të bërë. Orientalizmat e shqipes ende nuk janë vështruar sistematikisht në përqasje me gjuhët fqinje ballkanike dhe me vetë gjuhën burimore për të hetuar si modifikimet fonetiko-gramatikore, ashtu edhe lëvizjet semantike (zgjerim e ngushtim kuptimi). Fjalët e huazuara janë dëshmi të lidhjeve kulturore e historike ndërmjet popujve. Fati historik i ka bërë shqiptarët një popull ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Edhe kultura shqiptare është e mbrujtur me elemente të rëndësishme të të dyja anëve të këtij horizonti. Element themelor dhe shprehës i kulturë është gjuha. Prandaj vepra të tilla si “Fjalori i orientalizmave” duhen vlerësuar edhe si mjete të domosdoshme njohëse të vlerave të kulturës kombëtare.
Shtojcë
Bibliografi e studimeve për orientalizmat në gjuhën shqipe
të botuara në shtypin shkencor shqiptar2
1. Abazi, Genciana: Për klasifikimin e turqizmave në gjuhën shqipe. – në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992. Prishtinë, 1995, f. 345–349.
2. Alpan, Nexhip: Ndikime e gjuhës dhe të letërsisë turke në gjuhën dhe letërsinë shqipe. – në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit–Skënderbeut. Tiranë, 12–18 janar 1968. III. Materiale të seksionit të shkencave filologjike. Tiranë, 1970, f. 81–88.
3. Alpan, Nexhip: Bashkëpërkime leksikore midis shqipes dhe turqishtes. – në: Seminari XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare. Përmbledhje e ligjëratave, referimeve, kumtesave dhe e diskutimeve. Tiranë, 16–31 gusht 1995. – Akademia e Shkencave – Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë – Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë. Eurorilindja, Tiranë 1995, 189–199.
4. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve prej burimit turk, arab dhe persian në gjuhën shqipe. – Univers 2001, 1, 15–30.
5. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve të shqipes prej burimi persian. – Perla 11/2006, 1, 29–36.
6. Desnickaja, A. V.: Mbi funksionin stilistik të turqizmave në poezinë shqipe. – Perla 11/2006, 4, 126–134 (përkthim nga rusishtja).
7. Dizdari, Nasuf T.: Rreth dorëshkrimit “Orientalizmat në gjuhën shqipe” të Tahir Dizdarit. – në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992. Prishtinë, 1995, f. 331–336.
8. Dizdari, Tahir: Disa vëzhgime mbi turqizmat në shqipe. – në: Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike Tiranë, 15–21 Nëndor 1962. Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tiranë, 1965, f. 407–408.
9. Kastrati, Jup: Një studiues i fjalëve iranishte (persishte) në gjuhën shqipe. – Perla 1/1996, 2, 3–15.
10. Kastrati, Jup: Për historinë e marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-persiane. – Perla 4/1999, 1, 24–31.
11. Kostallari, Androkli: Diskutim rreth kumtesës së N. Alpanit “Ndikime e gjuhës dhe të letërsisë turke në gjuhën dhe letërsinë shqipe”. – në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit–Skënderbeut. Tiranë, 12–18 janar 1968. III. Materiale të seksionit të shkencave filologjike. Tiranë, 1970, f. 311–315.
12. Krajni, Anton: Hymja e turqizmave në shqipen dhe përpjekjet për zëvendësimin e tyne. – në: Studime filologjike, 1965, nr. 1, f. 144–151; Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe. II. Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1972, 279–286; përkthim frëngjisht: Bref aperçu des emprunts turis en albanais. – në: Studia albnanica, 1966, nr. 2, f. 85–96.
13. Lafe, Emil: Persizmat në kuadrin e orientalizmave të shqipes. – Perla 4/1999, 1, 39–46.
14. Lafe, Emil: Një gjykim i Norbert Joklit lidhur me qëndrimin ndaj turqizmave. - Perla 10/2005, 3, 127–129.
15. Luka, David: Ndihmesa e Tahir Dizdarit për historinë e gjuhës shqipe. – Phoenix 3/1999, 3–4, 286–292; Studime gjuhësore VII. Shkodër, 2002, f. 202–207.
16. Mehdiu, Feti: Ngulitja e disa persizmave dhe evoluimi i tyre semantik në gjuhën shqipe. – Perla 4/1999, 1, 47–56.
17. Mehdiu, Feti: Orientalizmat: hyrja dhe përdorimi i tyre në gjuhën shqipe. Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe. III. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1989, f. 407–411.
18. Morina, Irfan: Turqizmat si terminologji ushtarake në poemën epike shqiptare. – Univers 2006, 8, 173–180.
19. Samara, Miço: Vështrim për fjalorin e pabotuar “Orientalizmat në gjuhën shqipe” të Tahir Dizdarit. – në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992. Prishtinë, 1995, f. 323–329.
20. Samara, Miço: Rreth huazimeve nga turqishtja në gjuhën shqipe. – Gjurmime albanologjike Seria e shkencave filologjike (Prishtinë), 25/1995, 63–71.
21. Samara, Miço: Tahir N. Dizdari: Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë 2005, XVII + 1202 f. – në: Studime filologjike, 2005, nr. 3–4, f. 183–188 (recension).
22. Samara, Miço: Zhvillime leksiko-semantike të turqizmave në gjuhën shqipe. – SFil 49/1995, 1-4, 61–68.
Botues: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë