Një vështrim rreth Kur’anit përmes sures së Fatihasë

Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.
Lavdi Allahut, Zotit të botëve, / Bamirësit, Mëshirëplotit, / Sunduesit të Ditës së Gjykimit ! / Ty të adhurojmë, Ty të kërkojmë ndihmë. / Drejtona në Rrugën e Drejtë, / në rrugën e atyre që ke bekuar, jo të atyre që urrehen, as t’atyre që janë të gabuar. (1-7)

Te kjo sure, shprehja: “Bismil-lahi…”përfshihet në numrin e ajeteve.
Arabisht: “El Fatiha”, Hapja ose Hyrja (Prologu), quhet edhe “Ummul’ Qur’an” (Nëna e Kuranit) që mund të përshtatet më drejt si Baza e Librit. Në fillim të revelatës së Kur’anit, suret përmendeshin me fjalët e para. Profeti i Shenjtë ka thënë se: “El hamdu lil-lahi rab-bil alemin është më e madhja e Kuranit, është shtatë të përsëriturat”(ajetet që përsëriten në lutje / namaz) si dhe Kurani Madhështor që më është dhënë”, pasi El Fatiha shpreh në esencë vetë Kuranin e Shenjtë.
E pesta në rendin kronologjik, kreu Hyrja është sureja e parë e plotë në revelatën e Kur’anit. “Bismil-lahi, në kuptimin e mirëfilltë të saj, do të thotë: “Filloj me Emrin e Zotit”, sepse besimtari e nis ditën, porsa ngrihet në mëngjes, me Emrin e Zotit, duke iu përmbajtur urdhrave të Tij dhe duke u mbështetur te Zoti.

Er-Rahman, Er-Rahim”(El Rahman, El Rahim), me prejardhje nga folja rahime (mëshiron), shpreh në mënyrë të theksuar atributin më dallues me të cilin Zoti ka personifikuar Veten në Kur’an. Kjo do të thotë që njeriu kurrë nuk duhet t’i presë shpresat nga Mëshira e Zotit. I Madhi Zot i thotë të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s.:“Thuaj: Të kujt janë ç’ka në qiej e në tokë? Thuaj: Të Zotit. Ai ia ka caktuar Vetes mëshirën. Do t’ju mbledhë patjetër Ditën e Ringjalljes ku s’ka dyshim. Nuk besojnë ata që kanë humbur vetveten.” (6:12)

Sipas gramatikës arabe, fjala “rahman”është cilësor aktiv, ndërsa “rahim”tregon një cilësi të qenësishme të subjektit. Sipas kuranologëve, me atributin Rahman, Zoti e ka shtrirë Mëshirën e Vet te gjithë krijesat si Bamirës. Ndërsa me Rahim, Zoti e plotëson Mëshirën e Tij në mënyrë të veçantë te besimtarët, bamirësit e të drejtët, të gjithë ata që kanë besuar Zotin dhe Ditën e Fundit (llogarisë) e kanë bërë vepra të mira, sikurse theksohet shumë në Kur’an.

Fjala Allah e ka prejardhjen nga el ilah, Zoti, mirëpo, në këtë rast, nyja shquese el është pjesë e pandarë e emrit të përveçëm. Arabët besonin Allahun si Zotin e Gjithësisë, porse ata u faleshin 360 idhujve që mbanin në tempull (në Ka’ba / Qabe). Edhe Jezusi e Maria (Profeti Isa dhe e ëma, Merjemi) kishin idhujt e tyre në Qabe. Kjo tregon se në kohën e Profetit Muhamed a.s. kristianizmi kishte rënë në idhujtari. Allahu nuk ishte i personifikuar në Qabe. Duke i vënë fjalët në gojën e besimtarëve, Zoti thotë në Kuran: “Zoti ynë e Zoti juaj janë një dhe ne Atij i jemi dorëzuar.”(29:46)

El hamdu lil-lahi, që, në kuptimin e saj fjalë për fjalë, do të thotë: “Falënderimi është vetëm për Zotin”, ka kuptim më të gjerë se falënderimi i shprehur me fjalën shukr duke iu përgjigjur rëndom një shërbimi të bërë. El hamdu mbart kuptimin e shumësit, të lavdeve kushtuar Zotit.
Togfjalëshi “Rabbil alemin”, si kundrinor i zhdrejtë nga Rabb el alemin (Zoti i botëve), përforcon besimin monoteist islam me të cilin erdhën gjithë profetët. Fjala Rabb në Kuran merr kuptimin e krijuesit, edukuesit, ushqyesit, në një raport më të ngushtë mes Zotit e robit. Si edhe në librat e tjerë, karakteristikë e gjuhëve semitike dhe e të folurit të shumë popujve, në Kur’an fjala Rabb shoqërohet me përemrat pronorë. Kështu përmendet më së shumti si: Zoti im, yt Zot, tët Zot, Zoti ynë, Zoti juaj etj. Ne, në shqip, nuk themi “im Zot, por Zoti. Në arabisht, fjala Rabb përdoret edhe në kuptimin e zotit të shtëpisë (rabb ul aile), të burrit ndaj gruas, të pronarit, mjeshtrit etj., si edhe në shqip. Parimi i besimit te një Zot e përshkon Kur’anin nga fillimi deri në fund dhe në çdo aspekt që trajtohet. Prandaj, aty ku diskutojnë besimtari me idhujtarin, megjithëse të dy thonë: “Im Zot”, nuk kanë të njëjtin besim. Arabishtja është gjuhë komprehensive ku konteksti përcakton kuptimin e të shprehurit formal.

Me “alemin”janë botët e krijesat. Shpesh në Kur’an kjo fjalë nënkupton njerëzit dhe popujt. Fjala alemin mund të përcillet në shqip me fjalën gjithësi, si një koncept më i gjerë që përmbledh krijimin.
Shprehja “Jeumud-din”(Jeum el Din) përdoret në Kuran si “Dita e Gjykimit”kur njerëzit dalin para Zotit me besimin dhe veprat e tyre. Besimi në Ditën e Gjykimit është ndër parimet bazë të Islamit. Fjala din, që në shqip ka hyrë me kuptimin e fesë, do të thotë: ligj, fe, traditë.

Pjesëza “ijja”që merret edhe si ndajfolje në kuptimin “vetëm, duke u shoqëruar me përemrat vetorë, u jep theksin e duhur emocional rreth një veprimi drejtuar atyre ose që bie mbi ta. Në kohën dhe mjedisin ku jetonte Muhamedi a.s., të thoje: (Vetëm) Ty të adhurojmë, (vetëm) Ty të kërkojmë ndihmë,”ishte një hap i madh, përtej botëkuptimit politeist e primitiv. Kjo, sot, neve na kalon pa u vënë re, por atë kohë dikush as që mund ta konceptonte. Në fjalët: “Ty të adhurojmë, Ty të kërkojmë ndihmë,”që besimtari i shpreh me forcë besimi e me lutje, përjashtohet çdo lloj adhurimi e mbështetjeje tjetër. Këto fjalë qëndrojnë në parim të besimit islam.

Me fjalën “sirat, që fjalë për fjalë do të thotë udhë (tarik sinonimi në arabisht), kuranologët nënkuptojnë drejtimin në jetë. Arabët e përdornin fjalën sirat për të klasifikuar punët e mira apo të këqija të njeriut. Në Kur’an, kjo plotësohet me mustekim (nga istikame, rrënja: kvm, të qëndruarit drejt / perpendikular) për të dhënë konceptin e drejtimit në Rrugën e Zotit. Kështu, Profeti Isa (Jezus) iu drejtua izraelitëve me fjalët: “Zoti (Alllahu) është im Zot dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë! Kjo është rrugë e drejtë (siratun mustekim).” (Kurani, 3:51) Këto fjalë përsëriten edhe në ajetet 19:36, 43:64. Zoti thekson në Kuran: “Kush mbahet fort te Zoti, është udhëhequr në rrugë të drejtë.” (3:101) Kurani e përmend fjalën sirat për të treguar gjithashtu rrugën e keqe:

Grumbullojini dhunuesit, palën e tyre dhe ç’adhuruan / në vend të Zotit! Drejtojini në udhë të ferrit (siratin xhehim)” (37:22-23)

Në ajetin e fundit, shprehja: “Siratal-ledhine enamte alejhim”, veçon njerëzit që kanë merituar mirësitë dhe bekimet e Zotit në të dyja jetët. Fjala: “enamte” (që ke dhënë të mira), vjen nga rrënja nam (ni’metun: mirësi, mirëqenie, begati; ename ala: jep të mira, begaton me të mira, bekon. Në kuptimin material të fjalës, ni’metun tregon mirëqenie dhe begati. Nga ana fetare, janë të mirat që ka dhënë Zoti, të lejueshme e të dobishme, jo të ndaluara e të dëmshme.

Jo (në rrugën) e atyre që urrehen”, sipas komentatorëve të Kur’anit, bën aluzion për judenjtë. Diku tjetër në Kur’an thuhet: “A nuk ke parë te ata (hipokritët) që kanë zënë miq njerëz me të cilët Zoti është zemëruar?” (58:14) Kjo përmendet shpesh edhe në kronikat biblike. Porse Zoti thotë në Kur’an: “Nuk janë njësoj. Ndër ithtarët e Librit (judenjtë e të krishterët) ka njerëz të vendosur që recitojnë natën dëshmitë e Zotit dhe bien me krye në tokë. / Besojnë Zotin dhe Ditën e Fundit, porositin të mirën, ndalojnë të keqen dhe konkurrojnë në vepra të mira. Ata janë ndër të mirët. / ç’të mirë bëjnë, nuk u mohohet. Zoti i njeh të devotshmit.”(3:113-115)

Të gabuar” janë të krishterët me trininë e besimit të tyre se Jezusi (Profeti Isa, alejhisselam, paqja qoftë me të) është biri i Zotit dhe se mishëron në vetvete Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Në fjalorin biblik, Zoti është Ati i gjithë krijesave dhe se “Ati im që je në qiell”, pa mëdyshje, është Zoti, Ati i secilit. Ungjijtë, që janë kujtimet e dishepujve për jetën, bëmat dhe fjalët e Krishtit, nuk thonë se ai qe biri i vetëm i Perëndisë të cilin Zoti e sakrifikoi për mëkatet e njerëzve në një mënyrë të tillë që asokohe dënoheshin kriminelët, hajdutët dhe vrasësit. Kur’ani e përmend shpesh Jezusin (Isanë, birin e Merjemit) në mënyrë të thjeshtë e bindëse. Zoti thotë mes të tjerash: “Që të dy (Isai dhe e ëma) hanin ushqim” (5:75), domethënë se ishin njerëz e jo mbikrijesa. Gjithashtu, në Kur’an thuhet: “Te Zoti, shembulli i Isait është si shembulli i Ademit: e krijoi nga dheu, pastaj i tha: “Ji!” dhe ai është.”(3:59)

Për të krishterët, në marrëdhëniet me myslimanët gjatë kohës që zbriti Kurani, Zoti thotë: “Do t’i gjesh më të afërt në dashuri me besimtarët ata që thonë: Ne jemi të krishterë. Sepse ndër ta ka priftërinj e murgj që nuk krenohen. / Kur dëgjojnë ç’u zbrit te i Dërguari, i sheh sytë e tyre të përloten me njohjen e së vërtetës.”(5:82) Kur grupi i parë i myslimanëve u shpërngul në Abisini që ishte nën protektoratin bizantin, sundimtari i vendit, Negusi, e pranoi besimin e tyre për Krishtin si profet gjatë ballafaqimit me të dërguarit e parisë mekase. Edhe vetë perandori bizantin në Siri shprehu bindjen e tij për profetësinë e Muhamedit a.s.

Fatihaja duhet mësuar në kuptimin e saj e mbajtur përmendësh në tekstin arabisht nga çdo mysliman. Ajo është njëkohësisht pjesë Kur’ani, lutje dhe falënderim ndaj Zotit, që kur zgjohesh në ditë të re, kur lë shtëpinë e nis një punë, kur mbaron së ngrëni dhe kur bie në gjumë. Fatihanë e thotë çdo njeri kur kujton Zotin dhe kërkon mbështetjen e Tij.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme