Malësorët zakonisht ëndërrojnë dheun, kur ëndërrojnë në gjumë, nga se tërë ditën janë të preokupur me dheun. Mekanikët e veturave ëndërrojnë vetura të prishura, mjekët ëndërrojnë inekcione dhe receta, tregtarët ëndërrojnë mallërat me të cilat tregtojnë, hoxhollarët dhe priftat të vdekurit, avokatët dhe gjykatësit ëndërrojnë krime e probleme, pushtetarët ëndërrojnë popullin, e kështu me rradhë, çdonjëri ëndërron atë me të cilën është i preukupuar gjatë ditës. Ndërsa kur të njëjtit ëndërrojnë me sy të hapur ëndërrojnë ndryshe. Ai që është me dheun ëndërron gjithmonë një kope më të madhe, mekaniku ëndërron sa më shumë vetura të prishura, mjekët sa më shumë të sëmurë, tregtarët mallëra të tjerë më profitabile, hoxhallarët e priftërinjtë sa më shumë të vdekur, avokatët e gjykatësit sa më shumë probleme e krime, pushtetarët ëndërrojnë gjinjtë e pathithura të popullit të uritur e kështu me rradhë. Ndërsa ata që i preokupon padrejtësia dhe mbrapshtësia që jeton në ëndrrat e njerëzve, ata ëndërrojnë ndryshe. Ata nëpër ëndrrat e tyre kërkojnë përgjigjen e pyetjeve: pse njerëzit të ëndërrojnë përparimin dhe përmirësimin e gjendjeve të tyre në shpinë të të tjerëve? Pse këta lloje njerëzish, që i përmendëm më lartë, si mekanikët, mjekët, avokatët, gjykatësit, pushtetarët e të tjerë si këta, t’i ngrisin interesat e tyre personale mbi shkeljen e interesave të tjetrit, nevojtarit ose fatkeqit? Pyetjeve të këtilla u përgjigjen në ëndrrat e veta ata që janë të preokupuar nga parregullsia dhe padrejtësia. Një ëndërr të këtillë, miqtë e mi, pashë edhe unë dje.
U ula pranë një shkëmbi, fillova të fluturoj me mendje, ndërsa era e lehtë që fryente po i bënte muzikë ëndrrës. Taman sikur muzika e filmave, kur një gjëje të rëndësishme i vjen rendi në film, muzika bëhet më e fortë dhe tërheq vëmendjen e shikuesit. Një rol të këtillë po e luante era që fryente në ëndrrën time.
U ktheva një mijë e disa vite mbas, shëtitja nëpër shkretëtirë dhe rastësisht takova një kalorës. Shtatmadh, zëmërmadh dhe symadh, taman burrë. Zbriti nga kali dhe u ul afër meje duke më përshëndetur me paqe. A mos e ke humbur rrugën? Apo mos ndoshta rruga e gjërë e shkretëtirës të ka humbur ty? Apo mos ndoshta ke humbur ndonjë nga të dashurit e ke dalë këtu ta largosh mërzinë? Apo ndonjë nga shokët të ka tradhëtuar e nga dyfytyrësia ke ikur në njëfytyrësinë e shkretëtirës? Jo, o kalorësi shtatmadh – ia ktheva unë – asgjë nga këto që i përmende nuk më ka ndodhur ose shumë si këto që i përmende më kanë ndodhur. Unë po të kërkoja pikërisht ty, ty që shumë vite po i mungon njerëzimit. Po e kërkoj drejtësinë tënde që sot e gjen vetëm në shkronjat e librave historikë, po e kërkoj trimërinë tënde që është vetëm në shpatat e muzeve, po e kërkojë ndërgjegjen tënde që sot gjindet edhe në fatkeqësitë natyrore por jo edhe atje ku duhet. Edhe termeti ka më shumë ndërgjegje se udhëheqësit e kohës sonë, edhe atij dikur i dhimbsesh e ndërpret të dridhurat, ndërsa të pandërgjegjshmit nga njerëzit nuk dinë të ndiejnë dhimbjet. Që të takohem me ty, o Omer, mora këtë rrugë dhe u ktheva një mijë vjet mbrapa. Të takohem me ty e të të them se më nuk durojmë dot. I dobëti shkilet e nëpërkëmbet, ndërsa në kohën tënde as gomari nuk guxonte të ngarkohej tepër. Të varfrit i merret edhe varfëria që ka nga pushtetarët, ndërsa ti, burrështeti, u gatuaje të varfërve, përveç që edhe miellin në shtëpi ua dërgoje. Sot vidhet, manipulohet, uzurpohet e çka tjetër nga të këqijat nuk bëhet e askush nuk del të arsyetohet e të japë llogari. Ndërsa ti, ti i përgëzuari më Parajsë, ti udhëheqësi më i drejtë, një copë bezi që djalit tënd ia more, për të bërë komplet një palë rrobe, dole dhe sqarim njerëzve u bëre. As nuk të uli e as nuk të poshtërsoi kjo ty. Ndërsa sot, eh si e harruam burrërinë tënde, o Omer, sot miliona vidhen e humben e askush nga përgjegjësit, për të qetësuar të udhëhequrit, nuk i thotë as dy fjalë goje. Eh, more djalë, çka më tregove. – më tha Omeri e vazhdoi – po qe puna ashtu si thua ti, unë patjetër po u deshka në kohën tuaj të vij. A nuk e dinë ata që manipulojnë, ose që dyshohet se manipulojnë, se vetëm Allahu nuk përgjigjet për atë çka vepron. A nuk e dinë ata se Ai në Kuran tha: “Ai (Allahu) nuk pyetet për atë çka vepron, ndërsa ata pyeten për veprat e tyre.” Kur njeriu arrin në atë gjendje e të mendojë se ai nuk guxon të pyetet e as që duhet të japë arsyetim për ndonjë gabim eventual, atëherë si çka e sheh veten ai njeri? Por mos u mërzitni, ju të dobëtit, jo, as ju të varfrit, bonjakët, të shkelurit e as ju të nëpërkëmburit. Mos u mërzitni se Omeri do të vijë një ditë. Prej se kur ekziston kjo botë, e prej se kur Omeri udhëhoqi një pjesë të kësaj bote e deri sot e deri në amshim Udhëheqësi absolut i kësaj bote, ishte, është dhe do të jetë i njëjti. Ai krijoi shumë Omerë para se të krijojë Omerin dhe shumë pas tij, e mos dyshoni se Ai do të krijojë edhe Omerë të tjerë. Eh, ç’ma zbute zemrën me këto fjalë të ëmbla – ia ktheva unë – e Allahu të ëmbël ta bëftë jetën në Xhennet. Eh sikur të ishte zhgjëndërr kjo…
Kur gjatë ditës ke punë me dheun, thamë më sipër, se vetëm dheun do të ëndërrosh, sepse ai është preokupimi yt. Ndërska kur të preokupojne problemet, parregullsitë dhe padrejtësitë që vetëm një udhëheqës si Omeri (radija-llahu anhu) i rregullon, është shumë normale që ta shohësh atë në ëndërr, qoftë ajo edhe me sy të hapur. Ju këshilloj edhe ju, vëllezërit e mi, që të shihni ngandonjëherë ëndrra të këtilla, qoftë edhe me sy të hapur. Ju këshilloj ngase nuk ke si ndryshe të qetësosh shpritin, mendjen dhe zemrën e lënduar. E nuk i dihet, ëndrrat shpeshherë bëhen realitet edhe pse ne zakonisht ngutemi e themi: Eh, sikur të ishte zhgjëndërr.