Minderet me gunga të multi-kulturalizmit

Një konflikt i tillë, rëndom frymëzohet nga interpretimi i të drejtave qytetare; ose kundërvënia tashmë dramatike, midis konceptit liberal të shoqërisë si përbashkim individësh të lirë dhe të barabartë para ligjit, dhe konceptit multikulturalist të shoqërisë si ekuilibër konsensual midis grupeve me interesa të ndryshme, e ndonjëherë të kundërta. Në Europën Perëndimore, kundërvënia në fjalë shpesh i merr trajtat e veta më groteske, kur vjen fjala për normat e bashkëjetesës midis popullsive vendase laike a të krishtera, dhe pakicave të fesë islame, të përbëra kryesisht prej imigrantësh ose pasardhësish të emigrantëve; por, konflikti në vetvete i referohet drejtpërdrejt kontradiktës midis të drejtave të grupeve dhe të drejtave individuale, pavarësisht nga përkatësia fetare.
Shpesh, autoriteteve lokale ose administratës publike, u duhet të vendosin deri në ç’masë do t’u plotësohen pakicave ato kërkesa, ankesa e pretendime, të cilat bien ndesh me praktikat e rëndomta të jetesës për shumicën. Tipik, nga kjo pikëpamje, është shembulli i Samira Dahrit, mësuese e lëndës së ekonomisë në një shkollë të Utrecht-it në Holandë, e cila u pezullua nga detyra, pse nuk pranoi t’u jepte dorën nxënësve të vet dhe kolegëve mësues në fillim të vitit shkollor, meqë kjo u binte ndesh rregullave të besimit musliman. A mund të vlejë praktika e shtrëngimit të dorës, si kriter themelor, për ta lejuar dikë të edukojë fëmijët në një shkollë publike të Europës? Pas gjase, mundet. Përsëri në Holandë, këtë herë në Roterdam, Mohammed Faizel Ali Enait, iu refuzua vendi i punës si funksionar i marrëdhënieve me klientët në bashkinë e qytetit, meqë edhe ai e deklaroi se nuk do të pranonte t’u jepte dorën grave, dhe se do të paraqitej në detyrë i veshur në pajtim me porositë e fesë së vet. Gjatë debatit në mediat holandeze për ritualin e përshëndetjes, për t’u ndjekur nga funksionarët publikë, u përmend edhe vetë Mbretëresha Beatrix, e cila me delikatesë të veçantë, nuk ia kishte dhënë dorën imamit që kishte dalë ta priste te shkallët, gjatë një vizite protokollare në një xhami në Holandë; edhe pse të tjerë komentues, sakaq shpjeguan se Madhëria e Saj vetëm sa kish’ treguar respekt për të zotët e shtëpisë, dhe se një imam vizitor i Pallatit Mbretëror do të vihej gjithsesi para detyrimit për të ndjekur adetin “holandez”. Në kontekste multi-kulturore, deri edhe gjestet më elementare të jetës së përditshme ngarkohen me kuptime të reja ballafaquese.
Vendet skandinave, Britania e Madhe, Irlanda, vendet e Benelux-it, e deri diku Gjermania, prej vitesh i kanë zhdoganuar moralisht, e madje shenjtëruar, politikat multi-kulturale, si të vetmet për t’u zbatuar në marrëdhënie me pakicat; edhe pse vitet e fundit kjo përdëllesë, shpesh hipokrite dhe elitiste, ka çuar në forcimin e së djathtës populiste ksenofobe në disa nga këto vende, sikurse është bërë shkas për izolimin kulturor dhe ekonomik të pakicave vetë, ose gardhimin e tyre brenda getove fetare e kulturore përkatëse. Kështu, pak javë më parë u njoftua se në Roterdam të Holandës, është planëzuar të çelet spitali i parë musliman, në mjediset e të cilit do të ndiqen zakone dhe rregulla të kulturës Islame: Për shembull, ushqimi do të jetë hallall; gratë dhe burrat do të trajtohen ndarazi në pavione të veçanta dhe do të shërbehen nga infermierë rigorozisht të sekseve përkatëse. Dy spitale në Anglinë Veriperëndimore (Royal Preston dhe Chorely and South Ribble) gjithashtu kanë vendosur t’u ofrojnë pacienteve muslimane pizhame të posaçme, që mbulojnë kurmin krejtësisht, nga çaçka e kokës në thembrat. Edhe bashkia e komunës piktoreske të Ricciones, buzë Detit Adriatik, ka miratuar tashmë krijimin e plazhit të parë italian, që do të frekuentohet ekskluzivisht nga vajza e gra të fesë muslimane. Në mjediset e plazhit nuk do të lejohen të qarkullojnë meshkuj të rritur, dhe plazhisteve do t’u krijohen të gjitha kushtet për të bërë banjë dielli dhe për t’u larë në det, pa i shkelur rregullat e fesë së tyre. Ndërkaq, prindërit e fëmijëve në një shkollë të Londrës, u shprehën kundër planeve të administratës së shkollës, për t’u ofruar nxënësve një darkë të Krishtlindjes të përgatitur me mish pule hallall; edhe pse drejtoresha e shkollës argumentoi se duke gatuar mish të therur sipas rregullave të miratuara nga Islami, do të krijohej mundësia për të festuar një “Krishtlindje të integruar”. Përkundrazi, vendimi i një firme supermarketesh holandeze, për t’u ofruar mish hallall klientëve të vet të shumtë myslimanë, u prit me protesta të zhurmshme nga grupet për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve; pse rregullat e therjes për mish hallall nuk lejojnë, ndër të tjera, teknikën e shokut elektrik dhe lypin që therja vetë të kryhet nga njerëzit, jo nga makinat. Shembuj të tillë, në vetvete tingëllojnë komikë, por përvijohen mbi një sfond të tillë, që ta ngrin buzëqeshjen në buzë.
Brenda shoqërisë civile në Europë, gradualisht po kristalizohet dyshimi, në mos frika, se politikat multi-kulturaliste janë duke përftuar një shtresë qytetarësh të dorës së dytë, të temperuar nga mllefi ndaj Europës vetë, si lagje qytetërimi dhe normave të atjeshme të bashkëjetesës qytetare. Sipas një ankete të Channel 4, 28% e muslimanëve britanikë në moshë të re, dëshirojnë që Britania e Madhe të bëhet shtet Islamik; dhe 30% e tyre parapëlqejnë Sheriatin ndaj ligjit britanik. Që kjo nuk ka të bëjë vetëm me jetën spirituale të popullsisë britanike të fesë islame, e dëshmoi edhe një incident i kohëve të fundit me policin mysliman, Alexander Omar Basha, i cili u kërkoi shefave të vet ta lironin, për arsye morale, nga detyra si roje e Ambasadës Izraelite në Londër, pas bombardimeve të Izraelit në Liban gjatë luftës, këtë verë. Edhe pse shumëkush në Britaninë e Madhe mund t’i kuptojë arsyet e dramës së Omar Bashës, shoqëria civile atje, nuk duket të jetë e përgatitur për një ndjeshmëri kaq tjetërlloj, ndaj simbolikave ndërkombëtare.
Ndodhi të panumërta, sado të vogla e të harrueshme, provojnë se multi-kulturalizmi nuk arrin t’i japë përgjigje të kënaqshme e praktike pyetjes se si duhet vepruar me ato pakica, të cilat ndihen tashmë titullare të së drejtës, për ta shprehur publikisht intolerancën e tyre ndaj çështjeve të ndryshme të moralit dhe të politikës. Një incident i kohëve të fundit në Lyons të Francës, kur një vajzë me origjinë tuniziane u keqtrajtua nga familja pse kish zënë një të dashur jomusliman, mishëron kontradiktën midis mënyrave të ndryshme për zgjidhje konfliktesh në kultura të papajtueshme, por tashmë në kontakt mes tyre. Gazeta lokale “Le Progrès” njoftoi se i ati dhe i vëllai, e rrëzuan vajzën në dysheme, duke e goditur me shkelma; pastaj i ati e mbajti viktimën të mbërthyer, teksa i vëllai ia rrojti gjysmën e kokës me brisk, në sytë e së ëmës. Sociologët do t’i interpretonin shembuj të tillë të dhunës familjare, si simptoma të stresit prej jetërsimit; por në praktikë, policia franceze i arrestoi të dy instrumentet e kësaj etike të papranueshme për shoqërinë laike të atjeshme. Si shenjë intolerance dëshpërimtare, do marrë edhe bojkotimi i biskotave tradicionale “çifute” nga një grup myslimanësh danezë kohët e fundit, edhe pse ato biskota karakteristike me lajthi dhe kanellë, siç shkruan e përditshmja daneze “BT”, nuk prodhohen prej ndonjë kompanie izraelite, as kanë të bëjnë drejtpërdrejt me kulturën dhe fenë hebraike, madje, duke mos qenë zakonisht “kosher”, nuk para konsumohen as nga hebrenjtë vetë, në Danimarkë dhe gjetiu.
Bashkëjetesa me pakica që identifikohen hapur me të drejtat e tyre, pjell tensione sociale pareshtur, të cilat segmentojnë dhe përçajnë pa marrë doemos forma të dhunshme. Kështu mund të shpjegohet, për shembull, vendimi i një grupi politikisht të djathtë, për të hapur në Nicë të Francës një mensë falas për të vobektit, ulokët e të pastrehët e qytetit. Që asnjë prej muslimanëve që banojnë në zonë të mos përfitojë nga ky shërbim, mensa shërben vetëm gjellë me mish derri. Nga ana tjetër, vjen në vështrim arrestimi brutal, prej policisë daneze në 2004, i një shkencëtari sikh që kish’ shkuar në Konsullatën Amerikane në Kopenhagen; ngaqë iu gjet një kirpan, shpatëz e shkurtër ornamentale, të cilën duhet ta mbajnë me vete të gjithë meshkujt e fesë sikh. Psikoza e frikës kolektive nga terrorizmi fondamentalist islamik, ndjell edhe ajo intolerancë në popullsitë vendase. Javën që shkoi, gjashtë dijetarë të fesë islame i frikësuan pa masë pasagjerët në sallën e pritjes të aeroportit, në Minneapolis të SHBA; çka u gjykua pastaj, si arsye e mjaftueshme për t’i dëbuar pastaj të gjashtë nga avioni i US Airways, madje të lidhur me pranga. Simbolikisht, ky absurditet mund të lexohet si përgjigje e vendasve ndaj refuzimit këmbëngulës, kohët e fundit, prej taksistëve myslimanë somalezë që i shërbejnë po aeroportit të Minneapolis, për të transportuar pasagjerë që bartin birrë, verë ose pije të tjera alkoolike.
Për t’u kthyer tani në Shqipëri, mbaj mend të kem lexuar në shtyp, se studenti mjekrosh i Universitetit të Durrësit, pyetjes të një gazetari, nëse do ta mbante mjekrën apo jo, iu përgjigj se kjo i takonte komunitetit të tij për ta vendosur. Një deklaratë kësisoj, tradhton gjithçka, nuk shkon me pozicionimet e fundit të komuniteteve fetare, si pjesë e shoqërisë civile shqiptare dhe pikërisht vullnetin e tyre për t’i njëjtësuar të drejtat e individit me të drejtat e grupit, me të cilin ky individ qëllon të identifikohet; edhe pse Shqipëria nuk është Liban, as qeveriset nëpërmjet ndonjë mekanizmi konsensual vetosh të ndërsjella të pakicave. Vetë Kodi i të Drejtave të Njeriut, i përftuar brenda qytetërimit perëndimor e që shqiptarët tashmë po duan ta bëjnë të vetin, legjitimohet para së gjithash, në kontekstin e një shoqërie përnjimend laike, të përbërë nga individë të lirë dhe të vetëdijshëm; por rezulton eksperimental e deri kundërprodhues, kur zbatohet ndaj grupeve të cilat ndjekin modele sociale e shpirtërore të tjera nga ato të Perëndimit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme