Qëllimi egzistencial i këtyre doganierëve është vëzhgimi dhe kontrolli i ideve. Si skifterë, ata shpenzojnë jetët e tyre duke vëzhguar e kontrolluar. Shpesh ide me letra të rregullta, por ndryshe nga të tyret paraqiten në doganë, e kjo i bën që me sytë e gjakosur e kthetrat e hapura të lëshohen mbi të dyshuarin a viktimën që guxon. Anadollak, tradhtar, Haxhi Qamilist, shërbëtor i grekut apo serbit, turkoshak, fjalori i tyre është lehtësisht i identifikueshëm.
Kjo kastë kontrollon idetë e popullit për sa i përket kombit. Ata kanë në dorë pishtarin e shenjtë, përkufizimin. Në funksion të këtij përkufizimi ata vendosin historinë. Kolektivisht ata njihen si kombëtaristë, por shkencërisht është më e saktë të etiketohen si orientalistë. Përpjekjet për krijimin dhe organizimin e kësaj kaste rojesh filluan që para shpalljes së pavarësisë. Me investim të fortë austro-hungarez e më pas britanik e italian, ky komunitet zuri pozicionin kyç në ngushticën e dijes. Aty ai ngriti doganën e tij të hekurt ku roje besnike ruanin dhe ruajnë kryqëzimin e interesave euro-imperialiste/kombëtariste. “Kjo nuk do të thotë se orientalizmi unilateralisht vendos se çfarë do të thuhet për orientin”, thotë Edëard Said, “por se është i gjithë rrjeti i interesave që në mënyrë të paevitueshme aplikohet mbi (dhe për këtë arsye është gjithmonë i përfshirë në) çdo rast kur kjo njësi e veçantë, “Orienti”, është në diskutim”.
Në Shqipëri përfaqësuesi i orientit u bë dhe akoma është, qartësisht dhe paevitueshmërisht muslimani. Homo Islamicus që në fillim u prezantua ndryshe nga homo albanicus. Ai ishte i prapambetur, i pandryshueshëm, përtac, thellësisht fetar, regresist, jo kompatibël me vlerat e qytetërimit perëndimor. Zgjidhja finale që rojet e kombit caktuan për të u bë “kthimi ne identitet”. Të jesh shqiptar u bë fe. Të jesh musliman u bë gjynah. Kthimi në identitet u caktua 500 vite më parë. Ishim kristianë përpara se të ishim muslimanë... pushtimi turk = i keq, pushtimet europiane = civilizuese (ose ne versionin modern te tyre = demokratizuese). 500 vite histori u barazuan me hiç. Historianët hoqën dorë nga studimi i saj. Gjurmët u fshinë, u shkatërruan apo u lanë në harresë. Shkollat u ngritën për riedukim. Skënderbeu u bë hero. Kasta e rojeve po punonte.
Produkt i paparashikuar i këtij organizimi doli Enver Hoxha. Por kasta, falë edukimit të marrë, u përshtat e mbijetoi. Madje edhe riprodhoi. Të ardhmen. Rrënjët e progjenitetit të sotëm janë në të djeshmen komuniste. Rojet e kombit në komunizëm janë rojet e kombit në demokraci.
Pas devijimit komunist, projekti rifitoi origjinalitetin. Gonxhe Bojaxhiu u bë heroinë. Ashtu si me Skënderbeun, edhe atë rojtarët e kombit filluan ta trafikojnë brenda dhe jashtë kufirit. Prostituimi i kësaj figure katolike kthimi i së cilës në Shqipëri buronte nga dëshira (dhe e drejta e plotë e saj) për tu sjellë Krishtin shqiptarëve, sic janë shprehur shpesh drejtuese të urdhërit të saj, është kthyer në mjetin e preferuar të politikanëve tanë me identitet inferior (si dhe shumica e shqipëtarëve) për ti thënë perëndimit ne jemi jo vetëm me ju, por ne jemi si ju. Ajo mbahet në zyrën e presidentit, kryeministrit dhe kryetares së parlamentit, vendoset në buste anembanë e mbi fasada muzeumesh nën përkujdesje të kryeministrit, një mënyrë e shkëlqyer për të theksuar shekullarizmin filo-katolik të shtetit. Shamia e saj simbol i modestisë, është në të njëjtin moment simbol i dhunimit shtetëror të femrës muslimane. Në vizitën e pasuksesshme që ministri Haxhinasto pati në Kanada pak kohë më parë, inferiori shqiptar i dhuroi kanadezëve bustin e Nënë Terezës, një përpjekje e sforcuar kjo për tu treguar atyre që jemi si ju,e për t’ju përgjunjur ju lutemi na pranoni në grupin tuaj.
Në krye të rojeve të kombit qëndron ish-shkrimtari i oborrit komunist i metamorfozuar në disident dhe të persekutuar, filozofi i kastës, Ismail Kadare. Ai jepte (dhe jep) direktivat e gjera, cakton drejtimin e përgjithshëm. Ai është profeti (i rremë). Sipas tij, shqiptarët duhet të bëhen kristianë të versionit modern europiano/kultural të kësaj feje. Gjynahu do larë. Pas tij vijnë historianë, Plasari, doktorë shkencash, Pirro Misha, gazetarë, Arbën, Mustafa Nano, fanatikë, pushtetarë, Nano, presidentë. E kështu, mëse 100 vite më pas homo islamicus mbetet i njëjtë. Një rast studimor por kurrë i barabartë. Ai shpallet terrorist e terrorizohet dhunshëm në skajet e shoqërisë, jashtë gardhit të institucioneve. Kombi nuk e do. Por jo i gjithë kombi. Vetëm kombi i Shqipërisë. Pse në Kosovë e Maqedoni ata janë vetë kombi. Aty ata janë kombi që mbahet fshehur, kombi i mohuar, kombi i ndarë. Ata janë shqiptarë kur janë shqiptarë, por nuk janë shqiptarë kur janë muslimanë. Me urdhër të peshkut.
E pra janë pikërisht këta roje të cilët kanë krijuar një ndarje mes imagjinares dhe së vërtetës, një përrallë/histori ku heronjtë e shpikur të kombit ruhen të pastër dhe off limits për diskutim. Në këtë Shqipëri të gjithë mund të rehabilitohen, romë, gay, një Shqipëri ku kinezët e Medreses janë më të pranueshëm se shqiptarët muslimanë.
Ndaj fare natyrshëm një deklaratë e Berishës në Turqi solli reagimin e dhjetëra rojtarëve. Në debate tv, radio, gazeta, internet ata riafirmuan idetë eugjenike të mëse 100 viteve më parë të riveshura me petka hantingtoniane. Doganierët nuk vendosin se ç’ide vijnë tek ta, por ata vendosin cila kalon. Fatkeqësisht për ta, të mësuar me thyerje kufiri, shqiptarët i fusin dhe kontrabandë. Dogana më nuk është e vetmja pikë kalimi. Por kalimi i doganës nuk do të thotë shpëtim. Furia e rojeve bie mbi këdo që guxon të prekë mitet e fesë, profetët apo ideologët e saj. Vetë Misha reagoi pas protestave në Maqedoni në mbrojtje të gjakut të pastër shqiptar nga i ashtuquajturi rrezik neo-otoman. Marrëzia arrin deri aty sa, në mënyrë fare akademike, i madhi Arbën Xhaferri të lidhë protestën e këtyre 15,000 muslimanëve shqiptarë me anarkizmin e shekullit të XIX. Si gjithë orientalistët e tjerë, ai nuk sheh si shkak papunësinë e tyre, dhunimin e tyre, përçudnimin e tyre, ofendimin e tyre nga shteti maqedonas dhe nga elita shqiptare. Analiza e tyre është fyell me një vrimë. Armik i shqiptarëve për ta mbetet feja. Por jo çdo fe. Vetëm Islami.
15,000 mijë shqiptarë dolën në shesh në Maqedoni, spontanisht, lulja e rinisë. Shkak u bë arrestimi i njëzet shqiptarëve, të rrëmbyer në gjumë, me mbathje, të akuzuar si terroristë, anëtarë të Al Qaidës, vrasës të ushtarëve të NATO-s, të gjithë muslimanë. Ata u arrestuan njëlloj siç arrestohen në Tiranë. “Anti-terrori” maqedonas veproi njëlloj si “anti-terrori” shqiptar. Ashtu siç në Tiranë anti-terrori dhe jo policia heq hoxhallarë nga puna apo arreston shqiptarë muslimanë pse gruaja i denoncon dinamitin që mbajnë për peshk, ashtu dhe në Shkup anti-terrori dhe jo policia arrestoi gra, burra e pleq për vrasjen e pesë maqedonasve duke stigmatizuar kështu gjysmën e banorëve të atij shteti si fondamentalistë e terroristë. Ndaj dhe Tirana nuk reagoi. Por shqiptarët reaguan. Ata reaguan kundër Tiranës, kundër BDI-së, kundër institucioneve maqedonase. Ata reaguan në mbrojtje të shqiptarisë së tyre pjesë madhore e së cilës është feja e tyre. Rojet e kombit në Tiranë u distancuan, BDI u distancua, shteti maqedonas u distancua.
Dikur kështu distancohej Kadare nga djemtë që thyen ambasadat. Në intervistën e tij të fundit ai shprehu keqardhjen e tij për kishat e shkatërruara në Kosovë, një ndjenjë shumë e drejtë kjo. Fatkeqësisht (për shqiptarët), ai e sheh këtë si një komplot për “të ftohur Kosovën me Europën dhe me gjithë aleatët perëndimorë”. Sigurisht që atij i shkon në mëndje që ky reagim mund të ketë qenë një reagim i pamatur për qindra xhamitë e djegura e të shkatërruara anembanë Kosovës. Por i brumosur në periudhën që e prodhoi atij nuk i intereson analiza e realitetit. Ai e ka ndarë mendjen pesëdhjetë vite më pare se cili është shkaku e kjo ja bën më të lehtë të flasë për komplote imagjinare me anë të të cilave të fajësojë atë që ai e quan si armik të tij, popullin shqiptar me besim musliman. Mësimet dhe praktika e marrë në komunizëm i shërbejnë atij edhe në demokraci.
Për Kadarenë Europa është e barabartë me krishtërimin. Goditje në zemër duhet të ketë qenë për të protesta e shqiptarëve në Maqedoni. Për të, siç shprehet në intervistë, viti 1389 mund të kishte qenë një shans për një miqësi historike mes serbëve dhe shqiptarëve. Ndoshta deklarata më pavlerë, më jo serioze, më qesharake nga ana akademike, por dhe më e rrezikshmja. Shqiptarët e Maqedonisë ja dhanë përgjigjen këtij orientalisti fondamentalist, idetë e të cilit për shumë vite kanë veshur mbretin por që më në fund po e tregojnë atë ashtu siç është, lakuriq. Ai shpreson për vendosjen në këto anë të qytetërimit europian, një eufemizëm për kristianizim, që për të do të thotë asgjësim i shqiptarëve muslimanë. E ku është ndryshimi mes tij dhe serbëve që ai gjoja kritikon? Por kjo është veçoria e orientalistit. Atij nuk i intereson realiteti në terren. Atij i intereson vetëm ideja e tij për realitetin. Realiteti mbetet pa gojë.
Po kështu kombëtaristi gjakpastër gjenealogjia shqiptare e të cilit, sipas pohimit te vetë atij shkon 3,000 vjet pas, karikatura politike Kreshnik Spahiu u shpreh pas demonstratave të shqiptarëve në Maqedoni se do të organizonte një tjetër tubim ku thirrjet dhe flamujt do të ishin vetëm shqiptarë. Kreshnikut nuk ja vari kush dhe plani tij mbeti veçse një plan, një tjetër tregues se realiteti i shqiptarëve të Maqedonisë është ndryshe nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë. Sidoqoftë, përpjekja për ta realizuar, madje dhe vetë ekzistenca e këtij plani, tregon qartazi dëshirën për kontroll të asaj që paraqitet si orientale ndër popullatën shqiptare.
Përveç tij nuk munguan si gjithnjë në gazeta, tv e internet rojet e zakonshëm të kombit. Kësaj rradhe ra në sy gazeta Mapo e cila kohët e fundit është kthyer nga kryeredaktori i saj në tribunën e ideve të fondamentalistëve katolikë të forumit Zemra Shqiptare. Së bashku këta mjeshtra të fjalës ja kanë dalë që edhe multikulturalizmin ta kthejnë në një ide përjashtuese. Multikulturalzimi i tyre përfshin gjithkënd, mjafton që të mos jenë muslimanë. E në qofshin, mund të ekzistojnë të fshehur... deri në një zgjidhje finale. Por nëse guxojnë, e gjithë pesha e rëndë e rrjetit të fuqishëm të interesave bie mbi ta.
E në këtë kontekst askush nuk mund ti fajësojë protestuesit shqiptarë në Maqedoni për mosdeklarimin e shqiptarizmës së tyre. Nëse shqiptarizma është ekskluzivitet, nëse ajo është përjashtim, nëse shqiptarizma kërkon konvertim, ajo nuk është shqiptarizma e tyre.
Me gjithë mundin e saj të madh zgjidhja finale, vis a vis “Kthimi ne identitet”, nuk solli asgjë tjetër përveçse ç’indentizimin e shqiptareve. Këtu e 100 vite Shqipëria pyet veten kush jam. Por jo shqiptarët e Kosovës, e jo ata të Maqedonisë. Ata e dinë kush janë dhe nga vijnë. Ata nuk vuajnë nga ndonjë kompleksitet faji. Ata janë muslimanë . Kjo nuk i pengon të jenë shqiptarë. Kjo nuk i pengon të duan Europën sepse ata janë europianë denbabaden. Ata e dinë që katolicizmi nuk është baraz me Europën por vetëm një pjesë e historisë së saj, ashtu siç e dinë që edhe feja e tyre, Islami, është pjesë e trashëgimisë europiane. Kufiri është thyer. Ideja është trafikuar. Ajo nuk mund të mbahet më e fshehtë. As në Shqipëri. Realiteti më në fund ka folur. Kasta orientaliste e rojeve të plakur të kombit ka destinacion final dështimin.