Dëgjo për natën e israsë dhe të miraxhit
për ngjarjen që me kuran e përjetshme mbeti
dhe dije që, ku piqet njohja e krijesave me të përtejmen,
këtë kufi kaloi, i vetmi në botë, Muhamedi
E mori zemërdëlirin
buraku vetëtimi
që hidhte të parat këmbë
sa i mbërrinte shikimi
Shumë libra janë shkruar
hollësira janë dhënë të asaj ngjarjeje
që nuk ishte e shtrirë shumë në kohë
veçse në një pjesë nate
Vendi s'do t'i ftohej
koha mbase nuk i vlejti
atë natë do t'i jepej dhe çdo mrekulli tjetër
që i ishte dhënë ndonjë pejgamberi
Shpejto burak hapat
ço resulin te mesxhidulaksaja
t'i falë dy rekate e të zgjedhë qumështin
të mbarojë plot kuptim israja
Aty do të manifestohet tradita
do të të lidhë siç lidhnin para tij pejgamberia
aty do të vërtetohet e veçanta e tonit ymet
fitreja - natyrshmëria
Mbaro isra, nis miraxh,
po pret Ademi, Jahjaja dhe Isai,
Jusufi, Idrisi që u ngrit lart,
Haruni, Musai dhe Ibrahimi, alejhim selamullahi
Shtatë portat shtatë qiejve
iu hapën nga engjujt rojtarë
në to pa dhe u çmall rend me ata të dërguarit
pastaj bejtulmamurin dhe sidretulmuntehanë
Kështu nganjëherë i ndodh robit
në tokë t'ia zënë diellin
ndonëse ka të hapshme
portat e qiellit
Në miraxh, siç dihet,
në fillim u bënë farz pesëdhjetë namazet,
pastaj u hoqët nëntë hise,
për aq sa edhe na u ngritën krejt sevapet
Ndjeje lehtësinë
që na u bë natën e miraxhit
dhe kujto fjalën e të dërguarit
që namazi është miraxhi i besimtarit