Flamuri i shqiptarëve

- Në vitin 1899 Konica zbulimin e tij për flamurin e Skenderbeut e shpalli në revistën Albania, që botohej me sponzorim të propagandës austriake. Ai e shpalli ate me shkrimin e një vjershe, e ku mes të tjerave shkruante se Skenderbeu mbante flamur të kuq me shqiponjë dykrenare të zezë. Në vitin 1901, te artikulli “Flamuri Kombtar i Shqiptarve”, Konica i përgjigjet një lexuesi te revista Albania që gjoja e kishte pyetur ate se a kanë shqiptarët flamur. Konica shkruante se flamuri i shqiptarëve është flamuri i Skenderbeut. Për këtë, ai i referohej një libri për Skenderbeun të vitit 1621 nga autori Lavardin. Konicës i pëlqente ai flamur pasi që ishte i ngjashëm me flamurin e dinastisë së Habsburgëve. Kjo pasi Konica në atë periudhë punonte për interesat e Austro-Hungarisë dhe ëndërronte aneksimin e territoreve shqiptare nga po ajo Perandori.  Konica, që në atë kohë ishte 26 vjeçar dhe i cili që në moshën 15 vjeçare kishte lëshuar Perandorin Osmane për të studiuar filologjinë në Francë, ishte shëndruar befas në ekspert i çështjeve shqiptare dhe osmane. Ai kishte filluar që prej disa vitesh t’ia tregoj babës kufijtë e arës. Më vonë, në vitin 1909, Konica iu referohej tre burimeve për flamurin e Skenderbeut, gjegjësisht të priftërinjve katolik Barletius, Biemni dhe autorit Lavardin. Sot dihet që Lavardin dhe Biemni (që gjoja e kishte mbështetur librin e tij te një libër nga anonimi i tivarasit) kanë një burim të njëjtë; gjegjësisht ate të librit të priftit Barletius. Libri i Barletiusit, që ishte shkruar në latinisht, u përkthye në Rusi në greqisht, dhe më pastaj u shpërnda në kohën kur përgatitej propaganda për rebelimin e të krishterëve ortodoks të Perandorisë Osmane. Pasi dhe anglezët kishin interesat e tyre në Detin Mesdhe dhe planifikonin për të ndërhyrë në përkrahje të rebelimit në Greqi, ata së pari duhej të siguronin përkrahjen e opinionit publik anglez. Për këtë qëllim, para fillimit të rebelimit, në vitin 1819 në Londër doli në shtyp libri “‎Iskander: the Hero of Epirus‎” (Skenderbeu: Heroi i Epirit) nga autori Arthur Spenser‎. Përderisa libri i Barletiusit i përkthyer në greqisht, më vonë prej proze në poemë përkthehet në shqip nga Naim Frashëri (Istorija e Skenderbeut), por duke i zëvendësuar fjalët “lufta për krishterizëm” me fjalët “lufta për Shqipëri”.

Barletus te libri i tij për Skenderbeun shkruante: “Skënderbeu mbante flamur të kuq të qëndisur me shqiponjë të zezë dykrenare”. Ngjyrat dhe forma e flamurit të Skenderbeut që na e përshkruan prifti Barletius, nuk ka dyshim që ishte flamuri i Bizantit. Prandaj dhe sot studiuesit shqiptarë hezitojnë që t’i përcaktojnë ngjyrat e flamurit të Skenderbeut dhe pranojnë vetëm formën e tij. Kjo është dhe arsyeja se pse sot emblema e Qeverisë së Shqipërisë është me shqiponjë dy krenare të verdhë e jo të zezë.

Kuptohet që flamuri i Skenderbeut në asnjë formë dhe mënyrë nuk mund të konsiderohet që u shndërrua në flamur të shqiptarëve, pasi territoret shqiptare në periudhën e tij ishin të ndarë në mes dy superfuqive të kohës, gjegjësisht në mes Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut. Pozita e Skenderbeut që administronte një zonë kufitare të Perandorisë Osmane, i dha mundësi atij që përkohësisht të shndërrohej vazal i Mbretit të Napolit. Por përpjekja e Mbretit të Napolit që të zgjeronte hegjemonin e tij në territoret e Perandorisë Osmane dështoi, pasi që ushtria e tij dhe e vasalit të tij u thye nga ushtria osmano-shqiptare në Berat.

Sot ka ende disa historianë shqiptarë që thuajnë se shqiptarët vazhduan që të mbajnë flamurin e Skenderbeut dhe ate e përdorën edhe gjatë mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878. Ky konstatim është i gabueshëm pasi që sot dihet, dhe e mbështetur nga dëshmit e djalit të Abdyl Frashërit (Mit’hat-it) dhe nipit të tij (Mehdi-ut), që ajo Lidhje u organizua nga vetë Sulltan Abdulhamidi II (lexo: broshurën e Mit’hatit Frashërit për jetën e Naim Frashërit; dhe përkthimin me komente të Mehdi Frashërit për librin “E vërteta mbi Shqipërin dhe Shqiptarët” nga Vasso Effendi [Pasha]). Vendosja e flamurit të Skenderbeut dhe pikturës me figurën e tij në dhomën ku u mbajtë Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, është vetëm imagjinatë e piktorëve komunist dhe post-komunist të Shqipërisë e të Kosovës.

Disa historianë thonë që çetat shqiptare para shpalljes së kushtetutës së Perandorisë Osmane të vitit 1908 e përdornin flamurin “shqiptar”. Por për këtë nuk kanë asnjë dëshmi. Ekzistojnë foto nga ajo periudhë me anëtar të çetave që mbanin flamurin me shqiponjën dy krenare. Por, ai flamur ishte i Greqisë pasi dhe andarët grek e përdornin po atë flamur. Po ai flamur me shqiponjën dy krenare ishte dhe flamuri i autonomisë së Vorio-Epirit, kur u themelua me mbështetjen evropiane në vitin 1914. Veç kësaj, pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908 u dha amnistia e përgjithshme për anëtarët e çetave ilegale që vepronin deri në atë kohë në gjithë territoret e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane; numri i përgjithshëm i të cilëve në kohën e miratimit të amnistisë ishte 1410 vetë. Nga ky numër, prej të cilëve shumica e rebelëve ishin bullgarë dhe grekë, vetëm 22 ishin shqiptarë (lexo gazetën Lirija nr.5, 11 gusht 1908). Ata shqiptarë ishin anëtar të çetës së Zeqir (Çerçiz) Topullit, i cili kishte dalë në mal edhe me disa vllaho-shqiptarë, për t’u rebeluar kundër Patriarkanës së Stambollit dhe prandaj kishin filluar që të vrisnin priftërinj ortodoks që përkrahnin andarët grek.

Po në atë periudhë nëse i shikojmë fotografitë e ushtarëve osman-shqiptarë që marshonin me plisa në rrugët e Manastirit, pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908, vërehet qartë që ata mbanin flamurin osman-shqiptar.

 

Foto: Manastiri 1908.

Njëjtë ndodhte edhe në Shkodër. Kur malësorët katolik zbritën që të festonin shpalljen e kushtetutës në vitin 1908, ata e mbanin po atë flamur osman-shqiptarë në dorë (shiko: foton te libri “The struggle for Scutari” nga Edith Durham).

Kur në vitin 1909 shumë ushtarë vullnetar shqiptarë u nisën për në Stamboll të rrëzojnë Qeverinë e re të formuar pas grushtit të shtetit, shqiptarët e mbanin po atë flamur osman. Ekzistojnë me qindra foto që e dëshmojnë edhe këtë.

Ka disa historianë që thonë se flamuri “shqiptar” u përdorë në vitin1910 gjatë rebelimit në Kosovë. Por, nëse ate rebelim e interpretojmë nga këndvështrimi i mbështetur nga disa të dhëna të gazetave shqipe të kohës, ai rebelim mund të quhet edhe “rebelim i pulaxhive”. Këtë e mbështes te gazeta Tomorri që botohej në Elbasan nga Lef Nosi dhe Luigj Gurakuqi. Në atë gazetë shkruhet për arsyet e kryengritjes kështu: “Nji kafeshitës i quajtur Jahja i kërkoi nji katundari dy metalike si pagesë për dy pula që i kishte prumun me i shitën në trektarët të Prishtinës, tyke i thanun se mbretnija ka vumun nji pagesë të reë për pulat.

Nji malësori tjetër që i thoshnin Mehmet Çollaku i mori ne tetë njinë nga vetë që kishte sjellun për t’i shitun. Nji tjetri qi kishte mjekër i shtin frikën e i than se atë qi kanë mjekra pas këtaj do të paguajnë si pagesë për mjekrën nga nandë groshë e gjymës. Këto shpifje u përhapën ndër malësië e u banë shkak i Kryengritjes” (gazeta Tomorri nr.5 “Turbullimet e Kosovës- Shpifjet për pagesat e rea” Elbasan- 20 prill 1910)”. Kuptohet që vetëm këta ngjarje nuk ishin arsyet e vetme të trazira ve në vitin 1910. Në Kosovë po ashtu ekzistonte një pakënaqësi e madhe te besnikët e Sulltan Abdulhamidit të II, të cilët i humbën privilegjet pas rrëzimit të tij nga froni. Më gjerësisht për këtë rebelim ka shkruar në gjermanisht edhe Eqrem Vlora në vitin 1911 te libri “Die Wahrheit über das Vorgehen der Jungtürken in Albanien”. Në pleqëri Eqrem Vlora u distancua nga përmbajtja e librave të tij që i shkroi në rini, pasi që e kishte kuptuar me vonesë se kishte qenë i manipuluar dhe e kishte dëmtuar çështjen osmano-shqiptare për interesa të propagandës anti-shqiptare.

 Sot shumë historianë thonë që flamuri “shqiptar” u ngritë në verën e vitit 1912 në Shkup. Kjo ngjarje ka marrë përmasa qesharake, pasi që disa historianë delitant shqiptarë të Maqedonisë iniciojnë organizimin e përvjetorit të 100 të çlirimit të Shkupit dhe ngritjes së flamurit “shqiptar”. Ata historianë apo politikanë, do të ishte mirë që të thërrisnin në protesta apo kryengritje me rastin e 100 vjetorit të okupimit të Shkupit nga sllavët, e jo në manifestime për përvjetorin e çlirimit të tij. Në verën e vitit 1912 nuk u çlirua Shkupi nga shqiptarët, pasi që Shkupi i shqiptarëve ishte. Në Shkup nuk u ngrit flamuri “shqiptar” pasi që flamuri shqiptar-osman valonte në mes të Shkupit. Atë flamur nuk e preku askush pasi që ai ishte edhe i shqiptarëve. Se kjo është e vërtetë ka shumë dëshmi, por më bindëse për ne janë kujtimet e Hasan Prishtinës dhe Eqrem Vlorës, që në verën e vitit 1912 ishin dëshmitar të ngjarjeve në Shkup. Mirëpo shqiptarët e shkretë, që e kanë trurin e larë nga propaganda sllave dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, sot kanë formuar armiq fiktiv përderisa armiqtë e vërtet që i kanë para syve nuk i shohin.

-Në fillim të shk.XX. në territoret shqiptare, propagandë me flamujt me shqiponjën dykrenore bënin edhe dy pretendentë për fronin e Maqedonisë apo të Shqipërisë. Ata ishin vllahu Albert Gjika prej Bukureshti me prejardhje të largët nga rrethi i Korçës dhe diplomati spanjoll Aladro Kastrioti që pretendonte se ka prejardhje nga dinastia e Kastriotëve. Ata të dy, nëpërmjet disa shqiptarëve, infiltronin materiale propaganduese dhe flamuj të Skenderbeut në Shqipëri. Këta të dy pretendent, por dhe të tjerë, shpresonin në imponimin nga Fuqitë e Mëdha të një guvernatori të krishterë për territoret shqiptare, me qëllim të mbrojtjes së të krishterëve të Maqedonisë (kryesisht sllavëve dhe grekëve) nga zullumi i arnautëve. Fuqitë e Mëdha, mbështeteshin në mbrojtjen e banorëve të krishterë të Perandorisë Osmane për të ndërhyrë në punët e brendshme të saja. Në vitin 1903, Fuqitë e Mëdha në formë të një ultimatumi i dërguan qeverisë së Perandorisë Osmane kërkesën për reforma që duhej të ndërmerrte ajo. Një kapitull i këtyre kërkesave kishte të bëjë me arnautët dhe masat që duhej të ndërmerrte Qeveria osmane për t’i neutralizuar ata, me qëllim që mos të rrezikoheshin sllavët. Pasi reformat në Maqedoni ishin me rëndësi prioritare për Perandorin Osmane, ishte emëruar arnauti Ferid Pashë Vlora për kryeministër të Perandorisë. Në atë periudhë, kishte edhe disa shqiptarë që mendonin se pavarësisht suksesit të implementimit të reformave, ishte e paevitueshme imponimi i një guvernatori të krishterë në territoret shqiptare nga Fuqitë e Mëdha me pëlqimin e Portës së Lartë. Ata shqiptarë mendonin që kur do të vinte koha për emërimin e një guvernatori të krishterë, do të ishte më mirë për shqiptarët që një i tillë të kishte lidhje me Shqipërinë; prandaj dhe për disa prej tyreve Albert Gjika apo Aladro Kastrioti ishin të pranueshëm. Kuptohet që dhe ata të dy pretendent ishin të gatshëm që të financonin për ta arritur qëllim e tyre. Për këtë qëllim edhe nipi i Kryeministrit të Perandorisë, Eqrem Vlora takohet më vonë në Paris me Aladro Kastriotin, i cili i dha atij një flamur të Skenderbeut. Nga kujtimet e Eqrem Vlorës, kuptojmë që flamurin që Aladro Kastrioti ia dha atij, u përdor si flamur i ri i Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës. Sot dëshmia e Eqrem Vlorës për flamurin në Kuvendin e Vlorës, merret si më e sakta. Por, sipas dëshmisë së historianit gjerman Peter Bartl, që u takua me Eqrem Vlorën në Gjermani, kuptojmë që E.V. e kishte ndryshuar versionin për ngjarjen e flamurit në Kuvendin e Vlorës. E.V. i kishte thënë Peter Bartl, se ishte baronesha Marie von Godin që e kishte qëndisur flamurin për rastin e Kuvendit të Vlorës. Mirëpo në versionin me shkrim, te kujtimet e tija Eqrem Vlora e kishte ndryshuar këtë dëshmi (lexo: Peter Bartl “Begegnungen mit der Albanischen Geschichte” te libri “Albanische Geschichte” nga Oliver Schmitt dhe Eva Frantz, München 2009). Për sa i përket vajzës Marigo që e qëndisi flamurin dhe ia dha në dorë Ismail Qemalit në Vlorë, kjo “ngjarje” nuk ia vlen të komentohet, pasi që është vetëm një shpikje në filmin-historik skandaloz për Kuvendin e Vlorës. Po në vitin 1912 kemi shumë dëshmi që flamuri i Skenderbeut ishte i panjohur për shumicën e shqiptarëve dhe, nga shumë prej tyre nuk u pranua si flamur kombëtar pasi ata vazhduan që të identifikohen me flamurin osman-shqiptar. Nga kujtimet e Dhimitër Zografit kuptojmë që në nëntor 1912 i gjithë rrethi i Dibrës nuk kishte asnjë flamur “shqiptar” dhe prandaj u dërguan dy kalorës prej Durësit për në Dibër që t’iu jepnin atyre një flamur.

Se sa i panjohur ishte flamuri i sotëm i Shqipërisë në periudhën para pavarësisë së Shqipërisë, mund ta kuptojmë nga një artikull që u shkrua për të mbrojtur pafajësinë e Dervish Himës, i cili akuzohej se ishte kapur me një flamur të tillë dhe prandaj mbahej në paraburgim në Selanik. Autori i artikullit, që sipas gjitha gjasave ishte Mit’hat Frashëri, e quante flamurin me shqiponjën dy krenare një copë lëvere: “Sa për flamur, kjo është një gjë për të qeshur, se një cope lëvere e grisur dhe pake si e përlyer ç’rëndësi munt të ketë? Një copë lëvere në mos të plaçkoset, një copë lëvere që dhe s’dihetë ç’është, dhe qe s’është përdorue në na një punë, ç’rëndesi ka, nuk kuptojmë. S’munt të themi se ajo lëvere është flamuri i Shqipëris, se flamur të Shqipëris nuk kemi, nuk e dim si është një flamur i një shteti të njohurë edhe aherë s’ka nojë rëndësi se çdo njeri munt të bëre një flamur dhe të lozë me te. Këtu pyesim pra pse gjykatoreja rëfen kaqë përtim, kaqë gadalsi në punë (gazeta Lirija nr.19, Selanik- 6 dhjetor 1908)?”

Gjatë Luftës Ballkanike 1912/13, shqiptarët në asnjë rast nuk luftuan me flamurin e Skenderbeut. Ata shqiptarë që luftuan për Shqipërinë, luftuan me flamurin osman. Këtë mund ta dëshmojmë edhe me një telegram të Qeverisë së Vlorës që iu drejtohet shqiptarëve që mbronin Janinën. Telegrami i lëshuar më 29 janar 1913 ka këtë përmbajtje: “Për shqiptarët është një detyrë fort e madhe të mbrohet dhe të mbahet Janina. Megjithëse ushtarët shqiptarë luftojnë nën flamurin otoman, prapëseprapë këta duhet ta dinë këtë detyrë dhe të njohin dobinë që ka Janina për atdheun e tyre. Ata që s’patën turp e dezertuan nuk ruajtën nderin e flamurit nën të cilin gjinden dhe nuk çuan në vend interesin e atdheut të tyre”.

Pas Luftës Ballkanike u okupuan shumë territore të shqiptarëve nga sllavët apo grekët dhe u ndalua përdorimi i flamurit osman-shqiptar ndër shqiptarët. Në vend të tij, me disa ndërprerje, përdorej flamuri i Greqisë, i Serbisë apo i Jugosllavisë. Sot në Maqedoni përdoret ai i sllavo-ortodoksëve. Megjithate flamuri osman-shqiptar vazhdoi që të përbëj identitetin e shqiptarëve për ata shqiptarë që mbetën të jetojnë në Perandorin Osmane dhe po ashtu për ata shqiptarë që migruan më vonë  në Republikën e Turqisë; pasi që për dallim nga Shqipëria, Republika e Turqisë e pranoi si të vetin flamurin e Perandorisë Osmane.

Në Shqipëri, flamuri osman-shqiptar vazhdoi të valonte deri në vitin 1915. Kacafytja e fundit për këtë flamur si duket ndodhi në vitin 1915 në Shkodër, me ç’rast u vranë rreth 70 veta (lexo: Ndoc Nikaj “Historia e Shqypniës” Shkodër 1917). Prej pas Luftës së Parë Botërore deri më sot flamuri me shqiponjën dy krenare valon në Shqipëri.

Në vitet e para të formimit të Shteti Shqiptar, mospranimi i shumë shqiptarëve të Shqipërisë që të identifikoheshin me flamurin e shtetit të ri, mund të shpjegohet edhe nëse krahasojmë qëndrimin e shumë kosovarëve për flamurin e shtetit të Kosovës. Shumë kosovarë nuk pranojnë të identifikohen me flamurin e ri të shtetit të Kosovës, pasi që ai flamur nuk paraqet asnjë rëndësi historike për ta. Prandaj dhe shqiptarët e Shqipërisë, që historinë e tyre e kishin lidhur ngushtë me flamurin osman-shqiptarë, refuzuan që ta pranonin me lehtësi një flamur të panjohur si flamurin e tyre. Flamuri osman jo vetëm që përdorej ndër shqiptarë, por ai u përhapë në shumë pjesë të botës pikërisht nga luftëtarët shqiptarë. Këtë fakt na e qartëson më së miri Sami Frashëri te libri “Shqipëria çka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet”, e ku shkruan: ”Më të mbëdhenjtë e më të mirët e Vezirëvet të Tyrqisë ishinë Shqipëtarë, si Sinan Pasha që ka marë Jemenë e ka shpenë Fjamurin e Tyrqisë gjer në detet të Indisë,[…]”.

-Në bazë të këtij shkrimi mund të formohet bindja se flamuri osman ishte flamuri i shqiptarëve. Kjo është e saktë. Mirëpo ekziston një dilemë për ta pranuar këtë si plotësisht të saktë. Kjo për arsye të rebelimit për pavarsin e Greqisë në vitet 1821-32. Vetvetiu parashtrohet pyetja se gjatë atij rebelimi, me cilin flamur luftonin shqiptarët që përkrahnin formimin e Greqisë e që përlesheshin me shqiptarët që mbronin Perandorin Osmane?  Me siguri që palët kundërshtare nuk kanë përdorur të njëjtin flamur dhe prandaj përgjigja e kësaj pyetje është e qartë për ata që kanë arsye. Poashtu në Luftën Greko-Osmane të vitit 1897 përsëri shqiptarët nga të dyja anët luftonin kundër njëri tjetrit me flamuj të ndryshëm.  Prandaj dhe sot ne mund të themi se e dimë se kush është flamuri i Shqipërisë pasi që ai tani ka edhe një histori 1 shekullore, poashtu e dimë se kush është flamuri i shtetit tjetër shqiptar të Kosovës, mirëpo se kush është flamuri historik i popullit shqiptar, kjo është një dilemë që pret të zgjidhet.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme