Përfundimi i merituar i Faraonit

Vetëm dy vjet më parë nuk ka mundur asnjë egjiptian ta imagjinojë Husni Muabarakun jashtë pallatit presidencial në Menshijet el-Bekr, në qendër të Kajros, e jo më në qelinë e burgut më famëkeq të Egjiptit të quajtur Turra në afërsi të Kajros.

Në burgun në fjalë, zakonisht dergjeshin anëtarët e “Vëllazërisë Myslimane” dhe opozitarë të tjerë, të cilët merrnin guximin për t’iu kundërvënë regjimit të tij totalitar. Mirëpo, revolucioni i janarit i vitit 2011 bëri edhe gjërat e pamundshme të bëhen të mundshme.

Më 2 qershor për herë të parë në historinë më të re të Egjiptit u shqiptua dënimi me burg të përjetshëm kundër Faraonit të fundit të Egjiptit, siç e quajti e përditshmja e Kajros “el-Ahram” ish-presidentin, Muhamed Husni Mubarak, për shkak të pjesëmarrjes së tij aktive në vrasjen e 850 protestuesve, gjatë ngjarjeve të Revolucionit të vitit 2011, të cilat bënë që ish-presidenti shumëvjeçar më 12 shkurt të tërhiqet nga të gjitha postet partiake dhe shtetërore, duke filluar një epokë e re e vendit me historinë më të vjetër në botë.

Mirëpo, dënimi i shqiptuar nga gjykatësi Muhamed Rifat, ndaj ish-presidentit Mubarak dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme Habib el-Adli, si duket nuk kënaqi familjarët e viktimave. Ndërkohë që shpalli të pafajshëm dy djemtë e ish-presidentit dhe gjashtë gjeneralët e policisë egjiptiane, ndihmës të ish-ministrit të Brendshëm, u kthye në protestë gjithëpopullore jo vetëm në Kajro, por edhe në të gjitha qendrat e provincat e Egjiptit. Për këtë parlamenti i Egjiptit, në të cilin dominojnë “Vëllezërit Myslimanë” kërkoi për një rigjykim të Mubarakut dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Kështu pra, pas 30 viteve të sundimit të Egjiptit, prej 2 qershorit ish-presidenti egjiptian Mubarak u transferua në spitalin e burgut të fermës Turre, pas shqiptimit të dënimit me burg të përjetshëm në çështjen që ka të bëjë me vrasjen e protestuesve. Prej ditës së nesërme përgjegjësi i burgut do t’i japë uniformën e kaltër, do ta fotografojë si dhe do t’ia japin numrin e të burgosurit.

Mubarakut, me siguri, nuk i ka shkuar mendja asnjëherë se ai mund të përfundojë brenda mureve të burgut. Ai ishte mësuar të jetonte jetën e mirëqenies, larg jetës së popullit të tij. Tërë ajo çka e lidhte me të ishin disa raporte nga burimet e mekanizmave të sigurisë apo statistika të rrejshme, të cilat nuk tregonin realitetin e padrejtësisë së jetës sociale në të cilën po jetonte populli egjiptian dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohej për ta siguruar kafshatën e gojës së tij.

I burgosuri më i ri në burgun Turre me një herë pas shqiptimit të gjykimit, u dërgua me helikopter në vuajtje të dënimit në rezidencën e tij të re. Mirëpo, sipas raporteve të medieve ai kishte rezistuar zbritjes nga helikopteri për më shumë se dy orë, derisa më në fund i ishte bindur fjalëve të komandantit të rojës së tij personale.

Kështu, pra, ish-presidenti 84-vjeçar i Egjiptit, Husni Mubaraku po fillonte një kapitull të jetës së re në qelitë e burgut ku deri pak kohë më parë në kushte tejet të vështira kishin qëndruar, ata të cilët tash ishin në pushtet dhe po vendosnin për fatin e tij. Për këtë, kur gjykatësi, Muhamed Rifat kishte shqiptuar dënimin, Mubaraku me gjysmë zëri kishte thënë: “I shërbeva këtij vendi për 30 vjet dhe ky është shpërblimi im?!”.

Me këtë po merr fund edhe njëri prej aktorëve kryesorë të “Pranverës arabe. Zejnul Abidin ben Ali, ish-president i Tunizisë gjeti strehim në Arabinë Saudite, lideri libian, Muamer el-Gaddafi u vra nga kryengritësit në vendlindjen e tij në Sirt. Ish-presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Salih, dha dorëheqja nga posti me kusht që ta sigurojë kokën e tij.

Revolucioni i cili ka filluar nuk do të ndalet lehtë. Mbetet të shihet se cili do të jetë fati i presidentit sirian Beshar el-Esed, i cili po bën luftën e fundit për të mbijetuar. Para veti ka disa modele, andaj ka mundësi të zgjedh!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme