Historia përvojë apo mësim (Komente nga sureja A’raf)

Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.

Elif, lam, mim, sad.[1] / Një libër që të zbriti ty – mos të të ndrydhet zemra të tërheqësh me të vëmendjen – dhe kujtesë për besimtarët. / Ndiqni ç’është zbritur te ju nga Zoti juaj dhe mos ndiqni zota të tjerë në vend të Tij. Ju pak mendoheni. (1-3)

Ju vendosëm në tokë dhe bëmë për ju mjete jetese. Ju pak falënderoni. / Ne ju krijuam, ju dhamë formë e u thamë engjëjve: “Përuluni para Ademit!” U përulën përveç Iblisit. Ai nuk qe me të përulurit. / Tha[2]: “Ç’të pengoi të përulesh kur të urdhërova?” Tha: “Unë jam më i mirë prej tij. Mua më krijove nga zjarri dhe e krijove atë nga balta.”/ Tha: “Zbrit së andejmi[3]! Nuk të takon ty të krenohesh atje. Dil! Je i përçmuar.”/ Tha: “Më jep afat deri Ditën e Ringjalljes!”/ Tha: “Ti je nga ata me afat.[4]”/ Tha: “Meqenëse më prapësove, do t’u zë pritë në Rrugën Tënde të Drejtë. / Pastaj u vij para e pas, djathtas e majtas dhe nuk i gjen të shumtët e tyre falënderues.”/ Tha: “Dil së andejmi, i fajësuar, i përzënë! Në të ndjekin ty, do ta mbush ferrin me ju të gjithë.” (10-18)

 “O Adem, banoni ti dhe gruaja jote në kopsht, hani ku të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme e të jeni dhunues.” / I cyti djalli për t’ua nxjerrë në dukje pjesët e turpshme, të fshehta nga ata dhe tha: “Zoti ju ndaloi prej kësaj peme që të mos bëheni engjëj a të përjetshëm.”/ Dhe u betua: “Vërtet, unë jam për ju një këshillues i sinqertë!”/ I shoqëroi me mashtrim dhe, kur ata e shijuan pemën, u dolën në dukje pjesët e turpshme që filluan t’i mbulonin me gjethet e kopshtit. U thirri Zoti i tyre: “A nuk ju ndalova prej asaj peme dhe nuk ju thashë se djalli është për ju armik i hapur?” (19-22)

Banorët e parajsës u thërrasin banorëve të zjarrit: “Ne e gjetëm të vërtetë premtimin e Zotit tonë. Po ju, a e gjetët të vërtetë premtimin e Zotit tuaj?” Thonë: “Po.” Një thirrës mes tyre thotë: “Mallkimi i Zotit qoftë mbi dhunuesit, / që pengonin nga Rruga e Zotit, donin ta shtrembëronin atë dhe qenë mohues të së ardhmes!” (44-45)

 Mes tyre është një perde. Në lartësitë e Purgatorit ka njerëz që e njohin secilin nga çehrja. U thërrasin banorëve të parajsës: “Paqja qoftë me ju!” Nuk kanë hyrë atje, por lakmojnë. / Kur shikimi i tyre shkon te banorët e zjarrit, thonë: “Zoti ynë, mos na bëj me dhunuesit!”/ Banorët e Purgatorit u thërrasin disa njerëzve që i njohin në fytyrë dhe u thonë: “Ç’ju vlejti që grumbulluat e u mburrët? / A janë këta[5] për të cilët bënit be se Zoti nuk i arrin me mëshirë[6]: “Hyni në parajsë, s’ka frikë për ju e nuk dëshpëroheni?”” (46-49)

 Në çdo vendbanim që dërguam profet, i morëm banorët e tij me fatkeqësi e vështirësi që të mund të nënshtroheshin. / Pastaj ua këmbyem të keqen me të mirë derisa e morën veten dhe thanë: “Edhe të parët tanë kaluan vështirësi e ditë të mira.” I morëm në befasi dhe nuk e kuptuan. / Sikur banorët e vendbanimeve të besonin e të përmbaheshin, ua hapnim bekimet nga qielli e toka, mirëpo përgënjeshtruan dhe i morëm me ç’fituan[7]. (94-96)

 I caktuam Musait tridhjetë netë, i plotësuam me dhjetë dhe u mbush koha e caktuar e Zotit të tij prej dyzetë netësh. Musai i tha të vëllait, Harunit: “Më zëvendëso te kombi im, ji i drejtë dhe mos ndiq udhën e keqbërësve.” / Kur erdhi Musai në takim dhe i foli Zoti, tha: “Im Zot, m’u shfaq, të të shoh!” Tha: “Ti nuk mund të më shohësh, por shih te mali: po të qëndrojë, do të më shohësh.” Posa Zoti i rrezatoi malit, u dërrmua dhe Musai ra pa ndjenja. Kur u përmend, tha: “Madhëruar qofsh! Unë të pendohem dhe jam i pari besimtar.”/ Tha: “O Musa! Unë të zgjodha ndaj njerëzve me mesazhet dhe fjalët e Mia, pra, merr çfarë të kam dhënë dhe ji falënderues.” (142-144)

 Të pyesin për orën, kur arrin? Thuaj: “Dija e saj është te im Zot. Veç Tij, askush nuk mund ta zbulojë kohën e saj. Ajo rëndon në qiej e në tokë dhe ju vjen befas.” Të pyesin sikur je në brendësi të saj. Thuaj: “Dija e saj është te Zoti, mirëpo të shumtët e njerëzve nuk dinë.”/ Thuaj: “Unë nuk i zotëroj vetes sime dobi a dëm, por me dashjen e Zotit. Po ta dija të fshehtën, do t’i shtoja të mirat e nuk do të më prekte e keqja. Unë jam paralajmërues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (187-188)

 Është Ai që ju krijoi nga një frymë e vetme, bëri prej saj palën të prehet në të. Kur e mbulon, bart një barrë të lehtë dhe ngjizet me të. Ndërsa rëndohet, i luten Allahut, Zotit të tyre: “Na dhënç një të mirë[8], të jemi mirënjohës!”/ Kur u jep një të mirë, i bëjnë shokë në çfarë u dha . I lartë është Zoti nga ç’i shoqërojnë! / A i shoqërojnë ç’nuk krijojnë gjë ndërsa janë të krijuar? / Që s’mund t’u vijnë në ndihmë, as veten të ndihmojnë?  (189-192)

 Merr faljen, porosit të mirën dhe largohu nga të paditurit! / Në të nxit djalli, kërko mbrojtjen e Zotit. Ai është dëgjues, dijeplotë. / Kur u vjen djalli rrotull, të devotshmit përmenden dhe, ja, tek vështrojnë. / Ndërsa “vëllamët” e tyre i fusin thellë e më thellë në gabim dhe nuk pushojnë. / Po s’u solle ndonjë dëshmi[9], thonë: “Përse nuk e sajon?” Thuaj: “Unë ndjek çfarë më kumtohet nga im Zot. Kjo është dritë nga Zoti juaj, drejtim e mëshirë për njerëzit që besojnë.” (199-203)

 Kur lexohet Kuran, dëgjojeni e vini mendjen që të mund të mëshiroheni. / Përmende tët Zot në vetvete, mëngjeseve e mbrëmjeve, me përgjërim e drojë, jo për t’u dukur dhe mos ji i pavëmendshëm! / Ata pranë Zotit tënd[10] nuk janë kryeneçë në adhurimin e Tij, i thurin lavde dhe bien për Të me krye në tokë.[11] (204-206)

 

***

Kuranologët e shpien këtë sure aty nga viti i fundit i periudhës së Mekës, krahas sures “Bagëtitë” (El En’am) e cila, në rendin kronologjik, vjen akoma më vonë. Tematika e saj është ajo e sureve mekase, me çështjet e besimit, misionet profetike, përgjegjësinë e njeriut para Zotit dhe shpërblimin e së ardhmes. Por, ndryshe nga shumica e sureve mekase, ato më të hershmet e të mëpasshmet, të shkurtra në fjali (ajete) e përmbajtje, të fuqishme në tonin dhe mesazhin që përcjellin, poetike në fjalë e rimë, kjo sure, nga numri i ajeteve dhe të shprehurit me fjali të zgjeruara, u përngjan më tepër kapitujve të periudhës së Medines. Në të vërtetë nuk ka ndonjë ndarje të prerë mes dy periudhave. Ato janë në vazhdim të misionit profetik, nga mesazhi monotoist në Mekë, te zgjidhja e problemeve social-politike në Medine. Toni poetik e përcjell Kuranin fillim e mbarim.

Duke iu rikthyer ngjarjeve që rodhën vitet e para të shpalljes së Kuranit dhe qëndrimit të idhujtarëve mekas, kujtojmë se si ata i quanin ajetet e Kuranit poezi dhe Muhammedin, poet. Velid bin al Mugireh, njëri ndër krerët kurejshitë e orator, siç përmendet në kapitullin 4, kreu 74, shkoi te Muhammedi për të debatuar me të. I mrekulluar nga ajetet e Kuranit, u kthye duke thënë se Kurani nuk është poezi, porse mesazh. Sepse suret e Kuranit kishin njëherësh forcë poetike dhe fuqi bindëse. Ato ishin, para së gjithash, një program besimi e udhëzimi që vinte duke u zgjeruar në përmbajtje dhe jo fjalë oratori, poeti a njeriu të magjepsur. Ato provonin, gjithashtu, misionin profetik të Muhammedit a.s.

Tema për djallin shtjellohet më tej në këtë kapitull. Tundimi i tij është pasioni i jetës tokësore që, në shembullin e dhënë, ngjall e vë në dukje epshin si ndiesi biologjike. Kjo është diçka e natyrshme përderisa njeriu u krijua të jetojë dhe ripërtërihet në tokë. Në formën ideale, ai qe bërë të ishte si engjëjt ose i përjetshëm, në afatin e vet si krijesë. Ndërsa djalli i mëson të kundërtën e asaj që Zoti ia kumtoi njeriut. Diku tjetër, ai thotë: “O Adem! Eja të të çoj te pema e përjetësisë dhe e sundimit pa rënie.” (20:120) Djalli nuk i kundërvihet Zotit, porse vepron si forcë negative duke e vënë njeriun në provën e jetës. Në kontekstin e qëndrimit të hipokritëve, Kurani bie shembull djallin: “Si shembulli i djallit kur i thotë njeriut: “Moho!” Dhe, porsa ai mohon, thotë: “Unë jam i çliruar prej teje. Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.”/ Fundi i të dyve është në zjarr, përgjithmonë. Ja shpërblimi i atyre që dhunojnë.”  (59:16-17) Ose, Ditën e Gjykimit: “Kur çështja të jetë vendosur, djalli u thotë: “Zoti ju premtoi premtim të vërtetë. Unë ju premtova e ju tradhtova. Unë s’pata ndonjë fuqi mbi ju; vetëm se ju ftova dhe ju m’u përgjigjët. Pra, mos më qortoni mua, qortoni veten tuaj. Unë nuk jam shpëtimtari juaj, as ju shpëtimtarët e mi. Unë e mohoj kultin që më bënit më parë.[12]” Dhunuesit kanë dënim të rëndë.” (14:22)   Djalli është, gjithashtu, krijesë me afat. Në të vërtetë, ai nuk është krijesë e veçantë, “e mbinatyrshme”. Siç thuhet në kreun 114, “En-Nas” (Njerëzit), djalli është “prej xhinëve e njerëzve”. Nga morali që përcjell Kurani, themi se, me “pemën e ndaluar”, Zoti ia tregoi njeriut drejtimin nga nuk duhej të shkonte. Që do të thotë se Zoti e bëri njeriun të aftë të dallojë të keqen nga e mira dhe e la të lirë të zgjedhë e të marrë mbi vete përgjegjësinë në jetë. Por, edhe pasi hëngri “pemën e ndaluar” dhe i dolën në dukje pjesët e turpshme, domethënë ndjeu epsh, njeriu, përsëri, kishte në vetëdije një moral të lindur që e bëri të mbulonte lakuriqësinë e vet me gjethet e kopshtit. Ky moral do të zhvillohej e bëhej, kohë pas kohe, nga instikti në edukatë ose, siç mund të thuhet, do të institucionalizohej me misionet profetike dhe nëpërmjet devotshmërisë fetare. Prandaj, Zoti thotë: “Bijtë e Ademit! Ju zbritëm një petk-stoli që mbulon trupin tuaj dhe petkun e devotshmërisë; ky është më i mirë.” Këto ishin nga dëshmitë e Zotit që ata të mund të mendoheshin.” (Ajeti 26)

Purgatori, prej nga ka marrë titullin kjo sure, në arabisht është “El A’raf” (Lartësitë). Sipas ajetit 46 ku përmendet kjo fjalë, aty qëndrojnë disa burra (njerëz) me të mira e të këqia që barazpeshojnë, në pritje të mëshirës së Zotit. Kuranologët i japin edhe një kuptim tjetër titullit “El A’raf”, me prejardhje nga folja “arefe” (njeh), sepse banorët e tij “e njohin secilin nga çehrja.” (ajeti 46) Shprehja e cituar në ajetin 49, me të cilën banorët e purgatorit u drejtohen banorëve të ferrit për ata të parajsës, është premtimi që i Madhi Zot ua ka bërë besimtarëve. Krerët idhujtarë mekas thonin me përbuzje për besimtarët, më të shumtën të varfër, skllevër e gra, se “mëshira e Zotit nuk u arrin atyre.” Këtu vëmë re se si shembujt e Kuranit janë dhënë në funksion të misionit profetik dhe jo si ngjarje të mirëfillta dhe se Kurani është program e jo rrëfenjë.

Kur lexon Kuranin kalimthi, të dalin aty-këtu, në mënyrë fragmentare dhe kryesisht në suret e periudhës së Mekës, historitë e profetëve me kombet e tyre. Diku me më shumë detaje dhe, më shpesh, të përgjithësuara, ato janë udhëzimet që profetët përcollën te popujt e tyre, si i pritën ata dhe si qe përfundimi, mësim për brezat e ardhshëm.

Profetët që përmenden në këtë sure, Nuhi, Hudi, te adët e hershëm në Jemen, Salihu, te themudët, pasardhës të adëve në veriperëndim të gadishullit Arabik, Luti, nipi i profetit Ibrahim, në jug të Detit të Vdekur, Shuajbi, te medjenasit, në verilindje të gadishullit Sinai dhe hazreti Musai, te faraoni në Egjipt, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin me ta, ishin të njohur për arabët nga gojëdhanat dhe rrëfenjat biblike. Gjurmat që kombet e tyre lanë në histori ishin ngrehinat kolosale, gurët masivë dhe kolonat e larta, piramidat dhe gdhendjet në shkëmb, të paarritshme për arabët beduinë që jetonin nëpër çadra apo shtëpi qerpiçi, mbuluar me kashtë. Këtu, mësimi: ja, pra, se si përfunduan ata që e dinin veten të përhershëm. Ajo që Kurani vë në dukje te profetët, nuk janë detajet e jetës së tyre, si në rrëfenjat biblike, të shtuara kohë pas kohe me aventurat dhe mëkatet e tyre, nga mëkati që përcolli njeriun e parë gjatë gjithë qenies së tij, porse mesazhi i besimit te një Zot. Këtë e shohim njëlloj te secili kur i drejtohet kombit të vet duke i thënë: “Kombi im, adhuroni Zotin! S’keni zot tjetër veç Tij….” (ose, siç mund të përkthehej fjalë për fjalë: “S’ka për ju ndonjë zot tjetër veç Tij”).

Te ajetet  94-96, të cituara më lart, vërejmë, krahas historisë sonë jo të largët, kur vendin e pllakosi varfëria, si pasojë e regjimit kundërshtar të besimit në Zotin dhe popullit që e braktisi atë besim, se e kaluara shihet thjesht si përvojë e jo mësim. Më tej, i Madhi Zot thotë: “Këto janë vendbanimet; po të tregojmë disa nga ndodhitë e tyre. U erdhën të dërguarit me prova të qarta, por nuk qenë që të besonin ç’kishin përgënjeshtruar më parë. Kështu, Zoti ua vulos zemrat mohuesve. / Nuk gjetëm te të shumtët e tyre besë ndërsa i gjetëm të shumtët e tyre të pabindur.” (101-102)

Historia e Profetit Musa (Moisi) a.s. (alejhis-selam / paqja qoftë me të) përshkruhet më gjerë në Kuran. Sipas rendit të sureve, ajo fillon me misionin profetik të Musait a.s., dyzetë netët, Librin dhe Dalluesin ndërsa kombi i tij, bijtë e Izraelit, mori për të adhuruar në vend të Zotit një trupore viçi të artë (2:47-55);   shtjellohet, më tej, me faljen dhe mirësinë e Zotit që i shtoi izraelitët në dymbëdhjetë fise dhe i begatoi (2:60) ndërsa ata kundërshtuan, vranë profetët dhe kthyen zemërim nga Zoti (2:61, 67-74);  vazhdon me thirrjen që Musai u bëri të hynin në tokën e shenjtë (Jeruzalem) ndërsa ata u prapsën duke i thënë: “Shkoni ti e yt Zot e luftoni…” dhe mbetën dyzetë vjet të humbur nëpër shkretëtirë (5:20-26); misionin te faraoni dhe krerët e tij, trajtuar disa herë në Kuran, fuqinë që Zoti i dha Musait si profet për t’i bërë ballë pushtetit të faraonit  (7:103-105) dhe për të asgjësuar bëmat e magjistarëve, besimin e tyre dhe hakmarrjen e faraonit (7:118-126), provat dhe fundin e njerëzve mosbesimtarë të faraonit (7:130-136), çlirimin e bijve të izraelit nga zgjedha e faraonit, fjalët që Musai mori nga Zoti, këshillë e sqarim ndërsa kombi i tij rebeloi (7:137-153);  përmend në retrospektivë dëshminë e Musait para faraonit i cili e quajti atë magji ndërsa Musai vërtetoi kotësinë e sajimeve të magjistarëve; udhëzimin e kombit të izraelit për t’i bërë shtëpitë drejtim në adhurimin e Zotit dhe fjalët që tha faraoni kur po mbytej duke besuar Zotin e Musait e të Harunit ndërsa bijtë e Izraelit harruan të mirat e Zotit dhe ranë në kundërshti kur u erdhi dija profetike (10:75-95); udhëtimin e Musait “ku bashkohen dy detet”, në kërkim të dijes dhe urtësisë, takimin me robin e urtë të Zotit, përvojën dhe mençurinë që mori prej tij (18: 60-82); arritjen në Luginën e Shenjtë Tuva ku Musai pa një zjarr dhe Zoti i kumtoi adhurimin e Tij dhe shpërblimin e përpjekjeve në një ditë të afërt, detyrën dhe autoritetin profetik te faraoni; me pak fjalë, të kaluarën e Musait, nga arka në lumë, te faraoni, armiku i Zotit dhe armiku i tij; provën në jetë, deri në destinacionin profetik; ballafaqimin me faraonin dhe rrugën e mëtejshme të kombit të izraelit i cili harroi premtimin e Zotit (20:9-97;  26:10-68;  27:7-14); ngjarjet që përshkruhen, si t’i kesh lexuar për herë të parë, në kreun 28, “El Kasas” (Episodi), ku i Madhi Zot thotë që në fillim se: “Ne deshëm t’i mbështetnim të shtypurit në tokë, t’i bënim prijësa e trashëgimtarë. / T’i fuqizonim në tokë dhe t’u tregonim faraonit, Hamanit[13] e trupave të tyre atë të cilit ia kishin frikën.[14](28:5-6); brengën e nënës së Musait dhe gëzimin e gruas së faraonit për fëmijën e gjetur, vrasjen e një njeriu, pendimin dhe lutjen e Musait te Zoti për të qenë i drejtë e jo në ndihmë të fajtorëve; në Medjen, takimin me të bijat, siç thuhet, të profetit Shuajb dhe besën mes tyre; udhëtimin në truallin e bekuar ku Zoti e bëri me mrekulli dhe e ngarkoi me detyrë profetike, rebelimin e faraonit i cili urdhëroi ndërtimin e kullës së lartë (piramidës) për të arritur lartësitë e Zotit (28:7-38); fjalët që i Madhi Zot ia drejton Profetit Muhammed a.s., si konkluzion të kësaj historie, duke i thënë në vazhdim: “Ti nuk ishe në anën perëndimore[15] kur i dhamë Musait detyrën. Nuk ishe dëshmues. / Por Ne sollëm brezni dhe zgjati me ta jeta. Ti nuk ishe banor te medjenasit t’u recitoje dëshmitë Tona, porse Ne dërgojmë të dërguar. / Nuk ishe nga ana e malit kur thirrëm, por, si mëshirë nga yt Zot, je për t’u tërhequr vëmendjen njerëzve të cilëve nuk u ka ardhur paralajmërues para teje, që ata të mund të nxjerrin mësim.” (28:44-46); fjalët e faraonit që tha, mes të tjerash, për Musain: “Kombi im! A s’janë nën sundimin tim Egjipti dhe këto ujëra që rrjedhin poshtë meje? Nuk vështroni? / Apo nuk jam më i mirë nga ky i mjerë që mezi flet? / Përse nuk iu dhanë atij byzylykë ari ose të vinin me të engjëjt si shoqërues?” (43:51-53).

Po ashtu shpreheshin edhe krerët mekas për profetin e tyre, prandaj Zoti thotë më tej: “I bëmë përvojë e së kaluarës dhe shembull për të tjerët.” (43:56). Duke iu kthyer përsëri së kaluarës, i Madhi Zot i thotë Muhammedit a.s.: “A të ka ardhur ngjarja e Musait, / kur i thirri Zoti i tij në luginën e shenjtë Tuva? / “Shko te faraoni! Ai e teproi. / Thuaji: “Do të çlirohesh, / të të drejtoj te yt Zot e t’i frikësohesh?””/ Më të madhen shenjë i tregoi, / por ai mohoi e kundërshtoi, / ktheu shpinën e nxitoi, / tuboi e thirri: / “Unë jam Zoti juaj, Më i Larti!” – tha. / Për të ardhmen e të tashmen shembull e bëri Zoti. / Kush frikësohet, këtu mësim ka.”  (79:15-26)

Në ajetet 142-144, koha prej dyzetë netësh që Zoti ia caktoi Musait ishte tridhjetë ditë përgatitje shpirtërore, sipas komentatorëve, me agjërim dhe dhjetë ditë (netë) në praninë Hyjnore, me urdhëresat për bijtë e Izraelit. Pas eksodit nga Egjipti, izraelitët qëndruan në një luginë rrëzë Malit Sinai. Sot, ky vend quhet Mejdan El Rehah dhe, aty pranë, mbi një kodrinë, ngrihet një xhami në kujtim të profetit Salih a.s. që, siç thuhet nga gojëdhënat, nguli çadrën pas largimit prej kombit të Themudit. Musai a.s. la të vëllanë, Harunin a.s., me izraelitët duke e udhëzuar të vepronte drejt e të mos ndiqte udhën e keqbërësve (ngatërrestarëve). Haruni ishte në gradën e profetësisë, porse populli nuk e dëgjoi atë dhe shkoi pas një samaritani që u derdhi nga stolitë një viç të artë si objekt adhurimi. Dhe kjo ndodhi menjëherë pasi Zoti i shpëtoi nga zgjedha e faraonit dhe i bëri përsëri komb më vete.

Jo izraelitët në kohën e profetit Musa a.s. apo mekasit në kohën e profetit Muhammed a.s., që, si edhe popujt te tjerë jo besimtarë te Zoti, u kërkonin profetëve të tyre t’ua shfaqnin Zotin haptas, por edhe në ditët tona njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë drejt, siç është cilësuar në Kuran, Fuqinë Absolute të Zotit. Ata patjetër do të marrin diçka që shihet e preket. Kurani këtë e shpjegon sa thjesht e qartë, aq edhe në mënyrë shkencore. Nga ajetet e cituara në këtë sure, kur Musai i tha Zotit: “Im Zot, m’u shfaq, të të shoh”, – Zoti i tha: “Ti nuk mund të më shohësh, por shih te mali: po të qëndrojë, do të më shohësh.” Sipas dëshmive që sjell Ibn Kethir në komentin e vet, Muhammedi a.s. u tregoi shokëve të tij majën e gishtit të vogël për t’u dhënë si shembull fuqinë që i Madhi Zot ushtroi mbi malin. Zoti thotë në Kuran se vetëm Ditën e Ringjalljes besimtarët do ta shohin Atë (Dritën e Tij): “Atë ditë, fytyra të shndritura, / te Zoti i tyre duke shikuar.” (Kreu 75, Ringjallja; ajetet 22-23)

Në ajetet 187-188 përmendet “ora” si paralajmërim që, veç Zotit, çdo gjë tjetër në botë është në zhdukje. Kjo theksohet në kreun e Bamirësit (Rahman), ajetet 26-27: “Ç’është mbi të[16] zhduket; / fytyra e tët Zoti, të Madhështisë e Nderimit, mbetet. Ora përmendet shpesh në Kuran. Ajo ishte kujtesë për idhujtarët Mekas, atë kohë, gjithashtu është kujtesë për njerëzit në të gjitha kohrat se do të dalin një ditë para Zotit për të dhënë llogari. Në vazhdim është shprehja: “Ajo rëndon në qiej e në tokë dhe ju vjen befas.” (Ajeti 187)  Që do të thotë se kjo botë, universi që shohim sot, nuk do të vazhdojë përgjithmonë, se kijameti, siç i themi ne në kuptimin e prishjes së harmonisë universale ose ringjallja, në kuptimin kuranor të fjalës, është një dukuri e cila rëndon në qiej e në tokë, sikurse rërndon gravitacioni apo rëndesa, në kuptimin fizik, mbi një trup që qëndron pezull. Kijametin s’e di askush, as edhe profetët. Janë mjaft të kuptimshme fjalët që i Madhi Zot ka vënë në gojën e profetëve dhe disa herë te Muhammedi a.s., kur thotë: “Dija e saj (e orës-kijametit) është te Zoti” (Ajeti 187) ose: “Po ta dija të fshehtën, do t’i shtoja të mirat e nuk do të më prekte e keqja. Unë jam paralajmërues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (Ajeti 188) Sepse profeti është njeri, si edhe të tjerët, me jetën, të mirat dhe të këqiat e saj, por, para së gjithash, ai është njeri i drejtë e i devotshëm në adhurimin e Zotit, sa që Zoti e ka zgjedhur të dërguar (resul) dhe profet (nebi) mes njerëzve, përgëzues (mubesh-shirun / beshírun) të besimtarëve e punëmirëve dhe paralajmërues, vërejtës (mundhirun / nedhírun) për njerëzimin mbarë. Zoti thotë në Kuran, në kreun 5, Tryeza, ajeti 19: “Ju ka ardhur një përgëzues e   paralajmërues.” Këto fjalë, megjithëse përsëriten edhe herë të tjera, këtu u janë drejtuar kryesisht judenjve të Medines të cilët ishin të pasur dhe nuk i çmonin të mirat që Zoti u kishte dhënë, që besonin Zotin dhe nuk pranonin të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s., që lexonin Librin (Teuratin) dhe ndryshonin kuptimin e tij. Ata, si edhe më parë, nuk nxirrnin mësim nga e kaluara. Shembulli i tyre i përket një periudhe prej një mijë e katërqind vjet më parë. Sot, këta njerëz janë në mesin tonë.

I Madhi Zot na jep nëpërmjet Kuranit mrekullinë e krijimit të njeriut dhe gjithçkaje në natyrë, që njeriu të mendojë rreth kësaj e të falënderojë Zotin. Krijimi është harmonia në të cilën ne jetojmë: lindim, rritemi, martohemi dhe krijojmë një hallkë të re në gjeneratën njerëzore. Me pak fjalë, ne marrim pjesë në krijim pasi vetë Krijuesi na ka dhënë atributet e Tij. Përndryshe, do të bëheshim pengesë, një hallkë e këputur në gjeneratë. Gjithë këtë proces të madh Kurani i Shenjtë e shpreh bukur e qartë kur i Madhi Zot thotë: “Është Ai (Zoti) që ju krijoi nga një frymë e vetme, bëri prej saj palën të prehet në të. Kur e mbulon, bart një barrë të lehtë dhe ngjizet me të. . . .” (Ajeti 189)  Diku tjetër, gjithashtu, thotë fjalë për fjalë: “Nga shenjat e Tij është që krijoi për ju, nga vetja juaj, bashkëshorte, të preheni në to dhe bëri mes jush dashuri e mëshirë. . .”  (30:21) Duke përmendur krijesat e tjera, Kurani thotë se Zoti i krijoi ato në çifte. Vetëm njeriut i bëri palën që të prehet në të, me dashuri e mëshirë, përmes marrëdhënies seksuale. Kjo e dallon njeriun nga kafsha, prandaj Zoti e pajisur me ndjenjën e dashurisë dhe mëshirës. Më tej, Kurani shpjegon procesin biologjik që vjen si rrjedhojë e prehjes: një barrë e lehtë që ngjizet në barkun e nënës. Me kohë, kjo barrë rëndohet dhe ata, burrë e grua, janë të shqetësuar e i luten Zotit t’u japë një një fëmijë të shëndetshëm e të mirë. Në tekstin kuranor përdoret fjala sálihan e cila nënkupton “të mirë e të saktë”. Më të shumtën, Kurani e përdor këtë si epitet për njerëzit dhe profetët që janë sálihún, të mirë, të drejtë dhe reformatorë në Rrugën e Zotit.

Pasi Zoti u jep një të mirë, njerëzit harrojnë të mirën dhe i bëjnë Zotit shok, që do të thotë se adhurojnë hyjnitë e tyre, idhujt ose gjejnë faktorë të tjerë kalimtarë në jetë. Sipas traditës idhujtare, arabët u vinin fëmijëve të porsalindur emra si përshembull: Abd-el Uzza që do të thotë: robi i (idhullit) Uzza. Te ajetet në vazhdim, Kurani e shtjellon më gjerë këtë bestytni duke iu drejtuar njerëzve të mendojnë nëse idhujt që ata kanë trupëzuar dëgjojnë, shohin, ecin dhe a janë në gjendje t’u vijnë në ndihmë apo të ndihmojnë veten e tyre? Idhujtaria nuk është thjesht një bestytni e së kaluarës së largët. Ajo shfaqet në ditët tona, nga besimet dhe zakonet e periudhës së padijes, të magjive, lidhjeve e zgjidhjeve, varreve dhe objekteve të tjera “të shenjta”, deri te horoskopët dhe ata që lexojnë fatin e njerëzve nëpër rrugët e qyteteve moderne. Njerëzit, në vend që të kujtojnë Zotin e t’i luten Atij kur dalin nga shtëpia, blejnë gazetën dhe shohin kostelacionet.

Prandaj i Madhi Zot e porosit të Dërguarin e Tij: “Merr faljen, porosit të mirën dhe largohu nga të paditurit!” (Ajeti 199). Nëpërmjet Profetit, porosit edhe çdo besimtar që: “Në të nxit djalli, kërko mbrojtjen e Zotit. Ai është dëgjues, dijeplotë.” (Ajeti 200) Pastaj e përgjithëson, duke thënë: “Kur u vjen djalli rrotull, të devotshmit përmenden dhe, ja, tek vështrojnë. / Ndërsa “vëllamët” e tyre i fusin thellë e më thellë në gabim dhe nuk pushojnë.” (Ajetet 201-201)

Sido që mekasit e njihnin Muhammedin si birin e tyre dhe e dinin fare mirë që ai kurrë nuk kishte gënjyer, as qe rrëfenjës e poet nga ata që mblidhnin turmën pas vetes, porse thoshte disa fjalë që as ata, as etërit e tyre s’i kishin dëgjuar më parë, përsëri nuk deshën ta besonin. Kjo vjen ngaqë njerëzit jobesimtarë janë skeptikë ndaj çdo këshille e porosie që nuk u sjell ndonjë përfitim të çastit, gjë që është sidomos e theksuar në ditët tona. Prandaj Zoti e porosit Profetin të thotë: “Thuaj: “Unë ndjek çfarë më kumtohet nga im Zot. Kjo është dritë nga Zoti juaj, drejtim e mëshirë për njerëzit që besojnë.” (203)

Kjo sure, me shtrirje kaq të gjerë rreth misionit profetik dhe mesazhit që kanë përcjellë profetët në të gjitha kohrat, përfundon me thirrjen që i Madhi Zot u bën njerëzve të marrin mësim nga Kurani dhe ta përmendin Zotim me adhurim, sikurse engjëjt i thurin Atij lavde dhe bien për Të me krye në tokë. Ajetet e Kuranit e përcjellin më së miri këtë thirrje: “Kur lexohet Kuran, dëgjojeni e vini mendjen që të mund të mëshiroheni. / Përmende tët Zot në vetvete, mëngjeseve e mbrëmjeve, me përgjërim e drojë, jo për t’u dukur dhe mos ji i pavëmendshëm! / Ata pranë Zotit tënd[17] nuk janë kryeneçë në adhurimin e Tij, i thurin lavde dhe bien për Të me krye në tokë.” (204-206)

Edhe besimtarët, kur lexojnë këto fjalë në Kuran, bien me krye në tokë duke thënë: “Subhane Rabbijel’ Aëla” (Madhëruar qoftë Zoti i Lartë!)

Shënim: Ky shkrim u plotësua Natën e Bekuar të Miraxhit. Falënderuar qoftë i Madhi Zot!)

Autor:
Myfti Salih F. Hoxha

 

(Breziiri)

_______________________
[1] Shkronjat iniciale: a, l, m, s (e fortë)

[2] Zoti

[3] nga kopshti-parajsë
[4] si krijesë

[5] banorët e parajsës

[6] duke u thënë

[7] të keqen

[8] fëmijë

[9] ajet (thënie nga Kurani)

[10] engjëjt

[11] Bien në sexhde, sikurse falen, duke thënë tri herë: “Subhane Rabbijel’ aëla” (Madhëruar qoftë Zoti i Lartë!). Kështu duhet të bëjë çdo besimtar kur lexon këto fjalë në Kuran.

[12] Fjalë për fjalë: “…që më shoqëronit më parë (me Zotin)”

[13] ministër i thesarit
[14] Sipas një ëndrre, një fëmijë mashkull i lindur atë kohë te izraelitët do ta përmbyste faraonin.

[15] të Malit Sinai. Në ajetin 30, Zoti i thirri nga bregu i djathtë (ana lindore). Zoti është dëshmues dhe njerëzit nxjerrin mësim nga ngjarjet.

[16] tokë

[17] engjëjt

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme