Për dallim nga fytyrat tjera publike në shoqëri, imamët janë të vetmit që flasin para audiencave të mëdha dhe mesazhi i të cilëve, përveçqë dëgjohet me vëmendje, ai gati asnjëherë nuk kontestohet.
Si prijës fetarë, imamët gëzojnë një respekt të veçantë gjithandej botës myslimane; ata konsiderohen si njerëz të devotshëm dhe të urtë, të ditur dhe me autoritet. Kuptohet se termi imam ka një kuptim të gjerë. Këtu termit imam i referohem në kontekstin lokal, që do të thotë imami që drejton ritualet fetare dhe shpjegon mësimet islame (hatib). Në këtë kontekst, misioni i imamit nuk është vetëm të drejtojë ritualet islame, por edhe të predikojë, të komunikojë dhe t’ua shpjegojë mësimet e Islamit myslimanëve, në veçanti, dhe njerëzimit në përgjithësi. Meqë imamët janë njerëz me autoritet, mesazhi që ata japin, shpesh merret me seriozitet, qoftë ai mesazh i drejtë ose jo. Dhe kjo është me rëndësi, sepse në shkencën e komunikimit, autoriteti i folësit në masë të madhe ndikon në pranimin ose refuzimin e mesazhit nga audienca.
Shkurt, imamët mund të jenë persona shumë influencues. Sot, myslimanët në shoqëritë perëndimore jetojnë një jetë mjaftë të ngarkuar.
Ata duken shumë të preokupuar me familjen, punën e karrierën dhe nuk mund të gjejnë shumë kohë për të mësuar Islamin apo edhe për t’u këshilluar me imamin. Për shumë prej tyre, i vetmi kontakt me imamin mbetet ditën e premte. E kjo e bën mbajtjen e hytbes apo ligjëratës të së premtes një aktivitet shumë të rëndësishëm javor. Imamët e së ardhmes(1) nuk duhet ta konsiderojnë kurrsesi mbajtjen e hytbes si një aktivitet të zakonshëm të javës.
Është e rrezikshme kur gjërat kalojnë në rutinë, sepse bie kreativiteti dhe përgatitja. Për shumë myslimanë, xhumaja është e vetmja mundësi që të mësojnë rreth Islamit dhe mënyrës së interpretimit të problemeve shoqërore nga ana e Islamit. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Për këtë arsye imamët e së ardhmes, përveç kualifikimit akademik, duhet të kenë edhe këto tri kualitete:
1. Të jenë të pajisur me njohuri të përgjithshme. Nuk është e mjaftueshme që imami të ketë njohuri vetëm rreth fesë. Imami duhet ta mbajë vazhdimisht vetën të informuar edhe për zhvillimet shoqërore, politike e ekonomike në vendin e tij. Ai duhet të ketë njohuri globale dhe lokale. Të dijë çfarë po ndodh nëpër botë dhe në vetë shoqërinë e tij. Ai duhet të lexojë gazetën dhe të ndjek lajmet çdo ditë, duhet të lexojë studime dhe hulumtime të ndryshme në mënyrë që të pajiset me të gjetura empirike, të cilat shpesh janë në përputhje me Kuranin. Sidomos në shtetet perëndimore, imami duhet ta njeh mirë sistemin politik të atij shteti, çfarë pikëpamje politike kanë partitë politike sidomos kundrejt myslimanëve, çfarë probleme shoqërore dhe ekonomike ka ai shtet, etj. Duke pasur njohuri të përgjithshme, imami do të ishte në gjendje t’i qasej një problemi shoqëror nga kënde të ndryshme, do ta bënte vetë imamin të dukej më i interesuar për shoqërinë, dhe si rezultat mësimet e tija do të ishin më të pranueshme, më bindëse dhe më efektive.
Imamët nuk duhet të shpërndaj mesazhe që nxisin urrejtje ndaj feve të tjera
2. Të jetë në gjendje të shpjegojë Islamin nga një perspektivë bashkëkohore. Çdo imam e di se Islami është një fe universale, e aplikueshme në çdo kohë dhe çdo vend. Çdo imam e di se Islami është një fe që mëton të rregullojë jetën e myslimanit duke ofruar përgjigje për të gjitha çështjet. Por, myslimanët e zakonshëm nuk e dinë këtë. Prandaj, imami është burimi i vetëm i diturisë për shumë myslimanë në atë se ç’është Islami. Andaj, shumë varet nga mënyra se si
imami e shpjegon Islamin dhe mësimet e tij. Dhe kjo është shumë me rëndësi sepse Islami sot është ndoshta feja më e keqkuptuar në botë.
Feja Islame nuk po keqkuptohet vetëm nga jo-myslimanët por edhe nga vet myslimanët. Kurani është shumë gjithëpërfshirës dhe përmban udhëzime për të gjitha çështjet, por kur versetet e tij komentohen si të izoluara, mësimet mund të dalin të shtrembëruara dhe në kundërshtim me mësimet e Islamit si tërësi.(2)
Keqkuptimi i Islamit sot nga Perëndimi ndoshtaështë në kulmin e tij. Mas-media është duke luajtur një rol të madh në përhapjen e këtij keqkuptimi. Akte individuale ekstreme përdoren nga mediet për të mbështetur supozimet se Islami është një fe e dhunshme dhe kundër normave demokratike. Shumë politikanë perëndimor dhe pro-perëndimor gjithashtu kanë përshtypje të gabuara rreth Islamit. Dhe kur politikanët bëhen Islamofob, situata bëhet edhe më e keqe. Sepse, për dallim nga njerëzit e zakonshëm, politikanët kanë ndikim tek shoqëria dhe kanë më shumë qasje nëpër media. Si pasojë mediet dhe politikanët shpesh i ofrojnë publikut një imazh negativ të Islamit. Andaj, janë imamët ata të cilët duhet t’i sqarojnë këto keqkuptime përmes komunikimit me audiencën e tyre.
3. Të jenë në gjendje t’i identifikojnë dhe t’i shtjellojnë problemet aktuale. Imami me kujdes duhet të përzgjedh temën e fjalimit në hytbe, duke iu qasur problemeve më aktuale me të cilat ballafaqohet shoqëria. Vetë shtjellimi i temës kërkon kujdes të veçantë sepse në kohën moderne ai i adresohet të gjithë shoqërisë, dhe jo vetëm atyre në xhami. Teknologjia moderne ka mundësuar që fjalimi i tij të del jashtë xhamisë para edhe vetë atij. Ai duhet të përzgjedh fjalët e tij me kujdes. Sot ekzistojnë media që kanë agjendë anti-islame, e të cilat mund të shfrytëzojnë pjesë nga fjalimi për të bërë kryetituj. Dhe kjo është shumë me rëndësi në Evropën perëndimore ku myslimanët përbëjnë pakicën. Atje imamët e së ardhmes duhet të preferojnë tema që thërrasin për unitet e jo për ndarje, tema që inkurajojnë për
tolerancë dhe respekt komunitetet e feve dhe nacionaliteteve të tjera. Kjo qasje është esenciale në shoqëritë evropiane multi-kulturore. Imamët nuk duhet të shpërndajë mesazhe që nxisin urrejtje ndaj feve të tjera. Edhe në Kuran e Hadith ka porosi që myslimanët duhet të respektojnë të tjerët. Shkurt, imami duhet të mësojë çfarë të flas dhe si të flas.
Si të flitet është po aq me rëndësi sa çfarë të flitet. Dhe këtu shtrohet pyetja si t’i përgatisim imamët e rinj të flasin para publikut(3)? Para se të kërkohet zgjidhja, duhet ta pranojmë se kemi një problem me imamët e rinj sa i përket mënyrës së të folurit para publikut. Fatkeqësisht, shumë imam të rinj sot i kushtojnë shumë pak kujdes përgatitjes së fjalimit të hytbes. Megjithëse kanë një javë të tërë në dispozicion për tu përgatitur, në fund duken mjaft të papërgatitur për temën, fjalimi është i pa strukturë dhe vështir për t’u ndjekur apo për tu mbajtur në mend kurse menaxhimi i kohës është i dobët. Një fjalim i dobët do të thotë humbje e mundësisë për të përçuar një mesazh të duhur tek një audiencë e madhe. Çfarë mund të bëhet në këtë aspekt?
Së pari, duhet ta kuptojmë se imamët e së ardhmes përveç kualifikimit akademik duhet të mësojnë edhe shkathtësitë moderne të komunikimit me publikun. Ata duhet të trajnohen rreth të folurit në publik. Sot aplikohen teknika moderne se si të komunikojmë me publikun, si përgatitet një fjalim i fuqishëm dhe si duhet folur para publikut. Sot ekzistojnë madje edhe programe universitare në fushën e komunikimit masiv.
Së dyti, vetë imamët duhet ta kuptojnë rëndësinë e të përgatiturit për hytbe. Është absolutisht e pa pranueshme të shohësh një imam të pa përgatitur kur ka një javë të tërë në dispozicion. Imamët e dinë se si përgatitet një hytbe, të citojnë versetet dhe lutjet e preferuara nga Kurani dhe hadithi. Por, si duhet të përgatitet vetë fjalimi i hytbes?
Gjatësinë e fjalimit varësisht specifikave të xhematit
Fjalimi i hytbes nuk dallon nga fjalimet tjera në publik. Sot ekzistojnë disa rregulla se si të mbahet një fjalim efektiv:
a) Fjalimi duhet të ketë tri pjesë: hyrjen, trungun dhe përfundimin. Secila pjesë luan një rol të veçantë: hyrja shërben për ta përgatitur audiencën për atë që do të dëgjojë, trungu shërben për të argumentuar pikat kryesore të fjalimit dhe përfundimi shërben për të përmbledhur mesazhin kryesor të folësit. Për këtë ekziston një formulë ku në fillim të çdo fjalimi folësi duhet që: tu tregojë se çfarë do tu tregojë, dhe tu tregojë se çfarë u ka treguar.
b) Trungu i fjalimit është i ndarë në disa pika kryesore. Një fjalim i mirë zakonisht përbëhet prej tri deri në pesë pika kryesore. Secila nga to duhet të shpjegohet, të argumentohet me argumente, statistika apo shembuj konkret nga e kaluara dhe e tashmja, dhe të shpjegohet në mënyrë logjike. Është shumë me rëndësi që folësi ta ketë të qartë se cilat janë poentat kryesore të fjalimit. Fatkeqësisht, kemi parë hatib që flasin e flasin për një temë por nuk arrijnë t’i tregojnë audiencës se cilat janë poentat, mësimet apo porositë e fjalimit.
c) Gjatësia e fjalimit është shumë me rëndësi. Nuk ka një kufizim të caktuar se sa duhet të zgjasë një fjalim i hytbes. Në disa shtete myslimanë fjalimi mund të zgjasë deri në një orë, sidomos atje ku dita e premte nuk është ditë pune. Në Kosovë dhe në shtetet e Evropës gjatësinë e fjalimit duhet ta përshtatet sipas specifikave të audiencës. Por, imami duhet të jetë fleksibil dhe të jetë në gjendje të shkurtojë
fjalimin kur rrethanat ndryshojnë, p.sh. kur audienca i ekspozohet shiut, të ftohtit apo të nxehtit ekstrem. Fatkeqësisht ka nga ata që pavarësisht kushteve me ngulm e qojnë fjalimin deri në fund duke mos menduar në efektin e fjalimit. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm të ofrohet mesazhi, por edhe të pranohet ai mesazh.
d) Kontakti me sy luan një rol të madh që fjalimi të jetë i suksesshëm. Të mbajturit e kontaktit me sy krijon një lidhje direkte mes folësit dhe audiencës, lë përshtypjen se jeni i interesuar në ta dhe ju ndihmon të shihni reagimet e tyre. Kontakti me sy bëhet duke shikuar një person në sy për tre-katër sekonda dhe pastaj duke lëvizur
tek tjetri. Assesi nuk bën të hedhim vështrimin në tavan apo në murin mbrapa audiencës.
e) Ruajtja e vëmendjes së audiencës. Shumë njerëz nuk mund të koncentrohen në fjalim për një kohë të gjatë. Është me rëndësi që vazhdimisht të përpiqemi ta kthejmë vëmendjen e publikut dhe për këtë ka disa teknika si p.sh. duke u ndalur (pauzuar) për një moment, duke bërë pyetje retorike, duke ngritur-ulur intonacionin e zërit, duke folur më shpejtë në momente të caktuara, etj.
f) Përmbyllja është gjithashtu esenciale për një fjalim të suksesshëm. Përmbyllja është pjesa e fundit që ata dëgjojnë dhe mund të jenë fjalët e fundit që do t’i përkujtojnë. Përmbyllja e mirë bëhet duke përmbledhur pikat kryesore të fjalimit, duke e thënë bindshëm por thjeshtë mesazhin e gjithë fjalimit apo duke ua përmendur hapat që duhet të ndërmarrë audienca. Mënyra e të mbajturit të fjalimit është po aq me rëndësi sa edhe vetë përmbajtja e fjalimit.(4)
Një nga fjalimet më të mira të Pejgamberit a.s., e që mund të shërbejë si një shembull i përkryer për hatibet, është fjalimi në Hytben Lamtumirës. Përfundimisht, imamët e rinj duhet të trajnohen në aspektin e komunikimit me njerëzit dhe mënyrën e të folurit në publik. Institucionet përgjegjëse në Kosovë dhe jashtë saj duhet të organizojnë trajnime të vazhdueshme për avancimin e njohurive të imamëve rreth përgatitjes së fjalimeve dhe mënyrës së prezantimit të fjalimeve. Edhe imamët kanë nevojë për trajnime, për aq sa shkenca e komunikimit vazhdon të zhvillohet dita-ditës.
- Kjo kumtesë është prezantuar në konferencën ndërkombëtare ‘Trajnimi i Imamëve dhe Mësuesve për Edukatë Islame në Evropën Juglindore’, 21-24 tetor 2011, Prishtinë.
__________________________________________________
(1) Kjo kumtesë u referohet imamëve të rinj të tanishëm dhe atyre të ardhshëm, që veprojnë në Kosovë dhe në shtetet e tjera të Evropës, kryesisht aty ku myslimanët janë minoritet.
(2)Për më shumë rreth keqkuptimit të Islamit, mund të lexoni artikullin ‘Islam – the misunderstood religjion’ nga Dr. Mahathir Mohamad
(3) Ligjërimi në publik (ang. public speaking) është të folurit para një grupi të njerëzve në një mënyrë të strukturuar dhe të kujdesshme, duke pasur për qëllim informimin, influencimin apo argëtimin e dëgjuesve. http://www.publicspeaking.com
(4) Një libër i dobishëm rreth përgatitjes së fjalimit dhe ligjërimit në publik, që duhet ta lexojë çdo imam i ri, është libri ‘Udhëzues përgatitor për punonjësit islamikë’ nga Hisham Et-Talib.