Themelvënëia e vetëvendosjes shqiptare

Veçori shqiptare e kërkesës për vetëvendosje ishte se Lidhja e Prizrenit synonte më shumë të ngrinte një parapritë ndaj lakmive grabitqare të sllavëve e të grekëve për troje etnike shqiptare se shkëputjen e menjëhershme nga sundimi perandorak osman.

 

Lidhja e Prizrenit ka hyrë në historinë tonë si ngjarja e parë madhore e organizimit politik dhe e paraqitjes diplomatike të nacionalizmit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Vlerat historike dhe aktuale të kësaj ngjarjeje janë të shumta. Ajo vazhdon të ushqejë kujtesën kombëtare me histori të lavdishme, të ndriçojë mendimin politik të sotëm shqiptar, të nxisë vetëdijen kombëtare të shqiptarëve dhe të motivojë përpjekjet e tyre për zgjidhjen e plotë të çështjes së tyre kombëtare.

 

Janë pa vend ankesat që bëhen herë pas here se kombi ynë nuk e paska ende një program të mirëfilltë e të qartë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ka 134 vjet që ky program u është dhënë shqiptarëve dhe diplomacisë ndërkombëtare në formulimin e thjeshtë “një komb – një vilajet”. Edhe sot shqiptarëve u duhet të përpiqen shumë për të mbrojtur e realizuar idenë “një komb, një atdhe, një shtet”, sepse qarkullojnë tezat e mbrapshta që nga kombi shqiptar të krijohen dy a më shumë kombe shqipfolës, që nocioni i atdheut shqiptar të kufizohet vetëm brenda njësisë shtetërore ose administrative ku shqiptari jeton dhe bashkimi kombëtar shqiptar të shpallet historikisht i kapërcyer. 

 

Para 134 vjetësh përfaqësuesit e shquar politikë të kombit shqiptar programin kombëtar e konkretizuan dhe e mbështetën mbi “parimin e kombësisë”, që ishte bërë mbizotërues në Europë në atë kohë. Mit’hat Frashëri ka shkruar se me themelimin e Lidhjes së Prizrenit “ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë” (revista “Java”, 12 qershor 2012, fq. 6). Lidhja e Prizrenit është themelvënësja e vetëvendosjes shqiptare, para se ky parim të emërtohej kështu dhe të bëhej parimi më i lartë në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kartën e OKB-së. Veçori shqiptare e kërkesës për vetëvendosje ishte se Lidhja e Prizrenit synonte më shumë të ngrinte një parapritë ndaj lakmive grabitqare të sllavëve e të grekëve për troje etnike shqiptare se shkëputjen e menjëhershme nga sundimi perandorak osman. Janë pa vend qortimet se “kombi shqiptar u vonua për të kapur trenin e historisë”, se “nuk shtroi në kohë zgjidhjen e çështjes shqiptare”, siç bën të tjerët. Në Ballkan edhe tani shtrohen për zgjidhje “çështje kombëtare”, madje të dyshimta. 

 

100 vjet pas

 

Kur erdhi çasti i fundit për të shpallur pavarësinë kombëtare shqiptare në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, përmbushja e plotë e programit të Lidhjes së Prizrenit u pengua dhunshëm nga shtetet fqinjë dhe nga faktorë të fuqishëm ndërkombëtarë. Prandaj ndodh që sot përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit të mbahet në përvjetorin e njëqindtë të pavarësimit dhe njëkohësisht të copëtimit të kombit shqiptar e të trojeve të tij etnike. Është e vështirë të thuhet se cilën ndjenjë duhet të vemë në rend të parë në këtë 100-vjetor: gëzimin apo trishtimin për ato që na kanë ngjarë në jetën kombëtare gjatë një shekulli. Para 100 vjetësh u riafirmuan, por nuk u kurorëzuan plotësisht, ideali dhe programi i Lidhjes së Prizrenit. Shqiptarët ende nuk kanë arritur ta ushtrojnë plotësisht të drejtën për vetëvendosje, madje janë edhe më të ndarë, nga kufij që ruhen me policë, ushtarë e doganierë. 

 

Amaneti i Lidhjes së Prizrenit është që të mos pajtohemi me këtë gjendje. Mirëpo, edhe në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë kombëtare politikat zyrtare shqiptare qëndrojnë më larg se kurrë nga idealet dhe amanetet e Lidhjes së Prizrenit. Mendimi politik e intelektual shqiptar është mjaft i infektuar nga kjo frymë e keqe, që “përligjet” me kujdesin për të përshpejtuar integrimin europian dhe për të ruajtur paqen e stabilitetin në Ballkan. 

 

Ngurosja e kësaj gjendjeje është vënë në qendër të një projekti të ri ndërkombëtar e shqiptar, të pagëzuar me një emër enigmatik “The Albanian Neighborhood Initiative” (Nisma për Fqinjërinë Shqiptare”) e shpallur më 21 maj 2012 në Nju Jork, nën kujdesin e Universitetit Kolumbia në sallën me emrin “Çajtorja ruse”. Synimet dhe përmbajtja e kësaj nisme pritet të shpalosen më gjerësisht gjatë “Konferencës ndërkombëtare mbi fqinjërinë shqiptare”, që do të mbahet në Tiranë më 5-7 korrik 2012. Por, shenjat e para janë se kjo nismë synon që të ndërtohet një “fqinjëri shqiptare” si alternativë e bashkimit kombëtar shqiptar, të merret pëlqimi i vetë shqiptarëve për përjashtimin e tyre nga e drejta e vetëvendosjes së plotë. Në platformën e shkurtër të kësaj nisme (që është bërë publike më 29 maj 2012 në gazetën “Illyria” të diasporës shqiptare në Nju Jork) ndërtimi dhe ngurtësimi i kësaj “fqinjërie shqiptare”, paraqitet edhe si një zhvillim i ri në vazhdimësi i frymës së kërkesave të Lidhjes së Prizrenit. Në fakt një “fqinjëri” e këtij soji do të ishte shumë më pak se sa kishin shqiptarët në kohën kur u mblodh Lidhja e Prizrenit dhe e kundërta e asaj fryme dhe kërkesave që kishte kjo Lidhje. 

 

Kombi që respekton veten nuk ka si të japë pëlqimin të vihet në pozita të tilla të palakmueshme e të mrekullohet nga nisma dhe projekte që na e hidhërojnë edhe më shijen e festimeve të sforcuara për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, edhe pse jemi ende në euforinë e gëzimit të natyrshëm për arritjen shtetshmërisë së pavarur të Kosovës. Të tilla projekte na i trazojnë edhe më shumë mendimet e ndjesitë shqetësuese që kemi nga shumë zhvillime të dyshimta diplomatike ndërkombëtare rreth çështjes shqiptare. Nuk janë qetësuese sigurimet se gjoja kështu shqiptarët largohen më tepër nga frika përpara rrezikut drejt mundësive më të mira. 

 

Është e natyrshme që në vitin 2012 të organizohen veprimtari përkujtimore e festime për të nderuar shpalljen e pavarësisë para 100 vitesh. Por, është e natyrshme të ndjejmë thellë edhe brengë në shpirt, të mendojmë kokulur e të flasim dhe me zë të lartë se ideali dhe programi që përcaktoi Lidhja e Prizrenit nuk janë përmbushur. Duhet ta ndjejmë ne, shqiptarët e sotëm, atë dhimbjen e padurueshme që do të ndjenin etërit e formulës “një komb – një vilajet”, po të shihnin se ndarja e shqiptarëve nuk është më në katër vilajete, por në 6 shtete, gjë që ata kurrë nuk mund ta çonin në mendje. Prandaj edhe njëqind vjetori i shpalljes së pavarësisë mbetet për t’u përjetuar më shumë me dhimbje si jubile kujtese se si rast hareje kombëtare. Mbetet një gjest shumë i zbehtë politik, pak ngushëllues, premtimi i shpallur bashkërisht me bujë në Prizren, nga kryeministrat e dy shteteve, se nxënësit shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë do ta nisin tani e tutje shkollimin e tyre me të njëjtën abetare, 104 vjet pasi Kongresi i Manastirit mori vendimin historik “një gjuhë – një alfabet”. Kosova dhe Shqipëria jo vetëm abetaren, por të gjitha tekstet shkollore duhej t’i kishin tashmë të përbashkëta, të kishin integruar e unifikuar shumë veprimtari ekonomike, shkencore, kulturore, sportive, gazetareske, akademike e të tjera, në të gjitha ato fusha e hapësira ku nuk ka si të bëhet pengesë vigjilenca ndërkombëtare në kuadër të zbatimit të rregullit absurd që i është imponuar shtetit të pavarur të Kosovës për të mos u bashkuar me një shtet tjetër ose me një pjesë të një kombi tjetër.

 

Mirënjohja e pakufishme që kemi dhe që i detyrohemi SHBA-së, NATO-s dhe fuqive kryesore të Bashkimit Europian, për ndihmën që dhanë në shpëtimin e Kosovës nga robëria koloniale serbe, si dhe për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë shtetërore të Kosovës, nuk duhen kuptuar e keqpërdorur si detyrim i shqiptarëve që të mos mendojnë dhe të heshtin për vetëvendosjen e plotë kombëtare shqiptare. Vetëvendosje nuk do të thotë të veprosh pa pyetur kënd, pa dëgjuar mik e dashamir. Vetëvendosje do të thotë zbatim i parimit politik, realizim procesi politik, ekonomik, kulturor, administrativ etj., së pari me përpjekjet e tua dhe pastaj me ndihmën e të tjerëve. 

 

"Nisma për fqinjëri shqiptare"

 

Përpunuesit teorikë të “Nismës për fqinjërinë shqiptare” orvaten ta paraqesin edhe “Planin Ahtisari” si një mishërim modern të frymës e të kërkesave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi të detyruar të themi se është krejt e kundërta. Së pari “Plani Ahtisari” është i mbështetur në një kriter të gabuar politiko-diplomatik, krejtësisht diskriminues për shqiptarët. Vetëm kombit shqiptar i është ndaluar me vendim të diplomacisë ndërkombëtare ta ushtrojë të drejtën themelore të kombit, vetëvendosjen e plotë deri në bashkim, pra jo thjesht për shkëputje nga robëria koloniale. Ky ndalim i pashembullt e bën kombin shqiptar më të diskriminuarin sot në Europë e në botë. Kombi shqiptar në Kosovë, edhe pse përbën shumicën dërrmuese të popullsisë në shtetin e tij të pavarur, është përsëri i nëpërkëmbur edhe prej vendimit tjetër të pashembullt që i ka imponuar të ashtuquajturin “diskriminim pozitiv” për pakicën serbe, çka automatikisht shndërrohet në “diskriminim negativ” për shumicën shqiptare. Juristi amerikan Henri Perrit Jr., ka vënë në dukje se “Plani Ahtisari” u ka dhënë serbëve maksimumin e mundshëm të privilegjeve dhe u ka imponuar shqiptarëve maksimumin e tolerueshëm të detyrimeve, duke krijuar një model juridiko-ndërkombëtar të panjohur vetëm për trajtimin e pakicës serbe në Kosovë. Ai e ka thënë troç se ky plan shtetin e Kosovës e ka bërë praktikisht të paqeverisshëm nëpërmjet një mbivendosje të ndërlikuar kompetencash pushtetore ndërkombëtare e vendore. Zhvillimet në Kosovë i vërtetojnë vlerësimet e tilla. Kurse shqiptarët në Maqedoni, megjithëse duhej të gëzonin me kohë statusin e kombit e jo të pakicës kombëtare, nuk kanë pasur asnjë përfitim të ngjashëm me ato të pakicës serbe në Kosovë, por përkundrazi mbeten praktikisht në atë status diskriminues AVNOJ-ist të përcaktuar në kohën e ish-Jugosllavisë komuniste. 

 

Kemi vërtetë edhe arsye të gëzohemi se shqiptarët kanë ecur shumë përpara në rrugën e realizimit të të drejtave të tyre kombëtare në ato drejtime që u penguan në kohën e Lidhjes së Prizrenit e të Kuvendit të Vlorës, si dhe në kapërcimin e disa zhvillimeve të rënda, gati katastrofale për ekzistencën kombëtare, që ranë më kurrizin e kombit shqiptar gjatë gjithë shekullit XX, sidomos gjatë luftërave ballkanike të dekadës së dytë e asaj të fundit të atij shekulli. Por, mbeten gjithnjë të shumta arsyet për brengosje e për trishtim kur vërejmë se jemi larg plotësimit të kërkesave madhore e të programit themelor të Lidhjes së Prizrenit e të vendimeve të Kuvendit të Vlorës. 

 

Brengosjen dhe trishtimin më të madh na e shkakton politika zyrtare shqiptare që në vazhdimësi po pranon ta trajtojë trashëgiminë e Lidhjes së Prizrenit dhe vendimet e Kuvendit të Vlorës vetëm si kujtesë historike kombëtare shqiptare, jo si politikë e patjetërsueshme për zgjidhjen në kohën tonë të çështjes kombëtare shqiptare, deri në bashkimin kombëtar e shtetëror në kufijtë e Shqipërisë Etnike. Politika zyrtare, e ndjekur për gati një shekull nga shumë pushtete, regjime e qeverisje partiake shqiptare për të mos e shtruar çështjen e bashkimit kombëtar shqiptar para diplomacisë ndërkombëtare, në këto dy dekadat e fundit ka marrë pamjen më të shëmtuar, po të kemi parasysh se kushtet ndërkombëtare kanë qenë nga më të favorshmet për të ringjallur në politikën e në diplomacinë shqiptare kërkesat programatike të Lidhjes së Prizrenit. 

 

Bashkimi kombëtar është çështje e shenjtë dhe me të nuk duhet të bëhen lojëra politike e diplomatike. Bashkimi kombëtar nuk është thjesht një zgjidhje alternative e çështjes shqiptare, por është e vetmja zgjidhje shpëtimtare për kombin shqiptar, që ky jo thjesht të mbijetojë, por të jetojë i lirë, i pavarur e me dinjitet, të integrohet në Bashkimin Europian si i barabartë dhe i padiskriminuar. Pra, bashkimi kombëtar për shqiptarët është një imperativ historik dhe politik. E keqja trashet edhe më kur pseudotezat e pseudoargumentet e politikave zyrtare e partiake, që e përjashtojnë bashkimin kombëtar, gjejnë jehonë edhe në mjedise shoqërore, intelektuale e akademike shqiptare, deri në dokumente zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kështu infektohet me antikombëtarizëm mendimi politik dhe futet në rrugë tërthore e të rrezikshme opinioni publik shqiptar.

 

Hapat e domosdoshëm

 

Zhvillime të tilla negative e bëjnë të domosdoshme të ndërmerren sa më shumë hapa e veprime për një zgjim të ri kombëtar shqiptar. Nuk duhet heshtur as kur faktorët ndërkombëtarë ushtrojnë trysni të fuqishme për të topitur ndjesitë dhe instinktin kombëtar të shqiptarëve, për të prishur shijet e tyre për nacionalizëm shqiptar dhe për t’i ushqyer vetëm me prirjet e projektet integruese mbinacionale në Ballkan e në Europë. Shqiptarët nuk ka përse të stepen ose të magjepsen nga trysnia e integrimeve europiane kur në Francë partia e tretë më e madhe nuk e bën qejfin qeder për teorizimet e tilla dhe kërkon publikisht prishjen e Bashkimit Europian. 

 

Shqiptarët duhet të tregohen syçelë ndaj rrezikut që paraqesin përpjekjet për të zëvendësuar bashkimin e tyre kombëtar me dy lloj integrimesh: 1. integrimin e shqiptarëve në Europën e Bashkuar, që gjoja i kënaqkëka përfundimisht e plotësisht nevojat dhe aspiratat e shqiptarëve për të qenë të bashkuar midis tyre dhe 2. integrimin e brendshëm të shqiptarëve nëpërmjet mekanizmit të solidaritetit të grupeve të interesit nga pjesët e ndara të kombit shqiptar dhe ndërtimit të “fqinjërisë shqiptare”. Ka dhe raste kur diplomatë të huaj seriozë e të ndershëm e quajnë normale që në programet politike e partiake shqiptare përfshihet kërkesa për bashkim kombëtar (diplomati amerikan Xhon Uoker). Ka dhe vëzhgues të hollë të problemeve shqiptare e ballkanike që nuk arrijnë dot ta zgjidhin dilemën e tyre kur pranojnë ndershmërisht se shqiptarëve nuk mund t’u kërkohet të mos flasin për bashkimin e tyre kombëtar, por shprehin frikë nga ky bashkim dhe e shohin atë si shkatërrues për skemat e përpunuara deri sot për zhvillimet ballkanike. (Daniel Server, “Bashkimi gjithëshqiptar është ide shkatërruese”, gazeta “Tema”, 12 janar 2011). 

 

Ka kohë që shqiptarët po bombardohen pa pushim nga brenda e jashtë shoqërisë së tyre me pseudoteza se “bashkimi kombëtar është etapë historikisht e kapërcyer”, se “ky bashkim e ka humbur kuptimin e rëndësinë që kishte dikur në kushtet e tanishme të integrimeve ballkanike, europiane e të globalizmit”, se “synimi drejt këtij bashkimi mund të rezultojë i dëmshëm për vetë shqiptarët, pasi këta mund të humbasin edhe më shumë territore, mund të mos vendosin dot harmoninë shtetërore me njëri-tjetrin”; “pasi bashkimi i shqiptarëve në një shtet bëhet kërcënues për Ballkanin, çon në prishjen e paqes, të qetësisë e të stabilitetit në rajon”. 

 

Shqiptarët nacionalistë e atdhetarë i kanë hedhur poshtë të gjitha këto sajesa si të pabaza, të papranueshme dhe qëllimkëqija, madje dhe si fyese e diskriminuese, sepse vetëm shqiptarëve u ngarkohen faje e mëkate të tilla, vetëm nga shqiptarët kërkohen lëshime e teori në dëm të vetes që të rehatohen të tjerët. Shqiptarët, nga njëra anë, i mashtrojnë se bashkimi i tyre kombëtar nuk do të ketë më vlerë si dikur, sepse kufijtë do të humbasin krejtësisht kuptimin e tyre në Europën e Bashkuar, e nga ana tjetër i trembin se po të kërkojnë këtë bashkim duhet të ndryshohen kufijtë shtetërorë në Ballkan dhe kjo do të sjellë luftëra e katastrofa. Nuk kemi dëgjuar asnjëherë që edhe fqinjëve ballkanikë të shqiptarëve t’u jepen këshilla që të mos i kundërvihen të drejtës e kërkesës së shqiptarëve për bashkim kombëtar, sepse kufijtë nuk do të kenë më kuptim për të gjithë dhe përsëri gjithë ballkanasit do të jenë bashkë në konglomeratin europianist. Nuk kemi dëgjuar këshilla drejtuar fqinjëve tanë që të mos shqetësohen kur shqiptarët kërkojnë bashkimin kombëtar, por të ruajnë qetësinë e të mos krijojnë situata tensioni e lufte, sepse nuk humbasin gjë të veten kur fqinji realizon një të drejtë të tij.

 

Është falimentim “historik” dhe kapitullim politik kombëtar në qoftë se hiqet dorë nga ai program politik për shtet kombëtar të bashkuar, i sanksionuar tri herë nga shqiptarët, në Lidhjen e Prizrenit (1878), në Kuvendin e Vlorës (1912) për shpalljen e pavarësisë dhe në Promemorien e Qeverisë së Durrësit drejtuar Konferencës së Paqes në Paris (1919). Është “turp politik” kur bëhen veprime politike nga përfaqësues politikë e pushtetarë shqiptarë që shkojnë në kundërshtim me këtë program (deklaratat e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Shqipërisë në vitet 2010-2011). Formula “bashkimi i shqiptarëve në kuadrin e Europës së Bashkuar”, të cilës po i përmbahen me zellin e servilit para faktorëve ndërkombëtarë dhe po i bëjnë hyzmet pa lezet pushtetarët e sotëm në të gjitha pjesët e ndara të kombit shqiptar, është braktisje e shëmtuar dhe çnderim për trashëgiminë e amanetet e Lidhjes së Prizrenit. Kjo Lidhje hodhi themelet për një shtetshmëri të përbashkët të tërë kombit shqiptar, jo për shtetshmërira të ndryshme shqiptare, të vilajetëzuara ose të tjetërsuara në shtete të kombeve fqinj. Zëdhënësi i “Nismës për Fqinjërinë Shqiptare” ka përmendur vetë se në Kartën e saj Lidhja ka porositur e siguruar: “Punën e Lidhjes do ta marrin mbi vete bijtë dhe nipërit tanë që të çojnë përpara identitetin shqiptar, i cili çan rrugën tej e përtej vijave ndarëse fisnore e fetare” (Deivid Filips, Fjala në tubimin e Nju Jorkut, gazeta “Illyria”, 29-31 maj 2012). Kjo porosi nuk çohet dot në vend me nderë nëse nipërit e stërnipërit e themeluesve të Lidhjes së Prizrenit do të pranonin të hiqnin dorë nga bashkimi kombëtar shqiptar në një shtet dhe do të kënaqeshin me premtime boshe për një zgjidhje më të mirë e më moderne, duke zëvendësuar bashkimin e ëndërruar kombëtar në “fqinjëri shqiptare” të bekuar ndërkombëtarisht. Vetëvendosja e plotë kombëtare për shqiptarët nuk mund të ketë e nuk duhet të ketë alternativë tjetër.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme