Presidenti Shqiptar

Në sistemet e përparuara demokratike avancimi i mekanizmave ka qenë i domosdoshëm për t’u përballuar me sfidat e kohës dhe dobësitë e demokracisë që ajo i ka pa dyshim, si edhe çdo sistem tjetër. Për këtë arsye është arritur të instalohet një sistem i a.q. “check and balance”. Kjo ka mundësuar që pushtetet e ndryshme brenda një shteti të jenë të varura nga njëra-tjetra, me qëllim të evitimit të përqendrimit të një pushteti mbi tjetrin. Në këtë frymë shteteve në tranzicion, që kalonin nga monizmi komunist në atë plural demokratik, u sugjerohej që ta sanksionojnë në kushtetutat e tyre këtë sistem të kontrollit e balancimit të pushtetit. Ne, gjithsesi , i kemi pranuar sugjerimet e tyre dhe i kemi inkorporuar në kushtetutat tona, por mënyra se si i praktikojmë bie në kundërshtim të plotë me atë për çfarë janë menduar të funksionojnë ato.

 

Një shembull i tillë dhe shumë aktual është mënyra e zgjedhjes së presidentëve në këto vende. Me vetë faktin që presidenti zgjidhet në kuvend (Kosovë dhe Shqipëri), është lënë mundësia për kompromis e, më pas, edhe për konsensus. Në fakt, nxitet debat parlamentar që të zgjidhet një president, i cili do t'i përfaqësojë të gjithë qytetarët, ndërsa do të dalë nga një marrëveshje dhe vullnet politik i sa më shumë subjekteve politike. Por, ne si shqiptarë, siç na ka falë Zoti shumë më të “mençur” se “të huajt”, edhe këto mekanizma i shfrytëzojmë në mënyrën “alla shqiptarçe”. Atë që perëndimorët e kanë menduar si “check and balance”, te ne funksionon si mekanizëm i atij që është në pozitë të manipulojë me opozitën, me popullin dhe me ndërkombëtarët për ta arritur qëllimin e tij të ngushtë personalopartiake. 

Një rast i tillë tipik ishte mënyra se si në Kosovë u morën vesh për zgjedhjen e Behxhet Pacollit për president dhe, më pas – kinse në procedurë demokratike, nuk e votuan për herën e dytë. Shikuar juridikisht, të gjitha procedurat ishin kryer si duhet, por në realitet të gjithë ne e dinim se tëra ajo “shfaqje” u realizua pasi ishte menduar mashtrimi prej në fillim. Rasti tjetër ishte edhe zgjedhja e presidentit të ri Shqiptar, ku u kaluan të gjitha procedurat ashtu si e do rendi, por në realitet, në fund të gjithë e kuptuam se Berisha që nga fillimi e kishte vendosur Nishanin.

 

Çështja e zgjedhjes së kryetarëve me mashtrime të paramenduara, në shoqëritë shqiptare mbase është vetëm një indikator që flet për praktikimin e politikës në gjithë hapësirën shqiptare dhe në të gjitha nivelet e politikëbërjes. Me keqardhje duhet të konstatojmë se tashmë shumë thellë është instaluar filozofia e mashtrimit në praktikimin e politikës

shqiptare. Pasi është arritur ky nivel, tash politikanët shqiptarë ia kanë mësyrë që politikën ta prezantojnë si një profesion të pamoralshëm, duke u munduar që ta monopolizojnë praktikimin e politikës dhe, njëkohësisht, vetë të shfaqen si viktima të kapura në pezhishkën e “politikës amorale”, nga e cila, për çudi, nuk kërkojnë asnjëherë shpëtim.

 

Megjithatë, kushdo dhe në çfarëdo mënyre të jetë zgjedhur presidenti i Shqipërisë, ne do ta duam dhe do ta respektojmë, sepse ai në fakt është president i të gjithë shqiptarëve me të cilin identifikohemi të gjithë ne. Kjo u dëshmua edhe para disa muajve kur në Maqedoni qëndroi Bamir Topi – atëherë të gjitha bilbordet nëpër hapësirat shqiptare u mbushën me urimin “Mirëserdhe President”. Andaj, në këtë frymë, SHENJA e këtij muaji i kushtohet Presidentit të ri Shqiptar, z.Bujar Nishani, të cilit i urojmë që të ballafaqohet me sfidën e të qenit president dinjitoz i të gjithë shqiptarëve, sepse të qenit vetëm president i Shqipërisë nuk do t’i sjell asgjë të re, përpos, në fund të mandatit, një mundësi për të formuar një subjekt të ri politik.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme