“Nuk mendoj, pra ekzistoj!”

Vetëm njeriu është njëkohësisht qenie materiale, lëndore dhe hapësinore, që bie/zbret/shfaqet në res extensa, por, po ashtu, njeriu është edhe qenie mendore, pjesë e universit të res cogitans-it.

 

Të gjithë janë të impresionuar nga progresi i teknologjisë, ndërkohë që askush nuk e pikas degradimin e njeriut! Qenia që e klasifikon veten me një atribut të dyfishtë, të mendjes dhe të urtësisë (sipas taksonomisë shkencore gjinia njerëzore është klasifikuar si Homo sapiens, ndërkohë që fjala latine sapiens nënkupton i mençur, i urtë, që kupton), pikërisht këto tipare të tij po i humbet e po i nënvlerëson me po atë shpejtësi me të cilën lidhet me inovacionet teknologjike, dhe këto të fundit i konsideron si qenësore. 

 

Edhe pse treguesit empirikë dhe statistikorë kanë funksionin e tyre në matjen e ndryshimeve të qëndrimeve mbisunduese dhe vlerave dominuese, zbulimi i hershëm i këtyre ndryshimeve dhe diagnoza precize e thelbit të tyre, parimisht duhet të kërkohet në filozofi. Ja një shembull i thjeshtë dhe shumë bindës. Pohimi i famshëm i filozofit René Descartes (lat. Renatus Descartes, Cartesius, 1596-1650), “Cogito ergo sum!”, praktikisht përkthehet pa përjashtim me fjalinë “Mendoj, pra ekzistoj!”, gjë që nuk është gabim vetëm për nga aspekti gjuhësor, por, për më tepër, është absolutisht pa lidhje me kuptimin që kësaj fraze me përmasa kulti ia ka dhënë vetë autori i saj, Descartes-i!

 

Në fakt, së pari, Descartes-i ka shkruar dhe ka lexuar në gjuhën latine që në moshë 6-vjeçare, dhe, praktikisht, i gjithë opusi i tij është shkruar në gjuhën latine. Kjo na jep të drejtë të pohojmë se ai, gjithsesi, e ka dalluar nocionin “ekzistim” nga nocioni me të cilin shënohet finesa e vetëdijes vetjake. Nëse ai do kishte për qëllim të thoshte se mendimi (cogito) është dëshmi dhe pohim i të ekzistuarit (existere), atëherë pohimi i tij aforistik do rezultonte i këtillë: “Cogito ergo existere!”, që do të thotë: “Mendoj, pra ekzistoj!” Por, Descartes-i nuk e ka shkruar një gjë të tillë, pikërisht për arsyen se ai nuk donte të thoshte se mendimi është dëshmi e të ekzistuarit! Le të ndërmendim se Descartes-i, në ontologjinë e tij, në mënyrë të qartë postulon realitetin e dy substancave: të materiales, që e shpreh me sintagmën res extensa, dhe të shpirtërores – res cogitans. Të dyja këto substanca pa dyshim që ekzistojnë, dhe realiteti i tyre nuk kontestohet në asnjë pikë. Nuk kontestohet as ajo që atributet e tyre kryesore janë hapësira dhe lënda fizike e res extensa-s, përkatësisht “mendimi dhe pa-hapësira” e res cogitans-it. Problemi shfaqet kur duhet të kuptohet se në çfarë mënyre bashkekziston substanca materiale (pra hapësinore) me substancën jo-materiale, pra me substancën mendore. Me fjalë të tjera, si është e mundur që hapësira dhe lënda e res extensa-s dhe pa-hapësira e res cogitans-it të bashkekzistojnë në një entitet të njëjtë!? Në fakt, sipas Descartes-it, që të dyja substancat janë absolutisht të ndara dhe nuk mund të përzihen e të shkrihen njëra në tjetrën. Ajo që zë hapësirë nuk ka aftësi për të menduar; kurse ajo që ka aftësi për të menduar nuk zë hapësirë. Sendet nuk mendojnë. Mendimi nuk lëndëzohet! Nga këto dy postulate me ndryshime radikale ontologjike të ontologjisë së Descartes-it, në mënyrë legjitime mund të nxirren vetëm dy pohime të ndryshme, po ashtu radikale: 

 

1. “Extenso ergo existere!” 

 

2. “Cogito ergo sum!” – që të përkthyera rezultojnë kësisoj: 

 

E para: “Zë hapësirë, pra ekzistoj!”, dhe e dyta: “Mendoj, pra jam!” 

 

Duke e pasur parasysh atë se res extensa nuk ka aftësi për të menduar, në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo nënkupton se, nëse dëshironte të dëshmonte të ekzistuarit (existere), Descartes-i duhej me patjetër që ta riformulonte fjalinë e tij me pohimin: “Nuk mendoj, pra ekzistoj!” Pohimi i dytë është pikërisht ai i Descartes-it, që është përkthyer krejt gabimisht dhe pa kurrfarë argumentesh, dhe vazhdon të citohet me një shtrembërim prej karikature përmes formulimit: “Mendoj, pra ekzistoj!” – që te Descartes-i nuk mund të gjendet dot askund!  

 

Tani është koha të shtrojmë pyetjen se ku qëndron thelbi i dallimit ndërmjet këtyre dy formulimeve. Para së gjithash, të kujtohemi se Descartes-i nuk e kërkon problemin, por ndeshet me të në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në fakt, edhe pse çdo lëndë (gur, karrige, këpucë, pallto) është e sigurt që zë një hapësirë dhe po ashtu është e sigurt që nuk ka aftësi për të menduar, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk ka mendim që të zërë një hapësirë, sikurse ndodh me lëndë të caktuara (gur, karrige, këpucë ose pallto). E megjithatë ekziston një përjashtim i vetëm në të gjithë universin: Njeriu! Vetëm njeriu është njëkohësisht qenie materiale, lëndore dhe hapësinore, që bie/zbret/shfaqet në res extensa, por, po ashtu, njeriu është edhe qenie mendore, pjesë e universit të res cogitans-it. Ndonëse këto sy substanca janë absolutisht të ndara gjithkund dhe gjithherë, megjithatë, në rastin e njeriut ato janë të bashkuara në mënyrë absolute! Ja ku qëndron motivi thelbësor i Descartes-it! Të ekzistuarit si ekzistencë nuk kontestohet aspak, e as që ka ndonjë peshë të veçantë filozofike. Hapësirëshmëria e botës së lëndëve dëshmon pa mëdyshje se ajo botë ekziston. Pikërisht ashtu, si lëndë. Si një trup që zë hapësirë ekziston edhe trupi i të vdekurit. Por, kur nga një trup që është res extensa vjen çasti për t’u zhdukur vetëdija, atëherë mendimi, res cogitans-i, si kualitet thelbësor i njeriut, që e njeh veten si njeri dhe, vetëm si i tillë mund të thotë “mendoj, pra ekzistoj!”, zhduket edhe njeriu, ndërkohë që mbetet vetëm trupi. Pa këtë vetëdije trupi është vetëm entitet hapësinor: trupi ekziston, por njeriu zhduket! Duke mos e pikasur këtë dallim, si më të madhin e mundshëm, dhe duke e pranuar një përkthim krejtësisht të gabuar dhe të paqëndrueshëm filozofik të tekstit burimor të Descartes-it, në formulimin “mendoj, pra ekzistoj” realizohet një nga korrupsionet më të mëdha të tekstit filozofik në të gjithë historinë e ideve. Duke mbajtur parasysh këtë, për rrjedhojë, formulohet një varg i gjatë e pikëllues degradimesh, gjë që shkakton reduktimin e njeriut nga qenie mendore në lëndë, që me cakun e saj maksimal synon të zërë hapësirë. Shpirti reduktohet në extensa, personaliteti në anonimitet – e thënë shkurt, legjitimohet anashkalimi, injorimi, nënvlerësimi i kualitetit qenësor të njeriut. Para së të pyesim se a është kjo një pasojë e mungesës së informimit, shkujdesje rutinë apo nxitje jokritike e përkthimit të parë, – që pastaj në inerci e sipër ka tërhequr të gjitha të tjerat – apo bëhet fjalë për një diagnozë më të mprehtë dhe më dramatike, nevojitet që në pika të përgjithshme të rikonstruktojmë koordinatat e kontekstit autentik të konceptit të Descartes-it në lidhje me këtë aforizëm të famshëm filozofik. 

 

Descartes-i fillon me një dyshim hiperbolik. Ndonëse në shumicën e interpretimeve të filozofisë së Descartes-it ky dyshim thjeshtohet në një dyshim të aktruar metodologjik dhe hipotetik, Descartes-i, në fakt, dyshon nga thellësia e jetës vetjake dhe nga lartësia e mendjes së tij. Dyshimi i Descartes-it është një dyshim ekzistencial. Ai nuk dyshon vetëm se njeriu (ashtu si vetë ai) ekziston ashtu siç ekzistojnë sendet që zënë hapësirë! Ai dyshon në bindjen e tij më të thellë, më të brendshme, se ai është diçka më shumë se lëndë, më shumë se pallto, më shumë se gur i ftohtë ose më shumë se një palë këpucë! Si ta arsyetoj ndjenjën se jam diç tjetër dhe diç më lart se një send i zakonshëm!? Si të bindem qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme se vërtet jam, e jo vetëm se ekzistoj!? Ja dilema e vërtetë e këtij filozofi të madh!

 

Udhërrëfyes është pikërisht nocioni cogito, që për Descartes-in është “parimi i parë i filozofisë siç e dëshiroj dhe pas së cilës mallëngjehem...” (Oeuvres de Descartes, v. XI, Paris 1974-1986; v. VI, f. 39; më tej si shkurtesë OC) Parimi i cogito-s paraqet një ngjarje paradigmatike të qartësisë dhe dallimit të dijes së vërtetë dhe filozofisë pas së cilës mallëngjehet Descartes-i, e cila mund të pohojë vetëm ndjenjën se njeriu është më shumë se lëndë dhe, se identiteti i njeriut, i dëshmuar në vetëdijen e pohimit unë jam!, është diçka dukshëm më e lartë se të ekzistuarit lakuriq. Megjithatë Descartes-i shënon se vetë parimi nuk e legjitimon qartësinë dhe dallimin (clare et distincte) si kritere të bazuara në vetvete, të cilat do të mund ta dëshmonin këtë ndjenjë në mënyrë të pavarur. Garancia e vërtetë është mundësia intuitive, siguria që Descartes-i e barazon po ashtu me sigurinë intuitive të ekzistencës së Zotit, ku, pikërisht ajo mundësi e brendshme bëhet garanci e të vërtetës së dijes sonë themelore. “Por, sikur të mos e dinim se e gjithë ajo gjë reale dhe e patjetërsueshme tek ne buron nga qenia e përsosur dhe e pafund, nuk do të mund të ishim absolutisht të sigurt për vërtetësinë e tyre, sado që të jenë të qarta dhe të dallueshme idetë tona për të.” (OC vol. VI, p. 32) 

 

Me patjetër duhet pasur parasysh fakti se, rregullisht, në shumicën e interpretimeve nuk vihet re se për Descartes-in kualiteti kryesor cogito është ajo që në shkrimet e mëparshme ai e përcakton si intuitus; në fakt, si të kuptuar të drejtpërdrejtë, fill të brendshëm, përkatësisht si vetëdije që formulohet pikërisht te pohimi “mendoj, pra ekzistoj!” Po këtë nocion Descartes-i e përdor edhe kur u përgjigjet kritikëve të Meditimeve metafizike të tij, ku thekson se: “Kur dikush do të thotë mendoj, pra jam!, ai nuk e dedukton sigurinë e vërtetësisë së këtij pohimi të qëndrimit të tij nga ndonjë silogjizëm, por e pranon dhe e njeh si evident, të qartë, si intuitë të thjeshtë të mendjes së tij.” (OC v. VII, f. 140)     

 

Kështu bëhet krejt e qartë se përkthimi i gabuar i pohimit të famshëm të Descartes-it nuk është i rastësishëm. Në të zbulohet humbja dramatike dhe tragjike e vetëdijes së njeriut bashkëkohor. Aq më keq pastaj kur kjo humbje merret me indiferencë të plotë, ndërkohë që e gjithë vëmendja i kushtohet pikërisht lëndores, hapësinores dhe efemeres, e cila zhduket me asgjësimin e formës së saj lëndore. Gjithkund njerëzit vetëm ekzistojnë. Duket se të ekzistuarit e tyre sot është i mundur vetëm me kushtin që ata të mos mendojnë aspak! Vetëm nëse nuk mendon njeriu mund ta mbijetojë në këtë jetë të shkretë pa mendime të larta, pa ideale dhe synime! Me vdekjen e tij nuk ndryshon asgjë; sepse edhe kur ka qenë i gjallë, ai ka ekzistuar vetëm si extensa – si trup, e jo si vetëdije. A mund të gjendet sot edhe dikush që është, dikush që mund të thotë mendoj, pra jam; e jo duke e thënë këtë pohimin lakuriq e pakuptim – nuk mendoj, pra ekzistoj? Dikush që beson se vërtet nuk është reduktuar vetëm në të ekzistuarit e lakuriqësuar!? Dikush që është i aftë ta arsyetojë dhe dëshmojë një bindje të tillë? 

 

Ai që vetëm ekziston, në çastin e fundit zhduket dhe humbet përgjithmonë, njësoj sikur të mos ketë ekzistuar fare. Vetëm ai që fillimisht e ka parë veten për nga identiteti i tij shpirtëror dhe në vetëdijen e tij intuiteve ia ka dalë të thotë: mendoj, pra jam! Ai ka përmbledhur në vetvete identitetin e tij të përgjithshëm dhe të çuditshëm njerëzor, si bashkësi e res extensa-s së ndryshueshme dhe dimensionit përtej-kohor të res cogitans-it. Shprehur me terminologjinë teknike të filozofisë, pikërisht përmes vetëdijes për pjesëmarrje në substancën mendore (res cogitans). Madje, vetëm përmes saj njeriu zotëron vetveten e përhershme; që nënkupton se e tejkalon nivelin e hapësirës së tij si njeri, çdoherë dhe gjithmonë. 

 

Mbajeni në qeniet tuaja të gjallë atë që i drejtohet botës me fjalën e mendjes jam!, e jo vetëm me zërin e lëndës ekzistoj! Qenien e njeriut sipas Descartes-it, që e di se ekziston si trup, porse vetëm për shkak të mendjes bëhet dhe mbetet njeri!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme