Në thellësinë e një nate me hënë, kur të gjithë flinin, në skenë paraqitet Vladika Danillo, tek fliste me vete: “Pa shife dreqin me shtatë dollama, me dy shpata me dy kunora, stërnipin e turkut me kuranin... mbi kryq t’thërmuem naltohet minarja!... dhe ua filloj profet’i djallzuem..” [Njegosh, fq. 49-51; shqip. E.Mekuli dhe Z.Nekaj, Beograd 1952].
Në bankat e shkollës së mesme, sipas programit mësimor të kohës, në kuadrin e letërsisë, mësonim për veprën “Gorski Vjenac” (Kunora e Maleve), që e ka shkruar prifti ortodoks Petar Petroviq – Njegosh (1845). Gjatë gjithë asaj kohe të Jugosllavisë ai u konsiderua si eposi kombëtar i malazezëve dhe serbëve [Elsie, fq. 386-420] dhe askush nuk pati guxim të fshijë qoftë edhe një rresht të tij! Ndërkaq në të gjitha vendet normale të botës veprat e tilla do të vlerësoheshin si burime urrejtjesh dhe, si të tilla, do të ndaloheshin, por këtu ato janë bërë realitet dhe janë futur në tekstet shkollore, duke i arsyetuar krimet e veta, si një meritë për mbrojtjen e Perëndimit nga rreziku i Lindjes, e në kohët e fundit nga rreziku i “terrorizmit e fundamentalizmit islam”. Në ato vepra janë betuar komunistët, nacionalistët, ortodoksët dhe çetnikët. Gjatë agresionit në luftën e fundit të Bosnjës (1992-1995), në xhepat e një numri të konsiderueshëm të luftëtarëve serbo-malazezë, të vrarë ose të zënë rob, është gjetur ‘manuali’ i Njegoshit, tek janë munduar të zbatojnë me përpikëri vrasjet e myslimanëve dhe shembjet e xhamive në ‘stilin Njegosh’! Srebrenica ishte vetëm një pasqyrë e kësaj vepre “madhështore“, krahas Naçertanija-s serbe, Magali-Idesë greke ose Ekzarkatit bullgar, si planprograme për zhdukjen e shqiptarëve e të myslimanëve nga Ballkani. Po... cila ishte kjo ‘kryevepër’ e letërsisë malazeze dhe cili ishte mesazhi i saj për t’u krenuar!?
Rrëfimi i Njegoshit fillon me mbledhjen e “të mëdhenjve” të maleve, në ditën e “Shejtës Trini” në Llovqen. Në këtë mbledhje, për një ndërmarrje të madhe, vlladika Danillo ankohet se si serbizimi po fikej dhe se faji kryesor për këtë qëndronte te “mesia mashtrues e djallëzorë” – Muhamedi (a.s), por edhe te eprori më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe, që kishte lejuar përhapjen e Islamit në këto vise. Tashmë kishte mbetur vetëm një zgjidhje e keqe (konvertimi i tyre), nga një e keqe më e madhe (islamizimi). Një pjesë të këtij faji gjithsesi binte mbi ata që e kishin pranuar këtë të keqe të madhe (islamin), të cilët në epikën e Njegoshit së shpejti do të përballeshin me zgjidhjen ndërmjet kryqit dhe vdekjes. Para kësaj, “shpirtmadhësia” malazeze do të bënte provën e një thirrjeje formale, që ata ‘vullnetarisht’ ta bojkotonin Islamin dhe të ktheheshin në fenë e stërgjyshërve të tyre, një lloj ultimatumi, që ua paraqitën krerëve të fiseve myslimane, që, pasi i ftuan me urdhrin e vlladikës, po merrnin pjesë në këtë mbledhje.
Në thellësinë e një nate me hënë, kur të gjithë flinin, në skenë paraqitet vlladika Danillo, tek fliste me vete: “Pa shife dreqin me shtatë dollama, me dy shpata me dy kunora, stërnipin e turkut me kuranin... mbi kryq t’thërmuem naltohet minarja!... dhe ua filloj profet’i djallzuem..” [Njegosh, fq. 49-51; shqip. E.Mekuli dhe Z.Nekaj, Beograd 1952]. Dreqi i shtatë dollamave ishte Perandoria Osmane, që kishte futë nën vete shtatë pjesët e botës (ose shtatë detrat), dhe e cila kishte ardhur me Islamin e Kur’anin, një ‘helm’ që e kishin gëlltitur shumë serbë. E keqja e tyre kishte filluar me humbjen e Betejës së Kosovës, por ishte bërë më e zymtë me islamizimin e popullatës. Vetë serbët (malazezët) dhe krishterimi në Mal të Zi ishin shndërruar në një hije pak para zhdukjes totale. Në këtë situatë Njegoshi formulon trimat malazezë, që mund të gjenden vetëm në “Kunorën e Maleve”, ata takohen në festën e kishës së “Shejtes Trini”, për të diskutuar zhbërjen e ‘turkoshakëve’. Këtu personazhi i Vuk Miqunoviqit i thotë vlladikës së sëmurë: “Po a thue nuk asht kjo nji ditë kremteje, që ta pastrojmë vendin prej t’pakryqit?”. Një ndërmarrje e vështirë, por të vendosur për ta çuar misionin deri në fund: “Lufta jonë mbarim nuk ka me pasë, dersa na ose turqit të shbihen...” [fq. 8-9]. Pesëqind djelmosha kishin ardhur në festë, ku po zhvilloheshin edhe gara sportive. Të gjithë të suksesshëm në lojën që luanin, por edhe të gatshëm për t'u pastruar: “pej t’pakryqit”, që “kanë qelbësue” tokën dhe “nuk lanë kend me ba kryq n’kët vend...” [fq. 16]
Krerët e myslimanëve, pjesëtarë të ftuar të kësaj mbledhjeje, provojnë të qetësojnë tensionimin, që të mos shkaktohej gjakderdhje ndërmjet tyre. Ata nuk mendonin të kishte shkak e nevojë për një gjë të tillë, pasi kohët kishin ndryshuar dhe myslimanët e të krishterët mund të jetonin si vëllezër në paqe e mirëkuptim. Por, një gjë të tillë, prifti Njegosh nuk mund ta lejonte, aq më pak, kur këta myslimanë ishin banorë autoktonë të Malit të Zi, më të rrezikshëm se vetë turqit e Azisë [fq. 26], të cilët si “turkoshakë”, rrezikonin asgjësimin e emrit malazez dhe atyre “që kryqoheshin me tre gishta (ortodoksët)”. Ata, pra, nuk duhej dhe nuk mund të mbeteshin vëllezër me besime të ndryshme, edhe sikur t’i kishte lindur një nënë: “Po çfarë vllaznish, n’qoftë se e dini Zotin, kur ua shkelim ftyrën malazezve, dhe kur haptas pshtyjnë n’kryqin e shejtë...” [fq. 17]. Kështu Njegoshi krijon personazhin e Vuk Miqunoviqit që i kërcënohej Hamzait – një malazezi të islamizuar: “...e ke fye fenë e stërgjyshve tu, e ke robnuem vetin te i hueji! ...Unë jam shtaga e zotit, sajue për ty, që t’kujtohesh mirë se shka ke ba...” [fq. 20]. Kurse knjaz Bajku e kishte nda mendjen: “Vetë dij ç’u baj, n’më rafshin në dorë...”[ fq. 22], se këtu nuk mund të qëndronin bashkë hana dhe kryqi, vetëm: “...me qenë njana prej t’dyjave...” [fq. 31].
Ndërkohë, vëllai i vlladikës, knjazi Rade ankohet se si: “Gjithshka rrugën e dreqit ka marrë, po qelbet toka me Muhametin” [fq. 27], duke frymëzuar vlladikën, i cili në fund të fundit, do të marrë vendimin: “Le të bahet shka s’mundet m’u ba, le t’përbij ferri, t’kosisi djalli! Mbi vorre lulet do t’murgullojnë, për ndonji brezni edhe ma t’largët!”, që: “t’shporrim gërbulen prej vathit tonë...” [fq. 32-33]. Nëna Marë, shoqja e Ivanit, mallkon djalin e vet të tretë Stanishën (Skënderbegun) e Cërnojeviqëve, që ishte bërë mysliman se: “e përqafoj fenë e gjakatarëve...”[fq. 34].
Pas kësaj propozimi i haxhi Aliut për formimin e një pleqërie për pajtimin e tyre nuk mund të pranohej. Megjithëse haxhiu e kishte kryer shkollën në Stamboll dhe pelegrinazhin në Mekë, për knjaz Roganin atij i mungonte mundësia e të logjikuarit ‘malazezçe’ (që lindnin të ditur), kurse për Danillon ai ishte: “mu si kafshë e dobët!” [fq. 37]. Pas një kërcënimi alegorik që u bën Vlladika, Skënder Aga pyet: “pse me u tutë luani prej patës” [fq. 38]. Por, trimëria malazeze është e paparë: “Kur t’më pyes gruaja se ku kam qenun, unë do t’i thom se krypën kam mbjellun; e mjera ajo, n’baftë mos me besue” [fq. 39]. Me këso trimërie vojvoda Batriqi u vë myslimanëve ultimatumin: “...pranoni fenë e stërgjyshave” dhe “prishni minare dhe xhamija” duke u betuar se, në të kundërtën: “fetë tona n’gjak do të notojnë, ajo që nuk zhytet, do t’jetë ma e mira...”[fq. 41]
Hoxha i Qekliqit, Mustafai, bën përpjekjet e fundit për t'i qetësuar dhe për t'i bindur se feja që kishte pranuar nuk ishte ajo që po mendonin ata, ishte një fe e pastër që nuk ja mendonte e nuk ia donte askujt të keqen, se nuk e kishte të imponuar, por vetë me dëshirë e kishte zgjedhur [fq. 42-43], por Janku nuk duronte më predikime për islamin dhe ndihej i poshtëruar në situata të këtilla, kurse Tomashi bën parashikimin e kasaphanes: “çmimi i mishit shpejt do t’bjeri...”, sepse ‘trimat’ malazez nuk mund të jetonin më me myslimanët, të cilët posa ‘pagëzoheshin’ (në myslimanë) – qelbeshin dhe si të tillë ishin bërë të padurueshëm nga “aroma e randë e të pakryqve”[fq. 58].
Shkurt, malazezi nuk guxonte të lejonte përhapjen e islamit ndër vëllezërit e tyre, se kjo ishte një ‘turp’ e ‘fatkeqësi’ dhe si e tillë duhej ndaluar me çfarëdo çmimi! Sigurisht, këtë “luftë të shenjtë” do ta ndihmonte qielli (Zoti), pasi këtu po luftonte “feja e drejtë” (ortodoksia e krishterë) kundër “fesë së mbrapshtë” (islamit).
Me besim të plotë në fitore, kasaphana për zhdukjen e myslimanëve do të ngjante në festën e madhe të natës së Krishtlindjeve. Një ndërmarrje e këtillë nuk do të ishte vetëm detyrë e nderë, por edhe kënaqësi e festë “i lumi Zot, se ç’festë e shëndritshme!” [fq. 116 dhe 118]
Në mëngjesin e ditës së Krishtlindjeve, pas liturgjisë, dalin para kishës dhe dëgjojnë krisma pushkësh drejt Rrafshit të Cetinës. Vlladika shikon vëllezërit Martinoviq dhe Vuk Barioloviqin e përgjakur, që po vinin bashkë me 500-600 njerëz të armatosur. Vojvodë Batriqi i uron Krishtlindjet dhe i jep vlladikës lajmin e gëzueshëm për vrasjen e myslimanëve të vendit, për djegien e shtëpive të tyre dhe për shembjen e xhamisë [fq. 116-117]. Pak më pas, për vitin e ri, vijnë zëdhënësit e tjerë më të largët ‘me lajme të mira’, për masakrën tjetër mbi banorët e islamizuar vendas të Rjekës (Cërnojeviqit), të cilët nuk ikën e nuk pranuan të pështyjnë Kur’anin [fq. 121]. Ndërkohë hynë lajmëtari tjetër me një letër, përmes së cilës knjaz Nikolla dhe Dupilanët e tjerë e njoftojnë Danillon për masakrën që malazezët kishin bërë mbi myslimanët vendas të Cërmnicës, aq të shumtë sa: “nga gjashtë vetë n’nji vorr i kemi shti”. Kjo ishte finalja e spastrimeve: “As gjurmë as shej prej farës së turkut, posë trupnave, ose rrenimeve” [fq. 122].
Masakra e realizuar në veprën e Njegoshit, ditën e Krishtlindjeve, pastaj përmendja e vazhdueshme e ‘shenjtërisë’, e kishës dhe e Krishtit, si dhe futja e personazhit nën lëkurën e një prifti, tregon qartë synimin e Njegoshit, por edhe provon dominimin e kishës ortodokse në çështjet politike. Në vështrimin kritik “Kunora e Maleve” është një vepër që heroizon dhe arsyeton krimet e spastrimeve etnike, është frymëzim i spastrimeve të mëvonshme etnike në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Kosovë.
Në vështrim të shkurtër, në vargun 4, Njegoshi i quan myslimanët shtazë, ndërsa në vargun 685, islamin e quan djallëzor, kurse në vargun 701 fe të përgjakur. Pastaj në vargun 858, Njegoshi u bën thirrje të prishin xhamitë dhe minaretë. Në vargun 1778 turqit i quan “pis milet“dhe pastaj sërish fton që të shëmbin xhamitë e të mos qelbet vendi prej tyre. Nga rreshtat 2723 deri në 2784 Njegoshi tregon se si ishin rrafshuar të gjitha, s'kishte mbetur xhami në këmbë dhe s'kishte mbetur mysliman i gjallë.
Pavarësisht nga rrjedhojat e ngjarjeve historike dhe të vërtetat që qëndrojnë pas tyre, në traditën epike është treguar si një heroizëm i paparë dhe si një ngritje kombëtare, një mburrje që serbo-malazezët do ta trashëgonin brez pas brezi dhe do ta bënin si një projekt të “Serbisë së Madhe”. Gjestin jonjerëzor të malazezëve që e paraqet Njegoshi në epikën “Kunora e Maleve”, që e kemi mësuar për “heroizëm” në bankat e shkollës së mesme, shpesh është përdorë si ‘dëshmi’ e si referencë e të dhënave historike në tekstet e mëvonshme serbe e malazeze (pa përjashtuar edhe ato shqiptare), por edhe si një lidhje të një projekti të organizuar të kishës ortodokse. Kjo, pa dyshim, tregon dhe moralin, sinqeritetin dhe seriozitetin e shkencës serbo-malazeze, por inkurajon të tjerët të masakrojnë qenie njerëzore pse nuk i takon të njëjtit besim.
Por, ajo që është e rëndësishme, mbetet të shihet nëse ngjau vërtetë ajo që na rrëfen Njegoshi, në Nahitë e Katunit (Cetinjë), Rjekës, Cërmicëve dhe asaj të Leshanit? Nëse i besojmë atij, ngjarja do të kishte ndodhur kah fillimi i shekullit XVIII. Literatura malazeze i vendos datat ndërmjet vitit 1702, 1707 dhe 1709, por pa ndonjë mbështetje historike. Në vitin 1706 nuk kishte pasur mundësi të ngjante, pasi për shkak të veprimit të vazhdueshëm të hajdutërisë, pushteti osman përgatitej ta zbrazë Malin e Zi (nga malazezët), por ata që i morën në mbrojtje dhe e penguan këtë ishin paria myslimane e Podgoricës dhe e Shpuzit. Ndoshta për këtë arsye, disa studiues mendojnë se “ndjekja e turkoshakëve” nuk paraqet ngjarje të vërtetë [Martinović, fq. 125], por është një fiksion politik. Ata bazohen në udhëpërshkrimet e Malit të Zi të shekullit XVIII, ku nuk përmendet diçka e tillë! Nuk e përmend këtë as vlladika Vasilije në “Istorija o Černoj Gori” (1757) dhe as Medakoviqi në “Povjesnici Crne Gore” (1850). Kjo mungon edhe në shkrimet e proveditorëve të Kotorrit. Legjendat popullore mbi këtë ngjarje Ilarion Ruvarac (1832-1905) i fut në rangun e përrallave të thjeshta, pa asnjë të vërtetë dhe pa asnjë rëndësi historike, por nuk e përjashton mundësinë të ketë ndodhur një konflikt në vitin 1687.
Pala që e pranon ngjarjen e Njegoshit si të vërtetë parashtron “argumentet” e veta. Disa thonë se “ndjekja e turkoshakëve” duhej të bëhej gjithsesi, para se të organizohej “grushti i rëndë” kundër Perandorisë [Stanojević, fq. 42]! Të tjerët e lidhin atë me arrestimin e vlladikës Danillo në Zetë, të cilin pasi e liruan, falë ndihmës financiare të një murgu në Bokë [Jovanović, fq. 91], ata u hakmorën kundër “turqëve” të vendit. Vetë Danillo në shkrimet e veta të vitit 1707, megjithëse flitet për një organizim të këtillë, në fund thotë se “malazezët tradhtuan dhe nuk i sulmuan turqit” [Martinović, 125]. Disa të tjerë këtë ngjarje e vendosin në vitin 1711 ose 1712!
Bashkëmendimtarët e këtyre të fundit dëshmojnë se malazezët deri në episodin e famshëm të masakrës së myslimanëve lokalë, jetonin në mesin e 14.000 myslimanëve [Zvemer, fq. 156]. Në katër nahitë e cituara, gjashtë xhamitë [“Dituria Islame” #76/1996] dhe 3500 banorët myslimanë që përmenden në të dhënat dokumentare të vitit 1655, nuk përmenden më 1712 [Stajonević, fq. 42]. Nuk përmendin më kadiun, që në shekullin XVII kishte 12 të tillë. Nga të gjitha këto, sot kanë mbetur vetëm 52 toponime, që ruajnë gjurmët e myslimanëve që kanë jetuar dikur në këto treva. Të gjitha familjet myslimane, pa përjashtim, iu nënshtruan dhunës fizike ose konvertimit “në fenë e të parëve”. Disa nga pasardhësit e atyre që mund ta shpëtonin kokën, me njëzet toponime të ndryshme jetojnë sot në Sarajevë (Mustafiqët, Vraniqët, Osmanagiqët, Bajramoviqët, etj). Të tjerët gjetën strehim në Nikshiq ose në Tegjemil afër Tivarit.
Disa të tjerë mendojnë se kjo ndërmarrje u bë nga mitropoliti i kishës ortodokse lokale Danilo Petroviqi, nga fisi i njohur me origjinë shqiptare Petroviqët, i tjetërsuar në malazez. Nën varësinë e kishës ortodokse, ai i rdhëroi fiset Ceklini dhe Cetinje, që ishin nën autoritetin e tij shpirtëror, të masakronin të gjithë vëllezërit e tyre të gjakut, që kishin pranuar islamin e që refuzonin të konvertoheshin, në mënyrë që të mos u përzihej gjaku.
Nuk mbetet asnjë dyshim, se ndër banorët e këtyre anëve jetonin edhe shumë shqiptarë. “Të gjithë myslimanët u therën – thotë Vaklik – dhe fëmijët e tyre u pagëzuan... Mali i Zi, sa hap e mbyll sytë u çlirua prej barbarëve të pafat. A duhet thënë se të gjithë ata që ishin shqiptarë në Mal të Zi, u përfshinë në këtë masakër? Sigurisht që jo, pasi jo të gjithë duhej të kishin rënë në apostazi. Por, ata që shpëtuan shkojnë duke hequr dorë nga çdo lloj marrëdhënie me bashkatdhetarët e Shqipërisë dhe madje as shqip nuk flasin më, e pak nga pak u bënë malazezë”. [Feveyriak, fq. 295]
Kjo e rriti në kulm antipatinë mes myslimanëve dhe të krishterëve, të cilët fqinjësia i kishte mësuar të jetonin në paqe përkrah njëri-tjetrit. Një ngjarje na thotë se deri ku arrin kjo. Gjatë një sulmi për në Hercegovinë, në vitin 1706, shumë oficerë turq ranë në duart e malazezëve. Në shkëmbim të oficerëve turq – thotë Ami Bue – të krishterët kërkuan vetëm derra [Boue, fq. 296].
Pavarësisht nëse një ngjarje e tillë ndodhi ose nuk ndodhi asnjëherë, pavarësisht nga këndvështrimet, emocionet dhe shkrimet që janë bërë për ndjekjen e ‘turkoshakëve’, qoftë edhe e sajuar në tërësi si një formë letrare, ajo ishte një ngjarje që pati rëndësi e pasoja tejet të mëdha për fatin e myslimanëve të këtyre viseve të Malit të Zi në vitet e mëpastajshme. Ngjarjet e këtilla të ndjekjes së turkoshakëve nuk lidheshin vetëm me një vend të caktuar, por ishin ngjarje ndërkombëtare të fundshekullit XVII dhe të fillimshekullit XVIII, kohë që për myslimanët e vendit u bë “kohë katastrofe”.