Politikanët tanë le të agjërojnë në një muaj dimrit!

Ramazani është në prag dhe po vjen, por edhe agjëruesit kanë dalë në derë dhe me gëzim po e presin me pritjen më të mirë. Ky muaj i madh ka shumë urtësi, shumë mësime nxirren nga ky muaj dhe rituali që kryhet gjatë këtij muaji. Aq shumë vlera ka ky muaj sa që çdonjëri nga ne mund të thotë diçka për ndonjë vlerë të këtij muaji e ato prapë mbeten të paharxhuara. Unë zgjodha të flas për një urtësi dhe mësim që duhet të merret nga muaj dhe më të nevojshëm për këtë mësim janë politikanët. Mirëpo duke pasur parasysh se disa nga ata thonë se agjërojnë në muajin ramazan, ndërsa ne nuk po shohim që ky muaj të ketë dhënë efektin e vet, mbase efktin kryesor që ka, tek ajo elitë. Nisur nga ky pikvështrim unë vendosa që me këtë shkresë t’u sugjeroj politikanëve që ata të agjërojnë dimrit. E di se do të më thuash se me shkrim nuk i drejtohet atij që nuk lexon, por po të them: në daçin, po mbase do ta lexojnë.

 Të dashur muslimanë dhe në veçanti të nderuar politikanë! Njëri prej mësimeve kryesore të muajit të bekuar ramazan është që agjëruesit të shohin se çdo të thotë të jesh i varfër dhe ta kesh barkun e zbrazët. Me shmangien nga ngrënia dhe pirja për një kohë të përcaktuar të ditës i pasuri e kupton dhimbjen e të varfrit, ndërsa i varfëri gëzohet me ndiesinë si i barabartë me të pasurin. Mirëpo ja që politikanët tanë nuk arritën ta marrin këtë mësim nga ky muaj i madh, ata vazhdojnë të keqpërdorin djersën e popullit të varfër. Agjërimi të cilin Allahu na e bëri obligim, si i atillë mjafton që ne ta mësojmë dhimbjen e të varfrit dhe të mos e shkelim atë asnjëherë, por në bazë të mundësive edhe ta ndimojmë atë. Mirëpo politikanëve dhe gjithë atyre që nuk kanë ndjenja nuk u mjafton ky agjërimi, që është bërë për të mençurit, dhe për këtë arsye unë desha t’u sugjeroj politikanëve një agjërim në njërin prej muajve të dimrit.

Me agjërimin në dimër, të cilin po ua sugjeroj atyre, nuk kam për qëllim këtë agjërimin që ne e bëjmë. Nuk e kam për qëllim largimin nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime gjatë një pjese të ditës e pastaj në iftar të hamë e të pimë sa nuk hamë e nuk pimë gjatë një dite jashtë ramazanit. Nuk e kam për qëllim këtë agjërim, jo, ky agjërim është bërë për të mençur, jo për politikanë. Vetëm një i mençur gjatë një agjërimi prej 12, 13, 14 ose më shumë orësh, mund ta kuptojë dhimbjen e të varfrit ndërsa që një politikan ta kuptojë dhimbjen e të varfrit, dhe të mos e shkelë më kurrë bukën dhe djersën e tij, unë do t’ia sugjeroj një agjërim dimrit, edhe atë si në vijim:

- Kushtet e agjërimit: 1- të jetë deputet, ministër ose të ketë ndonjë pozitë në një parti politike. 2- të ardhurat mujore t’i ketë mbi 1000 euro (ata që e plotësojnë kushtin e parë, padyshim që e plotësojnë edhe të dytin) 3- të jenë gjakftohtë kur keqëpërdorin pasurinë dhe djersën e huaj sikurse që është luani gjakftohtë kur e copton gjahun e tij. (ata që i plotësojnë kushtet e para, padyshim që e plotësojnë edhe këtë kusht)

- Mënyra e agjërimit: 1 abstenimi nga paga mujore dhe të gjitha të hyrat apo të ardhurat e tjera, gjatë një muaji në mes të dimrit. 2- nuk lejohet që në trup të ketë rrobe ose pallto më të shtrenjtë se 10 euro. 3- nuk guxon të përdorë automjetin që ka, por të ecë në këmbë atëhërë kur i ftohti ngrin çdo gjë përveç ajrit dhe atyre që e thithin atë (ajrin). 4- në shtëpi nuk guxon të ndezë zjarr për t’u ngrohur e asgjë tjëtër që ngroh, më shumë se 3 orë në ditë. 5 - gjatë muajit të agjërimit, nuk guxon të përdorë mish më shumë se 3 kilogram gjatë tërë muajit.

Eh, ore miku im, sikur të agjëronin politikanët tanë një muaj në dimër, në këtë mënyrë dhe me këto rregulla, besën e ke se asnjëherë nuk do ta keqpërdorin djersën e popullit. Do të më thuash: ata kanë qenë dikur të varfër, por ja prapëseprapë ata po e keqpërdorin djersën e popullit. E vërtetë është se ata kanë qenë dikur të varfër, mirëpo kur largohesh nga diçka sepse nuk ke mundësi ta kesh nuk është e njëjtë me të larguarit nga diçka që e ke, por thjesht largohesh, abstenon nga ajo gjë. Këtë e mësojmë gjithashtu nga agjërimi i muajit të bekuar. Allahu nuk i urdhëroi vetëm të varfrit me agjërim, hajt se ju nuk keni çfarë të hani e të pini, agjëroni e unë do t’ju shpërblej. Jo, miku im jo, Allahu urdhëroi edhe të pasurit me agjërim, sepse kur e ke një gjë, kur ke ushqim, për shembull, dhe largohesh nga ushqimi më mirë ia di vlerën ushqimit ose dhimbjen atij që nuk e ka, se sa kur largohesh nga ushqimi kur nuk e ke atë. Ndërsa ai tjetri do të më thotë: ti mirë e ke, me të vërtetë, po agjëruan politikanët një muaj të këtillë në dimër kurrë më nuk do të keqpërdornin pasurinë dhe djersën e popullit. Ndërsa unë për t’u solidarizuar me politikanët, udhëheqësit dhe ata që Allahu u dha pasuri por jo edhe mend, as aq sa për ta kuptuar se janë të pamend, pra në shenjë solidarizimi me ata unë do t’i them atij: mos u mërzit, o miku im, këto rrezet e forta të diellit që po na ngroh këto ditë, ia kishin hapur zemrat dhe mendjet politikanëve dhe kishin vendosur që të agjërojnë në muajin ramazan, i cili do të fillojë këtë të premte dhe kishin vendosur që me të vërtetë ta marrin atë mësimin e madh të këtij muaji të madh. Atë që i pasuri, gjatë këtij muaji, duhet ta mësojë dhimbjen e të varfrit dhe kishin vendosur që më kurrë të mos manipulojnë dhe të mos e keqëpërdorin djersën e popullit. E kishin vendosur të mos e presin atë agjërimin e dimrit që ua sugjerova ose edhe po e pritën kishin vendosur të mos jenë më ata që kanë qenë, dhe të mos i plotësojnë kushtet e atij agjërimit dimrit. Pagat e mëdha do t’i ulin, po nuk mundën t’i ulin kishin vendosur që me ata të holla që kalojnë mbi 500 euro gjatë një muaji, t’i mbledhin me një vendë dhe të formojnë një fond për të mirëmbajtur të varfërit dhe të hendikepuarit, me një pjesë tjëtër të të hollave kishin vendosur të ndërtojnë shkolla, rrugë, ura, parqe, etj.

Eh, o Zot, a thua kur ta bënin këtë gjë politikanët tanë?! Andaj, nga zemra, po të lutemi, o Zoti ynë! Hapi zemrat e udhëheqësve tanë me hapjen e qiellit për muajin e madh që po vjen, udhëzoji dhe hapjau zemrat edhe ata të agjërojnë në këtë muaj dhe ta mësojnë gjatë këti muaji se ç’dhimbje ka populli i varfër dhe më asnjëherë të mos e keqëpërdorin djersën dhe pasurinë e tij!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme