SHEN GJERGJI ORIGJINA DHE HISTORIKU, NJE VESHTRIM KRAHASIMOR

image SHEN GJERGJI ORIGJINA DHE HISTORIKU, NJE VESHTRIM KRAHASIMOR

 

 
Pa dyshim epoka në të cilën jetojmë është epokë e ideologjive, sistemeve të besimit dhe epokë e mendimeve shumëdimensionale. Prandaj edhe pse në botën bashkëkohore ekziston një tendencë për anashkalimin dhe nënvlerësimin e religjionit në favor të sekularizmit megjithatë ritmi i interesimit rreth religjionit sa vjen e shtohet pothuajse në tërë botën. Mirëpo krahas interesimit rreth religjionit në botë gjithashtu ekziston edhe një orvatje për pavarësim religjioz duke rezultuar në një numër tejet të madh të grupeve dhe nëngrupeve religjioze. Ndaj sipas disa statistikave bashkëkohore në botë sot ekzistojnë rreth 11 mijë besime/religjione të ndryshme. Pothuajse çdo religjion posedon edhe festat e veta religjioze gjatë muajve të vitit, kështu vetëm gjatë muajit Maj 2012 ekzistojnë rreth 12 festa fetare në tërë botën. Ndërsa nga Maji deri në fund të vitit 2012 në botë pritet të festohen rreth 107 festa me karakter fetarë (http://www.interfaithcalendar.org).
 
Sido qe të jetë, ky artikull nuk ka për qellim të trajtoj shumëdimensionalizmin e religjionit në botën bashkëkohore por synon të ofroj një vështrim krahasues rreth manifestimeve të ndryshme të cilat bartën nga një religjion në tjetrin duke formuar kështu një përzierje kulturore dhe një bashkëdyzim të identitetit religjioz, sikurse Shën Gjergji në këtë rast. Prandaj, ky artikull synon të vë në pah se kush është Shën Gjergji?, si erdhi deri të festimi i Shën Gjergjit?, nga kush, kur dhe si festohet Shën Gjergji?, si dhe Shën Gjergji dhe Muslimanët respektivisht Islami.
 
Enciklopedia Katolike mbanë qëndrimin se nuk ka fare arsye për të dyshuar në ekzistencën historike të Shën Gjergjit por megjithatë pak dihet rreth jetës dhe veprimtarisë se tij (The Catholic Encyclopedia on St George, www.newadvent.org). Sidoqoftë, sa i përket Shën Gjergjit ajo që dihet është se ai u lind në Nikomedia (Nicomedia), rajon në Turqinë e sotme. Ka jetuar në shekullin III (e. r.) ndërmjet viteve 275?-303. Prindërit e tij ishin të Krishterë, babi nga Kapadokia (Cappadocia) kurse e ëma nga Palestina. Edhe vet Gjergji më vonë, pasi që u bë ushtar Romak, jetoi në Palestinë; ai protestoi kundër persekutimit të Krishterëve nga ana e Romës pagane, u burgos dhe u torturua por qëndroi besnik ndaj besimit të tij të krishterë. Me 23 Prill 303 atij iu pre koka në qytetin Lyda të Palestinës, ku edhe u varros dhe ende besohet të dihet varri i tij . (Gustave Moreau, BBC - Religion & Ethics - Saint George Introduction).
 
Si rezultat i torturave që përjetoi Gjergji gjatë shek III dhe IV ai arriti të konsiderohet si "i shenjtë" (saint-shën) respektivisht martir i Krishterimit për shkak se flijoi jetën për besimin e tij të krishterë kundër Perandorit më mizor Romak, Diocletian, që shtypte krishterët e hershëm para zyrtarizimit të Krishterimit në Perandorinë Romake. Pas zyrtarizimit të Krishterimit Sh. Gjergji u bë simbol dhe mbrojtës i ushtrisë bizantine dhe shumë vendeve Evropiane, për shkak se ai ishte ushtari i parë profesionalist i krishterë në Perandorinë Romake. Ndërsa gjatë luftës se kryqezatave Shën Gjergjit iu shoqërua edhe simboli i dragoit prandaj fitorja ndaj përbindëshit (dragoit) bëri që Shën Gjergji të njihej si Fitimtar (victor) dhe kjo fitore më vonë do të simbolizonte fitoren e së mirës ('shenjtit') kundër të keqes. Në vitin 1222, Këshilli Kombëtar në Oksford shpalli 23 Prillin, Dita e Shën Gjergjit, si ditë feste anekënd Anglisë. (Bulgarian National Radio: Religion and History, Saint George's Day, http://www.bnr.bg)
 
Shën Gjergji festohet nga shumica e vendeve me popullatë të krishterë, Pjesë të Lindjes së Mesme, tërë Evropa, SHBA dhe tej Oqeania. Shumica e Krishterëve: Katolik dhe Anglikan manifestimin për nderë të këtij martiri e njohin si Saint George Day (Dita e Shën Gjergjit); Ortodoksët poashtu e njohin si Dita e Shën Gjergjit مارجرجس (në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore), Yuriev Den (në Federatën Ruse dhe ish Republikat e Bashkimit Sovjetik), si dhe Đurđevdan (tek sllavët në përgjithesi), ndërsa për çudi Protestantët, të cilët vetën e konsiderojnë si reformist të kishës, në veçanti asaj perëndimore, nuk festojnë fare lidhur me Shën Gjergjin.(Jacobus de Voragine, The Golden Legend: or Lives of the Saints as Englished by William Caxton, F.S. Ellis, ed. (London, 1900), vol. III:123-45), fq. 128).

Edhe disa nga Çifutët festojnë respektivisht vizitojnë varrin e Shën Gjergjit, duke konsideruar qytetin Lyda si vendi ku është varrosur profeti Elijah/Elisha (Iljasi apo Eljesai). Ndërsa disa nga Muslimanët, duke konsideruar Shën Gjergjin si hazreti Hidri (Hızır الخضر- i Gjelbëri), respektivisht një takim metafizik i Hidrit dhe Iljasit në kohën e gjelbërimit/pranverës i njohur tek sufistët si Hıdırelez. (Hanauer, J.E., Folk-lore of the Holy Land, Moslem, Christian and Jewish, 1907)
 
Shumica e vendeve vendeve katolike dhe anglikane festojnë me 23 Prill, ndërsa vendet ortodokse me 6 Maj, kurse vetëm Gjeorgjia sipas kalendarit Julian feston edhe me 23 Nëntor. Sidoqoftë, Kishat Ortodokse Lindore të njohur ndryshe edhe si Kalendaristët e Vjetër, ndjekin Kalendarin Julian, sipas të cilit 23 Prilli i përgjigjet 6 Majit sipas atij Gregorian të shekullit 20 dhe 21. Ndërsa sa i përket që bëhen me 5 Maj sikur që ndodhë në Ballkan madje edhe në Kosovë, kjo më shumë është përzierje e Kalendarit Justiniandhe atij Julian apo kjo mund të konsideroeht edhe si një lloj mos përngjashmërie me festimin Ortodoks Serb.
 
Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë ditës së Shën Gjergjit por ato manifestime zakonisht shoqërohen me personazhin e Shën Gjergjit dhe Dragoit! Në Kishë Katolikët ndezin qirinj, në Bullgari bujqit e krishterë presin kurban ashtu që korrje-shirjet të jenë me të begatshme. Ndërsa Ortodokset në përgjithësi ofrojnë bukë të veçantë për këtë festë. Ndërsa femrat në përgjithësi zakonisht përbirohen nëpër 'Perin e Shën Gjergjit' për shëndet, mundësi të shtatëzënisë si dhe fat në jetë. Disa komunitete madje ofrojnë edhe lojëra, cirkuse dhe dëfrime. Disa mbajnë tregje për këtë ditë, disa vizitojnë varrin e Shën Gjergjit në qytetin Lyda, në Palestinë, jashtë Kishës disa therin dash/dele për nderë të Shën Gjergjit, në Britani të Madhe organizohen valle folklorike për nderë të Shën Gjergjit, ndërsa Mbreti Serb Stefan Nemanja gjatë shek 12-të në qytetin e lashtë të Rashës në Serbi ndërtoi një Kishë dedikuar Shën Gjergjit e njohur edhe sot si Đurđevi Stupovi (shtyllat e Shën Gjergjit) dhe akoma sot tek komuniteti serb në Kosovë kjo ditë njihet si "Đurđevdan" (Dita e Shën Gjergjit).(Robert Elsie, Historical Dictionary of Kosova).
 
Në fshatin Al Khader afër Bejtlehemit, Palestinë, përballë Kishës gjendet Xhamia El Hider Palestinezët e lidhin Hidrin me Shën Gjergjin. Disa muslimanë therin dash/dele për nderë të Sh. Gjergjit-'Hidrit'.(Elizabeth Anne Finn, Home in the Holyland, James Nisbet and Co., London (1866). fq 46–47).

Muslimanët në Kosovë, veçanërisht Romët, lagën me ujë nga lulet e Sh. Gjergjit, lidhin penj në dorë për fat, dalin në piknik, shëtitje, zbavitje; madje fatkeqësisht disa prej tyre sillen edhe rreth varreve të ndryshme duke iu referuar atyre si varre/tyrbe të Sh. Gjergjit edhe pse varri i tij i vetëm është ai që në qytetin Lyda tё Palestinës.
 
Sido që të jetë, ekziston një ngjashmëri sipërfaqësore ndërmjet Shën Gjergjit dhe Hidrit në aspektin gjuhësor ngase emri Gjergj (George) rrjedh nga Greqishtja Georgeus që do të thotë Bujk, ndërsa El Hidr nga arabishtja الخضر- gjithashtu d.t.th i Gjelbëri. Mu për këtë Shën Gjergji/El Hidr nga disa nga sufinjtë konsiderohet si ai që u sjell shiun e nevojshëm bujqve ashtu që të kenë korrje-shirje më të mirë. (Uysal, A.E. and W.S. Walker, "An Ancient God in Modern Turkey: Some Aspects of the Cult of Hizir" in Journal of American folklore nr. 86, 1997, po ashtu www.khidr.org). Mirëpo nga aspekti historik dhe ai religjioz kjo konsiderohet si e metë e madhe sepse Hidri në Kur'an është përmendur krahas Musait a.s, i cili ka jetuar shumë kohë para Isait a.s. Ndërsa e tërë ajo që dihet rreth Shën Gjergji, dihet se ai ka jetuar 300 vjet pas Isait a.s. Gjithashtu sa i përket Iljasit a.s., për të cilët disa nga sufijtë mendojnë se takohet metafizikisht me Hidrin në fillim të pranverës, respektivisht aty rreth kohës se festimit të Shën Gjergjit, Kur'ani famëlartë ka sinjalizuar se Iljasi ka jetuar shumë kohë para Isait a.s. (Ibn al-Athir, Al-Ta'rikh al-Kamil, i. 90, 91, Cairo, 1891-92 ). Prandaj "Kur njerëzit filluan ta përdorin gënjeshtrën (rrenën); Ne e përdorëm kundër tyre Historinë" do të na thoshte Ibn Salah në Enciklopedinë e tij të Hadithit, ("Mukadimetu Ibn Salah").
 
Sipas mësimevetë islamit Zoti është i vetmi që meriton adhurim të denjë dhe në këtë nuk lejohet të i shoqërohet asnjë partner. Gjithashtu autoriteti i vetëm në islam që mund të legjitimoj ndonjë festë është Kur'ani dhe Sunneti, mesimet e Muhamedit a.s., prandja nuk lejohet shenjtërimi i njerëzve ngase kjo çon drejtë idhujtarisë bashkëkohore. Kur'ani famëlartë ks sjellur disa shembuj se si popujt para nesh i shenjtruan e më pas edhe i adhuruan njerëzit/prijësit e tyre të mirë.
 
Dhe (populli i Nuhut) thanë: Mos braktisni kurrsesi zotat tuaj, mos braktisni Vedda-në, as Suva'a-në, as Jeguth-in, Jeukë-n e as Nesre-n. (Surja Nuh, 23).

Në gjithë komentatorët më eminent të Kur'anit janë në ujdi se të gjithë këta emra ishin njerëz të devotshëm para se idhujtarët ti shenjtëronin dhe ti adhuronin ata për zota përpos Allahut. (Ibn Kethiri, El Tefsir El Adhim).Prandaj për ti vetëdijesuar njerëzimin dhe për ti mbrojtur nga idhujtaria moderne, Kur'ani famëlartë solli këtë masë preventive:
Ata (që i adhuroni) nuk janë tjetër, vetëm se emra që ju dhe prindërit tuaj i emërtuat; Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata (idhujtarët), nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë, megjithëse prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi. (Surja En Nexhm, 23).
 
Gjithashtu Muhamedi a.s. kur kaloi nga Meka në Medine gjeti banorët tek festonin dy ditë që nuk dinin pse, prandaj: Muhamedi a.s. u tha banorëve të Medinës: çka janë këto dy ditë që po i festoni? Ata thanë: kështu i trashëguam prindërit tanë tek festonim në injorancë. Pejgamberi a.s. tha: Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë me të mira: Ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit. (Buhariu dhe Muslimi)
 
Prandaj duhet apo nuk duhet, mund apo nuk mund, që muslimanët ta festojnë Shën Gjergjin?! Këtë vendim do të lëmë më pergjegjësi të lexuesit (es) të nderuar; por nëse ndiqen mësimet e Kur'anit dhe Sunetit, atëherë qëndrimi i islamit do të jetë JO, sepse kjo është thjeshtë vetëm një legjendë e pabazë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme