Kjo ka të bëjë më së shumti me popujt e lashtë dhe me shtetet e tyre, që kanë ekzistuar dhe janë shkatërruar, pa lënë gjurmë të qarta të ekzistencës së tyre. Disa popuj dhe disa shtete që konsiderohen si me më shumë fat, kanë lënë disa dëshmi arkeologjike, gjuhësore, artistike dhe arkivore. Por edhe ato fragmentare. Por, shumë popuj të lashtë, praktikisht nuk kanë lënë as gjurmë të qarta, sepse u janë përzier edhe mbetjet e fundit me ato të popujve të tjerë, ndoshta me ata popuj të cilët i kanë dominuar ose pushtuar. Ndikimi që kanë pasur njëri mbi tjetrin fiset e popujt, është shumë i madh dhe nuk ka ndjekur një rrugë drejtvizore. Nëse një popull ka pasur ndikim mbi një popull tjetër në politikë, populli i ekspozuar ndikimit politik, ka mundur të ushtrojë ndikim në kulinari ose në ndonjë fushë tjetër. Kësisoj, përzierjet e kulturave janë shumë më të mëdha nga sa mendohet. Prandaj, nuk ka kultura e qytetërime plotësisht origjinale, të pandikuara e të shkëputura nga kulturat dhe nga qytetërimet e tjera. Qytetërimi hebraik, fjala vjen, ka ndikuar mbi botën e krishterë, aq sa konsiderohet si njëra nga shtyllat qytetërimit perëndimor. Por, ai ka ndikuar edhe mbi botën muslimane, me të cilën ka qenë në fqinjësi direkte dhe me të cilën i ka të përbashkëta substratin gjuhësor, territorin e deri te pejgamberët. Bota muslimane ka ushtruar ndikim të dukshëm në Europën mesjetare. Ndërsa, ndikimi i sundimit mongol, edhe pse ende nuk është studiuar sa duhet, është shumë më i madh se sa mund të imagjinohet. Ja si e përshkruan ndikimin e mongolëve, studiuesi i njohur, Xhek Vederford: "Mongolët i dërguan xehetarët gjermanë në Kinë, ndërsa mjekët kinezë në Persi. Ky këmbim nganjëherë ishte vendimtar e nganjëherë trivial. Ata e zgjeruan përdorimin e tepihëve kudo që shkuan dhe e përhapën limonin dhe karrotën nga Persia në Kinë, ndërsa lojën me letra dhe çajin nga Kina e dërguan në Perëndim. Ata sollën zejtarë nga Parisi për të ngritur fontana midis stepës së tharë mongole, e përvehtësuan princin anglez që t'u bëhej përkthyes në kuadër të ushtrisë dhe e përhapën mjeshtrinë kineze të marrjes së shenjave të gishtërinjve edhe në Persi. Me paratë e veta ndihmuan ndërtimin e kishave në Kinë, të tempujve budistë në Persi dhe të shkollave fetare islame në Rusi. Mongolët përftuan nëpër botë si pushtues, por edhe si bartës unik dhe të paarritshëm të kulturave të ndryshme." Përvoja e tillë e mongolëve, pra e përzierjes dhe e ndikimit të ndërsjellë të vlerave kulturore, me siguri që ka ekzistuar në forma dhe në përmasa të ndryshme edhe te pushtuesit para tyre, sikundër që ka ekzistuar dhe ekziston edhe te pushtuesit e mëvonshëm.
Prandaj, ata që flasin për kultura të pastra dhe për raca të pastra, në të vërtetë flasin të pavërteta të shëmtuara.
Këtu po sjellim vetëm edhe disa shembuj për argumentim të kësaj teze. Pali ishte hebre, ndërsa u bë kodifikuesi më i madh i fesë së krishterë në Europë. Avicena ishte musliman, por pati një ndikim të jashtëzakonshëm mbi mjekësinë në Europë. Mehmet Sokolloviqi ishte serb, por pati ndikim të madh në politikën e Perandorisë Osmane. Ekaterina ishte gjermane, por pati ndikim të fuqishëm në historinë e Rusisë. Mehmed Ali Pasha ishte shqiptar, por u bë transformues i historisë së Egjiptit. Karl Marksi ishte hebre, por pati ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e Europës. Në tiparet dhe në karakterin e tyre, këta personalitete dhe të tjerë si këta, kanë pasur elemente nga populli prej të cilit e kanë pasur prejardhjen, që do të thotë se ndikimi i asaj tradite, sado i tërthortë, ka qenë evident.
Po të shihet çështja e martesave të përziera të familjeve mbretërore në Europës nëpër shekuj, kjo çështje fiton edhe një peshë të re. Sundimtarët janë mëkuar nga martesa të përziera, nga tradita të kombinuara kulturore, etike e politike. A ka qenë e mundur të mos barten edhe ndikime të ndërsjella, që nga kulinaria e deri te format e pushtetit dhe të organizimit të shoqërisë në përgjithësi? Pra, edhe nga ky aspekt, së paku historia e Europës, është më e pleksur dhe madje më unike se sa mund të duket në shikim të parë. Numri i fiseve dhe i popujve që kanë ekzistuar dhe më vonë janë zhdukur, kurrë nuk do të mirret vesh i plotë. Por, duket të jetë një numër i madh i fiseve dhe i popujve që janë zhdukur. Për ato fise dhe për ata popuj, pothuajse asnjë herë nuk do të mësohet e vërteta e plotë se si janë dukur, si kanë jetuar, cilat kanë qenë besimet e tyre, cilat kanë qenë vlerat kulturore që kanë krijuar, si kanë qenë të folmet dhe gjuhët që kanë folur. Pra, janë histori të varrosura bashkë me ta.
Ajo që e bën tablonë edhe më skeptike, është se edhe ata popuj dhe ato shtete që kanë lënë gjurmë më të qarta, nuk i kanë të plota dhe historia e tyre shkruhet me vonesa e edhe me rikonstruksione të ndieshme. Ta marrim si shembull, shtetin më zulmmadh të antikës, Romën e lashtë. Për historinë e romakëve dhe të Romës, janë shkruar shumë libra, por që të gjitha ato janë të shkruara mbi një material jo edhe aq të pasur të dokumenteve të shkruara dhe autentike. Njëri nga autorët më të shquar të historisë së Romës, N. A. Mashkini, thotë ndër të tjera se "përmendoret letrare nga periudha romake, të cilat janë ruajtur në pjesën më të madhe në dorëshkrimet mesjetare, janë burimi kryesor për historinë e Romës së lashtë. Në kohën e re dhe në kohën më të re, është kthyer vëmendja edhe në hulumtimin e të dhënave arkeologjike, si edhe të mbishkrimeve, parave dhe të papiruseve."[1]
Sa janë të besueshme "përmendoret letrare" për ta kuptuar historinë e një populli dhe të një shteti zulmmadh, sikundër ishin romakët dhe sikundër ishte Roma, nuk është zor të jipet përgjigje. Poashtu, inkorporimi i atyre veprave në "dorëshkrimet mesjetare", ka mundësi që të ketë ndikuar në autenticitetin e tyre, sepse sikundër dihet, periudha e Renesansës, u frymëzua nga antika dhe është shumë e mundshme që idealin e vet artistik dhe ideologjik t'ia ketë imponuar në ndonjë rast edhe vetë trashëgimisë antike.
Mashkini konstaton se "interesimi për Romën e lashtë, si edhe për tërë historinë antike, shfaqet në Europë, në kohën e Renesansës. Përfaqësuesit e lëvizjes së re kulturore, humanistët, synonin që në antikë të gjenin mbështetje për luftën e tyre kundër paragjykimeve fetare të Mesjetës, të luftës së tyre për zhvillimin harmonik të personalitetit njerëzor. Merita kryesore e humanistëve është se ditën t'i ruajnë nga shkatërrimi, t'i mbledhin dhe madje edhe t'i botojnë një numër të madh të dorëshkrimeve latine dhe greke. Veprat kryesore të shkrimtarëve të antikës u gjetën dhe u mblodhën kryesisht në shekujt XIV-XVI. Pieteti i thellë i humanistëve ndaj antikës, u pamundësoi humanistëve që të dyshonin në vërtetësinë e traditës historike të antikës.1" Pra. Mashkini lë të kuptohet se ka ndodhur pranimi jokritik i teksteve antike, gjë që do të thotë se ka ekzistuar edhe mundësia e përshtatjes së përmbajtjeve të tyre idealit të ri humanist. Nëse kanë ndodhur veprime të tilla, atëherë edhe ajo histori që konsiderohet si e njohur, duhet t'i nënshtrohet verifikimit shkencor, duke pasur në dorë shqyrtimin kritik të materialeve.
Mirëpo, edhe sikur të mirren të mirëqena të gjitha ato dokumente që kanë bërë të njohura humanistët dhe pasuesit e tyre deri në ditët tona, bashkë me gjetjet arkeologjike dhe linguistike, prapë se prapë vëllimi i dokumenteve është i vogël në krahasim me historinë e vërtetë të romakëve dhe të Romës. Në historinë e Mashkinit është një tabelë e emrave të të gjithë perandorëve të Romës dhe një "tabelë kronologjike" e ngjarjeve kryesore që kanë ndodhur në Romën e lashtë. Por, të dhënat për këta perandorë dhe për ato ngjarje ka shumë pak, në krahasim me ndikimin që ata/ato kanë pasur në atë kohë. Nga ana tjetër, dihet që perandorët kanë pasur bashkëpunëtorë, të cilët kanë ndikuar në vendimet e tyre, por për ta praktikisht nuk dihet shumë, nganjëherë bile nuk dihet asgjë. Nuk dihen as emrat dhe as biografitë e mijëra ushtarëve që me luftën e tyre e kanë ngritur famën e Romës. Historia e vërtetë e Romës nuk mund të dihet pa u ditur historia e atyre mijëra luftëtarëve, sepse luftërat i kanë bërë ata me shpatat e tyre. Historia e plotë e Romës nuk mund të dihet pa u ditur edhe emrat dhe biografitë e grave që kanë ndikuar në mendimet dhe në idetë e perandorëve, të konsujve, të ushtarëve. Historia e plotë e Romës nuk mund të dihet pa u ditur edhe emrat dhe bëmat e të gjithë mercenarëve, të spiunëve dhe ndihmësve të llojllojshëm të inkursioneve dhe të pushtimeve romake. Me një fjalë, as historia e romakëve dhe e Romës, e cila i dha vulën qytetërimit të mëvonshëm europian, nuk është e njohur tërësisht, por vetëm në mënyrë fragmentare. Edhe ajo në mënyrë spekulative, sepse autorët antikë helenë e romakë, popujt rreth vetes i kanë përçmuar. Popujt rreth vetes i kanë quajtur barbarë, dhe u kanë ngjitur gjithfarë epitetesh negative. Po të shohim se si i kanë cilësuar pellazgët dhe ilirët, fjala vjen, do të mbetemi të çmeritur. Herodoti, ka sjellë një histori të çuditshme për pellazgët, duke i paraqitur si plaçkitës, dhunues dhe vrasës të fëmijëve të vet: "pellazgët që u ngulën në Lemn, vendosën të hakmerren kundër athinasve. Pasi dinin shumë mirë ditët e festave të tyre, ata ndërtuan anije me pesëdhjetë lopata dhe pasi zunë pritë grabitën gratë athinase që kremtonin festën e Artemisit, në Brauron. Pastaj hapën velat dhe i sollën në Lemn, ku u martuan me to. Ato patën shumë fëmijë, të cilëve u mësuan gjuhën dhe zakonet e Athinës. Këta fëmijë, për këto arsye, nuk donin të kishin asnjë marrrëdhënie me fëmijët e grave pellazge, (...) Ata morën vendimin t'i vrisnin të gjithë fëmijët që kishin pasur me gratë atikase, gjë që e bën dhe në të njëjtën kohë masakruan edhe mëmat e tyre."[2] Si mund të mirret i besueshëm ky rrëfim, qoftë dhe nga ai që quhet "babai i historisë"? Është i palogjikshëm, pa saktësim të kohës, pa të dhëna që e vërtetojnë. Është thjesht një recetë e njohur e përshkrimit të barbarëve si të pashpirt dhe të rrezikshëm. Ndërsa historia e vërtetë e pellazgëve as që dihet, përveç disa hipotezave që herë ngrihen e herë rrënohen nga historianë e linguistë të ndryshëm.
Për t'i dhënë edhe një argument shtesë për fragmentaritetin dhe falsifikimet e mëdha të realitetit të kohës antike, po e sjellim një fragment nga vepra "Politika", të filozofit të njohur të antikës, Aristotelit: "Thuhet se tek ilirët gjëja e gjallë pjellë dy herë në vit, dhe më të shumtën bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër.
Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi me tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë."[3]
Po të ishte Aristofani, do të mund të mendohej se kur thotë se pulat bëjnë ve disa herë në ditë, po e ekzagjeron punën në një komedi, por këtu është fjala për Aristotelin!
Pra, edhe këto burime që janë, janë të ekzagjetuara, të ndryshuara, të falsifikuara, të pavërteta shumë herë.
Si kompendohet kjo mungesë atëherë? Boshllëku mbulohet shpesh me hipoteza, me konstruksione të llojllojshme pseudoshkencore. Interpretimi mbi faktet ndjek linjën q ë të modelojë një realitet që të jetë kompatibël me idealet e dhe me synimet e kohës kur ai interpretim bëhet, sikundër na e bëri të njohur më herët edhe Mashkini.
Kur historia e romakëve dhe e Romës, e cila për shekuj të tërë sundoi botën antike, është fragmentare dhe deformuar, po historia e popujve të tjerrë, që nuk arritën shkëlqim dhe lavdi, si duket?
Nga një fragment i Herodotit e pamë se si është njollosur historia e pellazgëve dhe nga një fragment i shkëputur nga Aristoteli e pamë se si është prezentuar historia e pulave të ilirëve. Megjithatë, Zoti ua ka lënë mundësinë njerëzve që të njohin fatet e popujve të kaluar, të atyre popujve që e pësuan për shkak të gabimeve të veta fatale:
"A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i atyre që ishin para tyre!? Ata ishin edhe më të fortë se këta, ata e lëruan tokën dhe e rindërtuan atë më shumë se sa këta, atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me fakte të qarta. Pra, nuk ishte Allahu që iu bëri të padrejtë atyre, por ata i bënë të padrejtë vetvetes." (Rrum: 9)
Përfundimi fatal u ka ardhur shumë popujve mbasi e kanë mbushur kupën me mëkate e me krime të rënda, duke e mohuar Zotin e Botëve dhe duke i nëpërkëmbur ligjet e Tij. Vërtet, popuj të fuqishëm kanë defiluar në skenën e historisë së njerëzimit: babilonasit, egjiptianët, helenët antikë, romakët, bizantinët, persët, maqedonasit, ilirët, dakët, thrakasit, inkët, actekët, bullgarët, krahas disa popujve të zhdukur që përmenden në Kur'an: Themud, Adi, Medjeni, etj. Gërmadhat e qytetërimeve të tyre mund të gjenden ende edhe në ditët tona, qoftë nën tokë e ndonjëherë edhe mbi tokë:
"Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t'u vijë afati i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të ngutet më parë." (A'Raf: 34)
Nga kjo pikëpamje historia e njerëzimit rezulton të jetë unike: popuj që janë shfaqur në skenën e historisë, që janë zhvilluar e janë bërë të fuqishëm dhe pastaj kanë marrë tatëpjetën drejt zvetënimit e drejt zhdukjes. Nuk mund të jetë rastësi ai fat i tyre. Në fakt, ai është i dirigjuar qartë nga një ligj suprem, të cilin e ka projektuar dhe e ka zbatuar Zoti i Botëve. Po të mos ishte brenda një ligji hyjnor, do të kishte devijime nga rregullat, do të kishte një kaos edhe në fatet e popujve e edhe në historinë e njerëzimit, sepse popujt e degjeneruar po të mbeteshin të fuqishëm gjatë tërë historisë, do ta mbushnin botën me dhunë e me krime dhe do ta kërcënonin me shkatërrim. Por, nuk ndodh ashtu. Historia e njerëzimit është dhe do të mbetet unike, sepse zhvillohet brenda ligjeve fizike dhe morale që ka paravendosur Krijuesi, e të cilat përcaktojnë edhe fundin e popujve mohues e çrregullues. Dikush e merr vesh me kohë, sikundër bënë arabët kur u erdhi Shpallja në gjuhën e tyre. Dikush me vonesë, si puna e faraonit, që deklaroi se u pendua, po ishte bërë tepër vonë. Ndërsa dikush nuk e merr vesh fare deri sa të ballafaqohet me ndëshkimin e parevokueshëm, sikundër u ndodhi kartagjenasve, inkëve, actekëve, po edhe disa popujve të tjerë, të njohur për dhunë dhe për largim ekstrem nga rruga e Zotit (ata flijonin njerëzit në tempuj!!!).
Në fjalinë e fundit të ajetit 44 të sures El Mu'minunë, Allahu shprehet: I shkatërruar qoftë populli që nuk beson!
Kur Krijuesi i Botëve shqipton një kësi mallkimi, atëherë bëhet krejt e qartë pse u shkatërruan ata popuj mosbesimtarë (kartagjenasit, inkët, actekët, adi, themudi, etj.) edhe pse ishin shumë të fuqishëm edhe ekonomikisht, edhe ushtarakisht. Prandaj historia e njerëzimit është vërtet unike nga lidhja e fateve të popujve me besimin/ mosbesimin. Ndërsa, është e logjikshme që popujt e deklaruar mohues të besimit e të pejgamberëve, kanë zhvilluar institucione të dhunshme dhe totalitare, sepse e kanë adhuruar sundimtarin, në mungesë të adhurimit të Zotit. Po ta kujtojmë këtu historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, do të shohim se si është bërë kjo çoroditje. Shpallja e shtetit ateist ka rezultuar me ngritjen e diktatorit Enver Hoxha në piedestalin e paparë të adhurimit nga turmat. Institucionet e ngritura mbi sistemin piramidal të diktaturës komunisto-ateiste, ku kulti i personalitetit mbërriti përmasa abnormale, kanë qenë të dhunshme, totalitare. Edhe çoroditja e rëndë morale, që u zbulua pas rënies së diktaturës, (prostitucioni, fajdetë, korrupsioni, narkomania, alkoolizmi, krimi), është në proporcion me largimin e njerëzve nga rruga e Zotit. Bile, edhe prirja për ta ndërruar kombësinë, për t'u deklaruar grekë, duke ndërruar emra e fe, është pjesë e asaj çoroditje që mbolli totalitarizimi ateist. Ne vetëm mund të hamendësojmë sot se çfarë çoroditjeje edhe më të egër do të sillte zgjatja e mëtejshme e atij pushteti ateisto-totalitar, por indikatorët na bëjnë me dije se do të mund të ndodhte një shkombëtarizim fatal.
Zoti deshi që spiralja e tmerrshme e shkombëtarizimit dhe e çmoralizimit u ndal në një pikë, nga ku mund të ndodhë, me ndihmën e Zotit, kthimi në rrugën e drejtë. Ndërsa, në Kur'an Zoti na njofton se shumica e popujve, para Shpalljes së fundit, me të cilën u plotësua mëshira e Tij ndaj njerëzimit, ishin të humbur, edhe pse të gjithëve u pati dërguar pejgamberë:
"Po edhe para këtyre (popullit tënd), shumica e popujve të kaluar, ishin të humbur." (Safat: 71)
Ktheje nga ta kthesh, historia e njerëzimit është unike, sepse fatet e popujve janë të kushtëzuara nga qëndrimi që ata mbajnë ndaj shpalljeve të Zotit dhe ndaj ligjeve të Tij. Prandaj, rikonceptimi i historisë së njerëzimit si histori unike, e jo si histori e shteteve të veçanta, jo si histori e mbretërve dhe e komandatëve pushtues, që vetë kanë urdhëruar shkrimin e versionit të historisë së vet, jo si histori e luftërave të klasave e të popujve, më në fund jo si histori e fragmentuar dhe e pavarur nga Vullneti Hyjnor, do të jipte një mundësi të fortë rikthimit të njerëzimit në filozofinë e bashkëjetesës, të bashkëpunimit e të respektimit të ndërsjellë, sipas udhëzimit kur'anor që afirmon idenë se të gjithë njerëzit janë pasardhës të Ademit, pra, janë vëllezër. Kjo do të nënkuptonte zhvlerësimin e interpretimeve arbitrare dhe të falsifikuara të së kaluarës historike, të cilat edhe sot janë burim i konflikteve ndërmjet shumë popujve. Konflikti për të kaluarën është burim edhe i konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, të cilin mbarë institucionet ndërkombëtare ende nuk po arrijnë ta zgjidhin. Miti serb për Kosovën mesjetare si "djep i shteti dhe i kulturës serbe"ishte gjeneratori i spastrimit etnik dhe i gjenocidit mbi shqiptarët në vitet 1998-1999, i cili u ndërpre vetëm falë intervenimit ushtarak të NATO-s. Serbët e kanë krijuar një ide fikse, sipas të cilës Kosova gjithmonë ka qenë serbe. Prej këtij formulimi rezulton se Kosova ka qenë serbe edhe kur nuk ka pasur fare serbë, pra, kur Kosova ka qenë e populluar nga ilirët, kur ka qenë e sunduar nga romakët e nga bizantinët, shumë shekuj para se të vinin serbët në Ballkan. Ideja se "toka e Kosovës është tokë serbe" kështu, bëhet përjashtuese për të drejtat e popujve të tjerë dhe në një moment përdoren edhe mjete gjenocidale për ta realizuar postulatin sipas të cilit "Kosova është vetëm tokë serbe". Po të mbretëronte ideja se toka është e Zotit dhe në të jetojnë njerëzit, pa dallim feje, gjuhe, etnie, e që në instancë të fundit që të gjithë janë pasardhës të Ademit, paqja do të ishte e paravendosur.
Në rast se historia e njerëzimit do të shihej si histori unike, përsa i përket misionit të njeriut në këtë botë, domethënë unike edhe në raport me Krijuesin e Botëve, atëherë do të mund të vinte deri te një bashkëjetesë më paqësore ndërmjet Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit, sepse që të të trija në këtë aspekt e kanë burimin e njëjtë. Ndërsa, bashkëjetesa e tyre më paqësore do të minimizonte vlerat e paganizmit, të politeizmit e të ateizmit në fatet e shoqërisve njerëzore. Ashtu do të eliminohej çfarëdo mundësie e konfliktit të qytetërimeve dhe të feve, ndërsa institucionet që do të rezultonin nga një rikonceptim i tillë i historisë, si histori unike e njerëzimit, do të ishin bartëse dhe garantuese të paqes. (Fragment i librit "Islami i keqkuptuar dhe fatkeqësia botërore")
[1] N.A. Mashkin, Istorija starog Rima, Naucna knjiga, Beograd, 1978, fq. 5
[2] Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Rilindja, Prishtinë, 1979, fq. 20
[3] Po aty, fq. 43
